Tirana vijon përgatitjet për të mirëpritur aktivitete si Kryeqyteti Europian i Rinisë në vitin 2022. Në vazhdën e përgatitjeve paraprake për pritjen e titullit, Kongresi Rinor Kombëtar, si strukture rinore mbështetëse e këtij titulli, dhe Bashkia e Tiranës, si qytet aplikues, nënshkruan sot një Marrëveshje Bashkëpunimi që i paraprin zbatimit të kësaj ngjarjeje në vitin 2022.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peçi dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky memorandum i hap rrugën qindra aktiviteteve për të rinjtë e kryeqytetit, e jo vetëm.
“Sot është një ditë e veçantë sepse kalojmë në një marrëveshje praktike, që Bashkia e Tiranës lidh me ombrellën më të madhe të organizatave dhe aktivistëve rinorë në Shqipëri, që është Kongresi Rinor Shqiptar. Mezi pres që këto qindra aktivitete që kemi planifikuar, të zënë vend në buxhetin e bashkisë dhe të Ministrisë, e pastaj, duke mbajtur angazhimin tonë financiar, të dalim faqebardhë në organizimin e këtyre qindra aktiviteteve”, tha ai.
Veliaj shtoi se kjo marrëveshje është një mundësi fantastike që të rinjtë e Europës të vijnë në Tiranë. “Një bashkëpunim i veçantë me Kongresin Rinor Shqiptar na siguron që, edhe të rinjtë nga zonat periferike të Shqipërisë, ku këto aktivitete nuk ndodhin shpesh, të kenë mundësi të ndihen të përfaqësuar. Është një mundësi për të treguar se çfarë mund të bëjnë të rinjtë shqiptarë nëse bëhen të gjithë bashkë. Imagjino çfarë potenciali kanë djemtë dhe vajzat shqiptare, që nëpërmjet këtyre organizatave rinore do të kenë një mundësi fantastike për të organizuar vitin Europian të Rinisë në 2022, e mandej për ta përdorur si një trampolinë për karrierat e tyre, qofshin lokale, apo në institucionet europiane ku duam të integrohemi”, deklaroi ai.
Veliaj nënvizoi gjithashtu se rinia është sot pasaporta më e bukur shqiptare në Europë.
“Si epiqendër e kësaj energjie rinore, jo vetëm që do marrim shumë, por edhe do japim. Shumë të rinj, që do të vijnë nga vende të tjera të Europës, do të kenë mundësi të shohin se si me pak kreativitet, e jo me shumë financa, përballojmë shumë sfida. Viti 2022 do të jetë një vit ku, me gjasë, do të kemi përfunduar një pjesë të madhe të rindërtimit pas tërmetit, e do të kemi mundësi të tregojmë se jemi një komb i kalitur, ku popullsinë e re nuk e shohim si dobësi, por si pikë të fortë përballë një Europe që është e madhe në moshë, por krahu i punës sa vjen e zvogëlohet. Mezi pres që ta kthejmë në një vit suksesi, bashkë me djemtë dhe vajzat e Kongresit, të cilët jam i sigurt se do të japin më të mirën”, tha kryetari i bashkisë.
Zëvendësministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Aspasjana Kërxhalli (Kongo), shtoi se titulli favorizon jo vetëm organizatat që operojnë në Tiranë, por njëkohësisht edhe organizatat e tjera. “Ministria do të kujdeset që të kemi bashkëpunim maksimal dhe të suksesshëm, për atë që jemi zotuar edhe gjatë fazës së aplikimit. Mirëpresim krahëhapur të gjitha aktivitetet që do të ndodhin në Tiranë, që nuk janë pak, janë mbi 500 të tilla, dhe jemi shumë të lumtur për këtë dhe për të gjithë të rinjtë që do të vijnë nga Europa, por edhe për të rinjtë tanë që shkojnë në Europë”, tha ajo.
Drejtoresha e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peçi, shprehu vlerësimin për titullin që iu besua Tiranës si Kryeqyteti i Rinisë 2022 dhe shtoi se aktivitetet do të prekin temat më të rëndësishme për të rinjtë shqiptarë.
“Për ne, është shumë e rëndësishme që ky titull që na u besua nga strukturat europiane, ta gjejë Tiranën si qytet të përgatitur për të zhvilluar aktivitetet në tetë fusha kryesore, si edukimi, pjesëmarrja aktive, sporti, kultura dhe gjithashtu, dimensioni Europian”, tha Peçi.
Ajo theksoi rolin e madh që kanë luajtur organizatat rinore dhe ekspertët e rinj për të siguruar këtë titull dhe se ky titull është një përgjegjësi përpara të rinjve shqiptar dhe ndërkombëtarëve që na e kanë besuar.