Fitorja me Strugën, Zekiç: S'kënaqem kurrë, s'jemi gati për Bate Borisov! Grezda tregon përse zgjodhi Partizanin

30 Qershor 2023, 12:25| Përditesimi: 30 Qershor 2023, 16:45

  • Share

Partizani dhe trajneri Zekiç e kanë nisur me këmbën e mbarë sezonin edhe pse sfida e parë ishte një miqësore. Megjithatë përballë ishin kampionët e Maqedonisë së Veriut, Struga e drejtuar nga Shpëtim Duro, që në përballjen e zhvilluar në Pogradec u mposht 1-0 nga demat. Golin e fitores e realizoi Alfred Mensah në minutën e 65.

“Nuk jam kurrë i kënaqur edhe pse kjo ishte ndeshja e parë. Duhet përmirësuar ana fizike dhe taktike, ndaj mund të them se nuk jemi ende gati për Bate Borisov. Gjithsesi më pëlqen fakti që djemtë treguan mjaft dëshirë dhe janë të motivuar,”-u shpreh Zoran Zekiç, trajner i Partizanit.

Për herë të parë si i kuq foli Eros Grezda, i cili tregoi arsyen përse zgjodhi Partizanin, por edhe objektivat që ka këtë sezon.

“Kishte shumë arsye por do them arsyen familjare. Nuk ka shumë që jam bërë baba dhe desha që vitin e parë ta kaloj pranë familjes. Kjo është arsyeja kryesore. Atmosfera te Partizani me ardhjen e trajnerit dhe disa lojtarëve është shumë e mirë. Kemi objektivat tona dhe do përpiqemi ti realizojmë ato,”-deklaroi Eros Grezda, futbollist i Partizanit.

Shpëtim Duro, ish-trajneri i Partizanit dhe shumë skuadrave në Superligë, i cili aktualisht është kampion me skuadrën shqiptare të Strugës, është i lumtur me paraqitjen e skuadrës pavarësisht humbjes.

“Partizani ka shumë organikë. Ju e patë dhe vetë që në pjesën e dytë 3-4 ndërrime bëmë, ndërsa Partizani bëri shumë. Ka organikë jashtë mase, por megjithatë ekipi im edhe në pjesën e dytë luajti mirë pavarësisht rezultatit,”-tha Shpëtim Duro, trajner i Strugës.

“Shpresoj të ecim sa më lart, duke filluar që nga ndeshja e parë në Europë me Zalgiris. Nuk besoj se është i pakalueshëm. Shpresoj të jetë edhe fati me ne,”-u shpreh Vangjel Zguro, futbollist i Strugës.

Ndërkohë Tirana, që po stërvitet në Ohër, ka humbur edhe miqësoren e dytë teksa përgatitet për Kupat e Europës kundër Dinamo Batumit. Skuadra bardheblu nënkampione e Shqipërisë këtë herë u mposht 3-1 nga Ballkani i Kosovës që drejtohet nga Ilir Daja. Më herët ishte mposhtur 2-1 nga Dukagjini.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?