Orges Shehi, trajneri i Partizanit

Final 4/ Gjysmëfinalja kundër Skënderbeut, Orges Shehi: Ne duam finalen, kemi bërë paraqitje të mirë

16 Maj, 18:17| Përditesimi: 16 Maj, 18:27

  • Share

Partizani dhe Skënderbeu luajnë nesër në 20:00 në "Air Albania", për gjysmëfinalen e parë të "Final 4". Përpara ndeshjes me korçarët para medieve doli Orges Shehi. Trajneri i Partizanit tha se kërkojnë finalen e 26 majit, teksa përballë janë korçarët që në sezonin e rregullt u renditën në vendin e katërt.

"Është e vërtetë që nis një fazë e re, por fazë shumë e shkurtër prej 10 ditësh dhe vetëm dy ndeshje, të cilat vendosin shumë. Pas 36 javësh jemi munduar të freskonim pak skuadrën me disa minuta më pak në ndeshjen e fundit që në këtë periudhë të riaftësojmë dhe afrojmë me grupin Taipin e Carën që i janë bashkëngjitur pjesës tjetër të skuadrës.

Gjendja - Skuadra është e plotë dhe e përqëndruar për takimin e nesërm. Kemi edhe një seancë të fundit stërvitore sot dhe aty do të vendosim përfundimisht se kush do ta nisë nga fillimi e kush jo. Pas seancës së sotme do e vendosim, edhe pse e kemi një ide. Pas saj do të vendoset 100%. Me të gjitha skuadrat vijmë pas një përballje prej 4 herësh se kështu është formati.

Kundërshtari - Ne do ta vlerësojmë Skënderbeun si skuadër që është renditur e katërta, ka objektivat e veta dhe është skuadër që do të kërkojmë ta mundim për të shkuar në finale.

Formulën e dinim që në fillim, mendoj se Partizani ka zhvilluar sezonin e dytë të mirë dhe mbi mesatare dhe shumë të mirë. Pse e them këtë? Sepse nëse vitin e kaluar e mbylli kampionatin me 67 pikë, këtë vit e mbyll me 64 pavarësisht se çfarë formule është. Dhe kjo tregon vazhdimësi, një qëndrueshmëri të skuadrës dhe mentalitet të mirë", tha mes të tjerash Orges Shehi.

"Final 4" është mini-turneu që do vendosë kampionin e Superligës këtë sezon, teksa veç Partizani - Skënderbeu në gjysmëfinalen e dytë Egnatia do përballet me Vllazninë më 19 maj në orën 20:00 po në "Air Albania".

Ndeshjet gjysmëfinale janë 90 minuta dhe në rast barazimi, Partizani apo Egnatia kalojnë më tej, kjo në bazë të renditjes më sipër në sezonin e rregullt të Superligës. Kësisoj, Skënderbeu dhe Vllaznia do duhet të kërkojnë golat.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?