Sociale

Shqipëria në panairin e turizmit në Madrid, Rama: Qendër vizitorësh nga e gjithë bota

23 Janar, 17:01| Përditesimi: 23 Janar, 17:21

  • Share

Shqipëria po vizitohet çdo vit e më shumë nga turistë nga vendet e Evropës, por edhe nga vendet e Amerikës Latine.

Interesi i vizitorëve nga këto vende ka qenë i lartë edhe gjatë Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në Madrid, ku stenda e Shqipërisë po përfaqësohet denjësisht.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky panair, ku stenda e Shqipërisë plot aktivitete është kthyer në një qendër vizitorësh.

“Shkëlqen prezantimi i Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Madrid, ku ‘shtëpiza’ jonë plot aktivitete dhe shije është kthyer në një qendër vizitorësh nga e gjithë bota dhe kryesisht nga ata të Amerikës Latine, të cilët vit pas viti janë gjithmonë e më të shumtë të tërhequr nga përvojat frymëzuese të Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Gjatë vitit 2024 Shqipëria u vizitua nga 110 mijë turistë spanjollë ose 26% më shumë se viti 2023, 17 mijë turistë nga Brazili ose 50 % më shumë se një vit më parë, 5800 turistë nga Argjentina, 5 mijë nga Meksika, 2700 nga Kili dhe 2100 nga Peruja.

Stenda e Shqipërisë gjatë pesë ditëve të panairit “Fitur 2025” do të kthehet në një qendër aktivitetesh, pjesë e axhendës së organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e konceptuar si një miks përvojash që prezantojnë Shqipërinë si destinacionin më emocionues në Europë.

Nga përjetimet përmes eksplorimit virtual të vendit, tek “Albanian Nights” të frymëzuara nga trashëgimia e pasur e traditave të kulturës dhe jetës së komuniteteve, deri tek përvojat e degustimit të ofruara nga Shoqata Shqiptare e Agroturizmit, këto janë disa prej atraksioneve me të cilat Shqipëria prezantohet para vizitorëve të panairit.

K.M/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • tani: 23/01/2025 18:36

    turizmi do kushte,,uje,,drita,,,rruge,,pasterti,,,hotele te bukura me distance nga njeri tjetri....jo pallate...jo hajdute qe vjedhin dhe fondet e invalideve...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Secila parti në zgjedhje me 46 deputetët e parë të fiksuar, si e vlerësoni?