Politikë

Fitoi mandat, Muçi për Report Tv: Procesi i numërimit korrekt, pati dhe presione! Berisha s’i njeh zgjedhjet sepse mbron postin e tij! Meçe: E djathta në krizë!

26 Maj, 18:17| Përditesimi: 26 Maj, 18:44

  • Share

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit kanë përfunduar dhe KQZ ka certifikuar rezultatet për të 12 qarqeve në vend, si dhe listën e kandidatëve fitues që do të jenë deputetë në Kuvendin e ardhshëm.

Një mes 140 ligjvënësve në parlamentin e ardhshëm do të jetë edhe Redi Muçi i Lëvizjes Bashkë të drejtuar nga Arlind Qori, i cili nuk arriti dot ta fitonte mandatin e tij, pasi ishte i renditur i dyti në listën e Tiranës.

Redi Muçi ka qenë i ftuar ditën e sotme në “Studio Live” të Report Tv nga moderatori Arbër Hitaj, së bashku me analistin Arben Meçe, ku u analizua situata para dhe paszgjedhore, rezultati në shifra dhe reagimet e opozitës për manipulime dhe vjedhje.

“Problematika ka pasur të ndryshme në zgjedhje, ka pasur edhe presion ndaj kandidatëve tanë apo të afërmve të tyre. Nuk e di nëse edhe operacionet e fundit kanë lidhje me këtë. Por ka pasur presion nga patronazhistë për ata që votonin për Lëvizjen Bashkë, por pavarësisht problemeve procesi ishte i qetë në krahasim me zgjedhjet e tjera gjatë numërimit. I kemi ndjekur vetë nga afër vetë”, u shpreh Muçi.

Opozita dhe veçanërisht PD po pretendon vjedhjen e zgjedhjeve, por për Muçin, edhe pse pati problematika, mungesa e fakteve e provave e përjashton këtë vjedhje masive siç pretendohet. Por ai ndau mendimin se Berisha akuzat për manipulim i hedh edhe për të shpëtuar postin e tij në PD.

“Mendoj se Sali Berisha e bën këtë për të justifikuar veten e tij në krye të PD-së, për të ruajtur postin. Ne si parti do jemi në Parlament për ta përçuar zërin e qytetarëve aty. Kjo është detyra e lëvizjes Bashkë në 4 vitet e ardhshme. Ne i qëndrojmë qëndrimeve tona, asaj që themi dhe bëjmë. Ne prisnim që të merrnim sa më shumë vota të elektoratit të majtë, pasi edhe ne jemi të majtë, pasi PS ka devijuar nga e majta evropiane. Në fakt prisnim 2-3 deputetë në parlament, megjithatë do i qëndrojmë besnikë mandatit që kemi marrë”, tha Muçi në fjalën e tij.

Por a mund të ishin bashkuar partitë e reja për të prodhuar më shumë mandate me maksimizim të votës? Muçi shprehet se bashkimi nuk ndodhi për shkak të “çështjeve mekanike”, por shtoi se nuk do të ketë një të tillë as më pas.

“Ne nuk jemi penduar që shkuam kështu, sepse po të shohësh numrat duket se sikur të bashkoheshim do merrnim të paktën 3 deputetë më shumë. Nuk do kemi bashkëpunim me partitë e reja politike. Të thuash na vodhën zgjedhjet apo mandatin do të thotë se ti ata votues i ke në thesin tënd. Të vazhdosh me retorikën e masakrës zgjedhore nuk është serioze, histori që vijon që nga 2021”, vijoi ai.

Muçi priste më shumë nga Task-Forca e SPAK gjatë fushatës zgjedhore.

“Mënyra dhe manovra për manipulim vote ka pasur, por është e vështirë t’i faktosh, ndaj u ngrit edhe Task-Forca e SPAK. Kemi rastin Çyrbja në Durrës kur u provua vetëm pas zgjedhjeve dhe unë mendoj që SPAK duhet të punojë me parandalimin më shumë dhe duhet të kishte bërë më shumë”, tha deputeti më i ri i parlamentit shqiptar.

Kurse për analistin Arben Meçe, e djathta në krizë, ndaj edhe Mundësia e Agron Shehajt i mori 2 mandate. Ai vlerësoi linjën politike të Lëvizjes Bashkë dhe ndau mendimin se vetëm ajo mund t’i mbijetonte situatës paszgjedhore.

“Për herë të parë po shoh një artikulim të qartë për një parti, Lëvizja Bashkë që shprehet se është e majtë. PS sot me politikat e saj ka shkuar drejt Qendrës, kurse kjo lëvizje po po ruan identitetin. Kjo parti arriti të futej në një moment historik në Parlament, si parti e vogël. Gjëja më e mirë që bënë është se ruajtën identitetin. Më tej mendoj se këta do e kenë rrugën më të qëndrueshme në krahasim me të tjerat që do asimilohen. E djathta është në krizë dhe kjo tregon pse partitë e vogla drejt të djathtës morën mandate më shumë apo edhe vota, si Mundësia. Ndaj Agron Shehaj mori edhe 2 mandate. Këta nuk dolën me bazën sociale të Ballit Kombëtar, edhe pse me linjë ideologjike të paqartë, por Berisha i goditi fortë këta dhe ndaj janë shkëputur”, u shpreh ish-deputeti i PD-së.

Ora 18:28
Meçe për ‘Studio Live’: Nuk ka pasur manipulime, PD në rënie! Berisha ofendon komisionerët e partisë me ‘trenin bullgar’

 

Sali Berisha ofendon komisionerët e tij të PD-së me pretendimet për “trenin bullgar” apo manipulim të votave, teksa vetë duhet të kishte dhënë dorëheqjen sipas “Nenit Basha” që miratoi vetë dhe nuk po e zbaton pas humbjes së thellë.

Kështu u shpreh analisti Arben meçe sot në ‘Studio Live’, duke shpjeguar sjelljen e opozitës pas 11 majit dhe akuzat për ‘farsë elektorale’.

“Po të shohësh komisionet dhe numëruesit, ishin pothuajse të ndarë gjysmë për gjysmë, si nga PS, ashtu edhe nga PD. Trendi i votave si faktor i dytë, po ta shohësh mirë, është linear, ngritje e PS dhe rënie e PD-së. Ka frymë të përgjithshme në Shqipëri, pothuajse në të gjithë vendin, me rënie të PD-së dhe ngritje të PS-së. Pra të gjitha qendrat e votimit janë në mënyrë lineare me këtë trend. Nuk ka pasur manipulim të zgjedhjeve, madje edhe raporti i ODIHR-it ka qenë më i miri për zgjedhjet, edhe pse probleme pati”, u shpreh Meçe për procesin zgjedhor.

Më tej ai lexoi edhe dinamikën e sjelljeve dhe reagimeve të Berishës, për të cilin tha se kishte plan e strategji për të bllokuar apo manipuluar procesin siç bëri me Vorën, teksa në mesnatën e 11 majit tha se “fituam” dhe të nesërmen “na vodhën”.

“Berisha nuk transmetoi asnjë problem në 12 të natës më 11 maj, ne e pamë dhe dëgjuam vetë, tha “ne fituam” e të administronin rezultatin. Ai pati strategji për të deformuar zgjedhjet, si rasti i Vorës psh., me bllokim rezultati, pra kishte një linjë për t’i goditur zgjedhjet apo pse jo për t’i manipuluar votat me komisionerë, numërues dhe vëzhgues, në dëm të partive të vogla. Dhe të pretendosh se janë blerë të gjithë këta njerëz me të ashtuquajturën ‘tren bullgar’, kjo është të ofendosh në radhë të parë njerëzit e tu, kjo është absurde. Ai bëri edhe ‘Nenin Basha’, por ai nuk ikën. Kurrë nuk oranon zgjedhjet, gjithmonë ka humbur”, vijoi ish-deputeti demokrat, duke theksuar se kreu i selisë blu nuk do dorëhiqet dhe as që mund të pritet një akt i tillë.

Kurse në lidhje me ‘trenin bullgar’ dhe pretendimet e PD-së ai i quan të paqena dhe ‘fake’, sepse sipas Meçes, më i interesuari për ta kapur këtë dukuri do të ishte vetë SPAK, nëse do ishte i vërtetë.

“SPAK është gjuetari i madh që është i interesuar për të kapur, ndaj edhe ajo e Peqinit po të ishte e vërtetë me ‘trenin bullgar’ Prokuroria do e kishte kapur menjëherë. SPAK është më i interesuari për t’i kapur këto raste, por ajo doli ‘fake’ dhe çështja është se sa do të zgjasin akuzat e PD-së ndaj Policisë duke luajtur me këtë”, tha mes të tjerash analisti për Report Tv.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?