Fitorja e së djathtës ekstreme: A mund të ndjekë Holanda shembullin e Britanisë duke dalë nga BE?

24 Nëntor 2023, 09:25| Përditesimi: 24 Nëntor 2023, 17:37

  • Share

Udhëheqësi populist holandez i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, që ka bërë shpeshherë thirrje për një referendum kombëtar për largimin e vendit nga Bashkimit Evropian, dhe është zotuar të ndalë çdo lloj migrimi në Holandë, ka arritur një fitore tronditëse në zgjedhjet parlamentare të së mërkurës (22 Nëntor).

Fitorja e Wilders, që është quajtur ndonjëherë edhe “Donald Trump holandez”, po dërgon valë tronditëse në të gjithë Evropën, dhe përfaqëson një zhvendosje dramatike në të djathtën ekstreme, për një vend që dikur shihej si një shembull i tolerancës dhe integrimit.

Politikani haptazi anti-islamik tani do të përpiqet të formojë një koalicion të ri qeverisës për t'u bërë kryeministri i parë i ekstremit të djathtë në historinë e vendit. Me 98 për qind të votave të numëruara deri të enjten në mëngjes, Partia e Lirisë e Gert Wilders (PVV) kishte fituar 37 vende nga 150 gjithsej.

Pra shumë përpara 25 deputetëve të koalicionit të përbashkët Laburistë/Të Gjelbër dhe 24 deputetë për Partinë Popullore konservatore për Liri dhe Demokraci (VVD) të kryeministrit në largim Mark Rutte. Partisë së Lirisë do t’i duhet që të formojë me siguri një qeveri koalicioni, raporton  “The Independent”.

Por tashmë ajo i ka më shumë se dyfishuar 17 vendet që fitoi në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Duhet të pickoja krahun që të kuptoja se nuk jam në një ëndërr”- deklaroi Wilders i ngazëllyer në fjalimin e fitores para mbështetësve të tij. “Me këtë votim votuesit përcollën qartë mesazhin: Jemi të lodhur nga kjo gjendje! Holandezët do të jenë sërish të parët për këtë vend. Njerëzit duhet ta rikthejnë siç ishte kombin e tyre”, tha ai, duke shtuar se tani ka misionin t’i japë fund “cunamit të azilantëve”, duke iu referuar çështjes së emigracionit.

Emigracioni - çështja që solli edhe rrëzimin e qeverisë së Mark Rutte pas 13 vitesh në pushtet - ka qenë një nga pikat dominuese të diskutimeve gjatë fushatës zgjedhore.

Zoti Rutte ishte kryeministri më jetëgjatë i vendit, por ai u përball me një rënie të vazhdueshme të popullaritetit. Programi elektoral i Gert Wilders, bën thirrje për një referendum për largimin e Holandës nga Bashkimi Evropian, një ndalim total të pranimit të azilkërkuesve, dhe kthimin mbrapsht të emigrantëve në kufijtë e vendit.

Populisti me flokët e lyer në të verdhë, deklaroi në një debat televiziv gjatë fushatës zgjedhore: “Tani mjaft! Holanda nuk mund të durojë më. Tashmë ne duhet të mendojmë për njerëzit tanë. Kufijtë do të mbyllen dhe do të ketë zero azilkërkues!”.

Një fans i vetëshpallur i së djathtës ekstreme të Hungarisë të drejtuar nga Victor Orban, Wilders është gjithashtu haptazi kundër Bashkimit Evropiani, duke i kërkuar Holandës që të reduktojë ndjeshëm pagesat e saj në buxhetin e përbashkët të bllokut dhe të ndalojë hyrjen e çdo anëtari të ri.

Po ashtu, ai ka thënë vazhdimisht se Holanda duhet të ndalojë dërgimin e armëve për Ukrainën, duke thënë se asaj i duhen armët që të jetë në gjendje të mbrojë veten. Asnjë nga partitë me të cilat ai mund të formonte një qeveri nuk i ndan këto ide.

Geert Wilders u bëri thirrje partive të tjera që të angazhohen në bisedimet për formimin e një qeverie koalicioni , megjithëse si VVD po ashtu edhe partia e sapolindur e qendrës, Kontrata e Re Sociale - që është partnerja më e mundshme e Partisë së Lirisë - kanë ngritur shqetësime serioze mbi mundësinë e bashkëpunimit me të djathtën ekstreme.

Gjithsesi Pieter Omtzigt, një ish-kristian-demokrat i qendrës që themeloi partinë e Kontratës së Re Sociale vetëm 3 muaj më parë duke marrë 20 vende në parlament, tha se ai do të ishte gjithmonë i hapur për bisedime.

Ndërkohë Frans Timmermans, lideri i një aleance midis Partisë Laburiste të qendrës së majtë dhe të Majtës së Gjelbër, e cila fitoi vetëm 25 vende në zgjedhjet e të mërkurës, tha se Wilders nuk duhet të llogarisë gjasat e një koalicion me të.

“Ne nuk do të hyjmë kurrë në një koalicion me partitë që pretendojnë se azilkërkuesit janë burimi i gjithë problemet tona. Ne duhet të ngrihemi për Holandën e të gjithëve, ku të mos shohim origjinën, fenë apo ngjyrën e lëkurës së dikujt”, citohet të ketë thënë Timmermans për agjencinë e lajmeve  Associated Press.

Dhe në ditët dhe javët në vijim, ne do ta shohim gjithnjë e më shumë se sa e rëndësishme dhe sa thelbësore është detyra jonë që të ngrihemi në mbrojtje të një Holande, ku nuk përjashtohet askush.

Kryeministri nacionalist i Hungarisë e uroi të mërkurën Wilders, duke thënë se “kanë mbërritur tashmë erërat e ndryshimit”.

“Urime Geerts Wilders dhe PVV-së për rezultatin e tyre spektakolar në zgjedhjet legjislative, që konfirmon mbështetjen në rritje të qytetarëve tanë ndaj mbrojtjes së identiteteve kombëtare”, deklaroi udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.

“Pikërisht për shkak se ka njerëz që refuzojnë ta shohin të fikur pishtarin kombëtar, mbetet e gjallë shpresa për ndryshim në Evropë”, shtoi ajo.

Ndërkohë politikani i ekstremit të djathtë në Spanjës, Santiago Abascal, shtoi: “Gjithnjë e më shumë evropianë po kërkojnë në rrugë dhe në qendrat e votimit që të mbrohen kombet, kufijtë dhe të drejtat e tyre”.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Italisë, njëherazi drejtues i LEGA-s, Matteo Salvini, reagoi duke thënë se “është e mundur një Evropë e re”. Në vitin 2016, Geert tha se donte të ndalonte të gjitha simbolet islame, xhamitë dhe Kuranin në Holandë, edhe pse në këtë fushatë zgjedhore ai ka kërkuar ta zbusë imazhin e tij me shpresën e hyrjes në qeveri, gjë që disa votues thanë se u pëlqente.

Ai deklaroi kohët e fundit se kundërshtimi ndaj Islamit, mbetet në thelbin ideologjik të partisë së tij, por tani do të përqëndrohej më shumë tek shqetësimet mbi koston e jetesës, përmirësimin e kujdesit për të moshuarit dhe kufizimin e emigrimit.

Popullariteti i tij i qëndrueshëm që kur e krijoi PVV-në në vitin 2006, i ka detyruar partitë në pushtet në Holandë të miratojnë dhe zbatojnë politikat më të ashpra të emigracionit në Evropë.

Jashtë Holandës, komentet e tij mbi Profetin Muhamed dhe thirrjet për ndalimin e Kuranit, çuan në protesta ndonjëherë të dhunshme në vende si Pakistani, Indonezia dhe Egjipti.

Ai u dënua për akuzën e diskriminim, pasi ofendoi komunitetin e emirantëve marokenë në vend në një tubimi në fushatën zgjedhore të vitin 2014. Kërcënimet me vdekje ndaj tij, e kanë detyruar të jetojë për vite me radhë nën mbrojtjen e fortë të policisë.

S.S//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?