Zëvendësguvernatorja e Bankës se Shqipërisë Natasha Ahmetaj në një intervistë për Report Tv në emisionin "Pa Protokoll" u shpreh mbrëmë se pandemia do të shtyjë me disa muaj hedhjen në qarkullim të kartëmonedhës së re me prerje 10 mijë lekë. Ahmetaj tha se kompania e huaj që bën prerjen ka ndërprerë punën për shkak të pandemisë duke e shtyrë afatin e përcaktuar për në vjeshtë.
"Të gjitha mediat e kanë transmetuar fushatën për serinë e re dhe lancimin e kartëmonedhës së re, prerjen e re, që është më i madhi i serisë sonë, 10 mijë lekëshe. Në atë moment e prezantuam cfarë do të ketë dhe si do të jenë elementët dhe bashkë prerjet e tjera do të hidheshin periodikisht. Sasia që do të asgjësohej për shkak të dëmtimit do të zëvendësohej me serinë e re. Për kartëmonedhën 10 mijë lekëshe që është në fazën e prodhimit.
Duke qenë se nuk printohen në Shqipëri, por janë tre operatorë ndërkombëtarë, ky proces kërkon 1.2-2 vite. Pandemia ka bërë që edhe fabrika prodhuese që është duke prodhuar 10 mijë lekëshin të ndërpresë punën dhe ka kërkuar edhe ajo kohën e vet të shtyrjes, sikurse ka ndodhur me gjithë, por nga fundi i verës apo vjeshta ajo do të jetë në qarkullim' tha Natasha Ahmetaj.