Sociale

Fitoi një betejë, por ende luftën! Kanceri i gjirit i kthehet sërish, Antigona: Nuk jam më e dobët se herën e parë, e përballoj me forcë

11 Tetor, 16:41| Përditesimi: 11 Tetor, 17:23

  • Share

Lufta ndaj një sëmundjeje nuk është kurrë e lehtë, aq më tepër kur e ke fituar një betejë. Antigona Terthorja, ishte 38 vjeç kur u diagnostikua me kancer në gji. Pas 2 viteve trajtime jashtë shtetit edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale, ajo arriti ta mposhte sëmundjen. Por në moshën 41-vjeçare ajo do të përballej me një realitet të hidhur, kanceri në gji ishte rishfaqur.

“Jam një nga rastet që është rikthyer përsëri, por kjo s'do të thotë se jam më e dobët se herën e parë. Sigurisht tanimë besoj se jam dhe më e fortë dhe me mbështetje më të madhe, të cilat uroj që t'i ketë gjithsecili që përballet me të njëjtën sëmundje.”, tregon Antigona.

Mosbesimi ndaj institucioneve shëndetësore në vendin tonë, e shtyu Antigonën, që në të dyja rastet, sëmundjen ta trajtonte jashtë vendit.

“Unë jam një nga pacientët që ka kërkuar dhe ka pasur mbështetjen për t'u kuruar jashtë. Me këtë gjej rastin për të falënderuar këdo që më ka mbështetur, por që nuk është një nga alternativat më të mira. Nëse dhe vendi jonë do jetë i njëjtë me të tjerët në këtë shërbim është më e kollaj t'i përballosh e t'i kalosh gjërat në vendin tënd. Frika dhe mosbesimi në shumë gjëra ne mjekësi me beri qe te ikja”, thotë ajo.

Antigona Terthorja sot e gjejmë pjesëmarrëse në një fushatë ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit. Në sheshin Italia në Tiranë u zhvillua “Race for the Cure Albania”, një garë nga vetë të prekurit dhe bashkudhëtarët me të afërt në betejën e tyre me sëmundjen, që simbolizoi forcën, solidaritetin dhe shpresën.

Kanceri në gji ka filluar të shfaqet gjithnjë e më shumë në mosha më të reja, prandaj kontrolli i shpeshtë është i domosdoshëm për ta kapur tumorin në fazat e para.

“Jemi duke parë në fakt raste të reja edhe në moshat në të cilat nuk e presim që është nën 50 vjeç, por ndonjëherë edhe nën 40 vjeç. Fatkeqësisht për gratë e moshës nën 40 vjeç ne nuk kemi armë depistuese në dorë përveçse një eko gjiri. Kështu që unë do thoja që ajo çka mund të bëjmë, më e mira që mund të bëjmë është që nëse vëmë re diçka në gji, mos ta shtyjmë kontrollin.”, shpjegon Klejda Mati, onkologë.

Në Shqipëri, janë 805 gra dhe vajza të diagnostikuara me kancer gjiri vetëm gjatë vitit 2024.

G.M./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kualifikueset e Botërorit, si e parashikoni ‘finalen‘ Serbi-Shqipëri?