Fitorja e Kombëtares në përballjen me Serbinë, në shtëpinë e kësaj të fundit, falë golit të Rei Manajt, çoi peshë zemrat e shqiptarëve, të cilët po shijojnë emocionet e atij triumfi edhe 2 ditë pas përballjes.
Në “5 pyetjet” me Ilir Babaramon në Report Tv, gazetari Tami Kona solli detaje nga masat drastike të sigurisë që Serbia kishte marrë për sigurinë e ekipit kombëtar, delegacionit shqiptar që shoqëronte Kombëtaren, por edhe gazetarët e tjerë shqiptarë të cilët kishin marrë autorizimin për ndjekur përballjen nga stadiumi në Leskovc.
“Ne ishim një grup gazetarësh që nuk ishim me delegacionet dhe në çdo moment na shoqëronin. Kur raportonim, nuk duhet të thonim emrin e hotelit, ishte në autostradën Leksvoc–Nish. Vetëm kombëtarja dhe delegacioni që kishin ardhur, nuk kishte fare të huaj atje”,- tha ai ndër të tjera.
Esksperti i sportit, Artan Shyti, tha se lojtarët e Kombëtares patën një performancë të mirë gjatë gjithë ndeshjes.
“Ato 90 minuta ishim goxha të qetë, të motivuar. Pashë një ekip kombëtar, përveç trajnerit, të gjithë të tjerët meritojnë notën 10”,- tha Shyti.
Esmeralda Mulaj tha se pavarësisht optimzmit të shkaktuar nga fitorja, shumica e mbështetësve të Kombëtares nuk menduan para ndeshjes se do të fitonim.
“Të jem e sinqertë deri në këtë ndeshje kombëtarja jonë pas Europianit la shumë për të dëshiruar. Duket sikur kishte probleme të brendshme. Sot pas fitores të gjithë thonin: “E dija, e dija që do fitonim”, por më parë rezultati më i mirë për ne do të ishte barazimi. Në atë ndeshje ata (lojtarët) dhanë shpirtin në fushë”,- tha Mulaj
Në një lidhje skype nga Gjermania, Kreshnik Spahiu tha se merita kryesore e asaj fitoreje i shkon trajnerit të Kombëtares, Sylvinho.
“Sigurisht që ne kishim kaluar një sfidë me Serbinë, por ne nuk e kishim kaluar me një fitore të drejtëpërdrejtë me lojë dhe me gola. Dua të citoj këtë mesazhin e Myrto Uzunit i cili tha: “Ia kishim një lloj borxhi këtë shqiptarëve të Kosovës.” Merita kryesore i shkon atij që ne e kemi kritikuar shpesh herë, Silvinjos”,- tha Spahiu.
Komente
