Chelsea është kampionia e botërorit të klubeve. Blutë e Londrës fituan 3-0 finalen e zhvilluar në Amerikë ku Paris SG konsiderohej si super favorite. Fituesit e Champions League morën leksion futbolli nga skuadra e Enzo Maresca-s, teksa protagonist absolut ishte Cole Palmer. Anglezi jo vetëm që realizoi dy gola, por dha edhe asistin për Joao Pedro-n. Në fund Palmer mori çmimin e lojtarit të ndeshjes, por edhe atë të kompeticionit, që për herë të parë në histori u zhvillua me 32 skuadra.
Trofeu i Amerikës e bëri Chelsea-n skuadrën e parë në botën e futbollit që fiton të gjithë trofetë e mundshëm ku merr pjesë. Gjithashtu rrugëtimi nga faza e grupeve dhe deri në finale i sollën arkave të Chelsea-s gati 130 milionë dollarë.
Në momentin e ngritjes së trofeut nuk munguan as momentet pikante. Presidenti i SHBA-ve Donald Trump refuzoi të largohej nga tribuna pavarësisht se Gianni Infantino i FIFA-s dhe lojtarët e Chelsea-s ia kërkuan këtë. Trump iu përgjigj duke thënë se ‘do të festojë me ju’.
Por para festes, në fund të minutave të luajtura në fushë, nuk mungoi tensioni, minuta që më shumë i ngjanë një arene boksi. Protagonist Donnarumma dhe Luis Enrique, të cilët shtynë Joao Pedro-n, duke e hedhur në tokë. Trajneri i francezëve akuzohet për goditje dhe pritet të ketë një pezullim të gjatë në të ardhmen. Pas ndeshjes ai sqaroi se ‘ndërhyri për të sqaruar situatën, por gjithçka precipitoi për keq’. Sakaq trajneri i Chelsea-s Enzo Maresca tha se ‘nuk ka fjalë për paraqitjen brilante të skuadrës’ dhe se tani mezi pret të shkojnë me pushime.
Robert Sanchez i Chelsea-s u zgjodh portieri më i mirë i Botërorit të Klubeve, Desare Doue i Paris SG si talenti më i mirë, ndërsa Gonzalo Garsia i Realit si golashënuesi më i mirë pavarësisht se në këtë botëror pritej të mos luante.
Komente
