Mbrëmjen e së mërkurës pritja e gjatë e premierës “Policë për kokë” në kinema ‘Milenium’ shndërrohet në një festë, ku bëhen bashkë personazhe të kulturës, showbizit por edhe politikës e biznesit...
Të pranishmit e shumtë në numër, bëjnë që filmi të shfaqet edhe në ambientet e jashtme të kinemasë Nik Xhelilaj e Olsi Bylylku, dy protagonistët e përzgjedhur nga regjisori i ri Aldo Marku, janë motori i jetësimit të historisë së investigimit për krimin e organizuar e korrupsionin, në zhanrin aksion-komedi.
Të dy aktorët kryesorë para premierës nuk i fshehin emocionet, edhe pse ky do të jetë i pari ballafaqim me punën e bërë, tashmë në radhët e spektatorëve. Dy investiguesit kontrovers, i shkojnë pas zbardhjes së vjedhjes së përgjakshme të një valixheje, pas së cilës pleksen banka, biznesi, politika, e ndoshta edhe drejtësia... Aktori Arben Bajraktaraj i është bashkuar kastit, nën petkat e ministrit të drejtësisë, që orët nuk i ka fort të qeta...
I xhiruar për 30 ditë e ambientuar në Shqipëri, filmi ka pjesë të tijën një galeri personazhesh të larmishëm, si sportisti i arteve marciale Ervis Bici, aktori Alfred Trebicka, Bujar Asqeriu, ndonëse në një rol periferik, shfaqet sopranoja Eva Golemi, e madje pjesë e kastit, janë edhe figura mediatike... Filmi shfaqet përgjatë këtyre ditëve në kinema, ndërsa të ardhmen e tij, aktorët e shohin me optimizëm.