Firmat që do të bëjnë rindërtimin nuk do të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë

19 Maj 2020, 20:35| Përditesimi: 19 Maj 2020, 20:44

  • Share

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar unanimisht aktin normativ për një ndryshim në ligjin e taksave vendore që ndërhyn në dy detaje specifike. E pranishme për të prezantuar aktin normativ zëvendësministrja e Financave Vasilika Vjerro thotë se të gjitha investimet në kuadër të rindërtimit të vendit pas tërmetit do të bëhen pa paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë. Pra të gjitha kompanitë që do të marrin pjesë në proces nuk do të paguajnë këtë taksë, që është zëri kryesor në të ardhurave e bashkive.

“Ky akt normativ ka të bëjë me përjashtimin nga pagimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për të gjitha ato investime që janë në funksion të programit të rindërtimit. Është mëse e nevojshme që këto investime të përjashtohen nga pagesa e kësaj takse. Kryesisht këto përjashtime do të jenë në kuadër të këtyre investimeve, riparimeve, restaurimeve pjesë e rindërtimit”, tha Vjerro.

Po ashtu ky akt normativ përfshin edhe faljen e parapagimeve për bizneset e vogla që paguajnë tatimin e thjeshtuar mbi fitimin.

“Ndërsa pika e dytë ka të bëjë me bizneset e vogla që duhet të paguajnë tatimin e thjeshtëzuar mbi fitimin. Pikërisht këstet paraprake të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për vitin 2020 nuk do të paguhen nga këto tatimpagues”, u shpreh Vjerro.

Komisioni miratoi po ashtu shtyrjen e kësteve për tatimin mbi fitimin për dy tremujor për biznesin e madh, për tremujorit të dytë dhe të tretë, prill-qershor dhe korrik-shtator 2020, dhe pagesa e tyre do të kryhet në periudhën prill-shtator 2021. Ndërkohë parapagimi i këstit të katërt do të vijoj në tetor 2020.

Nga ky vendim i qeverisë përfitojnë bizneset në sektorin e turizmit, e të përpunimit aktiv me material porositësi si dhe call center, ku iu është shtyrë pagesa e kësteve nga periudha prill-dhjetor 2020  për në prill-dhjetor 2021. Zëvendësministrja shtoi se ky proces do të shoqërohet edhe me riskedulim të kësteve që do të paguajnë bizneset për tatimin mbi fitimin duke qenë se aktiviteti i tyre është dëmtuar nga COVID-19.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?