Fiskalizimi nis zbatimin nga 1 shtatori 2020/ Tatimet: Edhe pas ndryshimit kasat fiskale do të përdoren

19 Shkurt 2020, 16:03| Përditesimi: 19 Shkurt 2020, 18:18

  • Share

Kasat fiskale nuk do të largohen nga tregu. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shpjegon edhe një herë se të gjitha bizneset deri në momentin e zbatimit të plotë të Fiskalizimit do të mund të përdorin kasat fiskale aktuale. Sipas njoftimit, të gjitha bizneset e reja të regjistruara pas hyrjes në fuqi të ligjit për fiskalizimin nga data 4 Shkurt 2020 deri më datën 31 Mars 2020 mund të zgjedhin të vendosin të lëshojnë fatura sipas kërkesave të fiskalizimit, ose të vijojnë me përdorimin e pajisjeve fiskale aktuale. Sipas njoftimit të tatimeve, edhe ato biznese të reja që hapen pas datës 1 prill, përsëri mund të zgjedhin midis këtyre dy mënyrave deri në zbatimin e plotë të ligjit sipas fashave të tatimpaguesve.

“Tatimpaguesit ekzistues mund të zgjedhin që të lëshojnë fatura ose kuponë tatimorë, në përputhje me kërkesat e fiskalizimit ose nëpërmjet pajisjeve fiskale aktuale, deri në momentin e zbatimit të plotë të ligjit sipas fashave të tatimpaguesve”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Tatimeve.

Po ashtu, në deklaratë është saktësuar edhe një herë se kasat fiskale aktuale nuk do të hiqen nga qarkullimi dhe do të vazhdojnë të përdoren edhe pas implementimit të plotë të fiskalizimit. Për të lejuar përdorimin e tyre është pranuar një zgjidhje teknike nga ana e biznesit: do të përdoret një server i mesëm, që do të bëjë të mundur lidhjen e kasës aktuale me pajisjen e fiskalizimit.

Fiskalizimi është një masë e ndërmarrë nga disa institucione me qëllim uljen e evazionit fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë. Në procesin e fiskalizimit, do të përdoren fatura tatimore elektronike dhe të gjitha transaksionet do të raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore. Duke filluar nga 1 shtatori i këtij viti të gjitha bizneset do të implementojnë në pajisjet e tyre kompjuterike një aplikacion nga i cili do të mund të lëshojnë fatura elektronike, dhe çdo veprim që kryhet nga tatimpaguesi monitorohet në kohë reale nga administrata tatimore.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?