Tirana dhe Egnatia do përballen sot në 19:00 për finalen e Kupës së Shqipërisë. Dueli zhvillohet në "Elbasan Arena", me skuadrat që duan të mbyllin sezonin me një trofe. Bardheblutë e Shehit e mbyllën kampionatin në vendin e dytë, teksa Partizani fitoi Superligën me "fotofinish".
Nga ana tjetër, Egnatia është për herë të parë në finale, teksa ka siguruar pjesëmarrjen në Conference League, duke u renditur në vendin e tretë në kampionat, pas një sezoni fantastik. Për 90 ose më shumë minuta, miqtë Orges Shehi dhe Edlir Tetova do jenë kundërshtar për këtë trofe, duke dashur të dërgojnë skuadrat e tyre te suksesi.
Nëse më herët Tetova ka qenë ndihmësi i Shehit, sot dy trajnerët do jenë në kampe të ndryshme. Për këtë sfidë, FSHF ia ka besuar arbitrimin kryesorit të FIFA-s, Enea Jorgji. Institucioni i futbollit jep 5 milionë lekë (të rinj) shpërblim për fituesin. Në 11 takime mes tyre, Tirana ka fituar 10 herë kundër Egnatias, me rrogozhinasit që kanë barazuar vetëm një herë.
Veç emrit, Egnatia ka kundër edhe historinë. Shpresa e rrogozhinasve është te forma aktuale dhe dënimi i gjysmës së lojtarëve të Tiranës, me Shehin që me "siklet" të madh do formojë ekipin titullar.