Kukësi dhe Vllaznia luajnë të diel në orën 14:00 për raundin e 28-të në Superligë. Para medieve ka dalë Qatip Osmani, trajneri i Vllaznisë. Shkodranët në rast të tri pikëve do merrnin kryesimin e renditjes. Për Osmanin ndeshja kundër verilindorëve nuk do jetë e lehtë, paçka pozitave të Kukësit.
"Çdo ndeshje për ne është e rëndësishme. Është e vërtetë që Kukësi është në luftë për mbijetesë, por nuk duhet të ndikohemi nga ky fakt, pasi në ndeshjet e fundit Kukësi ka treguar cilësi, ka fituar kundër ekipeve kualitative, kështu që ne jemi përgatitur për një kundërshtar serioz dhe jemi të gatshëm për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje.
Sigurisht që presim lojë të vështirë, pasi vetvetiu lufta për mbijetesë bën të vetën. Nëse marrim parasysh edhe ndeshjet e mëparshme, Kukësi nuk ka qenë indiferent ndaj kundërshtarëve” u shpreh trajneri Osmani.
Vllaznia me 49 pikë mban vendin e dytë, dy pikë më pak se Egnatia e vendit të parë. Kukësi me 22 pikë qëndron në pozitën e fundit.