Hanife Vija nga Lezha 7 vite më parë u diagnostia me kancer gjiri. Në atë kohë ishte 51-vjeçe dhe punonte në portin e Shëngjinit. E fortë, e qeshur dhe plot pozitivitet, 58-vjeçarja e cila jeton e vetme, rrëfen momentet e vështira kur u diagnostikua me sëmundjen e rëndë, për të cilen u informua vetem pas operacionit që bëri në Tiranë.
“Pashë në trupin tim një kokërr (gjendër) por e neglizhova. E pashë në gusht dhe në dhjetor u bë e madhe, u detyrova të shkoj në spital”, tha Hanife Vija.
Beteja me sëmundjen ishtë mjaft e vështire tregon Hanife Vija për shkak dhe të pamundësive financiare, por falë ndihmës së bluzave të bardha dhe miqve ka arritur tja dalë.
“Shkova në Tiranë u operova, vazhdova me mjekime. Më ranë flokët, jam ndier shumë keq. Por tashmë kjo ka kaluar dhe jam më mirë, shkoj vetëm për kontrolle në Onkologjik”, tha ajo.
Sëmundja e rëndë e detyroi ta ndëprese punën dhe aktualisht trajtohet me pension invaliditeti, ndërsa mjekimin e ka të vazhdueshem. Hanife Vija ka një këshillë për gratë dhe vajzat që vuajnë nga kjo sëmundje, ndërsa apelon që mos të neglizhojnë.
“Ka qenë shumë e vështirë se unë jetoj vetëm dhe nga gjendja ekonomike copë-copë. S’kam pas lek me ble një amita. Punën e kam lënë dhe kam dalë në KEMP (pension invaliditeti)”.
Numri i të prekurve nga kanceri i gjirit në Lezhë ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit, ndërsa mbështetja financiare për të përballuar kostot e kurimit shihet si domosdoshmeri për këtë kategori.