Të mërkurën në Loro Boriçi, në orën 17:45, do luhet gjysmëfinalja e kthimit të Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Partizanit, me shkodranët që po kalojnë një moment të vështirë në kampionat ndërkohë që duhet të bëjnë llogaritë pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë.
“Jemi në një moment delikat, por jemi në një moment që na nevojiten tifozët sepse kemi mundësi të shkojmë në finale. Na duhet ndihma e tyre pavarësisht situatës jo të mirë dhe jo pozitive që po kalon ekipi,”-tha Erdenis Gurishta, kapiten i Vllaznisë.
Nga ana tjetër morali te Partizani është i lartë sidomos pas dy fitoreve të fundit.
‘Skuadra është stërvitur me entuziazëm. Ka ndikuar edhe faktori që ne jemi stërvituar gjatë kësaj kohe në komplesin e ri që klubit i ka munguar prej vitesh. Në këtë situatë shpresoj që ta kuptojmë të gjithë si staf, por edhe futbollistët, që sa i rëndësishëm është rezultati pozitiv tani edhe në vazhdim sepse jemi në një moment historik për klubin,’-deklaroi Dritan Mehmeti, trajner i Partizanit.
Po të mërkurën, në orën 14:45 Laçi do të presë Teutën me misionin për të mbrojtur rezultatin, pasi kurbinasit në Durrës fituan me rezultatin 1-2.