Financimet e partive politike, Çoçoli: Shkeljet më të rënda, fondet nga jashtë! KQZ të dyfishojë gjobat! Meta, politikani që shpenzon më shumë për Facebook

19 Prill 2023, 19:54| Përditesimi: 19 Prill 2023, 20:06

  • Share

Eksperti ekonomik, Fatos Cocoli ka analizuar financimin e partive politike duke thënë se shqetësim mbeten fondet nga jashtë vendit. Në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Çoçoli thotë se partitë politike nuk financohen vetëm nga buxheti i shtetit për fushatë zgjedhore por edhe nga donatorët, ndërsa fondet nga jashtë i cilëson shkelje të rënda që duhet të ndëshkohen.

“Këto janë para që merren çdo vit. Partitë kryesore parlamenti i marrin. 1.3 milionë euro merr PS, 910 mijë euro merr PD, Partia e Lirisë merr 139 mijë euro. Më pak marrin partitë e tjera. Kjo është torta e parave që njësoj do të merreshin pas zgjedhjeve. Qytetarët duhet të na kuptojnë, nuk janë vetëm këto para. Pjesa që marrin, fond i veçante vetëm shpenzimeve zgjedhore është rreth gjysmë milionë euro për PS, më pak se 410 mijë euro për PD e kështu zbret torta e dytë e parave të shpenzimeve të dedikuara. Nuk janë vetëm këto para. Partitë tona kryesore nuk e zhvillojnë fushatën vetëm me paratë e buxhetit të shtetit. Shkeljet më të rënda që na shqetësojnë janë kur partia pranon donacione që ligji i përjashton. Këtu kam parasysh fondet nga jashtë vendit”, tha Çoçoli.

Sa i përket gjobave që vendos KQZ për shkeljet e partive politike, Çoçoli sugjeron që të dyfishohen gjobat në rast të shkeljeve të rënda.

“Është mirë të dyfishohen gjobat. Deri tani, nuk kemi gjoba të kripura shumë të forta apo pezullim të partive sepse struktura e ngarkuar me ligj për të kontrolluar partitë është e ndikuar. Anëtarët e KQZ janë të vendosur nga partitë. Si mund t’i bëjnë gjëmën partisë së tyre në rast se ka shkelje të rënda?” – tha Çoçoli.

Ndërsa nga shifrat e shpenzimeve në Facebook gjatë 30 ditëve të fundit, sipas Çoçolit, Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë është politikani që shpenzon shifra marramendëse, mbi 4 mijë dollarë për sponsorizime në Facebook dhe ai që paguan më pak është Erion Veliaj, kryetar i bashkisë së Tiranës me rreth 200 dollarë.

Sipas ekspertit Çoçoli, i dyti në radhë që shpenzon më shumë para në rrjete sociale është kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi që shpenzon 3236 dollarë në muaj. Sipas një llogaritje, Meta shpenzon rreth 150 dollarë në ditë dhe Këlliçi rreth 100 dollarë për Facebook.

Ilir Meta - 4,386 USD
 Belind Këlliçi  - 3,236 USD
Grigels Muçollari - 1,000 USD
Endri Shabani - 538 USD
Erion Veliaj - 219 USD

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?