Opinion

Fjala e PLOTË e Ramës me Grupin socialist: Mandati i katërt për të vulosur integrimin në BE! E bëjmë PS, partinë më të vjetër dhe më të re në Shqipëri

10 Mars, 10:47| Përditesimi: 10 Mars, 11:07

  • Share

*Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit të PS, dy ditë para afatit të dorëzimit të listave për kandidatët për deputetë.

Mirëmëngjesi dhe faleminderit për këtë mbledhje që ishte parashikuar të bëhej nesër, por duke qenë se unë dëshiroja të bëja një komunikim me të gjithë ju lidhur me procesin e përgatitjes të skuadrës së 11 majit, e sollëm pikërisht sot në orën 9:00.

Atëherë dëshiroj të ndaj me ju disa mendime në një mbledhje që është pak e pazakonte po të marrim parasysh traditën e  procesit të përgatitjes së skuadrës kombëtare të Partisë Socialiste, sepse unë besoj që edhe vetë situata, edhe verë rëndësia, edhe vetë konteksti i këtyre zgjedhjeve është shumë i pazakontë. Dhe besoj që është me rëndësi të veçantë që të gjithë ne që jemi këtu dhe e gjithë familja jonë e madhe politike të vetëdijesohet sa më shumë për rëndësinë e jashtëzakonshme të këtyre zgjedhjeve në një kontekst të jashtëzakonshëm gjeopolitik.

Unë besoj që qysh se unë kam privilegjin të udhëheq këtë forcë politike dhe në të gjitha zgjedhjet e deri sotme 9 të tilla, në asnjë prej tyre pesha e gjeopolitikës nuk ka qenë e pranishme siç është në këto zgjedhje.

Këto zgjedhje zhvillohen në një kontekst dyfish të jashtëzakonshëm. Njëri është konteksti i marrëdhënieve tona me Bashkimin Europian dhe marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor dhe tjetri është konteksti i anëtarësimit ose anëtarësisë sonë në Aleancën Euroatlantike dhe i sigurisë në tërësi. Për të dyja këto arsye madhore zgjedhjet e 11 majit nuk janë aspak të zakonshme dhe rezultati i 11 majit është më shumë sesa rezultat i partive politike apo në rastin tonë është më shumë sesa fitore e Partisë Socialiste në vetvete. Për ne si familje politike dhe për flamurin tonë ka qenë gjithmonë  e rëndësisë së veçantë që të fitojmë zgjedhjet. Por në 11 maj rëndësia e fitores së zgjedhjeve dhe vetë rezultati i zgjedhjeve ka një peshë mbi të ardhmen e afërt të vendit shumë të madhe seç kam pasur të gjitha zgjedhjet e mëparshme, 9 herë me radhë.

Për herë të parë qysh se unë jam në krye të Partisë Socialiste dhe pastaj edhe në krye të qeverisë është hapur një dritare që nuk ka qenë e hapur siç është sot në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Për herë të parë dëshira jonë dhe ambicia shqiptare për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e familjes europiane përputhet me dëshirën dhe ambicien e Bashkimit Europian për të përfshirë në familjen e vet Shqipërinë si asnjëherë më parë. Për të thënë e kanë thënë gjithmonë, e ardhmja juaj është në Bashkimin Europian, perspektiva juaj është e qartë, por asnjëherë yjet nuk janë përputhur si sot dhe asnjëherë konteksti gjeopolitik nuk ka qenë i favorshëm si sot për ne. Mirëpo kjo nuk është një dritare e hapur përgjithmonë, kjo është një dritare e hapur në këtë kontekst dhe ky kontekst nuk është një kontekst i pandryshueshëm, po është një kontekst që mund të ndryshojë më herët sesa vonë dhe mundësia që marrëdhëniet tona me Bashkimin Europian ose më saktë marrëdhëniet e Bashkimit Europian me ne, të kthehen  përsëri në “business as usual”, i keni bërë përparimet mbresëlënëse, por duhet të bëni akoma dhe që Komisioni Europian t’i kërkojë Këshillit Europian që të hapë dyer të tjera dhe ndërkohë aty të dalin një shtet, e një shtet tjetër e të thonë prit njëherë se kemi ne ca vërejtje dhe kjo punë nuk mund të bëhet është një mundësi që nuk është përjashtuar.

Përkundrazi, sot për sot është e lënë mënjanë sepse interesi i Bashkimit Europian, interesi i Europës për t’u forcuar në të gjitha drejtimet dhe për të parë procesin e zgjerimit si një nga drejtimet e forcimit të vet është më i madh sesa çdo gjë tjetër dhe këtu është dhe përputhja e rrethanave tona të brendshme me rrethanat e brendshme të Bashkimit Europian dhe kjo është dritarja e hapur që Shqipëria nuk mund, nuk duhet dhe ne nuk do të lejojmë që ta humbë si mundësi.

Kini parasysh që kemi dakordësuar me Bashkimin Europian një kalendar të negociatave që është i paprecedent në historinë e integrimit dhe në proceset negociuese të BE-së me një  vend kandidat. Dhe qysh nga viti kaluar kur filloi konkretisht të zbatohet procesi i negociatave pas procesit screening dhe deri më sot që flasim, shpejtësia me të cilën ne kemi përparuar në hapjen e kapitujve është e paprecedentë. Asnjë vend tjetër përpara nesh dhe asnjë vend i rajonit nuk ka ecur me këtë shpejtësi dhe kjo, jo vetëm për meritën tonë apo jo thjesht për meritën tonë, për të qenë më i saktë në terminologji, por në radhë të parë sepse vullneti i palës tjetër është i paprecedentë. Ne kur kemi ardhur në detyrë kemi qenë brima e fundit e kavallit dhe prapambetja jonë në atë proces ishte e atillë që na u desh kohë për të afirmuar statusin e kandidatit. As për kandidat nuk na shikonin të gatshëm.

Në atë kohë na thuhej së në pararojë të procesit ishin disa të tjerë. Tani të tjerët janë pas nesh dhe në ndërkohë, me Malin e Zi që këtë proces që ne po e bëjmë në një kohë kaq të shkurtër e ka bërë në shumë vite, jemi krah për krah dy vendet që mund të hyjnë në Bashkimin Europian dhe kalendari që na kanë dhënë është të mbyllim negociatat në 2027.

Tani, pse është kjo kaq e rëndësishme për 11 majin dhe pse 11 maji është kaq i rëndësishëm për këtë? Për faktin sepse në ndërkohë që ne flasim sot, tani në këtë orë, janë rreth 1 mijë persona të angazhuar në shtetin shqiptar që punojnë dhe si tani përditë e përditë për negociatat. Janë afro 40 drejtues të grupeve negociatore dhe është një strukturë, e cila është baza e suksesit të negociatave dhe qoftë edhe për të mos lëvizur me asnjë ditë procesin e planifikuar të punës së gjithë kësaj armate njerëzish, 11 maji duhet të jetë vetëm vula e vullnetit popullor për t’i dhënë mandatin e katërt Partisë Socialiste me një mbështetje si asnjëherë më parë, në mënyrë që ne të mbyllim procesin dhe që të mos kemi asnjë luhatje, asnjë ditë të humbur, jo më të humbasë muaji sepse nëse ne do  të humbasin muaj, dritarja do të mbyllet dhe nëse ajo dritare do të mbyllet, ne nuk e dimë më se kur rikthehet në agjendë anëtarësimi me këtë përputhje interesash. Në fund të ditës, është një gjë interesi ynë dhe interesi i çdo vendi për të hyrë në Bashkimin Europian, është një gjë tjetër ndjekja e këtij procesi nga Komisioni Europian në nivelin teknik dhe është komplet gjë tjetër përputhja e interesit të 27 vendeve për të thënë “PO, urdhëroni, ja ku e keni vendin. Uluni dhe ju në tryezë”. Kjo e treta është më e vështira dhe këtë të tretën sot e kemi në dispozicion dhe kjo vlen për të gjithë ata që na dëgjojnë në këtë moment, vlen për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë, për të gjithë ata që duan ta shikojnë Shqipërinë anëtare në Bashkimin Europian.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian sot është më shumë se asnjëherë në të gjitha këto vite një çështje ekzistenciale për popullin shqiptar dhe për shtetin shqiptar. Këtu vij tek ana tjetër e medaljes që është NATO, që është gjithë kjo lëkundje e madhe tektonike në një botë ku është hapur shtegu për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ku është vënë në një lëvizje të jashtëzakonshme e gjithë gjeo-politika botërore. Ne jemi shumë të vegjël për të vendosur çfarëdo qoftë në këtë kontekst të madh por ama fati ynë, interesi ynë është shumë i madh për tu lënë në drejtim të paditur dhe në këto momente, qoftë përsa i përket Bashkimit Europian, qoftë përsa i përket NATO-s, zëri ynë dhe prania jonë dhe siguria jonë e brendshme që do të thotë pozicioni ynë i sigurt i vendosur stabël dhe i palëkundur nga kuak-kuak-kuak që janë të mjaftueshme për këtu brenda por që nuk mund të jehojnë jashtë perimetrit të kënetës është themelor, nuk ka kapacitete të tjera jashtë kapaciteteve të Partisë Socialiste që mund të flasin me botën sot, as me Europën, as me NAO-n dhe as me askënd tjetër, nuk ka.

Pa u futur në Bashkimin Europian, pa u bërë anëtarë të Bashkimit Europian mbetet absolutisht shumë e rëndësishme se kush qeveris në Shqipëri. Në momentin kur ne bëhemi anëtarë në Bashkimin Europian, se kush qeveris në Shqipëri do të jetë relativisht e rëndësishme për ata por edhe për themelet e funksionimit të shtetit shqiptar. Pse?

Po ju marr një shembull shumë të thjeshtë. Ka shumë rëndësi kush qeveris në Shqipëri për të ardhmen e reformës në drejtësi dhe të ardhmen e institucioneve të drejtësisë sot, shumë e thjeshtë. Ne jemi garancia, të tjerët e kanë thënë me zë të lartë dhe janë përbetuar  që do kthejnë mbrapsht reformën në drejtësi dhe do të shkrijnë institucionet e reja të drejtësisë dhe do të neutralizojnë SPAK-un. Ky është një shembull por mund të marr plot shembuj të tjerë por po marr këtë që është më i prekshmi për opinionin publik. Kjo mund të bëhet vetëm nga forca që hallet e tyre me drejtësinë i kanë më të mëdha sesa lidhjet e tyre me interesin kombëtar dhe interesin publik dhe këto forca janë të shpallura dhe i njeh gjithë Shqipëria, i njeh gjithë bota. Nuk ka truk mediatik dhe propagandistik, nuk ka turist që vjen me kushedi çfarë page nga Amerika për të bërë një makiazh Trump-ist të fushatës së atyre forcave që ndryshon këtë thelb. Ky është thelbi i ndarjes si dita me natën apo si nata me ditën mes nesh dhe kënetës por ky është dhe thelbi që ndan nëse Shqipëria dhe shqiptarët do të shfrytëzojnë dritaren e hapur dhe do të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian duke i mbyllur negociatat në 2027 dhe duke hyrë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade apo nëse do të mbeten si ndonjë shtet tjetër këtu në rajon që e ka të ardhmen komplet të paqartë.

Ne nuk jemi Bosnje dhe Hercegovina. Ne jemi Republika e Shqipërisë dhe ne i kemi të gjitha ato që na duhen për ta shfrytëzuar këtë dritare por duhet që shqiptarët të na japin mandatin më të fortë që kemi pasure ndonjëherë qysh prej vitit 2013, më të fortin, sepse me mandatin më të fortë të shqiptarëve, pastaj e di unë bashkë me ju se çfarë bëjmë edhe me Europen, dhe me Amerikën, dhe me NATO-s dhe me të gjithë, me dinjitet dhe me garanci që asgjë s’lëviz. Në momentin kur ne hyjmë në BE, nuk ka më shanse pastaj që cilido qoftë në pushtet të thotë “do shkrij këtë do shkrij atë” se nuk shkrin dot asgjë.

BE i duhet shqiptarëve përtej interesave financiare që janë shumë të mëdha për një vend si yni, iu duhet shqiptareve për të garantuar përfundimisht lirinë individuale e para. Për të garantuar përfundimisht barazinë para ligjit sepse sot garantët e vetëm të barazisë para ligjit jemi ne, është Partia Socialiste e Shqipërisë. Nuk ka askush tjetër që garanton proceset e nisura te institucioneve të reja të drejtësisë, që kanë të gjitha të metat e mundshme dhe të imagjinueshme por që ama janë në rrugën e duhur dhe që duhen mbështetur në atë rrugë me çdo çmim edhe me marrjen përsipër të kostove.Ne nuk bërtasim për persekutim apo për padrejtësi kur institucionet e reja të drejtësisë godasin brenda nesh. Të tjerët pretendojnë që janë të burgosur politik ose janë parti të burgosurish politik ose që janë të persekutuar politik. Ky është dallim katastrofik për të ardhmen.

Dhe e fundit për këtë pjesë. BE na duhet për këto garanci që Shqipëria dhe shqiptaret nuk i kanë pasur kurrë në historinë e tyre dhe për herë të parë në histori Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të jenë as nën një regjim të imponuar nga të tjerët dhe as nuk do të jenë nën një qeverisje që mund ti çojë në drejtim të paditur duke u bërë pjesë e BE. Dhe për më tepër do të kenë ekstra atë që kanë vendet që hyjnë në BE, ku bëhet bëhet fjalë për të hyrë në një familje të madhe me disa të rritur dhe të fortë dhe me disa më të vegjël dhe më të dobët dhe ku të rriturit dhe më të fortët kontribuojnë që këta më të vegjlit dhe më të dobëtit forcohen.

Janë kategori shtetesh: kontribuuesit neto dhe përfituesit neto. Kontribuuesit neto janë shtetet e mëdha që japin nga vetja që përfituesit neto siç do të jetë Shqipëria në momentin që do hyjë në BE të marrin. Dhe po ju jap vetëm një shifër, vetëm një se ka shifra të tjera që do t’i ndajmë me njerëzit në këtë proces, 300 milionë euro në vit ekstra për bujqësinë që vijnë nga futja në BE.

Dhe në total 1.2 miliard ekstra çdo vit përtej buxhetit dhe përtej të gjitha të ardhurave të tjera nga institucionet e ndryshme financiare.

Kjo është pesha gjeopolitike e këtyre zgjedhjeve. Pesha e brendshme e këtyre zgjedhjeve natyrisht lidhet me ekonominë e 2030-ës, lidhet me punën. Dhe kur them punën kam parasysh gjithë komponentët që nga punësimi tek prodhimi, tek eksportet, tek puna e mirë paguar. Lidhet me shëndetësinë e 2030-ës dhe do të na duhet të ndajmë me publikun hopin e ri cilësor që kemi tanimë programuar për shëndetësinë, me arsimin e 2030-ës dhe me drejtësinë dhe sigurinë e 2030-es.

Për herë të parë qysh nga viti 1990 ose nga vitet ‘90 kur ata që nuk e di sesi e imagjinojnë që mund të rikthehen, shkatërruan të gjitha bazat e industrisë ushtarake të Shqipërisë, ne po hedhim themelet e një industrie të re ushtarake dhe në 2030-ën ne do të jemi një forcë industriale mes të gjitha forcave të tjera të NATO-s natyrisht në përmasën tonë ushtarake.

Tani duke ardhur tek partia dhe tek alternativa dhe tek çfarë duhet tu japim ne shqiptarëve në këto zgjedhje është shumë e thjeshtë për mua. Në këto zgjedhje ne duhet t’i japim shqiptareve partinë më të vjetër në eksperiencë dhe partinë më të re në energji. Nuk ka parti të reja që mund të bëjnë 1/100-ën e asaj që bëjmë dhe mund të bëjmë ne si një forcë e re sepse nuk mjafton të kesh një altoparlant dhe të shash dhe të denigrosh dhe të protestosh duke u bazuar tek gjysmë të vërtetat që në thelb janë dhe gënjeshtrat më të mëdha për të marrë përgjegjësinë qeverisëse. Sot që mund ta shoh këtë nga eksperienca e gjithë këtyre viteve them me vete çfarë kurajoje e paimagjinueshme të jesh pa eksperiencë dhe të duash të udhëheqësh vendin kur kujtoj veten time shumë vite përpara se të bëhesha kryeministër. Kështu që, sot ne kemi një eksperiencë që nuk e ka asnjë parti politike që është gjëja që quhet garanci dhe sot ne kemi një kapacitet në territor për t’i dhënë shqiptarëve një parti të re, më të re të të gjitha të rejave që janë në territor. Edhe numerikisht kjo është shumë e thjeshtë. Duke votuar një parti tjetër, sikur të bjeri zari tre herë të gjashta mund të kapësh një deputet të ri. Duke votuar këtë parti mund të përfaqësohesh nga një forcë me shumë deputetë të rinj dhe të reja. Kjo është dhe ndërkohë duke i dhënë vetes kapacitet të ri përfaqësues në parlament, i jep vetes po ashtu mundësi të kesh një qeveri të përforcuar me eksperiencë. Janë të dyja gjërat bashkë.

Tani ne kemi bërë një proces për këtë, qoftë në raport me jashtë perimetrit të partisë, qoftë me brenda perimetrit të partisë qysh se kanë mbaruar zgjedhjet sepse ata që nuk kuptojnë ose s’duan ta kuptojnë, por mund të them që se kuptojnë dhe nuk iu vë faj si fitojmë ne dhe pastaj ia veshin fitoret tona fantazive të tyre që tregojnë që në fakt ata kanë bërë të njëjtën gjë ose do bënin të njëjtën gjë po të ishin në vendin tonë, pra do vidhnin, do blinin, do përdornin botën e erret etj, se këto janë gjëra me të cilat jemi përballur dhe e dimë shumë mirë se kush i ka bërë, nuk kanë për ta marrë vesh. Ndërkohë që ne qysh nga zgjedhjet e shkuara kemi filluar punën për këto zgjedhje. Ndërkohë që ne kemi bërë një organizim tërësor të PS. Kemi bërë një ri regjistrim tërësor të PS dhe nga ana tjetër kemi hapur një proces me pjesën e re të shoqërisë të cilës i kemi ofruar platformën e Deputetit që Duam dhe nga diskutimet e bëra me drejtuesit politikë, unë shoh me shumë kënaqësi që një numër jo i vogël që kanë hyrë përmes asaj platforme që në raste të tjera, mbase s’do i kishte ardhur kurrë dita që t’i konsideronte dikush deputetë të mundshëm të Partisë Socialiste, do jenë në skuadrën tonë të 11 majit.

Të reja dhe të rinj më vlera, me energji dhe pa diskutim me një ndryshim shumë të madh nga çdokush tjetër që në emër të së resë, i thotë shqiptarëve mos i votoni këto partitë e vjetra, me kapacitetin që përveç të resë që përfaqësojnë dhe mëshirojnë të kenë dhe forcën për të vënë në jetë ato gjëra që duan të vënë në jetë, se për të marrë vota kot që në fund të ditës mos vësh asgjë në jetë se nuk të vjen radha të vendosësh gjë, është aftësi nëse i merr, por është budallallëk nga ana e atyre që t’i japin.

Nuk kemi akoma përmbyllur të gjithë procesin që natyrisht do të përmbyllet në Kryesinë e Partisë Socialiste, por ajo që dua të ndaj me ju, është e para cilido dhe cilado prej jush që nuk pranon të jetë në listën e hapur, duhet t’ia bëjë me dije drejtuesit ose drejtueses politike. Parimi themelor i listës së re, do të jetë asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë dhe një mandat nga Partia Socialiste, nuk do të jetë në listën e mbyllur. Është e drejta e kujtdo që për arsye të ndryshme nuk dëshiron të jetë në listën e hapur që ta thotë, por duhet të na thotë përpara që të mos jetë në listë dhe pastaj të mos thotë jo po unë nuk shkoj, sepse parimisht luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe Partia Socialiste të parët. Patjetër që në listën e hapur do të ketë dhe plot të rinj e plot të reja. E dyta, diskutimi ka qenë, unë e kam shprehur dhe kam thënë që drejtuesit politikë duhet të jenë në listën e hapur. Problemi që më duket se ka argumenti im, është që kjo do çorodiste gjithë procesin sepse nuk do të lejonte asnjë barazi shansesh në garë dhe nga ana tjetër, nuk do të garantonte asnjë lloj drejtimi të vërtetë politik të garës, të ndeshjes nga ana jonë, pasi drejtuesit politikë do të ishin të fokusuar për të marrë vota për vete, dhe me një status më të veçantë do të krijonin pabarazi vetvetiu dhe do të çorientohej gjithë skuadra, ndërkohë që skuadrat e qarqeve duhet të jenë super kompakte dhe duhet të kenë drejtim politik dhe drejtuesit politikë duhet të garantojnë që të gjithë deputetët dhe deputetet që janë në garë, të kenë një hapësirë të barabartë, sa më të barabartë dhe asnjë drejtues politik, natyrisht nuk besoj kurrë që mund të futet në preferenca se për kë duhet të votojnë anëtarët e Partisë Socialiste dhe qytetarët. Kjo është e padiskutueshme, dhe natyrisht e njëjta gjë vlen në rastin tim. Me thënë të drejtën, as e kam pasur dhe as e kam shumë idenë se pse unë duhet të jem aty në parlament si deputet për sa kohë kam këtë detyrë, dhe nga ana tjetër do ishte prap një hyrje në hak ndaj të tjerëve që të vendosej emri im dhe pastaj të vinin votat dhe të çorientoheshin njerëzit. Kështu që, kush është në listën e hapur duhet të jetë në një garë shumë të barabartë.

Ndërkohë që vendimin për veten time nuk e kam akoma të marrë plotësisht, se mund edhe të mos jem fare në listë duke qenë deputet i të gjithëve, për detyrën që kam dhe për të mos i zënë vendin askujt. Kjo është pak a shumë pamja sot.

Ndërsa përsa i përket deputeteve, po shkojmë drejt të njëjtin princip, por do shohim deri në fund si do materializohet. Të gjitha deputetet që kanë qoftë dhe një mandat, do të jenë në fushë. Pse? Për faktin se me sistemin e ri që kemi, gara është e balancuar. Burrat garojnë me burrat, gratë garojnë me gratë.

Dhe një gjë në fund fare, sepse mund të jetë një diskutim i brendshëm që kontributet, çfarë kanë dhënë këta të rinj ose të reja që të jenë në listën e mbyllur. Unë kam një këndvështrim komplet tjetër. Unë mendoj që pikërisht pse këta janë më të rinj dhe më të reja dhe ftohen ose përfshihen për t’i bërë një transfuzion të fuqishëm gjaku Partisë Socialiste dhe për ta bërë partinë më të vjetër dhe më të re në Shqipëri, duhet të jenë aty. Ndërkohë që, të tjerët pikërisht se kanë qenë aty duhet të jenë në fushë për të marrë sa më shumë vota për Partinë Socialiste dhe kijeni parasysh që hyrja që bëra në fillim, dhe nuk e them fare për të mikluar askënd, sepse e përsëris, kjo është një zgjedhje e lirë dhe prandaj vendosa që të bëj këtë takim siç nuk e kam bërë asnjëherë më parë, sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë të vetëdijshëm për logjikën e këtij procesi dhe të gjithë të jenë të vetëdijshëm për çfarë i duhet sot atyre që do tu kërkojmë votën. Nuk i duhet atyre që do tu kërkojmë votën sot një skuadër që nuk reflekton se çfarë duan ata. Ata nuk duan thjesht një skuadër që të mbështet tek eksperienca, dhe ndërkohë që të mos u thotë asgjë atyre që janë ndier të lënë mënjanë, me të drejtë, pa të drejtë që janë ndier pa mundësi për tu bërë pjesë e përfaqësisë së Partisë Socialiste apo që ndihen komplet pa lidhje me figurat me të cilat janë mësuar dhe duan figura të reja, qoftë dhe për kaq. Kjo është shumë e rëndësishme dhe nëse ka diçka që ne na ka mbajtur gjithmonë në kalë, është se kemi pasur gjithmonë kapacitetin që të ndryshojmë pa pritur që të na hedhin njerëzit në kosh, siç na hodhën në 2005 që pastaj ne të fillojmë të ndryshojmë. Që nga 2009 dhe deri më sot, ne kemi vazhduar të ndryshojmë dhe kjo ka qenë, dhe kjo është ADN-ja e Partisë Socialiste.

Kjo është pak a shumë ajo që doja të ndaja me ju. Kijeni parasysh që për peshën e madhe që kanë këto zgjedhje  unë mendoj dhe besoj që pavarësisht në skuadrën e deputetëve apo jo, të gjithë ata që janë këtu në këtë sallë, nën këtë çati po themi, jo thjeshtë që janë këtu të pranishëm se mund të ketë edhe ndonjë që mungon i duhen mandatit tjetër të Partisë Socialiste dhe është për një ditë tjetër skema e re që do të ketë qeveria e Partisë Socialiste. Po është për një ditë tjetër.

Kështu që ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe për durimin dhe shpresoj që të kem qenë i qartë në këto që iu thashë, procesin jemi duke e përmbyllur me drejtuesit politik dhe besoj që përpara afatit do ta konkretizojmë që të jetë sa më i plotë dhe që të kemi një pamje sa më të plotë në prezantimin që do t’i bëjmë publikut.

Shumë faleminderit!

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?