Me fondin prej gati 24 milionë lekësh (gati 200 mijë euro) qeveria shqiptare ka hapur garën për konsulencë ligjore për eurobondin që parashikohet të emetohet gjatë vitit 2020. Në këtë mënyrë, shteti shqiptar përgatitet të dalë për herë të 4-t në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve për të marrë hua në valutë. Ministria nuk bën të ditur në dokumentat e tenderit shifrën që synon të marrë hua këtë herë.
Data për hapjen e ofertave është 30 dhjetori dhe kontrata do të jetë e vlefshme deri në fund të vitit të ardhshëm. Por parashikohet që konsulenca të zgjatë afërsisht për 8-12 javë.
Eurobondi i parë shqiptar është emetuar në vitin 2010, me 300 milionë euro dhe një interes afro 9%. Në vitin 2015, kur përfundoi afati 5-vjeçar, u krye dalja e dytë me 450 milionë euro, me një normë interesi më të ulët: 5.75%.
Eurobondi i tretë i Shqipërisë u përmbyll para se të mbaronte afati i Eurobondit të dytë, në dhjetor 2018, me 1.25 miliardë euro të ofruara, nga të cilat u pranuan 500 milionë euro. Interesi ishte edhe më ulët: 3.55%.
Eurobondi është një nga mënyrat e sigurimit të borxhit nga jashtë për qeverinë, njëkohësisht aty kryhet edhe një vlerësim i ekonomisë së vendit dhe aftësisë së qeverisë për shlyerjen e borxhit. Sa më i ulët të jetë interesi dhe sa më të shumta të jenë ofertat, aq më pozitiv ka qenë ky vlerësim.
Përveç faktit se vitin e ardhshëm mbaron afati i eurobontit të emetuar në vitin 2015, huaja në fjalë është shumë e nevojshme për të përballuar edhe pasojat e tërmetit të nëntorit.