Kryeministri Edi Rama

Edi Rama: 100 - 150 euro bonus për pensionet në fundvit, marrin edhe në pranverë! Qylymat fluturues të Sudes e Rrapushëve tregojnë një tufë përrallash (Fjala e plotë në Parlament)

18 Nëntor, 14:48| Përditesimi: 18 Nëntor, 15:59

  • Share

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Parlament (18 nëntor 2024)

Në hyrje të kësaj fjale për projekt buxhetin 2025 dua t’iu përcjell të gjithë pensionistëve të Shqipërisë lajmin e mirë se në ditët në vijim qeveria do të çlirojë një fond prej afro 100 milionë eurosh për bonusin e tyre të fundvitit. Ky bonus i ri do të ndahet në dy shkallë. Të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, 200 euro do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm. Të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri prej 150 eurosh.  Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonusit të viteve të mëparshme, përmes  një bonusi në masën 100 euro.  Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’ju dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët.

Zonja kryetare, praktika e ndërprerjes së fjalës me forcë të kujtdo qoftë që merr fjalën këtu në këtë tribunë, duhet të marrë përgjigje me kalim në votim. Kjo lloj praktike nuk mund të legalizohet dhe nuk mund të vazhdojë më tutje. Parlamenti është vendi ku secili thotë atë që mendon dhe secili mbron pozicionin e vet ndërsa spostimi fizik nga karriget drejt folësve dhe ulërimat nga vendi, duhen sanksionuar me kalim në votim. Ju lutem shumë, mbajeni parasysh këtë gjë.

Atëherë në hyrje të kësaj fjale për projektbuxhetin 2025, dua edhe njëherë për ata që nuk e dëgjuan dot për shkak të interferencave, t’u përcjell të gjithë pensionistëve të Shqipërisë lajmin e mirë se në ditët në vijim, qeveria do të çlirojë një fond prej 100 milionë eurosh për bonusin e tyre të fundvitit.

Ky bonus i ri do të ndahet në dy shkallë; të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, pra deri në 200 euro, do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri, 15 mijë lekë, 150 euro. Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonuseve të viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 10 mijë lekë ose 100 euro.

Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët. Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundviti nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë, saktësisht 511 mijë ku përveç 400500 gjyshërve e gjysheve, përfshihen dhe 65800 invalidë pune dhe 44 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetim. Ndërsa rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë.

Më konkretisht akoma, për të gjithë ata që marrin një pension social, ky bonus është i barabartë me një rritje vjetore të pensionit prej afro 13%. Për ata që marrin një pension 15 mijë lekë në muaj, bonusi është i barabartë me një rritje prej afro 9% të pensionit çdo muaj, ndërsa për nënat kryefamiljare dhe jetimët, ky bonus sjell një rritje me 35% të pensionit mujor.

Ky nuk është thjesht një hap i rëndësishëm në aspektin buxhetor, i cili do të thotë se ne po marrin përsipër një trefishim dhe dyfishim të bonusit të fundvitit, që do të duhet të mbetet minimalisht po kaq edhe në vitet e ardhshme. Ky është dhe një hap kuptimplotë në drejtimin e qëllimit tonë të shpallur për ta mbyllur rrethin e qytetarëve përfitues nga rritja domethënëse dhe e qëndrueshme ekonomike e Shqipërisë, duke filluar më në fund t’i përfshijmë edhe pensionistët në rishpërndarjen e fryteve të rritjes ekonomike.

Nga ana tjetër ky nuk është i vetmi hap që ne do të hedhim menjëherë për të plotësuar tiparin gjithëpërfshirës të rritjes ekonomike sepse paralelisht me shpërndarjen e bonusit të tre dhe dyfishuar të fundvitit, në ditët e para dhjetorit, ne po ashtu do të krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë.

Ky bonus i dytë do të jetë bonusi i pranverës, i cili do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përftuar nga rritja e ekonomisë dhe për rrjedhojë, edhe të ardhurave të shtetit në vitin paraardhës. Dhe vetëm me këto dy bonuse vjetore, plus indeksimin automatik vjetor të pensioneve, në raport me rritjen e çmimeve, pensionistët tanë do të mund ta prekin menjëherë kuptimin e shifrave të rritjes shembullore ekonomike të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE brenda kësaj dekade.

Ndërkohë ne do të kemi gati vitin e ardhshëm edhe planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes ekonomike i cili do të sjelle edhe të ardhura të tjera për pensionistët duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë afatgjatë të politikës së pensioneve pa rrezikuar asnjë fije stabilitetin financiar të vendit, pa kërcënuar zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit nga ku dalin dhe të ardhurat për rritjen e qëndrueshme të pagave dhe pensioneve, pa i ulur, por përkundrazi, duke i rritur njëkohësisht dhe investimet kapitale për Shqipërinë e nesërme të fëmijëve të sotëm.

Tani ka shumë për të thënë për temën e pensioneve e cila në vigjiljen e ballafaqimit elektoral të vitit të ardhshëm, është bërë shesh për përsheshet e lloj-lloj spekulantëve që janë vetëshpallur si shpëtimtarë të pensionisteve dhe kanë rinxjerrë në pazar ‘’qilimat fluturues” të Sudes dhe të Rrapushit, herë me fytyrën e rrudhur nga rënia prej fikut të pushtetit, dhe herë me fytyrën e padjersitur akoma, por plot oreks për pushtet, këta shitës qilimash fluturues, disa të njohur për shumë punë të këqija të shtetit, disa të panjohur ngaqë s’kanë punuar akoma një ditë të vetme për shtetin, kanë marrë rrugët në një përpjekje të zhurmshme për t’u shitur pensionistëve qilima dhe shqiptarëve në tërësi një tufë përrallash të ‘’Një mijë e një netëve’’ kanal më kanal, portal më portal, rrejt më rrjet, por ndërkohë që këto ‘’Sude’’ dhe këta “Rrapushë’’ do të na ndihmojnë padyshim siç kanë bërë dhe në të shkuarën për ta bërë shumë të qartë dallimin mes ecjes sonë të mëtejshme në rrugën e shtet bërjes evropiane të Shqipërisë dhe shkeljes qafëthyese mbi qilimat e përrallave të tyre, dua të sjell këtu vetëm një nga shumë faktet e punës së mirë që kemi bërë edhe në këto vite si shumicë qeverisëse edhe për pensionet.

A e dini për shembull, që mësueset me 38 vite pune të cilat kanë dalë në pension përpara se ne te vinim në qeveri, e merrnin pensionin rreth 23 mijë lekë? Ndërsa çdo mësuese me të njëjtat vite pune që ka dalë në pension pas vitit 2014, e ka pensionin rreth 36 mijë lekë ose 56% më të lartë.

Po që për të njëjtat vite pune dhe kontribute në sigurimet shoqërore, një mjek me 40 vite punë, i dalë në pension përpara 2014 me pension maksimal të deri 10 viteve më parë, 24 mijë lek plus indeksimin e marrë  gjatë këtyre viteve merr 35 mijë lekë, ndërsa mjekët e pensionuar pas 2014 e kanë sot pensionin 51 mijë lekë. Njëjtë për gjyqtarët, për ekonomistët, ata të pensionuar përpara kësaj dekade të qeverisë sonë dhe dalë në pension me atë 24 mijë lekëshin tavan për të gjithë ku askush nuk mund të ngjitej dot më lartë, sot marrin 35 mijë lek falë indeksimeve.

Ndërsa gjyqtarët dhe ekonomistët të pensionuar gjatë qeverisjes sonë, falë reformës së 2014 e kanë pensionin 53 mijë apo 50 mijë lek. Kjo është tamam kështu dhe s’ka sesi të jetë ndryshe përderisa sistemi i pensioneve financohet nga sigurimet shoqërore të të gjithë të punësuarve, jo nga taksat me të cilat mbështeten me pension minimal social vetëm ata që nuk kanë punuar apo nuk kanë derdhur sigurime shoqërore. Prandaj për 360 mijë pensionistë të dalë në pension gjatë këtij 10 vjeçari, pensionet si rrjedhojë e reformës së bërë në 2014, llogaritet me kontributet e secilit në sigurimet shoqërore dhe dalin më të larta, ndryshe nga çfarë ndodhte me të pensionuarit përpara ardhjes sonë në qeveri kur “Sudet” dhe “Rrapushët” e asaj kohe as nuk i fusnin fare në hesap kontributet shoqërore të njerëzve punëtorë të këtij vendi, siç bën çdo shtet demokratik ku sasia e pensionit të secilit varet nga sasia e kontributit nga paga e secilit.

Në vend se të luftonin punën në të zezë, të rrisnin fondin e pensioneve me kontributet e çdo të punësuari, të mendonin për të nesërmen e popullit jo vetëm  për pushtetin e tyre, ata i kishin rënë shkurt, deri në 2013. Kishin vendosur një tavan, sado të kishe punuar, sado të kishe kontribuar, nuk e kapërceje dot atë tavan, 24 mijë lekë, i cili hapi praktikisht Shqipërisë me këtë politikë qorre pensionesh gropën më të madhe të borxhit shumëgropësh dhe shumëvrimësh që ne trashëguam kur morëm detyrën.

Ja pse sot falë vendimit të popullit shqiptar për të na ngarkuar neve udhëheqjen e vendit një dekadë më parë dhe falë reformës sonë të pensioneve në vitin 2014, të gjithë ata që kanë dalë në pension gjatë kësaj dekade përfitojnë pensione më të larta në bazë të kontributeve të derdhura gjatë viteve të punës dhe jo sipas vulës së rrumpallës antishtet të dekadave pararendëse kur qindra mijëra të tjerë pensionistë e pësuan në kurriz fatkeqësinë kombëtare të një qeverisjeje “rrapa zhgrapa” dhe i pagunë sot e gjithë ditën asaj rrumpalle një kosto krejt të pa merituar.

Po kur na thonë “Sudet” dhe “Rrapushët” e asaj kohe, ju erdhi jehona dhe këtu sot: “ç’është ky pension kaq i ulët social”? Pikërisht këta! Tamam këta. Varrmihësit anti shtet të pensioneve ngrenë gishtin e akuzës ndaj nesh për nivelin e pensionit social kur në fakt me dorën e tyre i kishin përjashtuar nga çdo e drejtë për pension të gjithë atë kategori njerëzish që marrin pensionin social të cilëve pensioni social iu njoh qysh nga 2014 dhe përpara 2014 shteti nuk u jepte një kokërr leku, zero, nuk figuronin!

Sidoqoftë të dy bonuset e reja dhe plani ri i pensioneve do të ndihmojnë, sigurisht do të ndihmojnë në kurimin e mëtejshëm të asaj plage të gangrenizuar të dy e kusur dekadave të mëparshme dhe dihet botërisht që kjo është plaga më e vështirë për tu kuruar deri në fund, siç dihet botërisht se një skemë e falimentuar pensionesh si ajo që ne trashëguam është një plagë që kohën e shërimit të saj të plotë e ka minimumi po aq të gjatë sa koha e gangrenizimit të saj.

Ne e rivendosëm sistemin e pensioneve mbi bazën demokratike të kontributeve, themele të reja.

Rritëm me 300 mijë persona numrin e punonjësve kontribuues në fondin e sigurimeve shoqërore, i cili është zgjeruar trefish sot nga 400 e ca milionë euro deri dje, janë të shkruara në buxhet, janë të shkruara në buxhetet e mëparshme në 1.2 miliard euro sot, por sot ne kemi ende rezerva domethënëse si rezultat i rritjes domethënëse të pagave edhe në sektorin privat ku jemi përqendruar tani për të rritur të ardhurat kontributive falë dhe modernizmin të mëtejshëm të sistemit të gjurmimit digjital të aktiviteteve të biznesit dhe i modelit të ri të inteligjencës artificiale që po testohet dhe do futet shumë shpejt 24 orë  në punë së bashku me Microsoft.

Prandaj dhe jam shumë optimist që rritja domethënëse e pensioneve do jetë në mandatin tonë të katërt pasqyra më kuptimplotë e transformimit të boshtit të ekonomisë së Shqipërisë në këto vite të qeverisjes sonë.

Çdokush që rreket t’i tundojë sot pensionistët me përrallat e Sudes dhe Rrapushit për t’i ngjitur pensionet në majën e dëshiruar me shpejtësinë e qilimit fluturues pavarësisht nëse e ka fytyrën komplet të zezë nga bloza e diskreditimit publik apo e ka të bardhe ngaqë s’ka shkelur një ditë akoma në kantierin e shtet ndërtimit, është vetëm një prurës fatkeqësie për rikthimin e këtij vendi mbrapa në rrugën e piramidave dhe të agonisë pa shtet.

Deri këtu ne kemi bërë për pensionistët jo gjithçka kemi dashur, natyrisht, por gjithçka kemi mundur dhe tanimë që ekonomia në rritje po na krijon mundësi të reja do të bëjmë më tej për ta, çka askush jo vetëm nuk e bën dot, por ja ku i keni, as nuk e ka haberin se si bëhet.

Buxheti i ri është manifestimi më kuptimplotë i këtij dallimi!

Kur ne morëm detyrën për të udhëhequr Shqipërinë prodhimi i përgjithshëm kombëtar ishte më pak se 10 miliardë euro! Sot është mbi 26 miliard euro!

Kjo do të thotë se ekonomia shqiptare është zgjeruar pothuaj trefish. Ky është zgjerimi më i madh i një ekonomie në rajonin tonë dhe këto nuk janë shifrat e mia por janë shifrat e “patronazhistëve” të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 3300 euro, sot janë 10 mijë e 300 euro. Pra trefish edhe këto dhe kjo është rritja më e madhe e të ardhurave për frymë në rajon. Edhe këto janë shifrat e patronazhistëve të institucioneve financiare ndërkombëtare, jo të miat.

Kur e kam paraqitur buxhetin e parë të shumicës sonë qeverisëse në këtë sallë, e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar janë ato që patë në fillim të fjalës sime, njësoj.

I gjithë fondi në dispozicion të shtetit për shërbimet  e përgjithshme publike ishte 3,2 miliardë euro. Në buxhetin 2025 është 8,2 miliardë euro, pra është gati trefish. Asnjëherë, askush tjetër nuk e ka rritur buxhetin e shtetit në njësinë e kohës më shumë sesa gjysma e kësaj rritjeje dhe kjo për t’u treguar zemërgjerë se përgjithësisht ka qenë shumë më pak.

Kur kam ardhur në këtë sallë për të paraqitur buxhetin e parë, 168.574 persona me aftësi të kufizuar dhe 105.580 familje me ndihmë ekonomike prisnin prej muajsh pagesën e tyre sepse shteti ju kishte kthyer kurrizin, ishte kërrusur nga barra e borxheve. 40 miliardë ishte borxhi i asaj qeverie ndaj kompanive të ndërtimit dhe shërbimeve apo shiritat e prerë për rrugët e reja që tregoheshin si rrugë të reja, por në fakt ishin rrugë të lëna rrugëve, ndërkohë që kompanitë kishin ndaluar punën sepse nuk i paguante askush, u desh të rimerren dhe të ndërtohen, në pjesën më të madhe, gjatë këtyre viteve, duke kthyer dhe të gjitha borxhet e prapambetura për kompanitë.

Borxhi publik ishte mbi 70%, më i larti dhe më i rrezikshmi në rajon. Buxheti ynë i parë kishte një bonus të Vitit të Ri për pensionistët, 20 mijë lekë të vjetra ose 14 euro. Për bonus për bebet e porsalindura as nuk bëhej fjalë. Këtë fundviti pensionistët do të marrim 150 euro kur kanë pensionin deri në 20 mijë lekë të reja dhe 100 euro për çdo pension më të lartë. Diferenca është e atillë saqë të bën edhe të kuptosh dhe t’i justifikosh zotërinjtë me të cilën bashkë ndajmë këtë çati për përhumbjen e tyre dhe jermin nga i cili nuk dalin dot prej një dekade e kusur.

Sot flasim, jo vetëm për 100 milionë euro bonus vetëm për pensionistët, qysh tani, me buxhetin e këtij viti, i cili për pensionet më të ulëta deri në 150 euro çfarë është faktikisht? Është një pension i 13-të prej 150 eurosh dhe po flasim dhe për një fond të ri, i cili do të krijohet në javët në vijim - dhe këtu do jemi, - pranë Bankës së Shqipërisë, të cilin do ta hapim këtë vit për bonusin e pranverës së ardhshme dhe do ta mbajmë për çdo pranverë në funksion të ndarjes me pensionistët të asaj që do të vijë nga rritja ekonomike.

Ndërkohë, deri tani kemi financuar mbi 145 milionë euro për bebet e porsalindura dhe 22 milionë euro të tjera janë në buxhetin e ri për të gjithë ato bebe që do ta gëzojnë me ardhjen e tyre gjatë vitit 2025.

E kemi rritur ekonominë trefish në këtë dekadë, por e kemi ulur borxhin publik me afro 15 pikë përqindje, ndër më të ulëtit në rajon dhe të mos harrojmë se përgjatë rrugës së vështirë për të ardhur deri këtu na u desh ta ri-rrisnim borxhin, kur u goditëm fort dy herë, në fillim nga pandemia e pastaj edhe nga tërmeti.

Kur kam ardhur këtu në këtë sallë për buxhetin e parë, kemi vendosur parimin e taksimit të ndershëm dhe sot jemi i vetmi vend në rajon dhe në Europë po e po me zero  taksë dhe zero TVSH për biznesin e vogël deri në 100 mijë euro xhiro dhe me zero taksë deri në 140 mijë euro xhiro ndërkohë që deri përpara ardhjes sonë, biznesi i vogël me xhiro mbi 35 mijë euro paguante taksë 10%, ndërsa ai me xhiro mbi 55 mijë euro paguante taksë 10% dhe TVSH 20%. Jemi zotuar deri në fund të mandatit tonë të katërt që nuk do të ketë asnjë ndryshim në taksimin e biznesit të vogël dhe as nuk ka vitit e ardhshëm, as nuk do të ketë mandatin e ardhshëm. Edhe pse nuk i kemi rritur taksat për biznesin gjatë gjithë harkut të qeverisjes sonë, rritja e vazhdueshme dhe e qëndrueshme ekonomike si dhe përmirësimi i administrimit të të ardhurave të shtetit na kanë munduar një rritje pagash shumë domethënëse.

Dëgjojeni fondin e pagave.  E kemi nisur rrugën tonë me një fond pagash në sektorin publik afro 500 milionë euro dhe në buxhetin që do të miratojmë, Buxhetin 2025, fondi i pagave është më shumë sesa dyfishi, 1,3 miliardë euro. Nga një pagë minimale dje 156euro kemi sot një pagë mini9male 400euro,  nga një pagë të përgjithshme mesatare dje 321 euro kemi sot një pagë të përgjithshme mesatare 751 euro. Nga një pagë mesatare në sektorin publik 371 euro dje kemi sot një pagë mesatare 900 euro, të gjitha të rritura afro 2-fish e gjysmë.

E dëgjoj shpesh që ne nuk qenkemi të majtë se nuk i mbrojmë shtresat në nevojë, por çfarë thotë Buxheti 2025 në sfondin e kësaj dekade? Nga 122 miliardë lekë për mbrojtjen sociale kur ne e nisëm rrugën tonë, këtë vit kishim 238 miliardë dhe në Buxhetin 2025 kemi 248 miliardë. Pra, edhe këtu në mbrojtjen e përgjithshme sociale jemi mbi dyfishin me afro 2,5 miliardë euro për mbrojtjen sociale të cilave po t’u shtosh bonusin e ri të pranverës, do të jenë edhe më shumë.

Shifrat flasin shumë qartë, flasin qartë për këdo që do të dëgjojë dhe Shqipëria sot ka dalë mbi ujin ku ishte zhytur prej shumë e shumë dekadash dhe është më pranë se kurrë realizimit të ëndrrës së moçme europiane pikërisht se shifrat dhe faktet bazohen në pasqyrën e një realiteti të ri ekonomik dhe social ku vetëm prej industrisë së re të turizmit, inekzistente deri dje, shqiptarët kanë filluar të përftojnë të ardhura, deri dje krejt të pamundura, ndërsa shteti mbledh shumë më të tepër të ardhura se deri dje për paga, për investime, për transformime të mëtejshme në çdo sektor.

Ministrat do të flasin në detaje për rritjen domethënëse buxhetore për çdo sektor, por edhe një shifër të fundit nga ana ime se nëse ka një pikë të dytë pas asaj të pensioneve ku mençuria më e madhe e këtyre është të qepin gojën, është bujqësia pa llogaritur fare fondet europiane, thithja e të cilave ishte thuajse zero dhe me të cilat janë financuar apo janë bashkëfinacuar mbi 500 projekte kuptimplota që janë në të gjithë territorin e Shqipërisë, gjithë ato agroturizme, gjithë ato linja përpunimi, gjithë ato pika grumbullimi janë atje në realitetin e Shqipërisë. Unë po them këtu çfarë thotë buxheti i 2025. 146 milion euro për bujqësinë krahasuar e dini me sa, a e dini me sa, apo jo? Me 35 milion euro kur ishin këta, pesëfishi!

Tani në mbyllje për ata që na dëgjojnë, jo për ata që nuk dëgjojnë asgjë nga sa unë thashë nuk është për të thënë që unë jam i kënaqur, aq më pak për t’i thënë kujtdo qoftë nga ata që na besojnë, na kanë besuar dhe do të na besojnë se duhet të jetë i kënaqur. Absolutisht jo! Nuk ka vend për kënaqësi, ama ka shumë vend për besim.

Shqipëria që ne duam po bëhet, hap pas hapi, shkallë pas shkalle. Ne po e ngjisim Shqipërinë në majën e 2030 aty ku gjendet oborri i familjes së Bashkuar Europiane dhe ku flamuri ynë kombëtar do të rreshtohet krah për krah flamujve të Europës, për të cilën ëndërruan breza të tërë shqiptarësh.

Rruga është ende e përpjetë, por Shqipëria që duam nuk është më një realitet i ëndërruar dhe i padukshëm në horizont, por është një destinacion i prekshëm me sy dhe i arritshëm me edhe më shumë punë në nën të vetëm forcë udhëheqëse të Shqipërisë, e cila quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.

Partia Socialiste e Shqipërisë ka një virtyt gjithmonë e më të fortë; dëgjon, duron, lufton dhe në momentin e duhur ua kthen të tëra ashtu siç i meritojnë dhe buxheti i parë që votuam në këtë sallë ishte realisht pasqyra e një trashëgimie të errët qeverisëse dhe dritarja e një dite që re që nuk kishte zbardhur akoma.

Ky buxheti i ri që do të votojmë në këtë fillim jave është pasqyra e një dekade arritjesh domethënëse për Shqipërinë, por është edhe dritarja prej ku shihet shumë qartë rruga drejt destinaconit historik dhe për këtë destinacion historik shqiptarët dhe duke e përgatitur fjalën po më kujtohej, ua kam thënë gjithmonë, ua kam thënë drejtpërdrejtë, ua kam thënë sinqerisht, mblidheni mendjen se keq dolët këtë herë, më keq do të dilni herën tjetër, por pranverën e ardhshme do të japim me vendimin e tyre një gjykim që do të jetë më i miri historik për Partinë Socialiste dhe më i merituar historik për këto mbeturina të një kohe që nuk kthehet më kurrë!

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?