Hetimet për skandalin e fitimit të dy tenderave 30 milionë euro me dokumenta falso nga kompania “DH-Albania”, janë shtyrë dhe tre muaj të tjerë. Vendimi është marrë nga prokurorët e çështjes të cilët prej më shumë se tre muaj, janë duke kryer një sërë veprimesh hetimore për të zbuluar personat përgjegjës që kanë abuzuar me dhënien e dy tenderave me vlerë 12 dhe 18 milion euro një kompanie guackë, që futej në konkurim me dokumenta të falsifikuara. I vetmi person që është shpallur në kërkim është administrator i kompanisë “DH-Albania”, Avdjol Dobi. Kreu i ARRSH-së, Afrim Qendro dhe kreu i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Klodian Gradeci kanë dëshmuar në prokurorinë e kryeqytetit në lidhje me skandalin e firmës “DH Albania”, e cila fitoi dy tendera me vlerë 30 milionë euro, 18 milionë për ndërtimin e lotit të parë te “Unaza e Re” dhe 12 mln euro të linjës së tensionit 220 kë Burrel-Peshkopi. Ndërkohë për këtë çështje në verifikim nga prokuroria janë anëtarët e Komisionit të dhënies së Liçensave në Ministrinë e Transportit.
Katër anëtarët e këtij komisioni që kanë dhënë liçensën për kompaninë “DH-Albania”, janë marë në pyetje nga prokuroria e Tiranës. Të katër anëtarët kanë treguar përpara oficerëve të policisë Shpëtim Karakushi dhe Ludovik Ndoja, të gjithë procedurën dhe kriteret që janë plotësuar për paisjen me liçensë të kompanisë “DH-Albania”. Gjatë kësaj kohe në prokurori kanë përfunduar dhe pesë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Zyrtarët e OST-së janë pyetur lidhur me fitimin e tenderit prej 12 milionë euro nga “DH-Albania” për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë nga Burreli në Peshkopi. Ata kanë pohuar se nuk kanë kryer asnjë verifikim për sa i përket dokumentacionit nëse ishte falso apo jo, pasi kanë parë vetëm dokumentat shoqëruese, që ishin të sigluara me vulën e noterit dhe të përkthyera nga përkthyes zyrtarë. Sipas dëshmisë së tyre, vërtetimi dhe bilancet e dorëzuara nga kompania, kishin mbërritur me zarf dhe vulë origjinale. Anëtarët kanë shtuar se përpara se dosja e “DH-Albania” të mbërrinte në tavolinën e tyre, ajo më përpara kontrollohet nga drejtoria e Juridike e institucionit.
Foto ilustruese
Fitoi dy tendera 30 mln euro me letra falso, shtyhen me 3 muaj hetimet për 'DH-Albania'
Vendimi është marrë nga prokurorët e çështjes të cilët prej më shumë se tre muaj, janë duke kryer një sërë veprimesh hetimore për të zbuluar personat përgjegjës që kanë abuzuar me dhënien e dy tenderave me vlerë 12 dhe 18 milion euro një kompanie guackë, që futej në konkurim me dokumenta të falsifikuara.