Egnatia ngre trofeun e Kupës së Shqipërisë

Kupa e Shqipërisë/ Egnatia mund 0-1 Kukësin dhe merr trofeun e dytë radhazi në histori, Tirana në Evropë nga divani

14 Maj, 20:55| Përditesimi: 14 Maj, 22:23

  • Share

FT/ Kukësi 0-1 Egnatia (Ndreca 38')

TIRANË - Egnatia ka mundur 0-1 Kukësin në finalen e Kupës së Shqipërisë (edicioni 72) dhe rrogozhinasit vijojnë të mbajnë fronin në këtë turne, teksa ky është suksesi i dytë radhazi. Në "Air Albania" ndeshja ishte me ritëm të lartë, teksa edhe VAR u fut në lojë.

Ndeshja nisi më mirë për Egnatian, që pa më shpejt drejt portës kundërshtare. Në të 24 minutë Kukësi u detyrua të nxirrte nga fusha Dragoshin për t'i bërë vend Hasajt. Duhej e 38 minutë që një ish si Edison Ndreca të shënonte dhe t'i jepte epërsinë dhe për rrjedhojë trofeun Egnatias.

Në fraksionin e dytë Kukësi u duk më kërkues, duke humbur një rast të mirë me Franci Lalën, por pa mundur të ngacmojë portën e Sherrit. Në minutën e 79, edhe me ndihmën e VAR Egnatia fitoi një penallti për prekje të topit me dorë në zonë.

Nga 11 metra largësi braziliani Fernando u ndal nga Tafas që kuptoi krahun, por që në fund verilindorët nuk ia dolën të merrnin trofeun e tretë. Kështu, Egnatia siguron trofeun e dytë në Kupën e Shqipërisë, teksa do luajë edhe në "Final 4" për të tentuar edhe trofeun e Superligës.

Nga ana tjetër Kukësi nuk ia del ta mbyllë sezonin me trofe, teksa sezonin e ri do jetë pjesë e Kategorisë së Parë duke u rrëzuar pas 12 vitesh nga elita e futbollit shqiptar.

Me suksesin e Egnatias në Kupë përfiton edhe Tirana, që do jetë një nga ekipet pjesëmarrëse në fazën eliminatore të Conference League. Egnatia, e renditur e para në sezonin e rregullt e kishte të sigurt vendin në Evropë, ndërsa tani suksesi në Kupë i hap rrugë një tjetër ekipi.

Në mungesë të Skënderbeut (vendi 4 në Final Four) të dënuar nga UEFA me dhjetë vite pezullim nga Evropa (i kanë mbetur edhe tre), është Tirana që merr një vend në Evropë edhe pse u rendit në vendin e pestë në Superligë.

Komentet e rëndësishme:

90+5' Mbyllet 0-1 ndeshja. Egnatia fituesja e Kupës së Shqipërisë.

79' Fernando gabon penalltinë te Egnatia, pret Tafas. Kukësi shpreson për barazimin.

53' Franci Lala s'u beson syve, e majta e mbrojtësit të Kukësit shkon jashtë. Verilindorët shtojnë sulmet.

46' Nis pjesa e dytë, Kukësi kërkon barazimin.

45' Mbyllet 0-1 pjesa e parë.

38' Egnatia kalon në avantazh me Edison Ndrecën pas një aksioni nga e djathta. Festë e "çmendur" nga një ish si Ndreca, që shënon golin e katërt sezonal.

1' Nis ndeshja në 'Air Albania', tifozët e Egnatias shpalosin një fanellë gjigante të ish-kapitenit të ndjerë, Raphael Dëamena.

Tifozët e Egnatias nderojnë Raphael Dëamenan

Formacionet zyrtare:

Kukësi: Tafas, Lamçe, Lala, Reçi, Zhongo, Lleshi, Dragoshi, Mingo, Fejzaj, Salami, Solodovnikov Trajner: Bledar Devolli

Egnatia: Sherri, Dulis, Malota, Xhemajli, Ndreca, Fangaj, Ahmetaj, Zejnullai, Fernando, Ibrahimoglu, Montenegro Trajner: Edlir Tetova

Ora 21:53
VIDEO/ Fitoi Kupën me Egnatian, portieri Alen Sherri propozon në fushë të dashurën

 
Egnatia për të dytin vit radhazi është fituese e Kupës së Shqipërisë. Lojtarët rrogozhinas kanë festuar në fushën e "Air Albania", ndërsa një moment i veçantë ndodhi me portierin shkodran, Alen Sherri.

Ky i fundit ftoi të dashurën në fushë dhe në prani të ekipit dhe trofeut u ul në gjunjë dhe i propozoi për martesë. Ajo tha "po".

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?