HELSINKI – Dëmi ndaj tubacionit të një gazsjellësi dhe një kablli telekomunikacionesh që lidh Finlandën me Estoninë duket se është shkaktuar nga “aktiviteti i jashtëm”, thanë të martën zyrtarët finlandezë, duke shtuar se autoritetet po hetojnë.
Kompanitë finlandeze dhe estoneze të gazit thanë të dielën se kishin vënë re një rënie të pazakontë të presionit në tubacionin Balticconnector, dhe për këtë arsye vendosën të ndalnin funksionimin e tij.
Qeveria finlandeze tha të martën se është dëmtuar tubacioni i gazsjellësit, si dhe një kabëll telekomunikacionesh mes dy vendeve anëtare të NATO-s.
Duke folur në një konferencë të martën, Kryeministri Petteri Orpo nuk e quajti sabotazh dëmtimin e tubacionit, por tha se nuk mund të ishte shkaktuar nga kompanitë e zakonshme rregullatore.
Petteri Orpo
“Sipas një vlerësimi paraprak, dëmi që kemi vënë re nuk mund të jetë shkaktuar si rezultat i përdorimit normal të gazsjellësit apo luhatjes së presionit. Ka gjasa që dëmtimi të jetë rezultat i aktivitetit të jashtëm”, tha Kryeministri Orpo.
Byroja Kombëtare e Hetimit në Finlandë po drejton hetimet për rrjedhjen, tha Kryeministri Orpo, duke shtuar se ka ndodhur në zonën ekonomike të Finlandës.
Ky incident vjen vetëm një vit pasi tubacionet e gazsjellësit Nord Stream që lidh Gjermaninë me Rusinë në Detin Balltik u dëmtuan nga shpërthime që mendohet se ishin sabotazh. Rasti nuk është zbardhur ende.
“Finlanda është e mirëpërgatitur”, tha Kryeministri Orpo. “Mbrojtja e infrastrukturës jetike është tashmë një çështje shumë e rëndësishme me ndryshimin e mjedisit të sigurisë, dhe i është kushtuar vëmendje. Ndër të tjera është krijuar edhe një rrjet i gjerë strukturash për të siguruar infrastrukturën jetike”.
I pyetur nga gazetarët nëse qeveria finlandeze dyshon për përfshirje të Rusisë në incidentin më të fundit, Kryeministri Orpo tha se nuk dëshiron të spekulojë për autorët e mundshëm, përpara se autoritetet të kenë përfunduar hetimin e tyre në Finlandë.
Pak më herët, Presidenti finlandez Sauli Niinisto u shpreh në një deklaratë se “dëmtimi i infrastrukturës nënujore është marrë seriozisht dhe shkaqet po hetohen që nga e diela”. Ai tha se ishte në kontakt me aleatët dhe partnerët, përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Sauli Niinisto
Zoti Stoltenberg shkruajti në rrjetin X, i njohur më parë me emrin Twitter, se ka biseduar me zotin Niinisto “për dëmtimin e infrastrukturës nënujore”. Ai tha se NATO po shkëmben informacion dhe “qëndron e gatshme të mbështesë aleatët e përfshirë”.
Incidenti i gazsjellësit duket se do të bëhet pjesë e axhendës së takimit të ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel të mërkurën dhe të enjten.
Marina e Estonisë i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se po bënin hetime për tubacionin, së bashku me ushtrinë finlandeze në Gjirin e Finlandës. Ata nuk komentuan më gjatë, pasi operacioni drejtohet nga finlandezët.
Tubacioni Balticconnector, me gjatësi prej 77 kilometrash, kalon përmes Gjirit të Finlandës, nga qyteti finlandez Inkoo deri në portin estonez Paldiski. Tubacioni funksionon në të dyja drejtimet, duke transferuar kështu gazin natyror mes Finlandës dhe Estonisë, sipas nevojave të kërkesës dhe ofertës. Pjesa më e madhe e gazit që po kalonte përmes tubacionit të dielën përpara se të mbyllej, po lëvizte nga Finlanda drejt Estonisë, ku dërgohej më tej drejt Letonisë, tha kompania estoneze e gazit “Elering”.
Tubacioni i filloi operacionet komerciale në fillim të vitit 2020.
Kompania “Gasgrid Finland” tha se sistemi i gazit natyror në Finlandë është i qëndrueshëm dhe se furnizimi i gazit është siguruar nëpërmjet çisternave detare “Exemplar” – një terminal që pluskon mbi det me depozita gazi natyror të lëngshëm në portin jugor finlandez Inkoo.
Kompania “Elering” tha se konsumatorët estonezë po merrnin gaz nga Letonia pas mbylljes së tubacionit.
Ndërsa Evropa ka plotësuar aktualisht 97% të kapacitetit të saj për depozitimin e gazit për stinën e dimrit, siguria e furnizimit vazhdon të varet nga furnizimi me tubacione dhe nga depozitat me gazin natyror në formë të lëngshme (GNL).
“Për sa i përket gazit natyror, Evropa ka marrë masa për një dimër të sigurtë”, tha Simone Tagliapietra, analist për energjinë në organizatën studimore “Bruegel” në Bruksel. “Megjithatë kjo varet nga integriteti i tubacioneve dhe infrastrukturës për gazin e lëngshëm. Sabotazhi apo ndërprerjet mund të kenë pasoja të rënda. Në këtë kuadër, zhvillimet në tubacionin Balticconnector në Finlandë janë shumë serioze”./Voa
Cfare te mbjellesh do te korresh , mos mendoni se Rusia do tjua harroje ate qe ju i keni ber
Përgjigju