Regjisori dhe skenaristi Edmond Budina është vlerësuar me filmin e tij “Broken” me dy çmime prestigjioze në Festivalin e Filmit të Gardës në Itali.
Në këtë konkurrim, filmi “Broken” (Të thyer) u shpall më i miri, por mori dhe vlerësimin e jurisë së kritikëve. Në film interpretojnë aktorët e njohur shqiptarë: Laert Vasili, Nikolla Llambro, Gladiola Harizaj, Sotiraq Bratko, Zamira Kita, etj.
Producentja Adele Budina shprehet se ndihet krenare për këtë vlerësim të filmit. “Dy fitore të tjera për “Broken”, filmi i fundit i Edmond Budinës, i prodhuar prej meje, i cili jo vetëm fiton konkursin zyrtar të Festivalit të Filmit të Gardës si filmi më i mirë, por gjithashtu fitoi edhe çmimin e jurisë së kritikëve të kinematografisë ndërkombëtare”, shprehet Adele Budina, duke falënderuar organizatorët e festivalit, Veronica Maffizzoli-n, gjithë ekipin e saj, publikun, jurinë dhe kryetarin e bashkisë që i dorëzoi çmimet regjisorit. “Jam krenare për filmin, për vendin tim, për babanë Edmondin, si e bija e tij, por edhe si producente”, shprehet e emocionuar Adele Budina.
Ky film ka fituar edhe çmime të tjera. Në vitin 2018, filmi “Broken” (Të thyer) me skenar dhe regji nga Edmond Budina u shpall fitues i festivalit të 72-të Salernos në Itali. Filmi vjen si një bashkëprodhim shqiptaro-italian-bullgaro-maqedonas dhe është xhiruar në Shqipëri, Itali dhe Maqedoni. Një politikan i ri i inkriminuar, që për karrierë ka shitur gjithçka që interpretohet nga aktori i njohur Laert Vasili.
Filmi u xhirua në 2015-n dhe, siç ka pohuar dhe më herët regjisori, ka punuar disa vite për këtë projekt filmi. Filmi “Të thyer” vjen si një bashkëprodhim shqiptaro-italian-bullgaro-maqedonas dhe është xhiruar në Shqipëri, Itali dhe Maqedoni. Një politikan i ri i inkriminuar, që për karrierë ka shitur gjithçka interpretohet nga aktori i njohur Laert Vasili. Projekti më i fundit i regjisorit të njohur, ka në vëmendje realitetin shqiptar dhe problemet e tij. Ai ka rrëfyer se është një film ku mund ta gjejnë veten shqiptarët, ku trajtohet ndotja e ambientit, korrupsioni, raporti prind-fëmijë. “Unë ngre probleme që shqetësojnë njerëzit. Ndotja e ambientit, raporti prind -fëmijë është një tjetër problem, korrupsioni, abandonimi i fshatit, mbyllja e prindërve nëpër azile, të gjitha këto janë në film në copëza të vogla, dhe kështu që secili mund ta gjejë veten në këtë. Shpresoj që të jetë një gjë tjetër nga ato që kemi parë deri tani dhe shqiptarët ta ndjejnë veten mirë në këtë film, pavarësisht se ka brenda edhe dhimbjen edhe humorin, i ka të gjitha bashkë”, ka treguar Budina.
Së fundi, emri i tij është bërë i njohur si skenarist dhe regjisor, por Budinës nuk i kanë munguar rolet në filmat më të mirë shqiptarë. Ai ka luajtur role në filmat “Dollia e dasmës sime”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Nusja”, “Dora e ngrohtë”, “Ballë për ballë”, “Vendimi”, “Muri i gjallë”, “Koha nuk pret”, etj. Ndërsa në filmin “Të thyer”, fituesin e dy ccmimeve prestigjioze në Festivalin e Filmit të Gardës në Itali, Edmond Budina interpreton personazhin e babait, i cili kalon një pjesë të madhe të jetës në burg. Dhe roli i Budinës mbetet një rol i spikatur në këtë film, për të cilin nuk ka munguar edhe vlerësimi i kritikës.
Përvoja në aktrim e regjisorit shqiptar, që prej disa vitesh ka fituar trofetë e festivaleve ndërkombëtare prestigjioze, është e pasuruar edhe nga eksperienca e gjatë dhe e suksesshme, jo vetëm në kinema por edhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Ai ka interpretuar rreth 45 role, në pjesën më të madhe si protagonist në dramat kombëtare e të huaja midis të cilëve: Profesor Jani tek “Karnavalet e Korçës” S.Çomora; Pali “Përmbytja e madhe” K.Jakova; Bujari tek “Zonja nga qyteti”; Fatmiri te “Furrnalta”; Sala te “Shoqja nga fshati” R. Pulaha; Ismail Qemali, Toni i Prenkës, “Udha e flamurit”; “Besa e madhe”, M.Markaj; Ferdinandi te “Luiza Miler”, Shiler; Jun Gabriel, “Borkman” Ibsen; Bif, “Vdekja e komisionerit”, Miler; Ribakov, “Orët e Kremlinit”, Pogodin; Aktori “Monserat”, Rables, etj.