Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu

30 respiratorë të rinj brenda prillit! Manastirliu: Kontribut nga Zvicra, Norvegjia dhe UNDP

10 Prill 2020, 14:55| Përditesimi: 10 Prill 2020, 16:07

  • Share

TIRANË- 30 respiratorë të rinj do të jenë në dispozicion të ministrisë së Shëndetësisë, për trajtimin e të infektuarve me COVID-19 brenda muajit prill! Marrëveshja është firmosur nga qeveria shqiptare, ajo zviceriane  dhe Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP) të cilët kanë dhuruar një fond prej 700 mijë dollarë dhe do të shkojnë për blerjen e 30 respiratorët e rinj.

“Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar me rritjen e kapaciteteve në luftën kundër COVID-19. Në këtë situatë, ku ka më shumë të panjohura sesa të njohura, e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë armik të padukshëm është të bashkojmë forcat, duke qenë solidarë. Ndaj, mbështetja juaj për blerjen e 30 respiratorëve është shumë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor publik në Shqipëri”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, Ambasadori zviceran Adrian Maître tha se ishte qeveria shqiptare ajo që vendpsi që kjo shumë parash të shkojë për blerjen e respiratorëve, makinave që bëjnë diferencën midis jetës dhe vdekjes për shumë njerëz në këtë periudhë. “Qeveria e Shqipërisë përcaktoi që një nga nevojat kryesore në menaxhimin e krizës së koronavirusit ishte sigurimi i makinave respiratore. Këto makina bëjnë diferencën midis jetës dhe vdekjes për shumë njerëz. Për ne është kënaqësi që mundëm t’i përgjigjemi shpejt kërkesës tuaj dhe të kontribuojmë së bashku për blerjen e 30 respiratorëve shtesë për spitalet e Shqipërisë”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.

Ambasadori i Norvegjisë për Shqipërinë, Jens Erik Grondahl theksoi se është e nevojshme që në këto ditë të vështira, vendet të tregohen solidare me njëri-tjetrin. “Në një kohë shumë të vështirë, e cila po i rëndon shumë shërbimet e shëndetit publik, është e nevojshme të tregojmë solidaritet dhe të bëjmë cfarë kemi mundësi për të ndihmuar njëri tjetrin dhe për të forcuar përpjekjet tona të përbashkëta në mundjen e pandemisë. Për këtë arsye, Norvegjia është krenare që mbështet përpjekjet kombëtare të Shqipërisë kundër pandemisë COVID-19 duke siguruar fonde për blerjen e menjëhershme të respiratorëve në një partneritet të paprecedent me Qeverinë Shqiptare, Zvicrën dhe UNDP.”

“Në këtë kohë të paprecedentë, UNDP qëndron në krah të Shqipërisë. Kjo nismë demonstron fuqinë e partneriteteve për të ndihmuar shtetet të adresojnë shqetësime kritike shëndetësore në mes të pandemisë globale. Jemi të lumtur të bashkojmë forcat me Qeverinë Zviceriane dhe atë Norvegjeze për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve shëndetësore me pajisje kritike të emergjencave mjekësore të cilat mund të shpëtojnë jetë njerëzish”, tha Përfaqësuesja e Përhershme në Shqipëri e UNDP, Limya Eltayeb.

Rasti i parë i konfirmuar i COVID-19 u regjistrua në Shqipëri më 9 mars dhe deri tani janë 416 raste të konfirmuara. Qeveria shqiptare ka financuar blerjen e 54 respiratorëve, ndërsa ky financim i tre donatorëve ndërkombëtarë do të sigurojë edhe 30 respiratorë shtesë për të ndihmuar Shqipërinë për përballimin e situatës së COVID19.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?