Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se janë pranë finalizimit të një marrëveshjeje tregtare, e cila do të vendosë tarifa doganore prej 15% mbi importet evropiane në SHBA.
Kjo lëvizje synon të shmangë kërcënimin e Presidentit Donald Trump për rritjen e këtyre tarifave në 30% duke filluar nga 1 gushti, sipas burimeve të "Financial Times" që citojnë tre burime të mirëinformuara.
Marrëveshja e re përfshin tarifa të ndërsjella dhe është ndërtuar mbi një strukturë të ngjashme me marrëveshjen bilaterale të arritur së fundmi ndërmjet SHBA-së dhe Japonisë.
Sipas Financial Times, në kuadër të negociatave, pritet heqja e ndërsjellë e tarifave doganore për një sërë produktesh strategjike, përfshirë aeroplanë, pije alkoolike dhe pajisje mjekësore.
Komisioni Evropian, i cili ka përgjegjësinë për politikën tregtare të BE-së, njoftoi përfaqësuesit e vendeve anëtare të mërkurën, pas kontakteve intensive me zyrtarë amerikanë.
Që prej muajit prill, eksportuesit evropianë kanë qenë të detyruar të paguajnë tarifa shtesë prej 10% për të hyrë në tregun amerikan, përveç tarifave ekzistuese mesatare prej 4.8%.
Sipas burimeve, tarifa e përgjithshme prej 15% do të përfshijë edhe tarifat ekzistuese, çka për Brukselin përfaqëson një ruajtje të status quosë. Veçanërisht për industrinë automobilistike, ku tarifat aktuale arrijnë në 27.5%, marrëveshja do të sillte një ulje të ndjeshme në nivelin 15%.
Megjithatë, Komisioni Evropian vijon përgatitjen e një pakete të mundshme kundërmasash me vlerë deri në 93 miliardë euro, që do të përfshinte tarifa deri në 30%, në rast se nuk arrihet një marrëveshje deri më 1 gusht.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, deklaroi se situata është ende "e paqëndrueshme dhe mund të ndryshojë".
Komente
