Ministria e financave dhe Ekonomisë

Financat publike/ Qeveria del me Eurobond këtë vit, pa pritur maturimin e vitit 2020

24 Qershor 2018, 07:44| Përditesimi: 24 Qershor 2018, 17:00

  • Share

Pa pritur që të maturohet Eurobondi i dytë, me të cilin Shqipëria ka dalë në tregjet financiare botërore në vitin 2015, qeveria ka shpallur garën për menaxhuesit e Eurobondit të tretë. Me një ftesë për oferta, ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpallur garën për kompani apo persona që do të merrnin përsipër të organizonin daljen në treg, duke menaxhuar një stok huaje prej maksimumi 500 milionë eurosh.

Eurobondet

Për herë të parë, Shqipëria ka dalë në tregjet financiare me Eurobond në vitin 2010. Ai është maturuar, sipas parashikimit, në vitin 2015, kur qeveria Rama përsëriti veprimin e qeverisë Berisha, duke marrë 450 mln euro hua me kupon interesi 5.75 për qind. Por, me Eurobondin e tretë, këtë herë, po veprohet ndryshe. Kjo, pasi Eurobondi-2 normalisht maturohet më 2020. Por, në dokumentin-ftesë të ministrisë shqiptare thuhet shprehimisht se “në vijim të operacionit të Eurobondit të vitit 2015, që i dha mundësinë vendit të marrë 450 milionë euro për pesë vjet me një kupon prej 5.75 përqindësh, Republika e Shqipërisë synon: 1) të nxjerrë një Eurobond në vitin 2018 në tregjet ndëkombëtare të kapitaleve dhe 2) të blejë një pjesë të Eurobondit ekzistues, që maturohet në vitin 2020. Transaksioni synon të mbulojë nevojat e qeverisë për financime dhe të menaxhojë në mënyrë proaktive profilin e borxhit publik të Shqipërisë”.

Më tej, zbulohet edhe një risi tjetër: Maturimi duhet të jetë më i gjatë se më parë, pra mund të kalojë 5 vjetët. “Nëpërmjet këtij transaksioni, Republika e Shqipërisë synon të zgjatë maturimin mesatar, që mund të jetë nga pesë në 10 vjet, ndërkohë që shuma e synuar do të ishte deri në 500 milionë euro”.     

Sipas ekspertëve të Financave publike, në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve para’ të lira ka plot, ndërkohë që ka edhe shumë investitorë, të cilët nuk e kanë për gjë të blejnë bonde të vendeve edhe me më shumë probleme se Shqipëria. Por zgjatja e maturimit mund të sillte një rritje të kuponit të interesit që duhet të paguhet nga vendi ynë.

Strategjia

Kohët e fundit qeveria shqiptare duket se ka zgjuar nga letargjia investimet e rëndësishme, kryesisht në infrastrukturë. Këto gati u ngrinë për pesë vjetët e fundit, por nevojat e zhvillimit kërkojnë shpenzime të mëdha buxhetore në këtë drejtim. Kjo shpjegon edhe nxitimin për të blerë një pjesë të mbetur të Eurobondit nga vetë qeveria, që e ka emetuar, në favor të marrjes së një shume prej 500 milionë eurosh, shumë të nevojshme në një periudhë para zgjedhjeve vendore të 2019-ës dhe në perspektivën e zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit, kur mendohet që një numër i konsiderueshëm investimesh në rrugët nacionale të konkretizohen. 

Qeveria ka përcaktuar, në strategjinë e saj afatmesme të menaxhimit të borxhit publik, tri rrugë strategjike që mund të ndiqen për të arritur objektivat e veta në uljen e borxhit publik. Sipas varjantit të parë, në tregun e brendshëm do të përqendrohej 90% e huamarrjes dhe financimi i huaj do të përqendrohej vetëm në vijimin e objekteve në punë e sipër dhe huatë nga FMN, etj. Kjo ofron koston më të ulët. Por mund të rriste interesat e bonove të thesarit. Strategjia e dytë synon 80-85% hua në tregun e brendshëm dhe 100 milionë euro në vit hua të re të jashtme. Kjo ka kosto më të lartë, por ul rrezikun ndaj kursit të këmbimit.

Ndërkohë, rruga e tretë e propozuar ka qenë dalja në tregun financiar ndërkombëtar me një Eurobond të tretë, duke qenë edhe se ai aktuali përfundon më 2020. Por qeveria ka sugjeruar që kjo të kryhet që në vitin 2018 dhe me një vlerë prej 400-500 milionë eurosh. Kostoja është më e lartë akoma, por siguron fondet në valutë edhe për ripagesa borxhesh, të cilat sa vinë e po shtohen në vitin 2019.

Borxhi

Në tremujorin e parë të këtij viti qeveria shqiptare, ka shfrytëzuar kryesisht tregun e brendshëm për huamarrje. Borxhi në lekë është rritur me mbi 11 miliardë lekë, ndërsa ai në valutë të huaj është pakësuar me rreth 13 miliardë lekë. Leku vazhdon të ketë kështu një kryesim të lehtë në strukturën e borxhit sipas monedhës, me 50.2% të totalit. Megjithatë, borxhi në valutë të huaj ende zë pothuajse gjysmën e totalit, por edhe një pjesë e këtij borxhi është detyrim ndaj kreditorëve rezidentë, në formën e obligacioneve në euro ose kredive për Korporatën Elektroneergjetike Shqiptare.

Po të marrim për bazë vlerësimin më të fundit të numrit të popullsisë rezidente në Republikën e Shqipërisë, të bërë nga Instituti zyrtar i Statistikave në 1 janar të vitit 2018, që raporton një popullsi prej 2.870.324 banorësh, mesatarisht çdo shqiptari i takon një borxh prej 378.479 lekësh dhe një familjeje mesatare me katër banorë 1.513.916 lekë. Në valutë të huaj këto shifra konvertohen në 2.933 euro për frymë të popullisë dhe 11.735 euro për çdo familje shqiptare.

Borxhi publik është ulur gjatë tremujorit të parë të vitit në vazhdim, duke shënuar një shifër më të vogël se në fund të tremujorit të parë të vitit të kaluar, por edhe më të vogël se fundi i 2017-ës. Sipas statistikave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të publikuar pak më parë, aktualisht shifra e borxhit publik të Shqipërisë është 1 trilion e 86 miliardë lekë, e barabartë kjo afërsisht me 8 miliardë e 328 milionë euro.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • redi: 24/06/2018 13:25

    Ahmetaj di ta falimentoj Shqiperine shume shpejt . Eshte mashteues kronik , se ka kohe qe vetem genjen per te ulur borxhin publik ne nje kohe qe ai rrutet . KLSH te auditoj financat se ka mundesi borxhi merret ne urdher te kreditirit dhe dyshoj tek ato qe hane ne afer . Pa shlyer euribondin e oare , su guxon te marresh theter dhe perqindja shume te larte 5.75% , ku be tregun vendas mund ta nerrhe me lire . Ky minister eshte cetem sekser koncensionesh dhe i pa afte

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?