Për herë të parë në hitori Egnatia është shpallur kampion e Shqipërisë. Në Air Albania, në stadiumin e mbushur me afërsisht 12 mijë tifozë, rrogozhinasit mposhtën në finalen e ‘final-four’ 1-0 Partizanin. Golin që vulosi titullin kampion e realizoi turku Ibrahimoglu, ndërsa te Partizani ishin të pakënaqur me arbitrin anglez Taylor për një gol të anuluar.
“Mendoj që ky ishte një kapak sepse ne kemi dominuar për 30 javë Superligën. Përsa i përket triumfit personal, është i pari dhe sigurisht një emocion ndryshe nga kupa,”-u shpreh Edlir Tetova, trajner i Egnatias.
“Në dhomat e zhveshjes të gjithë ishin të mërzitur, përfshirë edhe lojtarët sepse është djersa dhe mundi tyre. Këtë mërzitje duhet ta kthejmë në forcë sepse finalet kështu janë. Vendosin episodet, që ne i kishim por nuk i shfrytëzuam. Ndryshe nga kundërshtari. Çunat duhet të ngrejnë kokën, të vazhdojnë sepse kanë një karrierë të gjatë para. Duhet ta pranojmë këtë rezultat pavarësisht se më vjen keq për mundin dhe djersën e tyre, por edhe të tifozëve në stadium,”-tha Orges Shehi, trajner i Partizanit.
Në total ky ishte trofeu i tretë në historinë e Egnatias në dy vitet e fundit pas dy kupave të Shqipërisë.
“Çunat tani kanë 3 premio për të marrë. Hyrjen në europë, fitimin e Kupës dhe kampionatit. Plus kanë një bonus më shumë nga ana ime,”-deklaroi Agim Demrozi, president i Egnatias.
“Më thënë të drejtën presidenti e mban fjalën. Unë s’e kam takuar akoma në kuptimin që të ulem në tavolinë. Ai gjithmonë i ka paratë në makinë dhe shpresoj ti sjellë sa më shpejt (qesh). Nuk e di shumën, por e di që do jetë goxha e mirë,”-tha Albano Aleksi, futbollist i Egnatias.
“Ishte një amanet i kapitenit tonë të dilnim kampion. Ai besonte se kye kip mund t’ia dlite dhe gjej rastin t’ia dedikoj atij si fitimin e Kupës ashtu edhe të kampionatit,"-u shpreh Renato Malota, kapiten i Egnatias.
“Besoj se është një punë dyvjeçare e ekipit, stafit teknik dhe trajnerit. U shpërblye puna e dy viteve,”-tha Abdurrahman Fangaj, futbollist i Egnatias.
Ky sukses, përveç shpërblimit për sezonin e rregullt, i solli Egnatias edhe 10 milionë lekë të tjera, ndërsa në verë do luajë në kualifikueset e Champions League, që i mundësojnë sërish të ardhura të majme. Gjithsesi para se të shkohet deri atje, ekipi rrogozhinas festoi gjatë titullin kampion edhe përtej stadiumit Air Albania. Stafi, duke përfshirë drejtuesit, trajnerin e ndihmësit e tij, por mbi të gjithë edhe futbollistët qëndruan zgjuar deri në orët e para të mëngjesit, duke kënduar dhe kërcyer.