Kryetari i PD, Lulzim Basha

Opinion

Fitorja e thellë e Bashës dhe ankesa e një anëtari të thjeshtë: Cila i vlen më tepër PD-së?!

14 Qershor 2021, 18:17| Përditesimi: 14 Qershor 2021, 18:19

  • Share

Siç pritej, Lulzim Basha, u rizgjodh sot zyrtarisht për herë të tretë në krye të Partisë Demokratike, me diferencë të thellë votash karshi rivalëve.

Basha do të jetë i njëjti që do udhëheqë partinë më të madhe opozitare, pas largimit të Berishës.

Në garë me Lulzim Bashën, nga tre kandidatë, Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj, ishte ky i fundit që kishte më tepër ambicje dhe mori më tepër vota se dy të tjerët.

Agron Shehaj para se të shpallte në mënyrë surprizë kandidaturën e tij për kryetar, individualisht ishte edhe një ndër deputetët më të votuar të PD-së, për Tiranën.

Kur i hyri garës Shehaj me siguri e dinte se do ta kishte të pamundur fitoren, në kushtet se si u zhvillua ajo. Por cili ishte në të vërtetë qëllimi i tij, në garë me Bashën? E dinte, sepse ndryshe nga Basha i cili pas mbylljes së votimeve më 25 prill, e cilësoi të sigurt fitoren në kuti por e konsideroi ‘masakër zgjedhjesh’ procesin pas daljes së rezultatit, Shehaj, e vuri në dukje ‘masakrën’ më 13 qershor pak orë para se të fillonte votimi. Pas daljes së rezultatit Shehaj falënderoi thjesht mbështetësit e tij. Deri tani nuk e ka uruar ende fituesin. Diçka më shumë tha se do të zbulojë kur të dalë përballë me Fevziun.

Largimi i mundshëm nga PD-ja për të vazhduar karrierën si deputet i lirë, krijim i një partie të re, ‘mosbindje civile’ ndaj kryetarit janë disa nga opsionet, sikurse është edhe mundësia, ndonëse shihet se më e vogël e mundshme për momentin: bashkëpunimi me Bashën, për të ringritur PD-në.

Vendimi që do të marrë Agron Shehaj për më tej është çështje e tij personale, ndërsa mënyra se si do të menaxhohet periudha pas zgjedhjeve të 13 qershorit është çështje e brendshme e Partisë Demokratike. Të dyja këto çështje mund të marrin drejtime të ndryshme, pas shtatorit.

Nga Shehaj pati më tepër kritika karshi kryetarit dhe pretendime, për parregullsi të shumta në zgjedhjen e fundit për kreun e PD-së. Megjithatë mbetet po ashtu debat i brendshëm i PD-së mënyra se si u zhvillua procesi i zgjedhjeve, për kryetarin e ri.

Një nga reagimet më interesante që nxjerr në pah pikën më të dobët të kësaj partie pas tetë vjetësh në opozitë ishte ankesa që një anëtar i PD-së i adresoi sot Agron Shehajt, duke i vënë në dukje distancën që ka krijuar partia me vetë anëtarët e saj. Kur kishte shkuar për të votuar, ndryshe nga të tjerë që pretenduan se nuk e gjetën emrin në listë, ai i tha se asnjë nga anëtarët e komisionit nuk e kishte njohur. Duke mos e njohur dhe duke e vënë në diskutim nëse ishte apo jo anëtar i PD-së, kjo e kishte fyer. – “PD, po nuk me njohu mua, ty e të tjerët, po nuk njohu anëtarët e saj, ka mbaruar. Lëre Lulin të dështojë, të fundoset, atëherë dil në skenë. Ishin kushte të pafavorshme, nuk duhet të ishe futur në këtë moment. Duhet të duroje, – i është drejtuar anëtari i PD-së, në mesazhin e tij, Agron Shehaj, çka shpreh një zhgënjim, dhe nxjerr më një nga shkaqet e  humbjes më 25 prill.

Në analizën që  bëri kur humbi pushtetin më 2013, si shkaku kryesor u tha se ishte distanca e madhe që drejtuesit dhe zyrtarët e saj kishin krijuar me qytetarët.  Si partia më e madhe opozitare, PD mori afërsisht votat e 2013-ës në zgjedhjet e fundit. Ndërsa Basha u rizgjodh për herë të tretë në krye të PD-së pas pretendimit që ai ngriti mbi atë që e quajti ‘masakër zgjedhore’, duke lënë pas dore pretendimin që vjen nga radhët e saj prej 2013, mbi distancën që ka krijuar kjo parti me qytetarët.

Pas zgjedhjeve të fundit brenda partisë, pretendimi se drejtuesit e seksioneve të PD-së nuk po njohin se kush janë edhe vetë anëtarët, duhet parë ndoshta, si shkaku kryesor i humbjeve. Nëse ky pretendim rezulton të jetë i vërtetë,  partia më e madhe e opozitës nuk duhet ta gënjejë më tepër veten, por duhet të kuptojë se ndodhet para një sfide të vështirë dhe të zymtë, mbi të ardhmen e saj.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?