Paraqitjet e mira në tre ndeshjet e Euro 2024 me Shqipërinë kanë bërë që interesi për Thomas Strakoshën të jetë i madh, edhe pse sezonin e fundit gardiani kuqezi qëndroi në stol me Brentford në Premier League.
E ardhmja e 29-vjeçarit duket se është kthyer në një telenovelë vere, me AEK-un e Athinës që kishte një "ok" nga agjenti i lojtarit. Orët e fundit, nga Italia bëjnë me dije se Strakosha mund të joshet nga një rikthim në Serie A.
Gazzetta dello Sport njofton se është Monza që po sheh një zëvendësues të Di Gregorios i cili kaloi te Juventus dhe shqiptari është i duhuri. Ende nuk ka detaje lidhur me këtë lëvizje, ndërsa bisedat me AEK-un e Athinës vijojnë.
Veç AEK dhe Monzës, edhe Fiorentina në Serie A pëlqen mbrojtësin fundor të Kombëtares. E kaluara e tij për shumë vite me Lazion në Serie A dhe njohja e kampionatit mund të bëjë që Strakosha të rikthehet pas dy vitesh në Itali.