Fitorja e 15 erdhi me nokaut, Nelson Hysa për Report TV: Jemi në negociata, në maj boksoj për titull bote

5 Prill, 13:28| Përditesimi: 5 Prill, 21:18

  • Share

Lukas Ndafoluma rezultoi boksieri i radhës, i cili u mposht nga kampioni i peshave të rënda në Shqipëri Nelson Hysa. 39-vjeçari hodhi nokaut kundërshtarin nga Namibia, duke koleksionuar një tjetër fitore në karrierë në eventin e zhvilluar në Shkodër ‘Fists of fire’.

“Ishte një kundërshtar që kisha kohë që e kisha studiuar sepse promotorët e këtij aktiviteti e kishin cilësuar si një nga ndeshjet më të bukura dhe ashtu ndodhi. Jam shumë i kënaqur për atë që përjetoi publiku sepse publiku i Shkodrës është i imi sepse aty kam filluar boksin, karrierën. Isha më i përgatitur dhe fitorja erdhi në krahun tim,”-u shpreh Nelson Hysa, boksier.

Për Nelsonin kjo ishte ndeshja e 15 e fituar në po kaq përballje në boksin profesionist, ndërsa për Report Tv tregoi sesa e rëndësishme është që humbjet të vijojnë zero.

“Na ndihmon shumë në anën psikologjike të jesh i pamposhtur, por është edhe një motiv për kundërshtarët që të vijnë të mposhtin një të pamposhtur. Shpresoj që ta mbajmë gjatë këtë shifrën e humbjeve me zero,”-tha ai.

Hysa zbuloi për Report TV se në fund të muajit maj do synojë një titull botëror për peshat e rënda në një ndeshje që do mbahet në Shqipëri.

“Bashkë me stafin e kemi marrë si të mirëqenë një ofertë që na ka ardhur nga një federatë ndër më kryesoret e botës për një titull shumë të madh. Ndeshja do jetë në Shqipëri sepse s’kemi ku tjetër ta bëjmë atë ndeshje aq të madhe. Nuk mund të zbuloj më shumë sepse ende nuk është shkruar në letër. Presim firmosjen dhe pastaj shpresoj ta ndaj me publikun sepse është diçka shumë e madhe që nuk ka ndodhur asnjëherë në Shqipëri,”-deklaroi boksieri.

Numrat dhe rekordet e arritura nga Nelson Hysa në boksin profesionist janë në më pak se dy vite karrierë.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?