Financial Times ka zbuluar disa dokumente kofidenciale të cilat pasqyrojnë aktivitetin e shtuar tregtar mes Rusisë dhe Indisë, gjatë luftës në Ukrainë dhe sanksioneve të Perëndimit ndaj Moskës.
Sipas Financial Times, Rusia është përqendruar në blerjen e pajisjeve elektronike, që i shërbejnë për prodhimin e armëve në vend.
Në dokumentet e deklasifikuara, thuhet se Ministria ruse e Industrisë dhe Tregtisë e Moskës parashikoi shpenzimin e 1 miliard dollarëve për sigurimin e pajisjeve elektronike të nevojshme, përmes disa kanaleve tregtare, të fshehura nga qeveritë e Perëndimit.
Në fakt, Rusia do paguante Indinë me monedhën kombëtare të kësaj të fundit, Rupi, të cilat i kishte grumbulluar nga shitja e naftës.
Në dokument, theksohet se Kremlini e ka konsideruar Indinë si një treg alternativ për sigurimi e mallrave thelbësore "të furnizuara më parë nga vende jomiqësore".
Lidhjet e Indisë me Moskën ndërkohë kanë irrituar edhe Uashingtonin zyrtar.
Në korrik të këtij viti, Wally Adeyemo, zëvendës Sekretari i Thesarit në SHBA, u shkroi tre prej organizatave kryesore të biznesit në Indi duke paralajmëruar se "çdo institucion financiar i huaj që bën biznes me bazën industriale ushtarake të Rusisë, rrezikon të sanksionohet vetë".