Politikë

Fitorja e PS/ Braçe për Report Tv: T’i përgjigjemi shqiptarëve me përulësi! Berisha me fashistin Beleri nuk fitonte dot, e turpshme tentativa për të marrë peng votat e shqiptarëve në Greqi

19 Maj, 19:11| Përditesimi: 19 Maj, 20:12

  • Share

Deputeti socialist Erion Braçe nuk është habitur aspak nga 20 mijë votat që shqiptarët i besuan në zgjedhjet e 11 majit, por as për fitoren e thellë të partisë së tij. Por, ky votëbesim për Braçen duhet t’i kthehet shqiptarëve vetëm me punë dhe zero arrogance. I ftuar në Report Tv, Erion Braçe thotë për gazetarin Arbër Hitaj se 11 maji ka qenë zgjedhjet më të mira që ka parë nga viti 1996, duke theksuar se kësaj fitoreje duhet t’i përgjigjen me përulësinë më të madhe.

“E prisja edhe për PS, edhe për vete. Nuk ka habi në këtë rast. Ajo që më ka interesuar ka qenë fitorja e PS dhe në rast se qytetarët besonin edhe për 4 vite këtë punë, patjetër do e pranoja me kënaqësinë më të madhe.  Më përulësi, shumë të madhe. Jo vetëm për mua, por edhe për PS fitorja është shumë e madhe, duhet t’i përgjigjemi me përulësi, zero arrogance dhe shumë punë”, tha Braçe.

Një përgjigje e ka edhe për opozitën dhe akuzat e tyre se PS i vodhi zgjedhjet përmes bandave dhe incidentin në zyrën e tij.

“Banda ime kush ishte? Ato gratë që ishin atje ishin bandë. S’më intereson të thonë çfarë të duan. Nuk është ajo që kam në mendje. Ajo që kam në mendje është ti përgjigjem njerëzve që më votuan, sidomos atyre në njësinë numër 5 që më votuan. Më intereson te shkoj në punë, jo çfarë thonë të tjerët lart e poshtë. Zgjedhjet kanë mbaruar dhe tani duhet të shkoj në punë dhe të merrem me njerëzit”, shprehet Braçe.

Mandati i katërt të qeverisë Rama, Braçe thotë se duhet të çojë para reformat për integrimin në BE.

“Një mandat i tillë vlen për reforma akoma më shumë në sektorë të ekonomisë kombëtare, që njerëzit të marrin përgjigje sa më shpjet të jetë e mundur, të mbyllim kapitujt dhe ti’ përgjigjemi vendit me një standard të ri, europian, në shërbime dje ekonomi, dhe ti përgjigjemi edhe BE, ku duam të bëhemi pjesë”, thekson Braçe.

Bllokimin që Partia Demokratike i bëri votës së diasporës nga Greqia, e sheh si një fyerje të tmerrshme dhe një tentativë për t’i poshtëruar emigrantët shqiptarë.

“Zotëria në fjalë del në krahë me një fashist, që thotë është shqiptar por që në fakt përfaqëson Greqinë. Ca duhet t’iu themi ne shqiptarëve të Greqisë, veçse pamjeve të atyre dyve në çdo moment në ekrane, këtu e në Greqi, tentativë për të marrë peng shqiptarët e Greqisë. Fyerje e tmerrshme ajo që ka ndodhur në harkun para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, tentativat për të mos lexuar votën e shqiptarëve ishte një tentativë për t’i poshtëruar, siç nuk u mjafton ajo që hequr në Greqi”, thekson Braçe.

Sa i takon ‘luftës’ brenda llojit dhe pyetjes nëse ka pasur orientim vote për kandidatët e listës së hapur, Braçe i përgjigjet se në një skuadër nuk ka rëndësi se kush e bën golin, por e rëndësishme është që ajo të jetë e bashkuar dhe të arrijë fitoren.

Ora 19:56
‘Qeveria duhet t’i përgjigjet investimit që Partizani e ka ndërmarrë vetë’, ja si e komenton Braçe dërgimin e Berishës për gjykim

 

Deputeti socialist Erion Braçe e komenton kështu dërgimin e Sali Berishës dhe dhëndrit për gjykim për aferën Partizani. I ftuar në Report Tv, Braçe thotë se qeveria duhet të bëjë ligjin e ri për sponsorizimin e sportit, ndërsa në raport me partizanin thotë se një qeveri e prishi kompleksin dhe tashmë qeevria Rama duhet t’i përgjigjet investimit që Partizani e ka ndërmarrë vetë. Ndërsa, pjesa tjetër Braçe thotë se i takon drejtësisë. 

Arbër Hitaj: U deshën 7 muaj që të vendosnin të kalonin për gjykim Berishën dhe dhëndrin. Më jepni një koment. E keni përemër Partizanin, edhe ekipin e futbollit...

Erion Braçe: Kam dy gjëra përzemër tani në raport me Partizanin. Ligjin e ri për sponsorizimin e sportit, jo vetëm futbolli por çdo sport në këtë vend është në krizë të thellë. I jemi gëzuar Lara Colturit, mundësve, dhe medaljeve që sjellin ata, por duhet të mendojmë për sportin kombëtar që e kemi pasur konkurrues në nivel ndërkombëtar. Gjëja që kam ndërmend është ligji i ri për sportin.  Qeveria duhet ti përgjigjet investimit që Partizani e ka ndërmarrë vetë. Nëse qeveria është angazhuar shumë me akademinë e Manchester City në Durrës, apo me akademinë e Nadal në Durrës, duhet ti përgjigjemi asaj akademie që është me mira në vend, akademia e Partizanit, duke prishur ca rrënoja që janë në kufijtë e akademisë së re, e ekonomisë së re të partizanit me qëllim që gjëja të shkojë në vend dhe ajo strukturë të filloj të zhvillohet. Ia ka për detyrim. Një qeveri shqiptare e shkatërroi këtë strukturë dhe një qeveri shqiptare duhet ti përgjigjet atij investimi që është nga a te zh që është investim provat. Pjesa tjetër i takon drejtësisë. Me çdo proces tjetër që zvarritet, për vite të tëra, në gjykata, janë dhe qytetarët që duan të marrin në drejtësi, ai komisioni duhet të merret me këtë çështje.

Ora 19:37
Braçe mesazh ‘gjeneratës’ së re të PS: Të jesh deputet është punë, jo kapardisje

 

Si një prej deputetëve më të vjetër socialistë, Erion Braçe nga Report Tv ka një mesazh për gjeneratën e re të PS. Për deputetët e vjetër që mbesin jashtë Kuvendit, thotë se nuk do të jetë e lehtë për t’i zëvendësuar, ndërsa të rinjve u thotë se qenit deputet është punë dhe jo kapardisje.

“Janë njerëz me përvojë të madhe në sallën e kuvendit, s’do të jetë e lehtë për t’i zëvendësuar. Të rinjtë do ta kenë të vështirë të futen menjëherë në pune, ne na duhet që i gjithë grupi parlamentar të jetë i gatshëm për të ecur para. Do duhet një periudhë katër mujore, që të gjithë të fillojnë të mendojnë, që të qenit deputet është punë, nuk është as kapardisje duke hyrë në sallë. Është punë si çdo punë tjetër. duhet që profesionet e tyre t’ia përshtatin punës legjislative dhe kontrollit parlamentar. Duhet të mbulojnë territorin për të mos vënë asnjë lloj boshllëku në territor nga momenti i zgjedhjes me votë”, thotë Braçe në Report Tv.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen 'Partizani', besoni se do të ketë drejtësi?