Roje kufitare filandeze

Finlanda miraton ligjin për bllokimin e emigrantëve nga Rusia

12 Korrik, 17:20| Përditesimi: 12 Korrik, 17:24

  • Share

Parlamenti i Finlandës miratoi sot një ligj që u jep pushtet rojeve kufitare për të bllokuar azilkërkuesit që kalojnë nga Rusia.

Më shumë se 1300 persona mbërritën në vend, duke detyruar Helsinkin të mbyllë kufirin, shkruan Reuters.

Finlanda ka akuzuar Rusinë se po i armatos emigrantët duke inkurajuar shumë prej tyre nga vende të si Siria dhe Somalia të kalojnë kufirin, një akuzë që Kremlini e mohon.

Helsinki beson se Moska po promovon kalimet në shenjë hakmarrjeje për anëtarësimin e Finlandës në NATO, e cila mbështet Ukrainën kundër pushtimit të Rusisë.

Qeveria e krahut të djathtë të kryeministrit Petteri Orpo ka thënë se projektligji është i rëndësishëm për të ndaluar mbërritjen e emigrantëve në të ardhmen, pavarësisht se ky ligj është në kundërshtim me përkushtimet ndërkombëtare të Finlandës për të drejtat e njeriut.

“Ky është një mesazh i fortë për Rusinë, një mesazh për aleatët tanë, se Finlanda kujdeset për sigurinë e saj, ne kujdesemi për sigurinë e kufirit të BE-së”, tha Orpo në një konferencë për shtyp pas votimit.

Më shumë se 1,300 azilkërkues kaluan nga Rusia që nga vera e kaluar, por nuk kishte pasur asnjë të ri që nga marsi deri të enjten e 11 korrikut.

Finlanda mbylli kufijtë e saj tokësorë me Rusinë në fund të vitit të kaluar.

Ministrja e Brendshme Mari Rantanen tha në konferencën për shtyp pas miratimit të projektligjit se nuk ishte marrë asnjë vendim se kur të rihapen pikat kufitare me Rusinë.

Lëvizja e Finlandës është e ngjashme me hapat e ndërmarra vitet e fundit në vende të tjera evropiane, përfshirë Poloninë dhe Lituaninë, për ta bërë më të vështirë për emigrantët kalimin e kufirit nga Rusia dhe Bjellorusia, aleate e Rusisë.

Projektligji finlandez u miratua me 167 vota pro, 31 kundër dhe një abstenim.

Orpo u bëri thirrje migrantëve që po mendonin të vinin në Evropë përmes Rusisë, të mos e mendonin si udhëtim.

"Mos shkoni me kontrabandistët, tha ai në konferencën për shtyp.Finlanda kujdeset për kufijtë e saj". 

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?