Shqipëria 2030/ Fjala e PLOTË e Ramës: Unë nuk lëshoj vetëm djalin tim kur do të hidhet nga shkëmbi, jo burra me para të vjedhura

7 Maj, 13:14| Përditesimi: 7 Maj, 18:58

  • Share

*Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste ku u prezantua nisma ‘Shqipëria 2030’!

Kërkoj sot vëmendjen tuaj dhe përmes kësaj mbledhjeje të hapur të përbashkët të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, dëshiroj shumë edhe vëmendjen e atyre që më kanë dhe na kanë votuar, qysh prej zgjedhjeve të vitit 2013 kur morëm detyrën të rilindim Shqipërinë e rrënuar nga duart e disave të cilët klithnin ditë-natë të izoluar nga penxheret mes pallateve po bërtasin të shfrenuar foltoreve dhe penxhereve të televizorëve. Bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës së shqiptarëve, të cilët na kanë votuar, besuar, mbështetur pa kursim në gjithë këto vite.

Unë sot nuk do të ndalem as tek gjysmë të vërtetat, të cilat, e kanë thënë njerëz shumë më të mençur se unë, janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, as tek shpifjet, akuzat e rreme apo fabrikimet djallëzore.

Sot do të përqendrohem vetëm tek të vërtetat që lidhen me mirëqeverisjen, korrupsionin dhe sundimin e ligjit në Shqipëri, 10 vjet qysh se ne jemi në detyrë.

Qofshin të vërteta të ëmbla për të cilat s’mund të mos jemi krenarë, qofshin të vërteta të hidhura për të cilat nuk ka sesi të na vijë mirë, po s’ka më mirë se sa t’i shohim në sy, ashtu siç janë.

Të nderuar deputetë dhe deputete, ministre dhe ministra!

Kur shqiptarët na votuan masivisht për të na dhënë mandatin e parë, Shqipëria ishte në pikën e saj më të ulët, pas vitit të zi 1997. Rendi publik ishte përtokë, 124 vrasje në vitin 2012 dhe po atë vit 2075 aksidente nëpër rrugë. Krimi kishte fituar qetësinë e veprimtarisë së tij në një lojë syllambylla me shtetin; vjedhjet e shtëpive ishin pjesë e përditshmërisë në çdo qytet dhe fshat dhe kërkesa e parë e qytetarëve në çdo dëgjesë apo takim spontan, ishte siguri, siguri, siguri.

Korrupsioni harbonte rrugëve në çdo pikëpjekje dhe kontakt të qytetarit me shtetin; në çdo sportel shërbimi dhe udhëkryq trafiku, qytetarët mbanin radha të gjata duke dhënë ryshfet edhe për të dhënë një certifikatë lindjeje apo paguar para për të kaluar policin e radhës.

Në çdo ndërveprim mes biznesit dhe shtetit, ryshfeti ishte i treti i vërteti qoftë kur shteti shfaqej në derën e shitësit të bulmetit për një kontroll, qoftë kur biznesi shfaqej në derën e shteti për një prokurim publik.

Spitalet nuk kishin më ilaçe, por vetëm receta për pacientët që t’i blinin ato ku të mundeshin; familjarët e tyre vinin në spital me çarçafë dhe batanije nga shtëpia në krahë; qendrat shëndetësore  ishin si godina të braktisura pas ikjes së një ushtrie pushtuese; edhe kur e gjeje rrallë një infermier në karrige, nuk gjeje një karrige tjetër e lëre pastaj shtrat apo mjete mjekësore për një shërbim normal.

Hyrja në universitete ishte si në dyert e autobusëve të Unazës në vitet ’90, ku rinia shtyhej për ta çarë me para, me parti dhe me krushqi rrugën drejt derës së fakultetit të dëshiruar.

Punësimet në çdo institucion, në çdo komisariat policie, në çdo ambulancë, në çdo shkollë bëheshin me urdhër partie, me ndërhyrje deputeti, shpesh me lekë ose për ata që s’kishin parti apo lidhje me deputetin e me ndonjë bajraktar lokal, vetëm me lekë.

Prokuroritë dhe Gjykatat ishin pazare të gjësë së gjallë ku shihte rrushi rrushin e piqej, teksa më i dobëti gjithmonë digjej. Prokurorët dhe gjykatësit me integritet jetonin në rrethimin e llumit të mbuluar me toga të zeza dhe të fryrë nga zullumi i ryshfeteve të majme, të agresorëve të ligjit ndaj njerëzve pa mbrojtje dhe ndaj pronave të shtetit dhe të qytetarëve. Kurse të lidhurit pas qerres së pushtetit politik jepnin e merrnin favore të paligjshme, fare të patrazuar nga syri qorr dhe veshi shurdh i ligjit, duke bërë prokopi dhe vënë katandi hipur mbi kurrizin e popullit që e përkëdhelnin me fjalë dhe e përdhunonin me vepra.

Protestat kishin mbetur vetëm punë e Partisë Socialiste, askush nuk guxonte të dilte të protestonte kundër qeverisë pa një flamur partie si mburojë. Kush rrallë tek e provonte ndryshe merrte shkopin e policit kokës edhe po të ishte mbi një karroce invalidi.

Kryeministria ishte kthyer në përmbajtje dhe në formë si ato godinat e sherifëve në provincat e Amerikës së viteve ’30, rrethuar me një gardh të ndryshkur hekuri, e nxirë nga papastërtia e mbledhur me muret e shkallëve të saj në vite, e mbuluar ditë-natë nga zymtia e shembujve të forcës dhe e zhveshur nga çdo forcë shembulli.

Protestuesit e vrarë me pushkën e shtetit nga dritaret e asaj godine, trajtoheshin haptazi nga i pari i qeverisë si kriminelë që kishin marrë thjesht dënimin e merituar, ndërsa për drejtësinë, vrasjet e lemerishme shtetërore ishin gabime teknike dhe faje periferike të shërbëtorëve të nënshtruar pushtetit politik.

Imazhi i Shqipërisë ishte i mosozot-shëm. Lajmet në shtypin europian për Shqipërinë ishin sa të rralla aq të zeza. Edhe kur flitej për turizëm shkaku ishte sa shumë plehra kishte Shqipëria. Vizitat zyrtare të nivelit të lartë në Tiranë kishin ndalur prej disa vitesh; shqiptarët në Europë nuk guxonin të përmendin emrin e vendit të tyre.

Besimi i  bashkësisë europiane se në Shqipëri mund të kishte drejtësi, ishte zero; zero ishte dhe besimi i shqiptarëve.

Pandëshkueshmëria ishte bërë emri i dytë i Shqipërisë në sytë e çdo partneri të saj dhe në rreshtat e çdo raportimi serioz ndërkombëtar. Rruga e vendit tonë drejt anëtarësimit në BE ishte bllokuar nga mali i mosbesimit të gjithanshëm. Për ata që 10 vjet më parë ishin fëmijë dhe sot janë të rinj, 20 apo 25 vjeçarë, kjo tablo mund të duket si pjellë e imagjinatës time, por çdo familje shqiptare e ka jetuar dhe e ka të qartë, kjo ishte pasqyra e realitetit të hidhur të qeverisjes, korrupsionit dhe sundimit të ligjit në Shqipërinë e vetëm një dekade më parë.

Sot pasqyra është pa diskutim krejt tjetër.

Kush e diskuton këtë fakt ose është pjesë e pandashme e autorësisë së asaj tabloje të vjetër ose nuk di çfarë flet nga padija nga ligësia apo nga të dyja bashkë.

Padija dhe ligësia janë sot përbërësit kryesore të karburantit të debateve politike dhe mediatike. Kur linçimi i tjetrit dhe shpërfillja përbuzëse e fakteve të pafavorshme për qëllime të linçuesve, e kanë bërë të vërtetën si një gjysma gjel, shëmbëlltyrë të gënjeshtrës më të madhe.

Por nuk është qëllimi im të bëj sot këtu dallimin mes forcës sonë qeverisëse dhe forcave të vjetra keq qeverisëse sepse më mjafton që këtë dallim si dita me natën e bën dhe do ta bëjë përsëri me votë shumica absolute e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Vendosja përballë e dy tablove të Shqipërisë me një dekadë në mes të tyre ka rëndësi vetëm për ta parë sa më objektivisht kontekstin e sotëm të përpjekjes sonë si dhe për ta kuptuar sa më drejtë nevojën e një dallge të re reformimi në funksion të procesit të shtet bërjes europiane të vendit tonë.

Kolegë dhe kolege, kjo forcë qeverisëse, Partia Socialiste e Shqipërisë është prej një dekade në luftë për ta bërë Shqipërinë një shtet real dhe të respektuar botërisht. Ku mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit të arrijnë nivelin e një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

Askush më parë, asnjë forcë me peshë në hapësirën e pushtetit politik qysh nga shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Otomane dhe ngritja e flamurit të pavarësisë së shtetit shqiptar në vitin 1912 nuk i ka hyrë detit në këmbë për ta pavarësuar drejtësinë nga vetë pushteti politik. Askush dhe asnjë!

Prandaj dhe asnjëherë, askush që ka qenë pjesë përbërëse apo zgjatimi i pushtetit politik nuk është hetuar dhe gjykuar nga një drejtësi e pavarur siç po ndodh sot dhe krenarinë për ardhjen e kësaj dite vetëm falë kësaj lufte vendimtare për Shqipërinë që ne, Partia Socialiste e kemi hapur dhe po e zhvillojmë prej 10 vitesh, nuk na e mohon dhe as na e merr dot askush.

Pa forcën udhëheqëse, guximin dhe vendosmërinë e Partisë Socialiste në këto 10 vjet, sot nuk do të kishte rilindur besimi i shqiptarëve tek drejtësia. Nuk do ta kishte Shqipëria e sotme asnjë shans që ta shihte atë që po sheh, rrëzimin e monumentit më të shëmtuar të trashëgimisë sonë, monumentit të kulturës së pandëshkueshmërisë, por të jemi të qartë, gjurma jonë në histori nuk do të varet vetëm nga kthesa e ndryshimit tërësor ku e kemi futur shtetit shqiptar, por do të varet nga sa më tej akoma, sot e më tutje ne, Partia Socialiste do ta bëjmë të pakthyeshëm këtë progres të dukshëm në sytë e të sotmes, por assesi të mjaftueshëm për sytë e tw nesërmes.

Kur e solla më parë tablonë e frikshme të vitit 2013, nuk desha as të them, as të lë të mendohet se ne e kemi mundur korrupsionin, aspak! Ne vetëm jemi futur dhe jemi në mes të një lufte të vërtetë, reale, të stërngatërruar dhe të stërmundimshme me korrupsionin.

Ka një të vërtetë të madhe në këtë mes. Një fakt shumë kuptimplotë.

Pikërisht se e kemi me të vërtetë, jo me gjasme këtë luftë, ne nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë larg zjarrit të saj. Jo vetëm i kemi hapur rrugë krijimit të një gryke zjarri të re, të cilën shteti shqiptar se ka pasur kurrë, Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale Kundër Korrupsionit, por edhe ia kemi hequr vetes tanimë me ndërgjegje, guxim dhe vullnet të pa gjendur ndonjëherë më parë çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave dhe të goditjeve të asaj gryke zjarri. Le të thotë ç’të dojë kushdo që nuk do ta pranojë, por sot drejtësia vepron mbi pushtetin politik e pavarur nga pushteti politik.

Jo vetëm kaq, por ne me forcën e shumicës sonë qeverisëse i kemi hapur rrugë dhe furnizimit special me municion të asaj gryke zjarri. I kemi vendosur drejtësisë në dispozicion, jo vetëm një Kushtetutë dhe një hapësirë ligjore të qepur enkas për këtë luftë. Kushtetuta e BE nuk ka trupa speciale, nuk ka trupa ndërkombëtare monitorimi siç ka në Kushtetutën tonë, por edhe një buxhet pagash që si askush në Europë është mbi hierarkinë e pagave të të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar.

Drejtuesit e organeve speciale të drejtësisë qëndrojnë në majtë të piramidës të pagave të këtij shteti më lartë sesa maja më e lartë e hierarkisë shtetërore të çdo shteti, Presidenti i Republikës. Vetë fakti që sot prokurorët dhe gjykatësit janë individët më të paguar në të gjithë piramidën e shtetit tonë, përbën pa diskutim një anomali absolute, por ne e kemi krijuar këtë anomali me vetëdije të plotë dhe për asnjë arsye tjetër në botë përveç fuqizimit të përpjekjes antikorrupsion të shtetit shqiptar me një armë të re ofensive që Shqipëria nuk e kishte më parë. E vërteta është që as korrupsioni në Shqipëri sot nuk është mundur ende si një fenomen shqetësues, as forca jonë qeverisëse nuk e ka fituar ende imunitetin ndaj korrupsionit. Përkundrazi, edhe pse kemi pastruar jo pak nga kanalet dhe vatrat kancerogjene të korrupsionit në këtë vend, ka shumë akoma për të pastruar. Edhe brenda vetë partisë sonë mbetet akoma shumë punë për imunizimin nga influenca e korrupsionit.

Shteti ynë në ndërtim e sipër ka ende rrugë të përpjetë për të bërë që të sigurojë sistemin e mbrojtjes së pa depërtueshme nga korrupsioni dhe këtu nuk bën absolutisht përjashtim as pushteti ekzekutiv, dikasteret tona qendrore dhe institucionet e varësisë prej tyre, bashkitë dhe ndërmarrjet e tyre, por dhe agjencitë e tjera të pavarura përfshirë dhe partitë politike, mediat, shoqërinë civile, biznesin dhe vetë pushtetin gjyqësor janë ende lehtësisht të arritshme nga oferta e korrupsionit. Shpesh janë konkretisht të prekshme nga duart e korrupsionit e nganjëherë janë edhe befasisht të gjunjëzueshme nën këmbët e korrupsionit.

Fushëpamja e kësaj lufte i ngjan sot tamam fushës së një lufte të vërtetë që vazhdon, ku pavarësisht nga terreni që ke marrë në zotërim mund të arrihesh nga armiku dhe të goditesh prej tij. Ndërsa armiku ka ende forcë të konsiderueshme për të plagosur dhe për të vrarë, por nga ana tjetër ka dhe një të vërtetë të pamohueshme. Nëse deri dje, era ishte në favorin e armikut që e kishte spostuar shtetin nga qendra e protagonizmit, sot era është kthyer në favorin e shtetit i cili e ka ri marrë protagonizmin. Kjo është një luftë përgjatë gjithë vijës së frontit me një armik që prej 33 vitesh e sfidon Shqipërinë frontalisht.

Korrupsioni mori terren të jashtëzakonshëm në 23 vitet e para të lirisë, nga 1990 në 2013-ën. Shtetbërja ecte me hapat e breshkës, ndërsa korrupsioni me shpejtësinë e makinës. Ndërsa në këto 10 vite ne kemi ndërtuar kushtet për ta kthyer tendencën në drejtimin e duhur, duke luftuar përditë për transformimin e breshkës së shtet bërjes në makinë dhe të makinës së korrupsionit në breshkë, por kush e kujton luftën me korrupsionin si një sfidë, se kush e frikëson më shumë tjetrin, shteti korrupsionin apo korrupsioni shtetin dhe si një histori ekskluzive represioni ligjor për të kapur individët e korruptuar, nuk njeh as historinë e shtet bërjes, as natyrën e korrupsionit.

Korrupsioni është një sistem paralel, kancerogjen, i cili ushqehet me dobësitë e sistemit të organizmit të shtetit dhe me qelizat që kap në çdo organ të tij. Ai është një ofertë e paligjshme që lind bashkë me ligjin për ta kthyer atë në anën e vet dhe ka ekzistuar në përmasa dhe forma të ndryshme në çdo kohë dhe në çdo shtet.

Në kohën e komunizmit s’kishte sektor privat, s’kishte as tendera, as lek të madh vërdallë, por kishte ndonjë lek dhe kishte shumë pula dhe shumë raki për të mbaruar një punë që ndryshe mund të mos e mbaroje dot kurrë. Ndërsa në rrugë kalimin nga shoqëria komuniste më shoqërinë e hapur demokratike, korrupsioni lind njëkohësisht bashkë me liritë dhe të drejtat e njeriut në boshllëkun e krijuar prej shembjes së shtetit të vjetër, si një ofertë e kudondodhur, alternative e cila e shoqërinë kapitalizmin si një hije që rritet bashkë me të.

E thënë ndryshe kur vetë pasurimi bëhet aspirata më e madhe e shoqërisë të çliruar nga zinxhiri i varfërisë kolektive të imponuar, pasurimi i lehtë me boshllëkun, në boshllëkun mes gërmadhave të një shtetit diktatorial mbi të cilat nis rruga e mundimshme e ndërtimit të një shteti funksional demokratik, bëhet një dem anësor i pashmangshëm. 

Në atë rrugë korrupsioni është aty, magnet për të gjitha subjektet e shoqërisë, nga individi e deri tek kompanitë e mëdha, gati për të goditur, kudo e kurdoherë që sistemi kushtetues e ligjor i institucioneve, ose nuk ua garanton subjekteve në kohë e me drejtësi, atë çka u takon me Kushtetutë e me ligj, ose nuk arrin t’i pengojë dot për të marrë padrejtësisht atë çka me ligj e me zakon nuk u takon.

Prania e korrupsionit në një fazë të tillë historike, siç ishte tranzicioni ynë i gjatë, bëhet e gjithanshme, endemike, kapilare.

Ndërsa kohëzgjatja e përballjes së gjithanshme të shtetit e të shoqërisë me korrupsionin, si alternativë e shtetit varet nga si dhe sa shtetbërja demokratike nxitet me reforma, mbështetet në legjislacionin e domosdoshëm, zhvillohet me krijimin e mekanizmave të nevojshëm institucionalë, zgjerohet në hartën e organizmit të jetës publike, shtresëzohet në të gjitha nivelet bashkëjetesës mes qytetarit e shtetit dhe shtrihet në të gjitha rrugët që garantojnë mbrojtjen e interesave publike e private.

Edhe pse tranzicioni klasik i vendit tonë është mbyllur, rrugëkalimi i Shqipërisë nga shoqëria më e mbyllur, më e varfër e më e traumatizuar e Lindjes Komuniste - me një të kaluar të gjatë në guackën e mendësisë otomane më jep të jap - drejt një shoqërie të hapur me një demokraci funksionale si pjesë përbërëse e Bashkimit Europian, nuk ka përfunduar ende. Sepse përpos historisë së gjatë pa shtet e pa institucione të vetat, trashëgimisë së rëndë të shtetit komunist, e plot arsyeve të tjera, që as nuk është vendi dhe as jam unë personi me kompetencat e duhura për t’i renditur, Shqipëria pati edhe një fatkeqësi të vetën krejt origjinale në këtë rrugëkalim, krahasuar me të tjera vende, nga mendësia otomane më jep-të jap, në kulturën demokratike të respektit për ligjin dhe institucionet. Kjo fatkeqësi origjinale ishte fakti se shqipëria u vu gjatë, shumë gjatë, nën presionin mbytës të një jete publike të penguar dhe të ndikuar si askund tjetër, në lindjen komuniste nga fryma tribale e një segmenti politik që e mishëroi antikomunizmin, si pjellë të ngjizur nga martesa e bajraktarizmit me enverizmin.

Prandaj edhe lufta kundër korrupsionit ka nisur në fakt siç duhet, frontalisht, me reforma zhbllokuara, të vonuara, të pafillura fare, të paguxuara apo edhe krejt të padëshiruara fare, vetëm atëherë kur me të gjitha të tjerat, nisim edhe përpjekjen tonë për Reformën në Drejtësi.

Prej dhjetë vjetësh kjo nuk është më një luftë arnash, ca atje e ca këtu, ca sot e ca pasnesër, po është  një luftë e gjithanshme për goditjen e sistemit paralel të korrupsionit. Pa asnjë diskutim që kjo luftë deri këtu nuk është zhvilluar as pa gabime, prej të cilave përpiqemi të kuptojmë më shumë; as pa dështime, pas të cilave riorganizohemi me një qasje më të drejtë; as pa zhgënjime, nga të cilat mësojmë se çfarë duhet ndryshuar.

 Por që deri këtu ne kemi bërë shumë dhe kemi arritur jo pak, nuk e them unë. Këtë e thotë vendimi shumë domethënës i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim. Nuk çelte kurrë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë Bashkimi Europian, nëse Shqipëria nuk do të kishte ndryshuar si dita me natën, krahasimisht me atë që ishte kur nuk i jepnin as statusin e kandidatit për BE, jo më t’i hapnin dritën jeshile të negociatave. 

Këtu llafollogohet e thashethemohet nga mëngjesi në darkë, kanal më kanal e portal më portal për sa keq është Shqipëria, por çfarë thotë dokumenti i diagnozës së nxjerrë nga skanimi që BE-ja i bëri Shqipërisë për nisjen e procesit të negociatave i njohur në gjuhën e Brukselit si procesi screeening

Nuk ka dokumente të tjera ndërkombëtare me objektivitet të pakonkurueshëm, si dokumentat e Komisionit Europian, për faktin e thjeshtë sepse janë me dhjetëra e dhjetëra njerëz, në Tiranë e në Bruksel, të cilët punojnë me saktësi kirurgjikale në mbledhjen, leximin, kuptimin e fakteve dhe përshkrimin e detajuar të situatës së një shteti në procesin e integrimit.

E pra ai dokument themelor për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë, siç rreshton të gjitha problemet e sfidat që kemi, i rreshton edhe të gjitha arritjet e Shqipërisë të padiskutueshme në luftën kundër korrupsionit, të cilat duan s’duan ata që nuk duan, provojnë një të vërtetë kokëfortë.

Shqipëria e ka kaluar më të keqen dhe ka hyrë në një fazë të re të rrugëkalimit të saj drejt një shoqërie të hapur me demokraci funksionale. Nuk është opinion im, po është fakt i mbështetur në të dhëna objektive që Shqipëria nuk ke qenë kurrë më afër anëtarësimit në Bashkimin Europian, sepse nuk ka qenë asnjëherë më parë më shumë shtet demokratik dhe europian se sa sot.

 Por pa dyshimin më të vogël, po kaq i vërtetë është edhe fakti se korrupsioni nuk është zmbrapsur deri aty ku nuk mund të jetë më një kërcënim i vazhdueshëm për Shqipërinë. E pikërisht për këtë arsye, në këtë fazë të re ku është Shqipëria, lufta kundër korrupsionit duhet vazhduar kudo, përditë, duke i shtrënguar sot më shumë se kurrë, radhët e të treja pushteteve të  pavarura kushtetuese të Republikës sonë, në një front të vetëm.

Kjo do të thotë një përpjekje e re, e madhe, e përbashkët, e të gjitha institucioneve dhe forcave aktive të shoqërisë, për një fuqizim të mëtejshëm të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, por edhe për një harmonizim të domosdoshëm të punës së tyre në funksion të shtetit shqiptar përballë derës së BE. Çdo aktor politik, institucional, shoqëror duhet ta kuptojë këtë nevojë, si një domosdoshmëri jetike për ta fituar luftën me korrupsionin dhe për të kontribuar për një rritje të menjëhershme të presionit reformues përgjatë gjithë harkut institucional të vendit.

Duhen përafruar më shpejt ligjet tona me BE-në. Duhet nxitur e mbështetur më shumë modernizimi demokratik dhe inovacioni teknologjik i gjithë sistemit të qeverisjes së të treja pushteteve. Duhet rritur më shumë transparenca, llogaridhënia, kontrolli, duke harmonizuar shumë më mirë veprimtarinë e të treja pushteteve të pavarura kushtetuese, për të forcuar më tej sundimin e ligjit dhe neutralizuar ofertën e paligjshme të korrupsionit.

Kjo do të thotë gjithashtu që të gjithë ata që duhet të bëjnë pjesën e tyre të luftës, sipas peshës e pozicionit në këtë front për Shqipërinë anëtare të BE, duhet të marrin përsipër edhe kostot e saj, sepse përndryshe lufta frontale me korrupsionin mund të vazhdojë më gjatë se sa mund, duhet dhe jam i bindur, do të mbyllet me anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. 

E natyrisht, neve, Partisë Socialiste, na takon pjesa e luanit në këtë luftë, qoftë për arritjet e pranuara botërisht e po njësoj, për mosarritjet po botërisht të njohura në rrugën e këtij progresi tërësor të shtetit, jo thjeshtë të qeverisjes.  Por po ashtu, na takon edhe pjesa më e madhe kostove të pashmangshme politike, të cilat na vijnë në daç nga faturat e të korruptuarve brenda nesh, në daç nga kusuret e mëdha të baltës që hidhet drejt nesh.

Ky është realiteti dhe të vërtetat e këtij realiteti nuk mund t’i ndajmë, duke hapur gojën për ato që na pëlqejnë e duke mbyllur sytë e veshët për ato që nuk na pëlqejnë, po duhet t’i marrim të gjitha bashkë, siç janë, e t’i përdorim si motive force, angazhimi, besimi dhe burime reflektimi, mësimi, vetëkorrigjimi, nëse  duam ta afrojmë, jo ta largojmë majën e lartë, ku duam e do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë 2030. 

Askush të mos ketë asnjë iluzion se gjendet dot në këtë vend një fuqi tjetër nga fuqia e Partisë Socialiste, që të ketë aftësinë, kurajon dhe fuqinë, po tanimë edhe eksperiencën që ta udhëheqë e ta fitojë dot betejën për shtetbërjen europiane të Shqipërisë, e cila është në thelbin e saj është një luftë e madhe për triumfin e kulturës së shtetit mbi traditën e antishtetit.

Këtë të vërtetë nuk duhet ta harrojë asnjëherë, asnjë ditë të vetme, asnjë drejtues, deputet, ministër, kryebashkiak i Partisë Socialiste dhe asnjë anëtar i kësaj partie, jo për t’u mburrur, në asnjë mënyrë, po për të mos e humbur në asnjë rast e për asnjë arsye, vetëdijen dhe përgjegjësinë për rolin tonë udhëheqës, vendimtar, absolutisht të pazëvendësueshëm, sot për sot e për shumë kohë akoma, në këtë luftë për Shqipërinë.

Sot që flasim, në radhë të parë të gjithë ju dhe të gjithë anëtarët e kësaj familje politike, mos e hiqni nga mendja dhe ndërkohë të gjithë duhet ta dëgjojnë se pas 113 vjetësh pavarësi të Shqipëri, pas 33 vjetësh pluralizëm politik dhe pas krijimit të 333 partive në këtë vend, kjo parti është e vetmja në hapësirën e armikut historik të drejtësisë në Shqipëri, pushtetit politik, që ka bërë një zgjedhje të paguxuar nga askush tjetër.

Ne kemi zgjedhur të luftojmë për pavarësimin dhe forcimin e drejtësisë, duke u vetëvendosur, jo vetëm në anën e drejtësisë, përmes ushtrimit të pushtetit tonë si shumicë ligjvënëse, po edhe në dispozicion të drejtësisë, përmes tërheqjes sonë të plotë nga çdo kontroll politik i saj. Ne jemi e para parti politike në historinë e Shqipërisë që kemi dorëzuar një armë me të cilën të gjithë të tjerët janë mbrojtur nga drejtësia, duke vrarë drejtësinë. Ne jemi vetëçarmatosur.

Falë intuitës së pakonkurueshme politike të popullit shqiptar, që e ka kuptuar se përtej kusureve jo të vogla, kjo parti është e vetmja që ka ambicien, kurajën dhe aftësinë për ta bërë këtë vend një shtet normal europian, e për ta ngritur flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit në oborrin e Bashkimit Europian, ne kemi sot edhe forcën udhëheqëse që ta realizojmë këtë ëndërr të vjetër shqiptare.

Kemi në dorë shumicën e parlamentit dhe drejtimin e pushtetit ekzekutiv, pa qenë të detyruar t’i themi dajë asnjë derri, për të qeverisur e për t’i hapur Shqipërisë rrugën drejt majës ku e meriton amaneti i rilindasve tanë dhe e drejta e fëmijëve tanë.

Prandaj o e fitojmë ne këtë luftë të madhe për Shqipërinë, duke ia vënë shtetit që po ndërtojmë të gjithë pushtetin e Partisë Socialiste në dispozicion,bashkë me gatishmërinë për të marrë çdo kosto, ose kjo dallgë e sapongritur e drejtësisë së re, kundër abuzuesve të pushtetit politik e të funksioneve publike, do të thyhet nëpër shkëmbinjtë ende të kudondodhur të kulturës e të politikës së vjetër antishtet.

Prandaj dua edhe të jem shumë i qartë këtu me ju:

Tek kjo ne-ja, Partia Socialiste, nuk ka dot dhe s’ka për të pasur dot, të paktën sa të jem unë i besuari juaj në krye të kësaj partie, një “ne” të njëjtë, si kur bëjmë betejat dhe punët për të cilat na kanë besuar shumica e shqiptarëve, si për këdo mes nesh, sado afër këtu apo sado larg nga këtu, që tradhton ata që na kanë besuar, duke flirtuar me armikun e shpallur numër një të kësaj lufte, i cili është korrupsioni.

Kush flirton me atë armik, kush i tradhton besimtarët tanë, anëtarët e thjeshtë të kësaj partie, kush i tradhton njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë privilegjin të udhëheqim, afro 800 mijë zgjedhësit që secilit e secilës këtu në këtë sallë, i kanë bërë nderin e jetës, duke i dhënë mandatin e lartë të përfaqësuesit të një populli e një atdheu të tërë, në parlament apo në qeveri, deputet a ministër, nuk është as ne, nuk është as i yni, e as nuk ka asnjë punë me ne!

Ashtu sikundër, kushdo që është zgjedhur në krye të një bashkie ose punon si drejtues dhe përgjegjës në nivelet e tjera të administratës shtetërore, qendrore apo vendore, nëse fut duart në arkën e këtij shteti dhe në xhepat e këtij populli, nuk është ne, nuk ka sesi të jetë ne dhe as se si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes!

E thënë ndryshe, çdo anëtar i kësaj familjeje të madhe politike që bën korrupsion me funksionin publik është vetëm një tradhtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar, si çdo hajdut me kostum që merr ç’nuk është e tija, po edhe i Partisë Socialiste të Shqipërisë, si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet.  Kur qëllon që fatmirësisht një hajdut e parazit i tillë të zbulohet nga drejtësia, i hidhur është sa të duash fakti se e kishim mes nesh, por ama lajmi se kemi një parazit më pak në trupin tonë është vetëm shumë i mirë.

Vjen edhe tek unë njësoj si tek ju, helmi që hidhet, duke përdorur raste të korruptuarish apo të dyshuarish për korrupsion, siç hidheshin në mesjetë minjtë në ujësjellat e kështjellave për të helmuar të tërë ata që jetonin në kështjellë. I dëgjoj edhe kur thonë hajde na jep përgjigje ti Edi Rama për këtë miun një karrige më poshtë, tre karrige më tutje apo edhe njëqind kilometra larg teje, se edhe ai i yti është, i Partisë Socialiste është… Jo, jo, s’është as i imi, as i yni, po është vetëm dhe ekskluzivisht i drejtësisë, cilido që privilegjin për t’i shërbyer këtij vendi, në daç si ministër qeverie, në daç si kryetar a drejtor bashkie e në daç si përgjegjës drejtorie, e përdor për t’i vjedhur këtij shteti e për t’i futur dorën në xhep këtij populli.

I dëgjoj patjetër, edhe kur bërtasin me të madhe, hajdutët e Edi Ramës dhe nuk pushojnë duke bërtitur “ia kapën këtë ministër e ia kapën atë ministër,

ia rrasën brenda këtë kryetar bashkie e atë drejtor drejtorie”, në një tam-tam të përditshëm e të dëshpëruar për të shurdhuar e helmuar popullin…

Po në sistemin ku jetojmë individi është sovran, ndërsa përgjegjësia e familjes, farefisit, kolektivit, partisë, është vetëm një bisht i mendësisë ende të gjallë të sistemit komunist, ku koka e prerë e një individi rrokullisej me të tjera, sipas oreksit të partisë-shtet që ushqehej me dogmën morale të fajit kolektiv.  Në këtë sistem mbajmë secili mbi shpatulla kokën e vet dhe nuk ekziston fajësimi me asocim. Ndërsa përgjegjësia morale nuk është vetëfajësim me asocim, për shkak se dikush tjetër shkel ligjin për përfitim personal. Rruga e jetës na bashkon me kaq shumë të tjerë për njëmijë e një arsye, por puna që na lidh për një qëllim në këtë rast shumë të madh a për plot arsye të mira edhe na zgjidh për një vepër të ulët si tradhëtia.

 Unë kam pasur detyrën të punoj në këta dhjetë vjet me dyzetë e ca ministra dhe të gjithë ata e kanë dëgjuar prej meje, qysh në ditën e parë të fillimit të punës e jo vetëm, se kush lufton për qëllimet tona të përbashkëta ka mbështetjen time në çdo hap, ka diskrecion të plotë në vendimet e veta e në rekrutimin e bashkëpunëtorëve dhe më ka në krah, kurdoherë që do të sulmohet për përpjekjet që bën në llogoren e përbashkët. Por kush gabon, duke kujtuar se mund të bëjë një rrugë e dy punë, nga njëra anë, duke luftuar me mua e me Partinë Socialiste për të mirën e punës së përbashkët për shtetin, e nga ana tjetër duke punojë fshehtaz edhe për xhepin, nuk do të ketë në krah as mua, as Partinë Socialiste, por vetëm avokatin e vet përpara drejtësisë.

Qeveritë e mia kanë ndryshuar, ministrat kanë ndryshuar, shumë gjëra i kemi ndryshuar së bashku në çdo sektor, po kjo devizë as nuk ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë, deri kur të jem unë të paktën.

 “Jo po PS-ja duhet t’i mbajë njerëzit e saj dhe ti duhet s’duhet t’i lëshosh njerëzit e tu!”…

 Ah jo jo, unë nuk lëshoj djalin e vogël në ndonjë shkëmb të lartë mbi det kur do të hidhet, po nuk mund të mbaj asnjë burrë me para të vjedhura në karrige kur i vjen ora të thirret.

“Jo po s’kam bërë asgjë, po më bien në qafë se ma bën ky e ma bën ai, se SPAK-u kështu e SPAK-u ashtu”…

Nëse s’ke bërë asgjë s’ke nevojë të të mbaj unë dhe PS-ja, të mban e vërteta, prandaj lufto për të vërtetën tënde, se kjo parti e kjo qeveri nuk bëjnë dot asnjë koment për çështjet që hap SPAK-u, jo më avokatinë e një drejtori, kryebashkiaku, deputeti apo ministri të kërkuar nga SPAK-u.

Madje, sa më lart të jetë ngjitur kërkesa e SPAK-ut aq më shumë ne e presim të vërtetën vetëm nga SPAK-u, jo nga i lartësuari prej nesh që kërkon dhe që të mos e lëshojmë.

Keq më vjen shumë për këdo që nuk do ta pranojë realitetin e ri. Është kthyer një botë përmbys, e di, kanë ardhur kohë të këqija shumë për ata që ishin mësuar me drejtësinë të lidhur pas qerres së pushtetit politik dhe duan dhe të shërbejnë dhe të rrëmbejnë.

Unë nuk kam dhe ne nuk kemi hiç se çfarë të bëjmë askujt që nuk do ta kuptojë se kjo luftë për drejtësinë e re, të çliruar dhe të pavarur nga pushteti politik është e vërteta jonë më kuptimplotë në raport me Shqipërinë, me shqiptarët dhe me historinë.

Prandaj po kthehem pak tek ministrat, tam-tami histeriko-mediatik “të gjithë hajdutë”.

E para njëherë është se në 40 e ca ministra që kanë punuar në qeveri të drejtuara prej meje, ai grusht ministrash socialistë në këta 10 vjet që kanë deri më sot lidhje me marrje nën hetim, akuza të ngritura, dënime apo procese në vazhdim nuk janë larguar nga SPAK-u, por janë larguar njëherë nga unë për të korrigjuar shënjestrat e punës, por t’i bësh sot pis të gjithë, t’i quash të gjithë hajdutë, tu bësh gjyqe politike dhe mediatike përditë duke i marrë disa shembuj të drejtësisë që jemi ne që krijuam kushtet që ata shembuj të krijohen si argument për të përbaltur një punë kolosale, rezultate të gjithë pranuara, progresin për të cilin kanë kontribuar pikërisht qeveritë tona duke e çuar Shqipërinë tek dera e Bashkimit Europian është një histeri e denjë për studime neuro-psikologjike, por me të vërtetën nuk ka pikë lidhje. E nëse të gjithë ministrat kanë lëvizur për të dinamizuar më tej punën në raport me korrupsionin, unë as nuk kam qenë ndonjëherë mbulesa, as nuk jam mburoja e asnjërit nga të cilët kam punuar dje e punoj sot.

E kundërta ka qenë dhe mbetet rregullisht e vërtetë dhe provat e kësaj që po them janë publike. Vija mes funksionit tim dhe funksionit të drejtësisë është gjithnjë dhe vetëm me një ngjyrë, e kuqe, e pakapërcyeshme dhe e pandryshueshme siç është e shkruar në Kushtetutë dhe në ligjin e veprimtarisë së Këshillit të Ministrave, por siç është e përcaktuar pa ekuivok në zakonin e punës sonë.

Ua kam thënë jo njëherë disave këtu dhe ndonjërit që nuk është më këtu sepse zgjodhi të bënte një rrugë e dy punë, por e kam thënë dhe publikisht për të gjithë ju, këtu dhe në forumet e tjera të partisë. Mos e ngatërroni kurrë punën e përbashkët dhe shoqërinë me të cilën na lind privilegji për të punuar për vendin, falë atyre që na kanë besuar votën, me asnjë dërrasë të kalbët ku largqoftë mund të shkelni.

Kush e vë këmbën në një dërrasë të kalbur, e di mirë çfarë bën. Prandaj nuk jam unë dhe PS-ja që lëshon kur i dridhet toka nën këmbë, por është ai që ka lëshuar PS-në bashkë me mua. Pastaj kur thonë, “Rama e ka kështu se i përdor dhe i hedh si limona të shtrydhur se nuk i duhen më”, e kanë shumë gabim. Kush e ushqen me korrupsion krimin e dëshirës për vetëpasurim përmes funksionit publik, nuk është një limon i shtrydhur që e hedh unë, por një mollë e kalbur që bie vetë.

I dëgjoj edhe kur përsërisin pa pushim, me shpoti të madhe, s’ka mundësi që të mos i dijë Edi Rama horrllëqet e një X-i, pisllëqet e një Y-i. Helbete, mirë që s’më njohin fare hiç, po ose më dinë si veten, ose nuk e kanë haberin se si funksionon pushteti ekzekutiv dhe çfarë duhet të bëjë apo çfarë nuk mund të bëjë një qeveri apo një kryeministër në udhëheqjen e luftës kundër korrupsionit.

Ky nuk është as shfajësim, as justifikim, po thjesht realiteti i punës sime si kryeministër, filozofia ime e lidershipit dhe qasja ime ndaj skuadrës me të cilën punoj. Kush ka punuar dhe punon me mua në kabinetet qeveritare e di se sa shumë debatohet në rastet kur nuk ka dakordësi dhe nuk ndodh që një vendim të kalojë në qeveri pa dakordësinë e të gjithëve, për të cilën ka ndodhur, duhen dhe muaj derisa është gjetur një gjuhë e përbashkët.

Nuk ekziston që një anëtar i kabinetit qeveritar të shtrëngohet për të vendosur kundër bindjes së vet mbi çështjet ku unë e mendoj si njëri, tjetri mendon ndryshe edhe nga ai edhe nga unë. Kurrë nuk mungon për asnjërin nga anëtarët e qeverisë, mbështetja e plotë nga ana ime, për ta bërë detyrën në të 360 gradët e funksionit që ka secili dhe secila, por ama nuk ka pasur asnjëherë, asnjë mëdyshje, për t’ia lënë drejtësisë tërësisht në dorë fatin e çdo çështje të hapur nga SPAK.  Qoftë kur një ish-ministër del se meriton vetëm vetminë para ligjit dhe ne votojmë heqjen e imunitetit pa shprehur asnjë rezervë, jo qorrazi, bazuar mbi leximin shumë të mençëm të dosjes, sepse për heqjen e imunitetit nuk kemi vetëm të drejtën, por kemi dhe detyrën të bëjmë komente, madje të shprehemi jemi apo nuk jemi dakord. Qoftë kur një tjetri i kufizohet liria apo edhe ndiqet në gjendje të lirë, ndërkohë që linçohet publikisht i dënuar nga Prokuroritë dhe Gjykatat e penxhereve majë pallateve edhe në netët televizive edhe pse me ligj dhe me zakon, çdo njeri konsiderohet i pafajshëm deri në fund të procesit gjyqësor, apo qoftë dhe kur të tjerë akoma, aktualisht edhe ministra apo krye bashkiakë në detyrë thirren në SPAK që të japin sqarime për një çështje të caktuar.

Edhe në vendet më demokratike, politika i komenton rëndom vendimet e Prokurorisë, vendimet e Gjykatave, shikoni çfarë bëhet në Amerikë përditë, sot që flasim, por ky qëndrimi ynë i heshtur, ka një arsye shumë të fortë, shumë madhore që lidhet drejtpërdrejt me luftën tonë për pavarësimin e drejtësisë pas 100 e kusur vjetësh nën thundrën e pushtetit politik.

Dikur, jo ministra, po as ish-ministra nuk i thërriste dot Prokuroria, as nuk e hapte fare, hiç, një çështje nëse largqoftë mund të lidhej direkt me ndonjërin syresh, ndërsa pushteti politik e linçonte publikisht drejtësinë dhe direkt Prokurorin e Përgjithshëm. Herë duke krijuar shumica fluide në Parlament edhe kundër kryeministrit për ta shkarkuar, herë duke e kushtëzuar edhe konsensusin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, këtu, në sallë tjetër me kërkesën mafioze për të bërë kurban njëherë Prokurorin e Përgjithshëm me votat e opozitës. Herë duke e pagëzuar publikisht si lavire bulevardi nga tribuna e Kryeministrisë dhe duke përdorur për letër higjienike urdhër arreste e Prokurorit të Përgjithshëm për drejtuesit e Policisë, edhe pas një mizorie vrasje njerëzish në bulevard siç ndodhi në 21 janar.

Dikur, kreu i tatimeve të Republikës së Shqipërisë, vazhdonte e drejtonte agjencinë më të rëndësishme të vendit, agjencinë e të ardhurave për arkën e shtetit nga kuzhina, në arrest shtëpie për krime dhe kryeministri predikonte prezumimin e pafajësisë duke u bërë mburoja e tij kundër drejtësisë. Dikur, kapej burri i botës me qindra mijëra presh në dorë, me zë e me figurë dhe pushteti politik e detyronte drejtësinë ta bënte popullin e tërë budalla, duke thënë “ishte ai, po s’ ishte tamam ai, ishte zëri i tij, po në fakt zëri ishte i dikujt tjetër”, ndërsa miliona të tjera kokë prasi të pa kapura bëheshin rrush e kumbulla për të blerë vota dhe për ta shitur kecin si dash për çore në pazarin e koalicioneve qeverisëse. Dhe këto nuk janë dikuret e vitit 1913-të. Nuk janë as dikuret e vitit 1923, nuk janë as dikuret e vitit 1993. Këto janë dikure të deri 10 vjetëve më parë, ndërkohë që personazhet dhe partitë e kohës së këtyre dikureve janë sot gjithë ditën në hapësirën e pushtetit politik në Shqipëri, sa në majë të pallatit, sa në majë të skelave prej hekuri, duke lëshuar në sabah dhe në aksham, thirrje histerike kundër korrupsionit dhe kundër SPAK-ut, por sot nuk është më si dikur. Sot, çdo dikush para ligjit, s’është askush më shumë sesa një qytetar si gjithë të tjerët siç e parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Përpara ligjit jemi të gjithë të barabartë.

Ka disa që thonë se unë s’e paskam menduar që do vinte kjo ditë kur i hyra me ju bashkë këtij deti në këmbë, reformën na i imponuan ambasadorët dhe ne s’kishim nga luanim. Kurse më të fantaksurit fare thonë që SPAK-u bën çfarë i them unë.

E para njëherë, unë mund të mos jem shumë i zgjuar, po edhe kaq fare idiot sa të shkoja derë më derë, sa në Berlin dhe sa në Bruksel për të kërkuar aleancë për Vettingun, të cilin në ato fillime as në Berlin, as në Bruksel nuk e pranonin se e konsideronin si shkelje të të drejtave të fituara. Pastaj në Uashington, për të krijuar aleancë për krijimin e FBI-së shqiptare. Byroja Kombëtare e Hetimit dhe vetë SPAK-u, le ti hapin kartat. Byroja Kombëtare e Hetimit është në programin tonë të vitit 2009-të e më gënjente mendja që do shembja me ndihmën e aleatëve strategjikë një pallat drejtësie që i kishte themelet në llumin e 100 e kusur viteve pandëshkueshmërie për pushtetin politik që të ngrija një pallat të ri drejtësie tek oborri i Partisë Socialiste?

E dyta, si na imponuan ne reformën në drejtësi ambasadat, Amerika, Europa, Hëna, Marsi kur ne na u desh shumë kohë për t’i bindur vetë ata njëherë në radhë të parë, për domosdoshmërinë e këtij ushtrimi shumë të paparashikueshëm që donim të bënim dhe patjetër për t’i bindur që vullneti ynë ishte pavarësimi i pushtetit politik, i drejtësisë nga pushteti politik më saktë. Po ku bënte vaki, si mund të bënte vaki që të shkruheshin qindra- mijëra faqe analizë, drafte, stërdrafte bashkë me ekspertët ndërkombëtarë po të mos ishte vullneti i hekurt i Partisë Socialiste dhe vendosmëria për të mos u tërhequr edhe nën presionin real, konkret duke parë detin para Gjirit të Lalzit që do të prishej koalicioni qeverisës se edhe sikur të vinte Flota e 6-të amerikane në Lalëz, nuk kalonte reforma në drejtësi.

Nga ana tjetër, si do ndodhte kjo nëse ne nuk do të ishim të vendosur që të mos dëgjonim asgjë, asnjë, madje dhe zëra brenda nesh jo më të tjerë, që thonin, “ore, e kuptoni që kështu do ikim për lesh” në kuptimin që e kuptoni që kështu nuk do jemi më ne ata që vendosin ditën dhe natën se kur zbardhet dhe kur ngryset? Këto janë fakte. E çdo bënin ambasadat? E çdo bënte Amerika bashkë me Europën nëse edhe ne do ishim si gjithë të tjerët bashkë me gjithë të tjerët edhe do ishim për zhvillimin gradual, siç na thoshin ata, kur unë shkoja nga Kancelarja gjermane, në zyrat e Brukselit, në zyrat në Uashington dhe u thoja, “ne duhet të bëjmë tërmet”. 

E treta dhe kjo është më e rëndësishmja, kush thotë që e kontrolloj unë SPAK-un, mirë që nuk ka provë se prova është gjë e madhe apo argument, ka një problem më të madh, se nuk ka sesi ta pranojë dhe as ta tolerojë mendërisht që unë në politikë kam hyrë vetëm për ndryshuar dhe për të kthyer përmbys çfarë të mundem, nga karakatinat e të shkuarës së largët dhe të afërt. E tregon historia ime politike, po sa të mundem, në çdo sektor, në çdo drejtim, ku të mundem, merr e kthe përmbys. Nuk kam hyrë për të qenë një hu i gjatë në radhën e atyre që bëhen ministra, bëhen kryetarë bashkie, bëhen kryetarë partie, bëhen kryeministra. E pastaj në rastin më të mirë ikin dhe s’lënë gjurmë, kurse në rastin më të keq pastaj shikojeni, e keni live, në çdo sabah e çdo aksham, bëhen për të ardhur keq. E ça më duhet mua kontrolli i SPAK-ut? Që unë te shqyhem dysh ditë- natë në krye të punëve, që shumica në ketë familjen tonë politikë të bëjnë punën e tyre me aq sa munden, që disa këtu t’i lënë fëmijët në gjumë dhe t’i gjejnë në gjumë madje edhe ulur janë nëna, pa llogaritur që çfarë balte dhe çfarë ujërash të zeza na përplasen përditë në sy e ndërkohë ta kontrolloj SPAK-un, që ndonjë mes nesh, ca rrotull nesh, të tjerë poshtë nesh të flenë rehat mbi dyshekët e mbushur me puplat e korrupsionit? Ça muhabeti është ky? Ku lidhen këto të dyja?

Unë nuk i vë faj në fakt për asgjë nga këto që thonë ditë-natë se po të ishin në vendim tim, do bënin fiks, ekzakt gjërat për të cilat më akuzojnë dhe na akuzojnë ne, siç i kanë bëra ata që kur ishin në vendin tim dhe kur ishin në pozicionin tonë, shkelnin me këmbë këdo, fusnin duart kudo dhe ja ku janë sot, gazi i botës, me gojën çapraz kundër korrupsionit dhe me çaprazin në bigën drejtësisë për korrupsion.

Tani dy fjalë për përgjegjësinë morale.

Është e vërtetë që në vendet me demokraci shumë të zhvilluar ndodh absolutisht jo gjithmonë as atje, po ndodh që titullarë të caktuar dorëhiqen edhe kur nuk janë përgjegjës të drejtpërdrejtë, për një rrëshqitje nga binarët e ligjit të dikujt apo të disave në varësinë e tyre, po në demokracitë e konsoliduara ka një strukturë të tërë institucionale e cila i garanton proceset e brendshme të shtetit me mekanizma, me filtra të shtresëzuar nga breza të tërë ligjvënësish dhe të ndërlidhur  në një makineri shtetërore që i kryen vetë mekanikisht 90% të proceseve të punës së shtetit.

Belgjika ndenji më shumë se një vit pa qeveri. Makina e shtetit jo nuk u fik po njerëzit atje thoshin, po shteti punoka edhe më mirë pa qeverinë. Në demokracitë në zhvillim si Shqipëria, këtë makineri jemi duke e ndërtuar ne prej 10 vjetësh, pasi trashëguam një karroceri me 3 rrota, me pjesë këmbimi të salduara si me pështymë dhe falë bekimit të teknologjisë digjitale, nuk do presim me breza siç do prisnim po të mos ishte teknologjia digjitale, por do t’ia dalim shumë më shpejt edhe duke shfrytëzuar në maksimum transferimin masiv të dijes që sjell procesi i negociatave për anëtarësim në BE.

Kjo do të thotë se ende sot ecuria e shtetbërjes varet nga roli i individëve në drejtimin e institucioneve dhe ju e dini shumë mirë sa ndryshon qasja, performanca, rezultati i një institucionit në varësi të drejtuesit. Dhe pikërisht pse individët kanë ende një peshë shumë të rëndësishme në mbarëvajtjen e kësaj përpjekjeje, ekziston rreziku shumë i madh i futjes në një spirale destruktive në emër të marrjes gjoja të një përgjegjësie morale, për vartës  që vendosen nën akuzë nga drejtësia, gjithmonë nëse nuk është rasti i lidhjeve me ta, aq me tepër pastaj që kjo gjasme përgjegjësi morale që predikohet me të madhe nga njerëz të akuzuar edhe të izoluar në ballkone për korrupsion apo të dalë fare nga binarët e arsyes për shkak të hetimeve për korrupsionin e tyre që i ndjek si hije edhe në gjumë apo të kudo ndodhur nëpër kanale e nëpër portale për të hedhur helmin e urrejtjes së pangushëllueshme politike, duke mos deklaruar aq sa paguhen realisht, në ato klubet, ku dalin, jo vetëm që nuk ka asnjë legjitimitet moral apo politik, por në fakt synon krijimin e një mekanizmi diabolik, tërheqje e detyruar në emër të moralit  për të goditur një shumicë qeverisëse që nuk e mundin dot ndryshe me votë. Një kokë këtu, një kokë atje, bam e bum. Morali kush e ka radhën, për t’u dorëhequr. Sigurisht që shtetëbërja demokratike nuk është një ushtrim aq i thjeshtë sa dhe aq i parashikueshëm sa ndërtimi me tulla dhe me llaç. Ndërtimi i institucioneve, i mekanizmave dhe filtrave administrativë për ta imunizuar shtetin nga korrupsioni nuk është si ngritja e një karabinaje dhe vendosja e dritareve dhe sistemeve të ujit e ndriçimit, por është një proces me shumë telashe, ku korrupsioni është një telash i madh më vete përgjatë gjithë shtetëbërjes dhe ku morali përcaktohet nga raporti individual me ligjin dhe nga raporti me zgjedhësit, në funksion të punës për të cilin je zgjedhur, jo nga fajësimi me  asociim, meqë u kap ky, atëherë s’ka sesi mos ta dish dhe ti. As nga tërheqja e të parit të punës së disa vartës kanë bërë korrupsion, kur në fakt ajo që po ndodh, e përsëris, po ndodh falë vullnetit të kësaj shumice, që i ka krijuar drejtësisë kushtet që më në fund të bëjë punën e vetë, kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe zyrtarët e lartë janë pjesë e gjithë sistemit ekzekutiv, të cilin ne drejtojmë.

Kërkesat e një minorance ulëritëse për “koka turku” përtej kokave që “pret vetë drejtësia” janë jo pa asnjë themel moral, por pa asnjë themel logjik  në funksion të luftës reale me korrupsionin e cila nuk përparon por bën vetëm hapa mbrapa nëse fiton kultura transaksionale, kjo kulturë që vazhdon jeton në mes nesh e mbartur që nga kohët e vjetra të Arbërisë otomane; me jep aq, të jap kaq, hiq këtë, vendos atë, të iki Lena, të vij Prena, që është në fakt fermenti i korrupsionit. Prandaj, këto kushtrime morale, vijnë jo nga ata që besojnë vërtetë në llogaridhënie, se ata që besojnë vërtetë kuptojnë që ky është një ushtrim i kombinuar i shtetbërjes, i krijimit të institucioneve, i fuqizimit të mekanizmave dhe i drejtësisë, por nga ata që nuk kanë asnjë kulturë tjetër, përveç shkatërrimit të çdo sistemi llogaridhënie, zëdhënës të një uni antishtet që jeton brenda shqiptarit dhe lufton me unin për shtet. Është ai uni antishtet që i thotë shqiptarit: “ligji duhet të jetë i barabartë përveçse kur vjen puna te unë”.

Ata, historia e këtyre 30 viteve i njeh si dhunues të roleve dhe të misioneve të tyre, qoftë në politikë dhe qoftë dhe në media, ku sipas interesit bëjnë konstruktivin, bëjnë destruktivin, bëjnë avokatin, bëjnë prokurorin  dhe pastaj bëjnë gjykatësin dhe fajësojnë dhe shfajësojnë, jo bazuar mbi moralin, as mbi të vërtetën, por vetëm  mbi thirrjen e brendshme të unit antishtet.

Kjo është një perçe morale që shfaqet përmes këtyre zëdhënësve të minorancës ulëritëse sa herë vepron drejtësia dhe nuk ja zgjeron në fakt, por ja ngushton frymëmarrjen përpjekjes së madhe morale për pavarësimin e drejtësisë dhe shtetëbërjen demokratike. Fatkeqësisht pre e daulleve të tyre shurdhuese bien hera-herës edhe njerëz të mirë, të mençur, të ndershëm që me të drejtën e Zotit kërkojnë rezultate nga e gjithë kjo përpjekje dhe me të drejtën e Zotit neveriten kur del llumi nga pusetat e hapura të drejtësisë, një llum që lidhet duam apo nuk duam ne edhe me ne, llum nga shtëpia jonë.

Përgjegjësia përpara ligjit është vetëm individuale, ndërsa llogaridhënia është institucionale. Për ne është shumë e qartë para ligjit kush ka përgjegjësi për shkeljen e ligjit. Para popullit kush ka përgjegjësi për të dhënë llogari për çkadoqoftë, sa herë është nevoja deri ditën kur vetë popullit i vjen radha të bëjë llogaritë e mandateve që ka shpërndarë.

Kjo është politika demokratike dhe ja dhe llogaridhënia ime tani për  çfarë thashë. Mua do të më buhej të mbaja sot një përgjegjësi të madhe morale nëse do të kisha dashur vërtet të kisha kapur drejtësinë për llogari të pushtetit të kësaj partie, nëse Reforma në Drejtësi nuk do tia kishte hapur rrugën lindjes së Strukturës Speciale Antikorrupsion apo nëse gryka e re e zjarrit të drejtësisë së dalë nga kjo reformë do godiste vetëm kundërshtarët e kësaj partie dhe kësaj qeverie. Atëherë po, do të ishte një problem dhe do të ishte përgjegjësia ime morale përpara të gjithë atyre që na besuan vërtetë dhe më te drejtë që nuk do ti zhgënjejmë për reformën në drejtësi edhe përpara kësaj partie padiskutim. Por, përgjegjësi morale pse po goditet pandëshkueshmëria, pse drejtësia nuk po shikon as majtas as djathtas, por vetëm drejt, pse  ne ndërkohë që ne po vazhdojmë të ndërtojmë sistemet e mbrojtjes ndaj korrupsionit Strukturat Speciale të drejtësisë po godasin diversantët e korrupsionit para nesh. Kjo është absurde sepse këtë kemi dashur, për këtë kemi  punuar dhe kjo po ndodh. Nuk kemi ditur emra, por kemi ditur që duke u tërhequr nga kontrolli  i drejtësisë, asnjë emër nuk ka më asnjë rëndësi. Sa të fajshëm, sa të pafajshëm janë ata që i ka gjykuar apo i gjykon drejtësia, këtë si askush tjetër në vendin tim, unë jam i pari kryeministër i këtij vendi që i kam lënë plotësisht në dorë ta thotë vetëm drejtësia.

Madje pa bërë asnjë koment, as gëk as mëk! Kjo parti dhe kjo qeveri e hapin gojën për këtë temë vetëm për të mbështetur pa rezerva SPAK-un dhe Gjykatën Speciale dhe kjo nuk ka për të ndryshuar. Pavarësisht se e di mirë edhe unë, siç e dini dhe ju të gjithë, e dinë plot të tjerë, të cilët për shkak të eksperiencës, të ekspertizës së tyre juridike edhe kanë qenë pjesë e rrugës së reformës në drejtësi, se ky proces dënimesh dhe hetimesh që ka nisur kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë është shumë larg të qenit i përsosur. Ka plot  probleme dhe mangësi, ka dhe rrëshqitjet e veta në shtratin e kulturës së vjetër të sjelljes me ligjin dhe të drejtat e liritë e njeriut pa diskutim, por pavarësisht kjo parti do të vazhdojë të mos komentojë për çështjet nën hetim, nga Spak-u.

Prokurorët  dhe gjykatësit e strukturës speciale anti korrupsion nuk kanë ardhur nga hëna, janë shkolluar dhe kanë punuar këtu në Shqipëri. Janë rritur në një sistem drejtësie plot me gjarpërinj dhe me hardhuca nëpër këmbë, siç ishte sistemi që reforma në drejtësi shembi në letër, por që do dojë kohën e vet të funksionojë tërësisht si në letrat e shkuara në Kushtetutë dhe në ligjet përkatëse dhe në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë

SPAK dhe Prokuroria e Tiranës janë në një distancë fizike më pak se 1 km. Në SPAK kërkohet llogari edhe për një punonjëse të thjeshtë për një procedurë tenderi,  në Prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiskal. Janë 80 raste - tani e kam humbur dhe numërimin - që flenë prej vitesh në prokurorinë e Tiranës për evazion fiskal. Ndër ato raste ka edhe nga ata që ndryshe quhen oligarkë. I kemi çuar ne. Bëhet fjalë për qindra miliona euro të shmangura nga detyrimet tatimore. Ajo është distanca, më pak se 1 km. Tjetër drejtësi atje, tjetër drejtësi atje.

Dhe nuk ka forcë, nuk ka mal me dosje, nuk ka lumë me shifra që e tund evazionin fiskal që e ka bërë strehë Prokurorinë e Tiranës. Thonë gojët e liga që për çdo dosje ka rend, por unë nuk merrem me thashetheme

Ne kemi 113 vjet shtet dhe megjithëse jemi një qeveri mes dhjetëra e dhjetëra qeverish të tjera në historinë e këtij shteti, kemi akoma plot probleme dhe mangësi. Pikërisht sepse përveç dobësive dhe të metave që janë tonat, mungesa e traditës së konsoliduar të shtetit dhe e një muskulature të mjaftueshme të organizimit shtetëror të republikës tonë, kanë peshën e tyre.

Atëherë si mund të mos bëjmë ne durim? Dhe po nuk bëmë ne durim, kush tjetër do ta gjejë durimin për ta lënë një institucion pa  asnjë traditë si SPAK, të rritet përmes lirisë dhe pavarësisë së vet edhe duke gabuar siç gabojmë të gjithë, por pa u sulmuar siç sulmohemi të gjithë.

Kjo është linjë ndarëse midis atyre që e duan me çdo kusht e me çdo çmim pavarësimin e drejtësisë për brezat që vijnë dhe atyre që nuk e kuptojnë që nëse sot, ne nuk e bëjmë këtë luftë, duke marrë të gjitha kostot, duke shtrënguar dhëmbët për të gjitha herët që na djeg lëkura, kjo mbetet një barrë për brezin tjetër. Shumë vite! Dhe Shqipëria mbetet tek dera e BE siç ka mbetur ndonjë vend tjetër që është harruar atje tek dera.

Prandaj ne, të gjithë ne që jemi pjesë e kësaj “Ne”-së me emrin Partia Socialiste duhet të jemi shumë të vetëdijshëm që nëse kjo dallga e sapongritur e drejtësisë nuk pasohet nga të tjera dallgë ajo thyhet. E nuk thyhet dallga, thyhet Shqipëria. Thyhet PS. Thyhet një shpresë, e cila do dojë shumë kohë pastaj të rilindë dhe të bëhet e besueshme. Nëse kjo dallgë thyet, korrupsioni rifiton shumë terrene të humbura në këto 10 vjet, falë reformave tona dhe sigurisht falë reformës në drejtësi. Po çfarë do të bëjmë ne, çfarë do të bëjmë unë bashkë me ju, PS, që drita e hapur në fund të tunelit 100 e kusur vjeçar të pandeshkueshmerise së të pushtetshmëve të këtij vendi, të zgjerohet përtej ishullit të SPAK dhe të  Gjykatës Speciale. Është një ishull. Sistemi i drejtësisë jashtë atij ishulli, rasti i evazorëve që kanë marrë strehim politiko-ekonomik në Prokurorinë e Tiranës është një ulëritës, por jo i vetmi.

Jo i vetmi. Përpara pak ditësh pamë një rast dhënieje të një prone shtetërore mijëra hektarëshe, jo qindra, mijëra hektarësh të destinuar për zhvillimin energjetik të vendit një subjekti privat pa letra. Vetëm me dëshmitarë. Nëse filloj i numëroj mund t’ju mbaj deri nesër.

Prandaj zgjerimi i fuqisë së drejtësisë përtej ishullit të SPAK është i domosdoshëm. Drita e sundimit të ligjit dhe mirëqeverisjes ku prokuroritë dhe gjykatat e pashkëputur akoma nga errësira e tunelit të së shkuarës, ku institucionet e shtetit janë ende të prekura nga korrupsioni dhe ku lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një luftë e organeve të drejtësisë, është pikërisht shtetbërja e plotë demokratike e Shqipërisë, përmes thellimit të reformave në funksion të mirëqeverisjes, anti korrupsionit dhe sundimit të ligjit

E thashë pa asnjë ekuivok. E përsëris dhe e ri përsëris se as korrupsioni në Shqipëri sot nuk është mundur si një fenomen shqetësues, as forca jonë qeverisëse nuk ka ende imunitet ndaj korrupsionit por po kaq, me plot gojën dua ta rinënvizoj se asnjëherë më parë korrupsioni nuk është luftuar si në 10 vitet e fundit pikërisht përmes reformash shtetbërëse dhe masave për krijimin dhe integrimin pjesë-pjesë të mekanizmave në korpusin e makinerisë shtetërore.

Qeveria dhe institucionet shtetërore nuk e luftojnë korrupsionin me denoncime në prokurori, të cilat s’janë asnjë pjesë, por vetëm një pjesëz e detyrës së tyre në këtë luftë. Madje janë një pjesëz që ka ardhur koha të shkëputet fare nga pushteti ekzekutiv sipas meje dhe t’i kalojë një tjetër agjencie të pavarur siç e kanë shumë vende europiane. Duke filluar nga Italia, e cila dihet çfarë historie të hidhur ka pasur me korrupsionin deri shumë vonë kur ndryshoi drejtim dhe qasje.

Ideja se qeveria dhe çdo institucion i linjës ekzekutive duhet të merret me hetime dhe denoncime është e vjetër, është dritëshkurtër dhe mbi të gjitha e pasuksesshme, në funksion të parandalimit të korrupsionit. 

E pakuptimtë fare pastaj është dhe ideja që kryeministri, ministri, kryetari i bashkisë duhet t’i mbajnë pishën tërë vartësve të tyre dhe duhet të dinë çdo gjë sepse në fakt, nëse do të provonin të bënin këtë do duhet të shpërdoronin detyrën duke futur hundët në procedura dhe procese që ligjërisht janë të pavarura prej tyre dhe për të cilat, përgjegjës para ligjit janë vetëm personat e autorizuar.

Kjo nuk do të thotë aspak se personat e autorizuar mund të bëjnë ç’të duan dhe të bëjnë dhe korrupsion duke menduar se nuk i kontrollon askush dhe duke shpresuar që nuk do t’i bjerë radha të shkojnë përpara drejtësisë.

Po ashtu, kjo nuk do të thotë as që vetëm drejtësia e ndan këtë punë dhe kush kapet, kapet dhe kush nuk kapet le t’i gëzojë paratë dhe vilat e bëra me korrupsion. Kjo do të thotë që përpara sesa t’i vijë radha drejtësisë, korrupsioni duhet të përballet me sisteme mbrojtjeje, mekanizma kontrolli, filtra transparence për të cilat kemi bërë përpjekje të mëdha dhe progres domethënës në këto vite.

Thashë që për t’i ngritur më tej këto sisteme, mekanizma e filtra do të shërbejë pa masë procesi i negociatave dhe futja përfundimtare e legjislacionit tonë në shtratin e legjislacionit të Bashkimit Europian.

Shtrirja kapilare e digjitalizimit të shërbimeve publike dhe ngritja e sistemeve inovative të ankesave janë shembulli më domethënës për të gjithë shqiptarët i, pikërisht, ngritjes së një sistemi mbrojtjeje të atyre vetë nga virusi i korrupsionit endemik që prekte këdo, kudo, gjithnjë kur ne morëm detyrën.

Përgjatë gjithë spektrit të shërbimeve publike, si për qytetarët dhe për bizneset është bërë një revolucion i vërtetë në ofrimin e shërbimeve dhe fuqia e korrupsionit ka rënë në mënyrë shumë domethënëse. Sot, 95% e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset kryhen nga celulari apo kompjuteri, që do të thotë konkretisht, vitin e kaluar shteti ka dhënë 13,2 milionë shërbime përmes portalit e-albania. E thënë ndryshe, janë shmangur 13,2 milionë ecejake, qëndrime në radhë, kontakte fizike me punonjësit e shtetit të cilat deri dje ishin kontakte infektive me virusin e korrupsionit.

Sot po përfundon dhe epoka e zymtë “ik te ajo zyra atje, hajde tek kjo zyra këtu, shko tek zyra tjetër dhe pastaj dhe tek tjetra që të plotësosh dokumentet për të marrë një shërbim”, sepse sot dokumentet për qytetarin dhe biznesin aplikues ka filluar t’i gjenerojë vetë baza elektronike e të dhënave shtetërore ku 61 sisteme për 68% të fushave të shërbimeve e bëjnë vetë të gjithë mbledhjen e dokumenteve që deri dje qytetarët dhe bizneset duhet ta bënin duke bredhur dhe duke paguar.

32 sisteme të tjera janë në fazën e përfundimit dhe të futjes në veprim dhe vitin e shkuar janë regjistruar 271 milionë veprime të bazës së dhënave për llogari të qytetarëve dhe bizneseve që përndryshe do të ishin 271 milionë dhimbje koke, siç ishin deri dje.

Së shpejti, asistenti virtual i e-albania që ka hyrë në veprim falë Inteligjencës artificiale do të futet në punë në versionin e ri me zë dhe me figurë dhe do t’i kryejë ai ose ajo, varet se cilin ose cilën do të zgjedhin aplikuesit për asistencë, të gjitha ato procese që sot aplikuesi i bën vetë, duke shkruar.

Shqipëria është cilësuar nga OECD, SIGMA dhe Komisioni Europian si një ndër shtetet në vijën e parë për plotësimin e standarteve të qeverisjes elektronike dhe parandalimin e korrupsionit dhe uljen e informalitetit përmes shërbimeve publike digjitale. Atëherë, çfarë mund të vihet në diskutim këtu për këtë progres domethënës?

Patjetër që nuk mjafton por që është dita me natën me ku ishim dhe që në këtë drejtim e kemi sprapsur në mënyrë të konsiderueshme korrupsionin e kudondodhur, këtë balta politike dhe ujerat e zeza mediatike mund ta mbulojnë sa shosha diellin, por, thënë kjo, unë i siguroj të gjithë ata që na dëgjojnë se jam shumë i vetëdijshëm se pa përfunduar dhe mbyllur të gjithë ciklin e Kadastrës në celularë dhe kompjuterin personal, këtij progresi i mungon arritja më e madhe dhe ky është vetëm një shembull që kur them kemi ende shumë për të bërë nuk bëj retorikë, por di dhe çfarë pikërisht duhet të bëjmë akoma për Shqipërinë e 2030.

Le të marrim një tjetër fushë ku hidhet shumë baltë politike dhe derdhen shumë ujëra të zeza mediatike për ta helmuar përditë miletin me idenë se çdo tender është një vjedhje, se prokurimet publike janë një farsë, se çdo fond publik bëhet para në dyshekë dhe kthehet në vila për të korruptuarit.

Dokumenti i diagnozës së detajuar të Komisionit Europian, procesi screening për Shqipërinë, vlerëson zhvillimet pozitive që ka sjellë shkalla e lartë e përafrimit në Bashkimit Europian dhe përdorimi i sistemeve elektronike në prokurim publik.

Fusha e prokurimit publik në Shqipëri ka vlerësim maksimal në raportin e fundit të SIGMA-s, që është një raport reference për Komisionin Europian dhe Shqipëria vlerësohet me pikët më të larta në të gjithë rajonin, por çfarë thonë faktet dhe shifrat? Kjo ka më shumë rëndësi se po të dëgjosh si batërdiset populli ditë-natë nga helmi i shpifjeve dhe akuzave të rreme, jo vetëm 5 veta i fitojnë të gjithë tenderat, jo dikur bëhej garë e sot nuk ka më gare, duhet të rrish natë-ditë me duar në kokë dhe të mos lëvizësh.

Në vitet 2009-2012, që kur filloi, ashtu çalë-çalë, si të gjitha ato që bëheshin asokohe prokurimi elektronik dhe disponohen të dhëna të regjistruara, numri mesatar i operatorëve ekonomikë që fitonin tendera publikë ishte rreth 1000. Në 10 vitet e fundit, ky numër është 2500 mesatarisht në vit, dy herë më i lartë, dy herë e gjysmë më i lartë. Tani, për ata që aritmetikën nuk e kanë “7x7=42” dhe që miliardat e eurove të vjedhura që i ngrenë e i ulin çdo ditë penxhereve, foltoreve, kanaleve, portaleve, ngaqë ose nisen nga qindra milionat që kanë vjedhur vetë dhe duan të na bëjnë me zor më të zi se veten ose recitojnë qorrazi ato që u kërkojnë këta apo ose sepse i nxin syri dhe u skuqet gjuha ngaqë thjeshtë duan të na largojnë nga detyra me çdo kusht, si i bie tani? Të jetë më i hapur, më i drejtë dhe më pak i korruptuar sistemi i garave për fondet publike, ku fitojnë vetëm 1000 kompani apo kur fitojnë 2500 kompani mesatarisht në vit? E kujdes se mos thonë, “epo aq kompani kishte atëherë, sot ka më shumë”.

Pa diskutim ka më shumë kompani sot por sot ka dhe shumë më shumë garë sepse çuditërisht, në vitin zgjedhor 2013 ku ata u sollën me shtetin si mercenarët që morën Kajron, të cilëve ju ishte thënë që po e morëm, e keni pazarin dy ditë pa roje dhe e ngritën në hava pazarin për ta çuar nga kishin ardhur, numri i kompanive që morën tendera nuk ishte 1000, ishte 2700. Si ka mundësi? Nga dolën? U hap diga, u hap diga e kontrollit korruptiv, u lanë më shumë fitues falë shpresës së kotë që do kënaqnin dhe ata që i trajtonin si qen dhe i s’kualifikonin sipas qejfit që të mbanin pushtetin. Vazhdojmë!

 Jo vetëm se u rrit ekonomia dhe u zgjerua biznesi por dhe pse u ul korrupsioni dhe u zgjeruan rrugët e konkurrencës, në këto 10 vite janë shtuar 6061 kompani të reja fituese tenderash me fonde publike, të reja.

Tani të vijmë pak tek ana tjetër, te kursimi i fondeve. Si rezultat i konkurrencës meqë ka një tjetër mit të madh se përveç 5 vetave që i marrin të gjitha fondet e shtetit dhe i ndajnë me hajdutët e Rilindjes, tenderat u jepen këtyre të 5-ve gjithmonë sa është fondi limit. Në fakt, jo vetëm nuk janë 5, po janë 25 mijë subjekte që kanë fituar tendera publikë në këto 10 vjet, por shuma e kursyer nga fakti kokëfortë i garës reale është 96 miliard e 603 milion e 818 mijë e 542 lekë, e thënë ndryshe 960 milion euro kursime për shtetin.

Atëherë, çfarë janë këto miliarda që vidhen?! Tenderat merren me çmimet më të ulëta. Shteti kursen 960 milion euro. Është e kundërta komplet e mitit që tenderat merren me çmimet më të larta dhe këto 960 milion eurot ndahen mes hajdutëve të Rilindjes. Jo! Këto 960 milion eurot janë të shkruara, janë aty, vit pas viti, në arkën e shtetit. Natyrisht unë s’kam shpresë që këto fakte dhe shifra do ulin baltën politike dhe prurjet e ujërave të zeza mediatike që i hyjnë shqiptarëve në fyt sapo klikojnë një portal të paguar me para të murrme apo hapin një kanal informimi të përmbytur nga urrejtja politike, por këto fakte dhe shifra i shërbejnë një të vërtete të madhe. Të vërtetës se lufta jonë kundër korrupsionit është shtet bërja përmes sistemeve që mbrojnë qytetarin, që mbrojnë biznesin, që mbrojnë paranë publike nga korrupsioni dhe janë një tjetër provë e madhe se në fushën e luftës kundër korrupsionit, shteti ka fituar shumë terren të humbur në vitet e asaj rrumpallës pseudo-demokratike.

Ndërkohë që e përsëris, lufta është larg së qeni e fituar. Prandaj duke u kthyer te prokurimet publike, ne nuk na mjafton kaq dhe shifrat që dhashë nuk duan të thonë që në prokurimet publike s’ka korrupsion. Absolutisht jo! Ne kemi hedhur një hap tjetër përpara. E ka hedhur kjo shumicë me propozim të qeverisë, me votë të këtij Grupi Parlamentar, për të krijuar Shoqërinë Publike të Operatorit të Blerjeve të Përqendruar e cila ka filluar punën zyrtarisht në 25 prill dhe do t’i kryejë ajo të gjitha prokurimet e ministrive dhe të institucioneve tyre të varësisë pra e thënë troç, asnjë ministër dhe asnjë strukturë e varësisë së tij, nuk do të ketë më asnjë lidhje me tendera, por do të merret vetëm me politikat sektoriale. Kjo shoqëri e ndërtuar sipas modeleve më të mira europiane, do të asistohet nga shoqëri partnere europiane, do të ofrojë shërbimet e veta dhe për të gjitha njësitë e pushtetit vendor, apo për institucionet e tjera jashtë varësisë së pushtetit ekzekutiv, të cilat ne nuk i detyrojmë dot me ligj, që të heqin dorë nga organizimi i tenderave.

Po ashtu, operatori i blerjeve të përqendruara, po ndërton një katalog digjital blerjesh të vogla për të gjitha institucionet publike që të mos bëjnë tendera për çdo tabelë të zezë, për çdo karrige zyre, për çdo tavolinë, po të blejnë direkt nga katalogu i quajtur “Albzone’, një lloj “Amazon-i” i mallrave për të gjitha shërbimet mbështetëse për të gjitha institucionet e shtetit, duke kursyer kohë, duke kursyer para, por mbi të gjitha duke i mbyllur derën korrupsionit.

Nga ana tjetër, po punohet nga AKSHI në bashkëpunim me Microsoft dhe me ndihmën e vyer të ekipit të Mira Muratit, për modelin revolucionar të prokurimeve me inteligjencë artificiale, i cili do ta mbyllë përfundimisht dhe epokën e vështirë, problematike të ngritjes çdo vit të mesatarisht 5 mijë komisione tenderash, me 3 deri në 4-5 veta. Pra le të themi, mesatarisht 20 mijë njerëz në gjithë administratën shtetërore, futen nëpër komisione, vlerësojnë oferta që jepen nga të 4 anët, për të realizuar shërbimet kapitale, shpenzimet operative dhe parafytyroni vetë, se nga çfarë barre burokratike dhe sa shumë andralla të lidhura jo vetëm me korrupsionin, por dhe me pamundësinë e njohjes së plotë juridike të procesit të Prokurorimit nga 20 mijë veta që janë vlerësues ofertash, po as me ligj nuk është e detyruar të jenë të gjithë juristë, gjë që krijon probleme nga më të ndryshmet, përfshirë dhe përhapjen e frikës së fundmi, për të firmosur edhe për gjëra bazike, si rezultat i rritjes së presionit të drejtësisë.

Ky model prokurimi me inteligjencë artificiale, do të jetë një shkelm dërmues për korrupsionin. Do ta bëjë Shqipërinë një shembull ekzemplar, të shkëlqyer, mes shembujve të vendeve në zhvillim, ku teknologjia digjitale mundëson çudira gjithnjë e më të paimagjinueshme deri vetëm pak vite më parë, dhe ku pikërisht vende si Shqipëria, mund të lëvizin shumë më shpejt përpara sepse nuk kanë institucione dhe mekanizma burokratikë të konsoliduar me shekuj si vendet më të zhvilluara të Europës.

Edhe një fushë tjetër, se tani u bë vërtet fjalimi më i gjatë i karrierës sime deri sot dhe nuk dua të bëhet një rekord edhe për Kongresin Amerikan, kur fillojnë ato fjalimet për të bllokuar Kongresin me kohëzgjatje me orë të tëra dhe kur rekordi është 24 orë e 18 minuta, përpos që s’mund t’iu mbaj deri nesër duke i prekur të gjitha fushat ku kemi bërë progres në luftën kundër korrupsionit.

Dëgjova drejtuesin e SPAK-ut në raportimin e tij përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë kur tha se kanë rënë denoncimet për korrupsion nga institucionet shtetërore. E thashë më lart dhe besoj e shtjellova pse misioni bazë i pushtetit ekzekutiv në luftën kundër korrupsionit nuk është dhe s’mund të jetë hetimi i brendshëm i korrupsionit, por hartimi dhe zbatimi i masave sistemike, që adresojnë problematika sistemike dhe ngushtojnë sistematikisht hapësirat për korrupsion përmes mekanizmash që janë jo subjektiv, duke zvogëluar subjektivitetin e individit si fuqi për të ndikuar procese, i nxitur nga korrupsioni. Unë besoj dhe këtë e kemi diskutuar me ministrin e Drejtësisë, e kemi diskutuar dhe me ministrin e Shtetit për Anikorrupsion, se një arsye e rënies së një lloji të caktuar denoncimesh për korrupsion nga institucionet, është në fakt impakt parandalues që ka filluar të japë dhe vetë veprimtaria e SPAK-ut.

Megjithatë nuk e solla në vëmendje opinionin e drejtuesit të SPAK-ut për ndonjë replikë, thjesht për një qasje tjetër, por për të rrëzuar me fakte dhe me shifra pretendimin e shumë përsëritur të kundërshtarëve tanë dhe të altoparlantëve të tyre, se rastet që zbulojnë hetimet e SPAK-ut janë rrufe që bien në një territor ku s’bëhet asgjë për të pastruar ferra dhe për të kapur derra që llokoçiten në moçalin e korrupsionit.

Në vetëm 2 vitet e fundit, Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ka dhe një rrjet koordinatorësh antikorrupsion në 44 institucione dhe agjenci në varësi të ekzekutivit, ka urdhëruar 532 masa disiplinore për shkelje, ka bërë 263 rekomandime për ndryshime të natyrës ligjore, rregullatorë apo institucionale dhe ka dorëzuar në Prokurori, 48 kallëzime penale.

Nga ana tjetër, nëse në vitin 2012 janë arrestuar, janë ndjekur me masa e të tjerë nga vetë Policia e Shtetit vetëm 270 efektivë të përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe korrupsion në këto vite të qeverisjes sonë, numri i të arrestuarve, nuk po flas për të tjerët, është trefish, 737 efektivë policie. Nga korriku i vjetshëm, në prillin e këtij viti, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore që e ristrukturuam mbi SHKB-në e vjetër edhe e modernizuam, ka bërë 2270 referime në Prokurori me 349 punonjës te referuar dhe 65 efektive policie të arrestuar përfshirë edhe për korrupsion.

Shpresoj që shembujt që solla të shërbejnë  për gjithë ata që ndershmërisht kanë krijuar idenë se ne kemi fjetur gjumë në këtë aspekt dhe këto që kanë ndodhur së fundmi me hetimet e SPAK-ut për zyrtarë të lartë nuk tregojnë as se si që ne e kemi lënë administratën jashtë vëmendjes dhe syrit të luftës anti-korrupsion. Perceptimi nuk është gjithnjë realitet, por edhe mohimi i perceptimit nuk e ndryshon realitetin. Kështu që unë nuk dua ta mohoj fare perceptimin e përgjithshëm se korrupsioni është një fenomen shqetësues ende sot. Po as nuk mund ta pranoj kurrsesi se realiteti i korrupsionit sot është i njëjti, lëre ca që thonë, “edhe më keq”. Jo! Realiteti i korrupsionit sot është realitet i një kërcënimi nga një armik që është çdo ditë nga pak në zbythje, sepse është një e pavërtetë shumë e madhe, për të cilën zhurmojnë gojët e paepura të atyre që nuk kanë lënë asgjë pa thënë kundër nesh, për qëllime politike, nuk kanë lënë sajesë, shpifje, fabrikim pa amplifikuar. Të thuash të kundërtën. Deputetë, deputete, ministra, ministre, e nderuar Kryetare e Kuvendit, të pavërtetat për ne dhe për punën tonë nuk mund të bëjmë tjetër veçse t’i kundërshtojmë me fakte dhe me argumentet tona, por natyrisht e kemi mësuar tanimë se kush do të besojë atë që do dhe jo atë që duhet besuar, nuk do ta do ta ndryshojë opinionin e  krijuar nga të pavërtetat.

Ndërkohë për të adresuar të vërtetat, në këtë rast ato që nuk na pëlqejnë në lidhje me praninë ende shqetësuese të korrupsionit me domosdoshmërinë e forcimit të sundimit ligjit, si dhe me nevojën e rritjes së standardit të mirëqeverisjes ne duhet të angazhohemi sot për ngritjen e një dallge të re reformimi institucional, me përfshirjen e të treja pushteteve të pavarura kushtetuese të kësaj Republike.

Kjo është edhe një domosdoshmëri që buron edhe nga dokumenti  i diagnozës së Komisionit Europian për Shqipërinë, si dhe nga të gjitha detyrat e procesit të anëtarësimit.  Të gjithë duhet ta dinë se në Bashkimin Europian nuk do të integrohet qeveria e Shqipërisë, po shteti shqiptar si një i tërë, me legjislacionin dhe të gjithë institucionet e veta, përveç qeverisë në tryezën e negociatave të anëtarësimit janë edhe 27 institucione të pavarura që kanë detyra konkrete dhe thellimi i luftës ndaj korrupsionit dhe krijimi i mëtejshëm i të gjithë atyre mekanizmave dhe filtrave për të cilat fola është pikë prerja që lidh të gjitha pjesët përbërëse të palës shqiptare në dokumentin e diagnozës së Komisionit Europian, ku ka një detyre horizontale për të treja pushtet e pavarura. Rezultate të mëtejshme kundër korrupsionit, përmes vetërefomimit dhe harmonizimit të përpjekjeve.

Vetëm nëse e përballimin sfidën e anëtarësimit si një trup i vetëm i shtetit shqiptar, ne mund t’ia dalim të jemi plotësisht gati pa e pritur dekadën tjetër për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Sikundër e thashë dhe në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare ne sot jemi gati për t’i paraqitur Grupit parlamentar një projektrezolutë të Kuvendit të Shqipërisë që të nisim përpjekjen për këtë angazhim gjithë përfshirës, ku pa dyshim nuk mund të mendohet që mund të përjashtohen opozitat politike  në Kuvend, por edhe jashtë saj.

Thirrja ime sot për të gjithë  ata që janë kundër nesh është shumë e thjeshtë besoj, ne nuk ju ndryshojmë dot juve, prandaj luftën tuaj politike vazhdojeni si ta mendoni ju, me të gjithë arsenalin e mirënjohur prej vitesh që dispononi, por le ta krijojmë një hapësirë jashtë territorit të kësaj lufte, një zonë të ndaluar për sharjet dhe sherret e kësaj jete të ulët politike ku jemi të ngërthyer secili në mënyrën e tij, një vend pune të përbashkët, me aleatët tanë strategjik Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara me ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare me të gjitha institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, grupet e interesit për të adresuar jo dallimet tona  të papajtueshme politike, as interesat tona të paafrueshme partiake, por procesin e mëtejshëm të shtet bërjes europiane të Shqipërisë duke analizuar me sa më shumë objektivitet të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë të re, si dhe identifikuar hapa që duhen marrë dhe masa që duhen ndërmarrë. Tani ju thoni se e keni shumë seriozisht që doni të vini në pushtet dhe pavarësisht se çfarë mendojmë ne për këtë dëshirë tuajën unë ju them se zgjedhjet janë vitin e ardhshëm dhe nëse me gjithë mend do vini në pushtet, atëherë ju duhet të jeni të parët që të jeni të interesuar për këtë iniciative, sepse bota do të vazhdojë të rrotullohet edhe pas zgjedhjeve të ardhshme.

Ora biologjike mund të ndalë largqoftë për secilin prej nesh, por s’mund të ndalë për të gjithë ne dhe çfarëdo çudie të na sjell koha deri në zgjedhje, përsëri do të ketë opozitë, përsëri do të ketë qeveri, ku forcat ekzistuese të Parlamentit të sotëm do kenë rolin e tyre.

Kështu që konsiderojeni këtë iniciative tonën si mundësinë tuaj, për të filluar të mendoni se çfarë duhet të bëni për shtet bërjen europiane kur dëshira juaj që të vini në pushtet të plotësohet dhe ju të jeni qeveria dhe kijeni parasysh që kjo iniciativë kërkon një punë të madhe, ende më të madhe sesa puna për reformën në drejtësi, çka do të thotë që do të marrë disa vjet.

Tani personalisht mua dhe neve që jemi këtu dhe që na gënjen mendja që do të jemi këtu edhe 5 vjet të tjera të paktën, iniciativa na duhet për Shqipërinë e 2030, kur me ndihmën e Zotit, duam ta ngremë flamurin kombëtar në Bruksel dhe do të jetë i pari në radhën e Shteteve anëtare të Bashkimit Europian se rasti, fati e ka dashur që Albania, fillon me A, të tjerat fillojnë me gërma të tjera. Prandaj uroj që ta kuptoni këtë herë e në politike ka edhe udhëkryqe  kur drejtimi për t’u marrë është i njëjtë, pavarësisht nga dallimet dhe kush refuzon ta marrë për inat të tjetrit humbet rrugën dhe harxhon shumë kohë për tu kthyer po aty. Eksperienca juaj duhet t’ju thotë diçka për këtë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?