Çështja e krijimit të një shteti bektashi, e një shteti sovran që do t’i përkasë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane brenda territorit të Shqipërisë do të vijojë të endet si hije mbi politikën dhe vendin tonë. Vitin e kaluar këtë ide e paraqiti si propozim të tijin dhe të qeverisë shqiptare kryeministri Edi Rama. Ky propozim u pranua me entuziazëm nga Edmond Brahimaj, Kryegjyshi Botëror. Megjithë kundërshtitë e mëdha, kritikat e mëdha ideja e shtetit bektashi është aty, pret kohë e vet. Nuk dihet në do të vijë ajo kohë por forca të caktuara të cilat ose nuk kanë asnjë ide, asnjë njohje mbi çështje të tilla ose e bëjnë me qëllim dhe janë në anën e atyre që nuk duan këtë vend janë pas propozimi.
Arsyet e paraqitura nga kryeministri Rama dhe të mbrojtura e të përforcuara por në mënyrë të paqartë nga Kryegjyshata dhe Kryegjyshi Baba Mondi kanë të bëjnë me nevojën e madhe që ka komuniteti bektashi për t’u mbrojtur nga zhbërja, nga zhdukja. Sipas tyre komuniteti bektashi është në krizë ekonomike, nuk ka mundëis të përballojë nevojat, nuk mund të prodhojë dot klerikë të rinj, dervishë, dede, baballarë etj. Sipas tyre komuniteti bektashian duke patur qendrën botërore në Shqipëri duhet të ketë mundësi prej shtetit shqiptar që të krijojë një shtet sovran brenda territorit shqiptar në mënyrë që të sigurojë mbijetesën etj, dhe të kthehet në një komunitet vibrant, që lulëzon dhe përhap vizionin dhe kulturën e tij.
Mund të jetë e vërtetë që komuniteti bektashian është në vështirësi ekonomike, që nuk paguan dot punonjësit apo që nuk prodhon dot klerikë dhe rrezikon të përballet me ditë të vështira mbijetese. Çështja është se Shqipëria është një vend i cili nuk trajton asnjë fe ndryshe nga të tjerat, nuk i lejohet me kushtetutë as të përkrahë dhe as të pengojë një fe. Shqipëria është një vend ku çdo fe gëzon lirinë e saj dhe shteti, qeveria nuk promovon apo nuk ndërhyn fare në punët e fesë. Komuniteti bektashian nuk mund të ketë të drejtën e asnjë përkrahjeje nga shteti shqiptar ndryshe nga besimet e tjera. Kjo është qartësisht kundër asaj që thotë kushteteuta.
Në qoftëse një besim fetar, qoftë ai mysliman apo ai i krishterë, do të rrezikojë të humbasë besimtarët, të mos ketë fuqi të prodhojë klerikë apo edhe të zhduket fare etj, kjo është një çështje vetëm e besimtarëve, e shoqërisë dhe e vetë komunitetit por nuk është një çështje e qeverisë dhe e shtetit. Nuk mund të jetë kurrë një çështje e qeverisë dhe e shtetit. Qeveria nuk ka për detyrë të prodhojë hoxhallarë, priftërinj, baballarë, brahmanë apo rabinë. Qeveria nuk ka për detyrë, e ka të ndaluar, të punojë të rrisë apo zvogëlojë numrin e besimtarëve ose të shpëtojë një komunitet nga zhdukja. Gjatë gjithë historisë janë zhdukur besime. Pra kjo është arsye e kotë dhe antikushtetuese. Po të jetë për shtet sovran që i jepet një komuniteti besimi që rrezikon të zhduket në Shqipëri mund të krjohen shumë shtete. Ndoshta të gjitha besimet janë në vështirësi dhe duan një shtet.
Arsyeja tjetër se në Shqpëri ndodhet qendra botërore, ndodhet kryegjyshata botërore dhe ne duhet ta bëjmë atë një shtet sipas modelit të Vatikanit, siç tha kryeministri Rama dhe siç ka thënë baba Mondi, është gjithashtu shumë më e paarsyeshme. Së pari, krahasimi me Vatikanin është përsëri ose një padije e thellë ose përdorim i qëllimshëm dashakeq. Vatikani, në formën që është sot, është bërë shtet në periudhën mes dy luftërave botërore nga marrëveshja e kryeministrit fashist Benito Musolini i cili i gjeti një zgjidhje një çështjeje shumë të mprehtë në Itali që kishte filluar që nga koha e bashkimit të Italisë.
Vatikani ka qenë shtet ose më saktë Kisha dhe më pas Kisha Katolike (pas skizmës së shekullit të 11) ka patur shteten e saj që nga koha kur krishtërimi u bë feja zyrtare e perandorisë romake në shekullin e katërt. Pasi ra perandoria romake, gjatë viteve të mesjetës, Kisha katolike ka patur shtetin e saj ose disa shtete në gadishullin Apenin ishin shtete të kishës, shtetet papale. Edhe vetë Roma ishte pjesë e këtyre shteteve. Kreu, edhe politik i këtyre shteteve ishte papa. Kur u bashkua Italia në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të shtetet papale u bënë pjesë e Italisë. Edhe Roma gjithashtu. Kisha Katolike mbeti pa shtet, Vatikani nuk ishte më. Selia e Kishës Katolike ishte në territor të shtetit Italian. Pati një krizë aq të madhe sa Papa u ngujua në selinë e Shen Pjetrit në Vatikanin e sotëm për të treguar se Kisha ka territorin e saj sovran dhe nuk ia jep atë asnjë shteti. Vetëm pas 50 vitesh shteti italian, Musolini, e lejoi Kishën Katolike të kishte shtetin e saj sovran. Pra krahasimi që bën Rama apo Baba Mondi është një gabim i plotë logjik.
Komuniteti Bektashi dhe Kryegjyshata Botërore nuk kanë qenë ndonjëherë zotërues të ndonjë shteti prej dy mijë vitesh si Vatikani dhe as iu mor ky shtet kur Shqipëria u bë e pavarur. Kryegjyshata e ka vendosur selinë e saj në Shqipëri në vitet 20-të, 100 vite më parë. Ajo u vendos brenda konceptit të lirive fetare dhe shtetit secular me të drejtat e çdo besimi tjetër. Ajo u vendos në Shqipëri pasi erdhi nga Turqia, pasi u përzu në një farë mënyre. Kryeqendra botërore bektashiane nuk ka qenë kurrë në Shqipëri para viteve 20-të.
Gjithashtu bektashizmi nuk është një besim fetar më vete, domethënë nuk është një fe e veçantë. Ai është një tarikat mysliman. Ka debate nëse është shiit apo suni por shumica e dijetarëve të njohur apo e klerikëve të vjetër bektashinj thonë që është tarikat suni, pjesë e komunitetit mysliman shqiptar. Vetë baballarrët e parë drejtues të Krygjyshatës që nga vitet 20-të si Baba Reshati, Baba Ahmeti, Baba Ali Tomorri etj, kanë thënë gjithnjë se janë pjesë e komunitetit mysliman shqiptar. Edhe themeluesit botërorë shekuj më parë e kanë quajtur tarikat suni. Duke qenë kështu i bie që kryeministri Rama po kërkon një shtet për një tarikat, për një urdhër fetar. Është njëlloj sikur të kërkosh shtet për dhjetëra tarikate myslimane si për shembull për Nakshibendi, Halveti, Tixhani, Alevi etj, ose si të kërkosh shtete për urdhëra si Jezuit, Franceskan, Domenikan apo Benediktin. Në botë ka aq shumë tarikate apo urdhëra (në vështirësi të mëdha ekonomike dhe në nevojë të madhe për klerikë) sa me siguri do të bëheshin mijëra shtete sovrane.
Arsyeja se ne duhet të krijojmë shtet bektashi sepse ky tarikat e ka qendrën botërore tek ne është absurd. Çdo tarikat apo urdhër e ka diku qendrën. Pra i bie që në Turqi të bëhen nja 20 shtete sovrane sepse atje janë qendrat e këtyre 20 tarikateve ose në Itali apo SHBA i bie të bëhen më dhjetëra në mos edhe qindra shtete sovrane sepse në to e kanë qendrën mjaft urdhëra apo denominacione. Në Irak, në Gjermani, në Angli, në Siri (lëre më në Indi) i bie të bëhen dhjetëra shtete sovrane sepse në to ka dhjetëra urdhëra apo tarikate apo sekte. Dhe mjaft prej tyre, sidosmos, denominacione të krishtera dhe urdhëra sufistë myslimanë janë në vështirësi ekstreme ekonomike, humbin besimtarë, nuk gjejnë dot udhëheqës, shehlerë apo pastorë.
Ka edhe arsye folklorike dhe qesharake si ato që thonë se bektashizmi ka promovuar kulturën apo patriotizmin dhe prandaj ne duhet të bëjmë një shtet sovran bektashi. Sigurisht që komuniteti bektashi ka vlerat e veta të qenësishme njerëzore, kulturore, kombëtare, patriotike dhe sigurisht që baballarë të mrekullueshëm në histori që nga baba Saliu e deri tek Baba Reshati kanë qenë njerëz patriotë dhe kanë punuar për këtë vend. Sigurisht që figura të Rilindjes kombëtare si Frashërllinjtë janë krenaria e vendit tonë dhe e patriotizmës por kjo gjë mund të thuhet edhe për hoxhallarë dhe priftërinj që nga Vehbi Dibra apo Nikollë Kaçori e deri tek Gjergj Fishta e Ali Krahja.
Pa u zgjatur shteti bektashi është një hije që endet mbi vendin tonë, mbi harmoninë fetare, mbi tërësinë e paprekshme territoriale të vendit. Kjo hije po ta arrijë atë që do, shtetin bektashi, do të hapë një plagë, do të hapë një të çarë të parikuperueshme mbi trupin e kombit dhe të unitetit të vendit. Ai, shteti bektashi, jo vetëm do të prekë territorin por do të prekë bashkëjetesën e mrekullueshme shqiptare. Ai do të hapë një precedent ku fetë të trajtohen sipas oreksit të shtetit por edhe sipas oreksit të vendeve që i kanë shkaktuar shumë drama vendit toinë në histori.
Fakti që një ide kaq problematike, një ide kaq e palogjikshme dhe kaq e rrezikshme mbahet ende gjallë, madje për të punohet në heshtje ndoshta tregon që ka forca jo të vogla pas saj. Në gjithë këtë çështje të çelur prej një viti meriton të falenderohet gati gjithë shoqëria jonë e cila nuk e ka pranuar, meriton të falenderohet edhe pjesa dërrmuese e mediave dhe e intelektualëve të vendit, gazetarë, historianë dhe profesorë të cilët nuk e kanë pranuar këtë ide. Vendet e tjera nuk kanë folur. Greqia, Serbia, Maqedonia e Veriut nuk kanë folur.
Ato nuk duhet ta pranojnë këtë ide. Turqia foli. Foli pak ditë më parë me anë të kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të parlamentit Fuat Oktai. Ajo e kundërshtoi fort këtë ide. Turqia meriton një falenderim për këtë qëndrim. Turqia është një vend me ndikim në rajon por edhe që në një mënyrë apo një tjetër preket dhe është e ndjeshme ndaj ideve dhe çështjeve të tilla. Turqia ka qenë dhe është një aleat, partner dhe mik shumë i shtrenjtë i vendit tonë.
Serbia dhe Greqia dhe vende të tjera janë të ndjeshme ndaj çështjeve të tilla por nuk po flasin ndonëse shpallja e një shteti bektashi, e një shteti sovran fetar sipas modelit të Vatikanit është diçka që i prek ato dhe që ka ndikime kudo. Ai është një model që po u legjitimua mund të përdoret si precedent gjithandej. Reagimi i Turqisë në një kohë kur duket sikur ka një qetësi është një lajm i mirë sepse tregon qëndrimi parimor të një shteti të fortë por ndoshta edhe një lajm jo i mirë, sepse mund të tregojë se ideja e shtetit bektashi vijon të vibrojë në zyra dhe skuta.
Komente

Ajo eshte ide brilante po ku kuptoni ju o njerez pa vizion. Keni frike se do ju marin 20 hektare toke e se do tju vene kufi. Jeni shume prapa bote. Ajo po u realizua eshte nje modernitet se si trajtohet nje derive shume e emancipuar e fese muslimane ne nje vend te vogel si Shqiperia, dhe krijoje nje boom te madh ne bote per imazhin e vendit tone.
PërgjigjuKU QËNDRON E KEQIA QË TË MOS KRIJOHET SHTETI BEKTASHIAN NË SHQIPËRI?A MUND TË NA SHPIEGOHET?AI NË FILLIMET E SHEK.20 U LARGUA ME FORCË NGA SHTETI TURK I KOHËS.SI KUNDËR SHUMË BESIME TË NDRYSHME ME SELIT E TYRE DHE KY SEKT QË NË BALLË TË BESIMIT KA THËNIEN PROFETIKE:-PA ATDHE NUK KA FE.KUSH MË SHUMË SE BEKTASHIZMI KA BËRË PËRPIEKJE PËR KOMBIN E GJUHËN E ËMBËL SHQIPE.KUSH TË MA THOTË DHE PASTAJ TË FLASË.SI SHPIEGOHET QË KËRKIHET TË KETË JETESË TË HOMOSEKSUALËVE DHE TË KRIJIMIT TË FAMILJEVE TË TYRE,NË EMËR TË TË DREJTAVE TË NJERIUT.BËRJA KLERIK NË BEKTASHIZËM NUK BËHET POR SHPALLET.ETJ.
Përgjigju