Fatmir Xhafaj, i cili fitoi mandatin në listën e hapur të PS-së në qarkun Tiranë, ka reaguar duke falënderuar të gjithë ata që e kanë votuar.
Ai e ka përshkruar garën të vështirë dhe konkurruese, duke thënë se në fund ia doli me sukses.
Postimi i Xhafajt:
MIRËNJOHJE!
Miqtë e mi,
Tashmë që procesi i numërimit është përmbyllur dhe zyrtarisht konsiderohem fitues në këtë konkurim elektoral – 2025 është momenti për të adresuar disa fjalë për zgjedhësit e mi, për të gjithë ata mijëra mbështetës që i’u bashkuan garës sime në të gjithë qarkun e Tiranës, edhe nga përtej kufijve, dhe për ekipin e stafin tim të fushatës.
Faleminderit nga zemra të gjithëve!
Për herë të dytë rradhazi (2021 dhe 2025) edhe në këto zgjedhje isha pjesë e listës së hapur konkuruese duke garuar për një mandat të ri parlamentar. Në rreth 60 ditë ne zhvilluam një garë konkuruese, në respekt të plotë të kushtetutës e ligjit zgjedhor, një garë tërësisht transparente dhe etike, duke pranuar kundërshtarët dhe vlerësuar e respektuar konkurentët brenda forcës sonë politike dhe veçanërisht duke punuar me përunjësi dhe respekt ndaj zgjedhësve tanë.
Beteja kryesore elektorale u fokusua te Njësia 10 të cilën e përfaqësoj dhe e drejtoj politikisht prej 10 vjetësh duke bërë në të 6 beteja elektorale (të gjitha të fituara) dhe duke e përfaqësuar me 3 mandate deputeti. Ne e fituam edhe këtë betejë duke ruajtuar të njëjtin rezultat fitues dhe me një diferencë të thellë me kundërshtarët politik. E gjitha kjo falë zgjedhësve të mençur të Njësisë 10, që prej vitesh kanë besuar dhe përsëri besuan te Partia Socialiste e përfaqësuesit e saj. Falë burrave e grave, djemve e vajzave socialistë të kësaj njësie në zemër të Tiranës që u angazhuan me shumë angazhim edhe në këtë betejë fituese. Ju jam mirënjohës dhe të jeni të sigurtë se do të vazhdoj t’ju përfaqësoj të gjithëve me shumë përkushtim e përunjësi.
Veçanërisht edhe falë ekipit elektoral në këtë njësi (të deleguar, kryetar, bashkëkryetar e sekretar të OS-ve, koordinatorë e patronazhistë elektoral), të cilët punuan me shumë përgjegjësi për fitoren e PS në Njësinë 10-të. Faleminderit nga zemra!
Krahas betejës për Nr.5 – PS, paralelisht u përfshiva në një tjetër betejë elektorale, atë personale si pjesë e listës së hapur në qarkun e Tiranës.
Ishte një garë e vështirë, shumë konkuruese, me sfida të shumta e në disa aspekte jo dhe shumë e barabartë, por dhe një proces me sulme të ulëta nga disa individ që nuk nguruan të lëshonin edhe kësaj radhe në ndonjë media breshërinë e shpifjes dhe baltës ndaj meje me një qëllim të vetëm se si të isha humbës në këtë garë. Po ne ja dolëm me sukses duke fituar mbi ta dhe mbi të gjitha pengesat e ngritura!
Njësia 10, është njësia me numrin më të vogël të zgjedhësve në të gjithë qarkun e Tiranës dhe kjo ishte një ndër vështirësit tona kryesore, një ndër pabarazit e nisjes së kësaj gare në raport me konkurentët e tjerë brenda listës sonë. E megjithatë ne përseri ja dolëm me sukses. Vetëm 12% e votave të marra janë nga njësia 10, të tjerat nga gjithë qarku. Gjithçka, votë pas vote, me komunikime e takime të shumta me zgjedhësit dhe me një ekip vullnetarësh elektoral në të gjithë qarkun që funksionoj në përditshmëri e plot përkushtim.
Janë vota të vërteta dhe të sinqerta, votë e kërkuar me përunjësi dhe respekt, votë e dhënë me zemër nga plotë 13.673 zgjedhës.
Jam tejet krenar kur shoh njerëzit që kanë punuar me mua në këtë fushatë, pa asnjë lloj interesi, pa asnjë përfitim material apo financiar, por vetëm me besim dhe përkushtim njerëzor.
Jam shumë i lumtur dhe krenar kur shoh votat e mbledhura me respekt të plotë për shenjtërinë e votës së lirë. Janë thjesht vota besimi!
Mirënjohës pa fund të gjithë atyre që më premtuan e ma dhanë votën duke besuar te ajo çfarë unë jam, te çfarë kam shërbyer në gjithë karierën time politike dhe te angazhimi im publik për ti përfaqësuar në një mandat të ri parlamentar. I garantoj se do ti përfaqësoj me besnikëri e integritet vlerat dhe interesat e votuesve të mi, se do t’iu qëndroj deri në fund angazhimeve të mia publike. Ata e bënë detyrën e tyre duke më dhënë besim përmes votës së tyre! Tani është rradha ime të bëj detyrën përmes përfaqësimit të tyre parlamentar!
Një MIRËNJOHJE të veçantë për bashkëpunëtorët dhe ekipin tim elektoral që bëri një super punë në të gjithë qarkun për fitoren e PS dhe në mbështetje të kandidaturës time deri në numërimin e votës së fundit. Ata kanë meritën e madhe që me shumë durim, angazhim e përkushtim ideuan e organizuan një fushatë të jashtëzakonshme, me një axhendë të ngjeshur publike aktivitetesh në territor dhe në komunikimin publik e mediatik, tërësisht transparente dhe shumë etike! Jeni vërtet të mrekullueshëm! Skam fjalë tjetër për ju! Jam shumë krenar për ju! Do të mbeteni përher miqtë e mi!
E në mbyllje një falenderim me shumë mirënjohje familjes sime të dashur dhe familjarëve e miqve tanë që prej shumë e shumë vitesh bashkëudhëtojnë me shumë besnikëri ndaj meje në këtë rrugëtim të vështirë të karierës sime të gjatë politike.
Faleminderit nga zemra për gjithçka!
MIRËNJOHJE!
Me shumë respekt e dashuri,
Fatmir Xhafaj
Komente

Xhafe, dy here e ke marre voten time vec per Reformen ne Drejtesi qe udhehoqe gati 10 vjet me pare e sot po jep reultate edhe pse nuk jam 100% i kenaqur kur shoh Sali kriminelin te marr zvarre kete vend. Nese realizon edhe ate projektin Antikorrupsion qe ke nisur dhe te japi rezultate ne administraten qe ende ka qasje ne para publike apo kontakt me hallexhinjte, hallall e pac voten time. Muhabetet e tjera se cfare ke bere gjate 2 muajve fushate nuk pijne uje.
Përgjigju