Komisioni i Ligjeve i dha dritën jeshile dy kandidatëve të Partisë Socialiste, Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri për tu bërë anëtarë të KQZ-së.
Bledar Skënderi do të zërë vendin e Vera Shtjefnit, e cila mbaroi mandatin si e zgjedhur nga PD në kohën kur kjo parti ishte shumicë. Mes socialistëve, Bashkim Fino i kërkoi llogari Skëndrit se pse në zgjedhjet e fundit parlamentare, KQZ ku ai bënte pjesë, e regjistroi PD-në e sapo dalë nga cadra jashtë afateve ligjore.
Z. Fino, ju keni qënë kandidat për deputet. Subjekt zgjedhor, mund ta kishit ankimuar. Nuk pati asnjë ankimim për vendimmarrjen tonë, që do të thotë se ka qenë e drejtë. Ne synojmë mbi të gjitha mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe nuk jemi të ngurtë në leximin e ligjit.
Bledar Skënderi, kandidat për anëtar në KQZ
Rezarta Bitri që do të zëvendësojë në këtë detyrë Hysen Osmanin, u pyet për mundësinë e depolitizimit të administratës zgjedhore, gjë të cilën kandidatja e sheh të mundur, por që kërkon kohë.
Në KQZ janë edhe dy vakanca të tjera që i takojnë opozitës, ajo e Gëzim Veleshnjës dhe e Bledar Skënderit.
Kryetari i Kuvendit ka informuar të 4 kryetarët e grupeve parlamentare. Prita që përfaqësuesit e partive të tjera të sillnin kandidaturat. Kanë përfunduar të gjitha afatet. Do të kenë vendosur ndoshta të mos e ushtrojnë të drejtën e tyre.
Taulant Balla, kreu i grupit të PS
Në këto kushte, PS mban shumicën me 4 anëtarë, ndërsa opozitës i ngelin dy të tillë: Klement Zguri dhe Gëzim Veleshnja. Ky i fundit, në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese mund të qëndrojë në detyrë deri me ardhjen e zëvendësit të tij.
Kështu LSI, e cila duhet të negocionte me PD-në një mandat në KQZ, vazhdon të ruajë një karrige në komision, të paktën për sa kohë opozita nuk po sjell kandidatë të rinj.