BELGJIKË- Narkotrafikanti Haredin Fejzulla është në listën Europol si një ndër eksponentët e krimit më të kërkuar në Evropë. Kërkesa u bë nga autoritetet belge, të cilët më herët kishin kërkuar ndihmë nga autoritetet evropiane për të arrestuar shqiptarin 58-vjeçar, raportojnë mediat e huaja.
Trafikanti Haredin Fejzulla tërhoqi vëmendjen e hetuesve në verën e vitit 2013. Policia e Brukselit ndaloi një makinë gjatë një kontrolli rutinë më 29 gusht. Në mjet ndodheshin katër shqiptarë: Leonard Z., një burrë që më vonë do të identifikohej si drejtuesi i bandës shqiptare, ushtari i tij besnik Fejzulla dhe dy të tjerë. Gjithashtu, hetuesit gjetën në automjet edhe 108 gramë kanabis, gjë që nxiti autoritetet të hetojnë më tej pasagjerët nga ku u kapën 22 plantacione nga policia.
Banda e Fejzullait kishte gjetur një mënyrë të veçantë për t’i fshehur ato plantacione. Ata nënshkruanin kontrata qiraje false duke kontrolluar kështu tregun e qirave. Pa dijeninë e pronarëve, ata ngrinin plantacione kanabisi në këto shtëpi.
Një gjyq i vitit 2021 kundër Fejzullait zbuloi se 13 nga plantacionet gjeneruan rreth katër milionë euro, para të cilat besohet se u riinvestuan nga banda.
Haredin Fejzulla ka lindur në Shqipëri, por ka jetuar në Belgjikë për shumë kohë. E gjithë familja e tij ishte e përfshirë në organizim. Me 3 vite burg u dënua edhe djali i tij 31-vjeçar, si ndihmës logjistik dhe roje i plantacioneve.
Vetë Fejzulla ndodhet në arrati që prej 22 shtatorit 2014: që prej asaj kohe ai nuk është parë më në Belgjikë nga policia. Fejzulla shpesh prezantohej si grek dhe përdorte pseudonime greke si ‘Spiros’, ‘Robotis Postolis’ ose ‘Vasileios Samaras’.
Gjykata belge e ka nxjerrë tri herë para gjykatës së Brukselit. Çdo herë ai është dënuar në mungesë për trafik narkotikësh dhe si drejtues i një organizate kriminale. Tani atij i duhet të vuajë gjithsej 18 vite burg , ndërsa policia i ka konfiskuar 1.365.000 euro.
Tashmë dyshohet se Fejzulla është shpërngulur jashtë Belgjikës dhe operon nga vende të tjera evropiane. Ekipi i Kërkimit Aktiv të të Arratisurve (FAST) i policisë federale belge po gjurmon shqiptarin dhe e ka vendosur atë zyrtarisht në listën e më të kërkuarve të Europës këtë fundjavë.
Kujtojmë se pak ditë më parë, lista më më të kërkuarit nga Europol iu shtuan edhe dy shqiptarë të tjerë për vrasje.