TIRANË - Të dielën dhe të hënën do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale të “Final 4”, ku do të vendoset finalja e madhe e sezonit 2024/2025 në Superligën e futbollit.
Vllaznia - Dinamo është gjysmëfinalja e parë e “Final 4”, që do të luhet të dielën, më 4 maj në orën 20:00 në stadiumin “Arena Kombëtare”. FSHF, si organizatore e ndeshjeve të “Final 4”, ka përcaktuar edhe ndarjen e tribunave për tifozët.
Në sektorin N do të vendosen tifozët e Vllaznisë, ndërsa sektorët S dhe V janë të rezervuara për tifozët e Dinamos. Në tribunën kryesore, sektorët W101, W102 dhe W103 janë në dispozicion të tifozëve të Vllaznisë, ndërsa në sektorët W105, W106 dhe W107 do të vendosen tifozët e Dinamos.
Të gjitha tribunat e tjera në stadiumin “Arena Kombëtare” do të jenë në dispozicion të tifozëve të të dyja skuadrave dhe për të gjithë futbolldashësit e kampionatit shqiptar.
Gjysmëfinalja e dytë, Egnatia - Partizani, do të zhvillohet të hënën, më 5 maj në orën 20:00 po në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Në këtë sfidë, tifozët e Egnatias do të pozicionohen në sektorin N, ndërsa tifozët e Partizanit në sektorët S dhe V. Në tribunën kryesore, sektorët W101, W102 dhe W103 janë në dispozicion të tifozëve të Egnatias, ndërsa në sektorët W105, W106 dhe W107 do të vendosen tifozët e Partizanit.
Edhe në këtë ndeshje, tribunat e tjera do të jenë në dispozicion të tifozëve të të dyja skuadrave dhe për të gjithë futbolldashësit e kampionatit shqiptar.
Komente
