Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Vorës, Blerim Shera në një intervistë për Report Tv foli lidhur me kontestimet e opozitës për votimin elektronik, duke thënë se procesi ishte në rregull. Në një intervistë për ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Shera tha se qytetarët e Vorës e kishin ndarë mendjen që do të votonin për ndryshimin.
“Qytetarët e Vorës e kishin për herë të dytë votimi elektronik, ky proces ishte i rregullt dhe çdo kush ka të drejtë të ankimojë të bëjë ca të dojë, po qytetarët e Vorës e kishin ndarë mendjen. Sot jemi duke ndjekur punimet për dy rrugë të reja, jemi çdo ditë në terren. Është një nga proceset më të qeta, sidomos në bashkinë e Vorës. Falënderoj qytetarët e bashkisë Vorë për të gjithë përkrahjen dhe mbështetjen dhe për të vazhduar punët e nisura për të ecur përpara”, tha ai.
Ndonëse kanë marrë shumicën edhe në Këshillin Bashkiak, Shera tha se do t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit përfaqësuesve të të gjitha palëve, për të mirën e qytetarëve të Vorës.
“Ne do bashkëpunojmë me këdo, me çdo qytetar e çdo anëtar të këshillit sepse kemi një qëllim për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Pse jo për të mirën e vendit ku ne jetojmë, ku rrisim fëmijët tanë ia shtrijmë dorën e bashkëpunimit kujtdo”, u shpreh ai.
Blerim Shera kandidoi nën siglën e PS dhe fitoi përballë kandidatit të Bashkë Fitojmë Indrit Hoxha. Shera mori 9638 vota, ndërsa Hoxha vetëm 3471 vota. PS fitoi 53 bashki në të gjithë vendin.