Finlanda pret që Bashkimi Evropian të përmbyllë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë muajve në vijim, tha ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen, të hënën në Prishtinë.
Në një konferencë për mediat, Tuppuraine tha se shteti i saj mbështet procesin euroatlantik të Kosovës dhe shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Ne mbështesim liberalizimin e vizave. Unë thash që tani është koha tani dhe nevojiten të gjitha kriteret dhe pasi të përmbushen kriteret duhet të keni të drejtën që të merrni liberalizimin e vizave. Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave dhe është koha që të lëvizet përpara. Ne kemi mbështetur negociatat që flasin në favor të Kosovës në këtë drejtim. Kështu që unë mund të them se jam optimiste që ne do të vazhdojmë përpara në këtë çështje dhe besoj se në muajt në vijim, ndoshta këtë vjeshtë do të shohim rezultate pozitive”, u shpreh ajo.
Tuppuraine po qëndron në Prishtinë së bashku me ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne, ku u takuan me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi.
Kosova është shteti i vetëm në rajon, qytetarët e të cilit i nënshtrohen regjimit të vizave për udhëtim në zonën Shengen.
Kosova ka përmbushur kriteret e BE-së për këtë proces dhe Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian kanë rekomanduar një vendim pozitiv për këtë çështje, por një vendim për vizat ende nuk është marrë.
Ministrat e Finlandës dhe Irlandës, gjatë konferencës në Prishtinë mbështetën dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duke thënë se presin që të arrihet përparim më i madh në këtë proces.
Sipas Byrne, dialogu është platforma më e mirë për të zgjidhur dallimet midis Prishtinës dhe Beogradit dhe për të avancuar perspektivën evropiane të Kosovës.
Kosova dëshiron që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, tha se pas anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, edhe Kosova duhet të bëhet pjesë e kësaj aleance ushtarake.