Në tryezën e diskutimit për financimin e partive Politike, kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike Enkelejd Alibeaj, tha se financimi i fushatave zgjedhore, janë jo transparente. Alibeaj tha se është në favor të një financimi të partive politike nga shtetit, pasi kjo mënyrë do të jetë më e matshme dhe më transparente. Sipas Alibeajt, financimi me fornde private i partive politike, shton mundësitë e ndikimit nga burime të paligjshme, kriminale dhe korruptive.
‘Ditën e premte, datë 17 qershor, ne kemi zhvilluar mbledhjen e parë të Komisionit të Posacëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore, të ngritur me iniciativë të Partisë Demokratike. Ky Komision ka për detyrë ndër të tjera të adresojë rekomandimet e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që veprojnë në fushën e zgjedhjeve. Në këtë kuptim, në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, por edhe kryetarit të Partisë Demokratike, dëshiroj të falënderoj sinqerisht organizatën IDEA për organizimin dhe ftesën. Cdo ide dhe diskutim tuajin në këtë tryezë do ta dëgjojmë me vëmendje dhe mbajmë shënim, pasi jam i bindur që do të jetë një shërbim i vyer për punën që do të duhet të kryejë Komisioni i Reformës në muajt në vijim. Aq më tepër, që sot jemi mbledhur për një temë shumë të rëndësishme që lidhet me financimin e partive politike, e cila për Partinë Demokratike ka qenë dhe mbetet një shqetësim që meriton vëmendje.
Dua ta filloj këtë diskutim, duke u ndalur tek raporti final i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Ky raport është në fakt një lloj manuali pune që do të udhëheqë të gjithë veprimtarinë e Komisionit, dhe një ndër veprimet e para që ne kemi bërë ka qenë pikërisht dërgimi i një kërkese Misionit për të kërkuar që të na asistojnë me ekspertizën e tyre të cmuar. Raporti përmban tre rekomandime sa i përket financimit të fushatave zgjedhore të partive politike. Përkatësisht: 1. Autoritetet duhet të marrin në konsideratë ndryshimet ligjore për të zgjeruar rregulloret dhe kufijtë e dhurimeve dhe shpenzimeve, sic janë caktuar për partitë politke, që ato të aplikohen edhe për palët e treta. 2. Në mënyrë që të rritet përgjegjësia e partive politike dhe transparenca e përgjithshme e procesit zgjedhor, duhet të merren në konsideratë që t’u kërkohet garuesve të zbulojnë të ardhurat dhe shpenzimet e tyre të fushatës para ditës së zgjedhjeve. 3. Duhet të zhvillohet aftësia e KQZ-së për të zbatuar në mënyrë efektive kërkesat ligjore në lidhje me mbikëqyrjen e financimit të fushatës.
Dy rekomandimet e para i përkasin punës që duhet të bëjë Kuvendi, nëpërmjet Komisionit të Reformës Zgjedhore, ndërsa rekomandimi i tretë, sigurisht shumë i rëndësishëm mbetet për t’u adresuar nga kolegët tanë të KQZ-së. Duke u ndalur shkurtimisht te rekomandimet, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 u vu re një fenomen, i cili sigurisht nuk ishte i ri, por mungonin të dhënat statistikore, që kishte të bënte me financimin e palëve të treta, të cilët ndërhynin në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatë zgjedhore, duke u përpjekur që të formësonin mendime të caktuar të zgjedhësve. Vecanërisht, ky fenomen u vu re në rrjetet sociale, të cilat për shkak të zhvillimit të fushatës zgjedhore në kohë pandemie, morën një rëndësi të jashtëzakonshme. Për të kuptuar më mirë këtë fenomen, mund të na ndihmojë një investigim profesional i kryer nga gazetarët e BIRN. Konkretisht, ky investigim tregoi se përvec kandidatëve dhe partive politike, shpenzime të larta në Facebook janë bërë edhe nga një numër faqesh, të cilat kanë publikuar reklama denigruese kundër opozitës, faqe të tilla si “Untold Stories of Albania”, “Punë Punë”, “Të jesh grua”, “Pakëz Dritë” dhe “Ligj dhe Rend”. Këto pesë faqe kanë shpenzuar në total 29.722 dollarë për reklama gjatë fushatës zgjedhore, Administratorët apo pronarët e këtyre faqeve mbeten anonimë, numrat e tyre të telefonit ishin të njëjtë, dhe pas tyre nuk përgjigjej askush, pasi telefoni dilte i fikur. Megjithëse vlera është mjaft domëthënëse, ato nuk rezultojnë të jenë deklaruar nga asnjë parti politike si shpenzim zgjedhor, të cilat nisur nga përmbajtja që kishin kundër opozitës, mund të merren me mend në favor të kujt ishin.Ky investigim në fakt hapi një debat të rëndësishëm sa i përket nevojës së rregullimit të financimeve nga palët e treta në fushatë. Por, cfarë janë palët e treta? Si palë të treta konsiderohen ato subjekte, persona fizikë apo juridikë, të cilët në mënyrë të pavarur, megjithëse nuk janë kandidatë në zgjedhje apo parti politike, bëjnë fushatë intensive për të cuar përpara idetë apo pikëpamjet e tyre për partitë politike, kandidatët apo problematika të ndryshme. Sigurisht që shifrat e financimit që këto palë harxhojnë në fushatat zgjedhore është disa herë më i lartë, por fatkeqësisht të paidentifikuara, edhe për shkak se Shqipëria nuk ka një rregull legjislativ për këtë cështje. Në fakt kjo është një cështje që vazhdon të diskutohet edhe për vende me demokraci dhe sisteme zgjedhore shumë herë më të konsoliduara se vendi ynë. Në 44 vende evropiane, vetëm 17 prej tyre kanë një rregullore të caktuar për palët e treta, ndërsa 10 vende e kanë rreptësisht të ndaluar pjesëmarrjen e palëve të treta në fushatë zgjedhore. Kryesisht për rregullimin e palëve të treta, ka tre qasje: qasja e parë është ndalimi; qasja e dytë është që financimet e tyre t’i atribuohen kandidatëve/partisë politike në favor të të cilëve shkojnë financimet dhe një qasje e tretë më e moderuar sipas të cilës shtetet duhet të miratojnë disa rregullore ku të përcaktojnë regjistrimin e këtyre palëve, kufizimin e dhurimeve, dorëzimin dhe publikimin e raporteve financiare; dhe rregullime të tjera të nevojshme.
Kjo është një cështje për të cilën mendoj se do të ketë diskutime dhe propozime në Komisionin e Reformës Zgjedhore, por personalisht mbetem i mendimit se në zgjedhjet e ardhshme ky rekomandim duhet adresuar në legjislacionin zgjedhor. Rekomandimi i dytë ka të bëjë me transparencën e të ardhurave dhe shpenzimeve të kandidatëve dhe partive politike gjatë fushatës zgjedhore, në mënyrë që ditën e zgjedhjeve, votuesit të bëjnë zgjedhjet e tyre edhe duke u bazuar në këto të dhëna. Në fakt, Kodi ynë Zgjedhor parashikon detyrimin e partive politike që brenda 60 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, të paraqesin raportin financiar të të ardhurave dhe shpenzimeve. Më pas KQZ duhet të cakotojë auditues për shqyrtimin e këtyre raporteve, gjetjet e të cilëve duhet të publikohen brenda 30 ditëve nga paraqitja e tyre në KQZ. Është e kuptueshme se për shkak të depozitimit dhe publikimit të këtyre raporteve kohë pas përfundimit të zgjedhjeve, ato nuk kanë asnjë lloj impakti apo influence në zgjedhjet që bëjnë votuesit.Kështu që me të drejtë, në vlerësimin tim, OSBE/ODIHR, nisur edhe nga Rregullorja e Partive Politike të Komisionit të Venecias, ka rekomanduar që legjislacioni ynë zgjedhor duhet rishikuar në mënyrë që të mundësojë bërjen transparente të financimeve të kandidatëve dhe partive politike gjatë fushatës për të mundësuar që votuesit të bëjnë zgjedhje të informuara. Në vlerësimin tim, ky rekomandim duhet të reflektohet në Kodin Zgjedhor nga Komisioni i Reformës Zgjedhore. Madje, kandidatët dhe partitë politike duhet të kenë detyrimin jo vetëm të deklarimit pranë KQZ-së, por edhe publikimit në platformat e tyre të komunikimit.
Rekomandimi i tretë i OSBE/ODIHR, megjithëse sic e thashë më lart, më shumë i përket KQZ-së, se Komisionit të Reformës apo partive politike, mendoj që është po ashtu thelbësor. Është tashmë e njohur citati se Shqipëria ka ligje shumë të mira, por zbatimi i tyre është i dobët. E unë mendoj se gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përpjekje të mira për të garantuar një legjislacion të mirë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, megjithatë zbatimi ka mbetur shqiptar. Shpesh importimi i dispozitave cilësore nga legjislacionet ndërkombëtare nuk janë garanci për sukses, pasi ato kërkojnë të merren parasysh nevojat, kultura dhe specifikat vendase. Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it vërejtën gjatë zgjedhjeve të 25 Prillit, se vëzhguesve të KQZ-së u mungonte metodologjia, trajnimi dhe përvoja e duhur për të mbikëqyrur financat e fushatës, cka më pas solli edhe një punë jo shumë resultative.
Në fakt, këdo që të pyesësh për financimet e partive politike do të thotë që ajo që deklarohet në raportet zyrtare është pakrahasimisht më e vogël, se financimet reale të partive politike, vecanërisht në fushatat zgjedhore. Natyralisht, këto financime shkojnë kryesisht për partitë e mazhorancës, të cilat për shkak të ushtrimit të pushtetit kanë mundësi më të shumta për të tërhequr financime. Këtu nuk flasim për financimet që partitë politike marrin nga Buxheti i Shtetit. Ato janë të mirëpërcaktuara në ligj dhe të rregulluara, transferohen nëpërmjet sistemit bankar dhe përgjithësisht partitë i përdorin në përputhje me rregullat e legjislacionit zgjedhor.
Këtu flasim për ato financime që vijnë nga palë private, persona fizikë apo subjekte tregtare, të cilat investojnë me qindra mijëra euro për kandidatë apo forca politike të caktuara. Para, të cilat megjithëse janë aq të shumta sa lëvizin tregjet e këmbimit valutor nuk deklarohen asnjëherë në raportet zyrtare dhe në këtë pikë edhe puna e vëzhguesve të KQZ-së lë të për të dëshiruar. Para, të cilat burojnë nga aktivitete të paligjshme dhe kriminale, trafiqe të ndryshme apo veprimtari korruptive, të cilat përdoren për reklama politike, takime, zyra, karburant makinash etj. Dua të sjell këtu një njoftim publik të bërë nga Departamenti Amerikan i Thesarit në datën 11 prill 2022, i cili dizenjoi disa persona non grata në Ballkan, ndër të cilët edhe një ish-deputet shqiptar, i larguar nga Parlamenti për shkak të procesit të dekriminalizimit.
Në këtë njoftim thuhej se “Grupe të shumta të krimit të organizuar në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune ose koncesione në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike.” Ish-deputeti në fjalë, sipas njoftimit, është në anëtar i një organizate të krimit të organizuar, i cili përdor burime të paligjshme financimi në fushatat zgjehdore, në mënyrë që më pas të përdorë ndikimin e tij për të emëruar miqtë e tij në postë kryesore publike në Tiranë dhe Elbasan. Të birin dhe dhëndrin e këtij ish-deputeti e kemi sot përfaqësues të qytetarëve, deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Fakt tjetër, i konfirmuar edhe nga raporti final i OSBE/ODIHR, raporti vjetor i DASH për vitin 2021 dhe rezoluta e Parlamentit Evropian, është se shitblerja e votave vazhdon të mbetet një shqetësim madhor për proceset zgjedhore në Shqipëri.
Por, kjo është një problematikë tjetër e rëndësishme që sigurisht meriton vëmendje, por në këtë takim ne jemi të ftuar të diskutojmë mbi financimet e partive politike. Situata është vërtetë alarmante. Dhe Komisioni të Posacëm të Reformës Zgjedhore, së bashku me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, duhet të vlerësojnë të gjitha mundësitë për të implementuar mekanizma shtesë që garantojnë më shumë transparencë dhe kontroll mbi financimin e kandidatëve dhe partive politike gjatë fushatave zgjedhore, por edhe në periudhat normale.
Në këtë pikë, një tjetër cështje që meriton vëmendje është modeli që do të zgjedhim për financimin e partive politike. Në vitin 2020, pati një diskutim nëse financimi i partive politike duhet të bëhet vetëm nga fonde publike, vetëm me fonde private, apo një sistem i përzier mes të dyjave, i cili duket më i përafërti me sistemin që kemi aktualisht. Secili prej sistemeve mund të ketë të avantazhet dhe disavantazhet e tij, por personalisht jam i mendimit që dhënia hapësirë e financimeve private do t’i bëjë financat e partive akoma më të mbyllura, më pak transparente dhe me mundësi më të mëdha ndikimi nga burime të paligjshme, kriminale dhe korruptive. Në këtë kuptim, mbetem në favor të një financimi nga Buxheti i Shtetit, i cili është i matshëm, i kontrollueshëm, qarkullon nëpërmjet sistemit bankar, dhe i jep mundësi organeve që ligji i ka ngarkuar me detyrën e mbikëqyrjes të kryejnë më mirë detyrat e tyre.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për ftesën dhe vëmendjen, mbetem i hapur për të dëgjuar mendimet e secilit prej jush, dhe të jeni të bindur që Partia Demokratike do t’i sjellë ato me respekt dhe konsideratë në tryezën e Komisionit të Posacëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore. ’- tha Aliebaj.
Lajmi kryesor:
Celibashi thirrje partive: Tregoni burimin e parave! Të ashpërsojmë kontrollin për financimin e partive! Alibeaj: PS, burime të paligjshme financimi për fushatë
M.Q.//ReportTv.al