Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin i kërkoi të martën Hungarisë dhe Turqisë që të miratojnë me shpejtësi aplikimet suedeze dhe finlandeze për anëtarësim në aleancën e mbrojtjes së NATO-s.
Hungaria dhe Turqia janë dy anëtarët e vetëm të mbetur të NATO-s që nuk i kanë ratifikuar ende aplikimet.
"Të gjithë sytë janë tani te Hungaria dhe Turqia. Ne presim që këto vende të ratifikojnë aplikimet tona. Mendoj se do të ishte e rëndësishme që kjo të ndodhte mundësisht më shpejt se më vonë", tha Sanna Marin në një konferencë të përbashkët shtypi me krerët e tjerë nordikë.
Finlanda dhe Suedia javën e kaluar përsëritën se do të bashkohen me NATO-n në të njëjtën kohë, duke paraqitur një front të bashkuar për Turqinë.
Fqinjët nordikë kërkuan të bashkohen me aleancën e NATO-s në maj në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, por hasën në kundërshtime nga Turqia, e cila i ka akuzuar të dy se strehojnë grupe që i konsideron terroriste.