Paulo Fonseca ishte padyshim i kënaqur me suksesin e madh të Milanit të tij në fushën e Real Madridit, me rezultatin 1-3 në Champions League.
“Ne fituam, sepse lojtarët kishin guxim. Erdhëm këtu pa u frikësuar nga asgjë, shumë të etur për të luajtur shanset tona. Ne e përgatitëm ndeshjen që ta kishim topin në këmbët tona, në pjesën e parë bëmë gjëra të rëndësishme. Në pjesën e dytë pati më shumë vuajtje, por ia dolëm së bashku dhe fitorja ishte e merituar", tha ai.
Duke folur për “Sky”, trajneri i kuqezinjve shpjegoi ndryshimin e qartë mes Milanit të parë kundër Monzas dhe atij kundër Real Madridit.
“Ndeshjet europiane janë krejtësisht të ndryshme nga ato në Serie A. Shumë njerëz që jetojnë jashtë nuk e dinë se sa e vështirë është të luash kundër skuadrave në kampionatin italian.
Është më e vështirë të luash kundër Monza ose Cagliari (kundërshtari i radhës i kuqezinjve) sesa kundër Real Madridit. Pastaj, padyshim që Real Madridi është ndoshta ekipi më i fortë në botë, por nuk është e mundur të luash njësoj kundër skuadrave që mbrojnë një kundër një”, tha portugezi i Milanit mes të tjerave.