Parku Arkeologjik i Finiqit

Finiq, si e zbuloi Ugolini një nga akropolet më të mëdhenj

26 Prill 2019, 08:25| Përditesimi: 26 Prill 2019, 09:09

  • Share

I themeluar në shekullin e 5-të para Krishtit, qyteti i Finiqit, që ndodhet midis qyteteve të Sarandës dhe Delvinës, është një nga zonat më pasura arkeologjike të vendit. Kjo ka bërë që, për fat të keq, përgjatë afër 30 vjetëve tranzicion në këtë zonë të lulëzojë edhe fenomeni kriminal i grabitjes dhe trafikut të antikuarëve...

Gati një shekull më parë, këto thesare tërhoqën arkeologun italian, Luigji Maria Ugolinin, për të nisur një mision të madh gërmimi në Shqipëri në vitin 1924 dhe e vijoi gjatë viteve ‘30. Pasi bëri disa zbulime të rëndësishme në Butrint, nuhatja prej shkencëtari dhe hulumtimet e tij e çuan atë drejt Finiqit, në afërsi të Butrintit, që në antikitet njihej me emrin Foinike. Pas gërmimeve, siç shkruhet në një artikull të vitit 1935 të gazetës “Minerva”, parashikimet e Ugolinit ishin tejkaluar. Dolën në dritë thesare të rralla arkeologjike me përkatësi që nga shekulli i 4-të para Krishtit, të antikitetit klasik, të cilat nisin nga objektet e epokës romake, greke dhe deri tek ato bizantine. Artikullshkruesi deklaron se Prof. Ugolini, pasi e ktheu syrin e tij mbi varrezat antike të Finiqit “gjeti më tepër nga ç'priste të gjente...”.

Më tej, në këtë artikull, përshkruhen tri zbulime të rëndësishme si: “Thesaurus”i- ndërtesë që në kohët e vjetra përdorej për qëllime fetare ose shërbime publike; “cisterna”  madhështore e epokës Romake;  një “cisternë” gjigante kjo, me formë katrore dhe  muret e saj 19 metra të gjatë dhe 5 metra të lartë; si dhe zbulimet e varrezave dhe objekteve të rralla në Nekropolin e Finiqit. Ja si i përshkruan kronikani i kohës zbulimet, të cilat janë ilustruar edhe me fotot përkatëse:  

Nga gazeta “Minerva” e muajit shkurt 1935

“Nja shtatë ose tetë kilometra në jugë-perëndim të Delvinës, shtrihet një bregore shumë e gjatë, në majë të së cilës është një fushë. Kjo fushë është e rrethuar me një mur madhështor. E kështu, kemi përpara një nga më të fortifikuarat dhe më të mëdhatë Akropole të botës klasike. Në jugë-perëndim të kësaj bregoreje është dhe fshati i vogël bujqësor, që quhet edhe sot FINIQ. Ky mur, duhet thënë qysh tashti, është më tepër se dy kilometra i gjatë dhe disa nga blloqet e tij rëndojnë më tepër se dyqind kuintalë. Kërkimet dhe gërmimet shkencore në Finiq i ka bërë Misioni Arkeologjik Italian në Shqipëri nën udhëheqjen e mençur të të mirënjohurit Prof. Ugolini, në vitin 1926 e 1927. Ky artikull si dhe të tre klishetë që po botohen në këto faqe mundohen të japin një ide të përgjithshme mbi zbulimet që janë bërë dhe mbi vlerën e madhe historike që kanë këto zbulime për vendin tonë.

Vjetërsija Hellenike

Mbas një pune shumë të vogël dolli në shesh një “thesaurus”, një nga ato ndërtesa që në kohët e vjetëra ngriheshin për qëllime fetare ose shërbime publike. Ky “thesaurus” ka katër kollona të gjata që janë shtuar në epokën Romake dhe nga disa meremetime që i janë bërë më vonë duket qartazi se në epokën bizantine është transformuar në një “battistero” që përdorej për kungimet fetare. Teknika, puna dhe arti delikat, me të cilin është punuar ky “thesaurus” dhe pjesët e tij të ndryshme, e bëjnë të jetë, në tërësinë e saj, një xhevahir i artit grek të shekullit të katërt Para Krishtit. Sidomos nga fakti që kjo “vepër” ndodhet në majë të një bregoreje në mes të kaq maleve të rreptë e të çveshur të Shqipërisë së Jugës, e bën të shkëlqejë edhe më tepër në të gjithë bukurinë e saj.

Shenjat e Romës

Mbas këtij zbulimi, Missioni arkeologjik kaloi në punë të tjera për të zbuluar vepra të epokës Romake. Mbas disa ditë punimi dolli në dritë një “cisterna”  madhështore e epokës Romake. Kjo “cisternë” ka një formë katrore, muret e saj janë 19 metra të gjatë dhe nja 5 metro të lartë. Kjo është ndërtesa e ruajtur më mirë në të gjitha zbulimet që janë bërë gjer sot në Shqipërinë e Jugës. Brenda saj janë 9 shtylla që shërbejnë për të mbajtur mbulesën. Muret, nga ana e brendshme janë me një lloj çimentoje që akoma është e fortë. Cisterna mund të mbajë brenda më tepër se një milion e gjysmë litra ujë. Është bërë doemos në kohën e Perandorisë Romake dhe, si një vepër për të mirën publike të Finiqit të atëhershëm, ka një vlerë të madhe. Si vepër, nga pikpamja artistike, është e inspiruar nga arti grek i të katërtit shekull Para Krishtit. Më vonë u zbuluan dhe dy “cistern” të tjera më të vogëla, por edhe më të vjetra. Natyrisht rreth e përqark tyre e brenda tyre janë gjetur fragmente e copa të vogëla veprash që dëshmojnë madhërinë e qytetit dhe të veprave që ka patur në kohët e lashta. Një nga këto copërina është dhe relievi i bukur i një djaloshi të përgatitur për të bërë një sakrificë përpara një Kafshe. Më në fund u zbulua dhe një kishë e epokës Bizantine, e cila pjesërisht është ngritur me material të ndërtesave të vjetra klasike. Brenda në 'të janë gjetur shumë shkrime (në mes të të cilave edhe një dekret i Mbretit të Pergamos, Attalo, prishës i Galatve).

Nekropoli (vorreza)

Në vitin 1927 Misioni Arkeologjik e vazhdoi punën e tij, duke bërë të gjitha studimet e nevojshme mbi gjithë ç'kish gjetur e zbuluar në Finiq. Mhasandej Prof. Ugolini e ktheu syrin e tij mbi vorrezat antike të Finiqit dhe sigurisht gjeti më tepër nga ç'priste të gjente. Një nga varret e zbuluara është i epokës greke dhe brenda në 'të i vdekuri është i shtrirë praptas dhe ka më vetëhe të gjithë pajën që ish zakon t'u vihej të vdekurve në varr. Një tjetër varr, i epokës Romake, ka një njeri të çveshur fare, por të ruajtur nga një mbulesë e bukur dhe e fortë, e bërë prej tullash të djegura mirë. Më në fund u zbulua dhe një varr shumë interesant, në të cilin u gjet një kuti prej balte të pjekur në formë katrore, brenda së cilës gjenden eshtrat e djegura të të vdekurit. Kjo kuti është e mbrojtur nga një kuti shumë më e madhe, e bërë prej tullash. Midis këtyre dy kutive janë gjetur një tok vegla e sende të vogëla që u viheshin të vdekurve aso kohe. Tashti për tashti duhet të kënaqemi me shërbimet e sinqerta që po na bëjnë miqtë tonë, si Prof. Ugolini me shokë, për të njohur historinë dhe veprat e vjetërsisë klasike të vendit tonë. Po kjo nuk na ndalon të themi se na si shqiptarë, dëshirojmë dhe presim me padurim që në këto kërkime e zbulime të hidhen dhe ata djelm shqiptarë që kanë një farë stërvitjeje dhe talent dhe sidomos dashuri për punë. Të hidhen dhe të na ndriçojnë me studime e me shkrime shkencore mbi epokat e ndryshme të këtij dheu, që raca jonë sundon prej disa mijë vjetësh. E na besojmë se do të ketë të këtillë djelm që të ndjejnë misionin e bukur e fisnik të gjurmimit dhe të hedhjes dritë mbi shekujt e errët të së shkuarës sonë.”

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?