Një vizitë e shtyrë për shkak të pandemisë. Ministri italian i kulturës Dario Franceschini është pritur paraditen e sotme në Pallatin e Brigadave, në kuadër të Javës Italiane dhe firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit kulturor si dhe në fushën e arsimit dhe sportit për vitet 2022-2025.
“Jemi jo rastësisht në këtë ndërtesë të quajtur herë Pallati Mbretëror, e herë Pallati i Brigadave. Një ndërtesë e porositur nga mbreti Zog dhe e realizuar nga një arkitekt italian. Marrëveshja që do të firmoset sot në këtë godinë nuk do të jetë thjeshtë një ombrellë”, thotë ministrja e Kulturës Elva Margariti.
Marrëveshja mundëson shkëmbim kulturor e specialistësh si dhe promovim reciprok, në lidhje me arkeologjinë, bibliotekat, teatrot etj.
“Marrëveshja e bashkëpunimit që firmosim sot, forcon raportet dypalëshe, në një investim që do të përfshijë jo vetëm sektorët tradicionalë, ku bashkëpunimi është tashmë i fortë, por do të vijojë edhe në arkeologji, muze, në trafikimin e pasurive kulturore. Marrëveshja i mëshon këtyre, i mëshon të ardhmes, njohjes reciproke mes brezit të ri”, thotë ministri Franceschini.
Ndërsa ministri Franceschini, u ndal edhe tek mbështetja që i jep Italia vendit tonë në procesin e hapjes së negociatave për pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian
“Pra, ky do të jetë një investim i madh për të ardhmen, duke krijuar lidhje që do të forcohen edhe më shumë me kohën, që duhet të çojnë sa më shpejt të jetë e mundur, pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, diçka të cilën Italia e mbështet me bindje, dhe do të vijojë ta mbështesë edhe më shumë se ç’kemi bërë përgjatë këtyre viteve, duke shpresuar që të pranohet sa më shpejt.
Edhe pse kohët e vendosura, janë të imponuara nga procedurat, por është një e ardhme që do të vijë natyrshëm dhe do të forcojë edhe më shumë lidhjen mes dy vendeve”, thotë ministri italian i Kulturës.
Sa i përket arsimit, marrëveshja përqendrohet ndër të tjera në promovimin e gjuhëve dhe kulturave respektive. Shkëmbim delegacionesh dhe ekspertësh, binjakëzim institucionesh, si dhe bursa për studentë dhe studiues.