Opinion

Fjala e PLOTË/ Rama në Asamblenë e PS: S’e nxjerrim artilerinë tonë kundër SPAK-ut apo GJKKO-së! 'Bebja' s’hidhet poshtë bashkë me ujin e pisët (VIDEO)

11 Shtator, 17:03| Përditesimi: 11 Shtator, 17:23

  • Share

*Fjala e plotë e kryesocialistit Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS, 11 shtator 2025.

***

Legjendari Loro Boriçi iu dha kinezëve një parullë epike kur tha, ‘’Shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë’’, kurse sot unë mendoj që shiu ka punën tonë se po bie me të madhe për të lajmëruar bereqetin e punës për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian!

E nderuar, Asamble Kombëtare, jemi mbledhur në këtë takim të parë të 4-vjeçarit tonë më sfidues për të çelur kapitullin e mandatit tonë të 4-t qeverisës i cili nis zyrtarisht pas pak ditësh me betimin e Kuvendit dhe me votëbesimin e qeverisë së re, por do të na duhet të adresojmë menjëherë këtu edhe emergjencën e krijuar në drejtimin e Tiranës për arsyen e ditur botërisht. Nuk mban më, ama dua të them që në fillim sa më qartë , atë që besoj duhet te ndajmë të gjithë së bashkë mbi çështjen e drejtësisë dhe raportin tonë me të.

Ne, Partia Socialiste nuk kemi hyrë në asnjë rast dhe për asnjë rast në meritën e një çështjeje të drejtësisë, aq më tepër kur drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e saj. Nuk e kemi bërë këtë dhe nuk do ta bëjmë asnjëherë, duke bërë avokatin e kujtdo ndër njerëzit e kësaj familjeje të madhe politike që hetohet apo ndalohet nga drejtësia, edhe kur mund të mos na duket e drejtë. Nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi të paktën përsa kohë unë do të jem në krye të kësaj familjeje të madhe, asnjë pendesë për lirinë dhe për pavarësinë që i kemi dhënë drejtësisë me reformën në drejtësi dhe mbi të gjitha me tërheqjen historike të pushtetit të shumicës nga fusha e pushtetit gjyqësor. Përmes reformës i kemi larguar me vetëdije të plotë, duart e ekzekutivit nga çdo proces seleksionimi, zgjedhjeje, promovimi apo shkarkimi i prokurorëve dhe i gjykatësve dhe po ashtu, nga çfarëdo forme kontrolli mbi aktivitetin e tyre.

Ia kemi lënë pushtetit gjyqësor, t’i qeverisë vet punët e veta përmes organeve të parashikuara nga reforma në drejtësi dhe të zgjedhura krejtësisht jashtë vullnetit të partive politike. Prandaj, kush flet për kapje, kontroll apo ushtrim të pushtetit të drejtësisë nga ana jonë, me urdhra nga lart apo me presione rreth e rrotull, ose nuk di ça flet, ose nuk do të pranojë të vërtetën shumë të madhe, të një ndryshimi që  në historinë e këtij vendi do të shënohet si epokal, për një vend ku kurrë, asnjëherë, fare, hiç, s’ka pasur pavarësi të prokurorëve dhe të gjykatësve nga cilido pushtet politik i radhës.

E kam ditur dhe me siguri, si dhe të tjerë këtu, që kjo tërheqje e plotë nga fusha e gjyqësorit, do të sillte dhembje dhe do të na bënte edhe dëshmitarë të një lindjeje dhe një rritjeje të vështirë, të krijesës së një drejtësie të pavarur në shtratin e përgjakur dhe të pistë të drejtësisë që për 100 e kusur vjet, nuk qe kurrë as e lirë, as e pavarur, as e paanshme. Ne, do t’i durojmë të gjitha dhimbjet e këtij procesi historik pavarësimi të drejtësisë, qoftë kur ato dhembje vijnë nga rënia e atyre mes nesh në mëkatin e përfitimit të paligjshëm, apo nga rënia e atyre që hetojnë dhe gjykojnë të pavarur prej nesh, në mëkatin e forcës disproporcionle, ne do të durojmë. Ne do të durojmë qoftë dhe kur ato dhembje vijnë nga helmi i atyre të tjerëve që na akuzojnë se ne kemi kapur këtë drejtësi e cila në fakt, për herë të parë në historinë e Shqipërisë po godet njerëz me pushtet politik; ne do të durojmë pa u lëkundur në bindjen dhe në misionin tonë demokratizues, europianizues, modernizues, ku kjo e drejtësisë është prova më e egër e zjarrit për Partinë Socialiste në shërbim të Shqipërisë së gjeneratës tjetër.

Forca  jonë e madhe i ka hapur një shteg historisë së drejtësisë, e unë jam krenar për Partinë Socialiste e cila në këtë temë madhore të shtet-bërjes evropiane, thotë atë që bën dhe bën atë që thotë për lirinë, pavarësinë, mbështetjen e madhe politike dhe financiare, pa kushte dhe pa luhatje të prokurorëve dhe gjykatësve në tërësi dhe në veçanti, të atyre me status special, në betejën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Nuk jemi lëkundur deri më sot në ketë rrugë, nuk do të lëkundemi as sot, pavarësisht faktit të njohur botërisht se përtej arritjeve të pa diskutueshme, pushteti i ri i drejtësisë shfaq hera-herës shenja sëmundjesh të vjetra. Ato sëmundje godasin rrugët e frymëmarrjes së lirisë njerëzore dhe dëmtojnë shëndetin e organizmit demokratik të vendit.

Pushteti i drejtësisë mban ende në radhët e veta, lart e poshtë nëpër Shqipëri, prokurorë dhe gjykatës jo pak, dritëshkurtër, mendjengushtë dhe nganjëherë me një mungesë ulëritëse integriteti, të cilët e bëjnë të bardhën të zezë ndërkohë që qeverisja e pavarur e sistemit, reagon sikur fle në këmbë. Rasti i kohëve të fundit, ku disa prokurorë dhe gjykatës të tillë, i kanë rënë ndesh interesit publik me një verbëri dhe brutalitet të frikshëm duke mbajtur anën e zaptuesve të hapësirës publike, është emblematik. Dhe kur shikon se si individë të cilët paguhen nga taksat tona, ku e ku më shumë se sa mësuesit apo se sa mjekët dhe infermierët, e përdorin pavarësinë e tyre për të goditur pabesisht interesat e shtetit dhe të familjeve të një lagjeje të tërë banimi, të zë lemeria nga rishfaqja e drejtësisë së vjetër me një fytyrë të re dhe në këtë pikë e vërteta e madhe është se nuk bëjnë përjashtim as vetë SPAK-u, krenaria e vetme deri më sot e zbatimit të reformës në drejtësi dhe as Gjykata Speciale jo se jo, e cila nuk po del ende nga hija e SPAK-ut.

Edhe të dyja këto institucione na kanë dhënë publikisht në më shume se një rast edhe arsye për tu habitur, por edhe arsye për tu shqetësuar shumë seriozisht. Mosrespektimi i prezumimit të pafajësisë, intimidimi i personave të ashtuquajtur në dijeni, paraburgim si presion publik dhe juridik, nxjerrja e të dhënave hetimore rrugëve me qëllim për të linçuar dhe paracaktuar në pazar fatin e personave të hetuar, marrja forcërisht e rolit të institucioneve të tjera ligj zbatuese nga prokurorët apo dalja dëmtore e gjykatësve nga roli i garantit të barazisë para ligjit, për të marrë rolin e noterit të prokuroreve ose ndonjëherë të super prokurorit, janë shenjat e sëmundjeve të trashëguara nga trupi i kalbur i drejtësisë së vjetër 100 e ca vjeçare tek organizmi fëmijëror i drejtësisë së re 7 vjeçare.

Por kujdes, kura për këto sëmundje nuk është kurrsesi kthimi mbrapa nga rruga e pavarësimit të drejtësie, në asnjë mënyrë. Duhet durim i madh strategjik për t’i dhënë kohës kohë, me bindjen se institucionet demokratike nuk rriten më shpejt se fëmijët, madje ato rriten shumë më vonë se fëmijët. Duhet largpamësi për të mos bërë asnjë hap pas në raport me drejtësinë dhe pavarësinë e saj sepse çdo hap i tillë sot do të kishte si pasojë nesër, kushedi se sa më shumë hapa larg nga drejtësia europiane e gjeneratës tjetër.

Shpeshherë mua më pyesin edhe shokë dhe shoqe këtu, si mund të durohen pa lënë dy gurë bashkë padrejtësitë e organeve të drejtësisë kur ato bien deri dhe te tek dikush me të cilin kemi ndarë ditë të mira dhe të këqija në llogoren e përbashkët. Si xhanëm edhe kur padrejtësia në trajtimin e rastit duket açik, ku e ku më e trashë sesa filli i drejtësisë, prapëseprapë u dashka të durojmë. E di që përgjigja ime shumëkujt këtu nuk i duket përgjigje edhe pse sa për sy e faqe bën sikur bie dakord, por unë nuk e gjej dot një përgjigje më të lehtë. Sipas meje, pikërisht pse ne kemi hyrë jo me zor, por me dëshirë në këtë llogore të përbashkët të politikës me flamurin e Partisë Socialiste dhe kemi zgjedhur të punojmë për Shqipërinë e nesërme nuk kemi asnjë mundësi dhe mbi të gjithë asnjë të drejtë ta kthejmë llogoren e përbashkët në një rifuxho për të marrë në mbrojtje këdo qoftë dhe as të nxjerrim artilerinë tonë kundër SPAK-ut apo GJKKO-së. Dhe po, përfshirë dhe në rastet kur për dikë sipas nesh po bëhet një padrejtësi.

Fatkeqësisht për ne nga ana njerëzore po fatmirësisht për Shqipërinë dhe për Partinë Socialiste, sepse sado e padrejtë, madje ndoshta absurde mund të duket kjo që thashë po të mos e lësh mënjanë anën njerëzore do të ishte i pariparueshëm për më shumë se një dekadë tjetër demi që artileria jonë do t’i bënte Shqipërisë së nesërme. Kauzës së madhe epokale të pavarësisë dhe transformimit europian të drejtësisë të ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë si garancia e vetme nesër e një sistemi të pavarur, të drejtë funksional drejtësie të barabartë për të gjithë fëmijët e sotëm të Shqipërisë. Ky është durimi shtet bërës strategjik që duhet ta kalisë kushdo ka marrë përsipër të jetë pjesë e grupit udhëheqës të kësaj partie me vetëdijen që deri kur institucionet e reja të drejtësisë do të qëndrojnë fort mbi këmbët e veta, kjo parti është i vetmi garant i pavarësisë së tyre, po nuk iu dhamë atyre institucioneve te dobëta ende shumë të dobëta kohën që iu duhen të rriten, ndërgjegjësohen dhe të aftësohen ashtu siç duhet, gjithë kjo përpjekje do shkojë dëm, por më keq akoma do shkojë dem gjithë ëndrra dhe pritja e shqiptarëve për të pasur një drejtësi më në fund të pavarur nga pushteti politik.

Për fat shumë jo të mirë koha që iu duhet atyre institucioneve që të rriten përfshin detyrimisht edhe kurimin me kosto shumë të larta njerëzore të atyre sëmundjeve të trashëguara që përmenda më lart dhe këto kosto janë në lëkurën tonë dhe ky është guri më i madh mbi kurrizin tonë.

Është shumë e vështirë ta ruash durimin deri dhe kur njerëz të zakonshëm krejt të pafajshëm, të thirrur si persona që janë në dijeni për X, Y çështje të vijnë në derë të llahtarisur nga ca presione psikologjike revoltuese që mua më kujtojnë hetuesit injorantë të Maks Velos, apo kur dikujt puna delikate e të cilit në një sektor të caktuar flet me rezultate kuptimplota i nxirret vendimi nga Gjykata për ta pezulluar nga çdolloj funksioni publik jo me ndonjë provë apo mbi ndonjë fakt korruptiv, por mbi bazën e një hipoteze kreative se ky njeri paska pasur në mend diçka penalisht të dënueshme dhe duhet të pezullohet nga çdo funksion publik, ti ngrihet akuzë në gjykatë dhe kismet se kur Gjykata bashkë me prokurorin kreativ do ta gjejnë se çfarë kishte në mëndje ky.

Unë nuk kam fare qëllim këtu që të merrem me raste, por ja kështu është kjo histori, një këtu, një atje, një dje, një nesër, këto janë shenjat e dhimbshme të sëmundjeve të trashëguara në trupin prej fëmije të drejtësisë se re. Kostoja njerëzore e kurimit të tyre është shumë e lartë, në radhe të parë për këdo që i bie për hise të jetë një kavje eksperimentale e procesit të pavarësisë, pastaj dhe për ne sigurisht që kemi hisen të qëndrojmë pa zë apo të flasim duke qëndruar larg dhe me duart mbrapa dhe kur ato sëmundje godasin befasisht, vrazhdësish jetë dhe dinjitete njerëzore. Por dhe ky është një “por” i madh kush nuk është dakord me këtë qasje të dhimbshme, nuk është për këtë punë, nuk duhet të merret me politikë në llogoren e Partisë Socialiste. Ka të gjithë të drejtën e vet të ketë një qasje tjetër, por jo në radhët e udhëheqjes së Partisë Socialiste.

“Bebja nuk hidhet poshtë bashkë me ujin e pisët”, thotë një fjalë e mençur e fqinjëve tanë matanë Adriatikut dhe në këtë rast duhet pikërisht durim heroik dhe kujdes prej okulisti që uji i pisët të pastrohet ngadalë, të pastrohet nga vetë institucionet e vetëqeverisjes së gjyqësorit në radhë të parë, sepse pastrimi i atij uji të pisët është pjesë e misionit të tyre publik dhe ligjor. Ndërsa pjesë e jona është ta mbështesim përmirësimin e sistemit të drejtësisë me ligje të reja. Po edhe këtu ka një “por” tjetër sepse asnjë ndryshim në legjislacionin e drejtësisë sado i nevojshëm të duket këtu për ne, nuk ka për të ndodhur me votat tona, pa marrë dritën jeshile nga Komisioni Europian.

Në mbyllje të kësaj paranteze të gjatë, por të pashmangshme sipas meje, dua të nënvizoj që jam plotësisht i vetëdijshëm, se kjo që kemi është ende larg nga drejtësia që i duhet Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian dhe që meritojnë njerëzit e këtij vendi të sakatuar në shekuj nga padrejtësitë, por nuk duhet të kemi asnjë iluzion dhe nuk duhet të këtë nga askush në këtë sallë asnjë iluzion, se s’ka asnjë rrugë tjetër, nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç asaj të vendosmërisë dhe durimit shtet bërës. Të gjitha rrugët e tjera të nxjerrin mbrapsht të gropa e vjetër thithëse e historisë, ku drejtësia lëngoi për 100 e kusur vjet pa nam prokurori dhe as nishan gjykatësi të pavarur dhe si pasojë pa asnjë rast në historinë më shumë se një shekullore të një individi të lidhur me pushtetin politik, të hetuar apo dënuar jashtë pushtetit të vullnetit të pushtetit politik.

Vijmë tek emergjenca e Tiranës;

Pas 7 muajsh Tirana nuk ka asnjë kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës, asnjë kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia, lidhur detyrën. Sot kemi një kryetar të zgjedhur 3 herë nga populli i kryeqytetit, të cilit i është mohuar e drejta e gjykimit në liri, i është bërë një gjyq i gjatë, gjysmë të vërtetash në tezgat e pazarit mediatik dhe në pasqyrat e gjykatave sociale. Madje në shkelje të hapur të ligjit dhe të çdo zakoni, janë nxjerr nga brenda në ato tezga edhe bisedat me familjarët, nga telefoni i burgut. 

Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik, diktatorial jo e jo, është shkelja më e hapur, më flagrante, më brutale në shpërdorim total të detyrës nga ana e atyre që duhet të mbajnë në kontroll materialet hetimore, po kjo është temë tjetër.

Tema jonë këtu është që askush nuk di ta thotë sa mund të zgjasë kjo histori drejtësie me pikëpyetje, pikëçuditëse, pikëpresje, ndërkohë, asnjë zëvendësues i pa votuar nga populli i kryetarit të bashkisë, edhe sikur të bjerë nga qielli nuk mund ta ketë legjitimitetin demokratik dhe forcën e brendshme që nevojitet për ta udhëhequr për një kohë të gjatë, dy vjet, në drejtimin e duhur, bashkinë e kryeqytetit të një vendi.

Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta për ditë e për natë. Unë nuk i heq absolutisht asnjë meritë kryetares në detyrë, për sa ka bërë në këta 7 muaj anomalie totale institucionale të paprecedent për kryeqytetin. Përkundrazi, e falënderoj për përkushtim, por sot ne duhet të marrim vendim, një vendim politik, për t'i hapur rrugë zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie në Tiranë.

Përfaqësuesit tanë në këshillin bashkiak duhet të vënë në lëvizje mekanizmi ligjor të shkarkimit të krye bashkiakut të zgjedhur, pavarësisht dhe kjo duhet parë nga Parlamenti i ri, se kuadri ligjor lë për të dëshiruar për rastin kur kryetari i bashkisë nuk paraqitet në detyrë, jo se ai nuk do të paraqitet, por se është i penguar nga paraburgosja.

Nuk është një propozim që unë e bëj me zemër të lehtë, prandaj i kuptoj të gjithë ata që mund të mos ndihen mirë nga marrja e një vendimi të tillë, por Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngryset pafundësisht si një trup pa kokë dhe qytetarët e Tiranës nuk duhet të presin më as 7 ditë tjera, pa e ditur se ç'do të bëhet me drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Të dashurit e mi, unë kam shumë besim që për shumë arsye, të cilën mendoj se nuk ka nevojë t'ua shtroj një për një, sepse të gjithë e njohim, e çmojmë nga afërsia e punës me të, ose nga distanca, por gjithnjë me respekt për integritetin në kryerjen e çdo detyre, për profesionalizmin e spikatur dhe mbi të gjitha, pastaj për përkushtimin e veçantë ndaj shërbimit publik, luajalitetin ndaj kolegëve, kujdesin ndaj bashkëpunëtorëve dhe njerëzve të kësaj familje të madhe dhe për vëmendjen, pavarësisht nivelit dhe shtresës sociale ndaj çdo njeriu nëpër Shqipëri, që e kanë lidhur detyrat në tërë këto vite punë, që Ogerta Manastirliu është njeriu që i duhet sot Tiranës.

Ogerta është forca e qetë e tironses, denbabaden, e punonjëses dhe më tej drejtueses së dikurshme të punëve sociale në Bashkimin e Tiranës, e gruas dhe nënës që ka rritur vajzat e saj të shkëlqyera në këtë qytet, e qytetares dhe menaxheres shembullore që nevojitet në këtë situatë, për të kuruar plagët e hapura të qeverisjes së çalë të këtij viti, tejet të vështirë për kryeqytetin, si dhe për të çuar përpara punën tonë transformuese për Tiranën 2030, kryeqytet i Europës së Ballkanit.

E dashur Ogerta, e di që nuk do ma falësh kollaj për një kohë, mbase më të gjatë kësaj here, këtë bombë të pa lajmëruar, por Shqipëria ka nevojë për Tiranën si treni për lokomotivën dhe Tirana ka nevojë për Partinë Socialiste si lokomotiva për servisin e vet të vetëm.

Prandaj, Partia Socialiste nuk ka më as si pret, as ça pret për ta rivënë lokomotivën në lëvizje me ritmin e saj më të lartë, duke ngjitur në kabinën e drejtimit makinistin e duhur.

Duhet të më besosh ti dhe duhet të më besojnë të gjithë, nuk kemi ku edhe pse e kërkojmë një profil dhe person më të përshtatshëm për t'i kërkuar popullit të Tiranës mbështetjen e tij dhe për t'i dhënë lokomotivës së Shqipërisë shpejtësinë e saj më optimale. Kështu që është radha jote, e nderuar dhe e dashur Ogerta, ta udhëheqësh Tiranën me ambicien, qetësinë që të ka karakterizuar në të gjitha detyrat sfiduese, ku ke spikatur deri tani. Ndërsa detyra jonë është të të mbështesim, fillimisht duke u vënë në rresht pas teje për të marrë votëbesimin e merituar nga komuniteti i madh i kryeqytetit për kandidaturën bindëse të Partisë Socialiste, siç morëm edhe falë drejtimit tënd të mençur një mandat më shumë në 11 maj, duke realizuar objektivin për Tiranën.

Shok dhe shoqe!

Nga reflektimet për të shkuar në thelbin e sfidës së këtij mandatit të katërt, dua të ndaj me ju mendimin tim se më 83 mandatet që na dhanë shqiptarët, ne nuk kemi asnjë zgjedhje tjetër përveçse të prodhojmë një fuqi për ta drejtuar Shqipërinë si të ishim në mandatin e parë! Me energji të reja, me ide të reja, me aftësi të reja, patjetër, por jo vetëm kaq.

Duhet të kërkojmë tek vetja një domosdoshmëri të brendshme, një shtysë, një forcë nxitëse për ta parë çdo gjë që kemi bërë jo me syrin e kënaqur të atij që e ka bërë vetë, por me një sy tjetër. Ne na duhet syri i atij që e kanë ngarkuar për ta bërë si duhet një punë të bërë jo mirë, jo mjaftueshëm, jo kënaqshëm nga dikush tjetër. Tamam kështu. Na duhet një vullnet i ri për të sjellë me mandatin e katërt një qasje, një forcë, një aftësi si të ishte i pari. Duke nxjerrë nga vetja, një vete të re. Nuk na mjafton një grup i ri parlamentar për të bërë ca ligje të reja, apo një qeveri e re për të bërë disa gjëra të reja. Na duhet një qasje e re ndaj problemeve të vjetra dhe ndaj sfidave të reja. Një forcë kompakte, një vëllazëri politike, e cila funksionon me të njëjtën ambicie dhe me disiplinën e një skuadre kampione. Skuadrat kampione janë fuqia e talentit dhe e disiplinës që ushqehet çdo ditë nga ambicia për tu bërë më të fortë. Na duhet kjo mendësi në çdo fushë, qeveri, parlament, në çdo bashki. Një makineri e pandalshme reformash, projektesh, punësh të mëdha, të vogla, inovacione teknologjike, thithje të vazhdueshme të burimeve të mira njerëzore brenda dhe jashtë vendit.

Kjo nuk është vetëm si e mendoj unë teorikisht nga ana ime këtë mandat, por si unë po e stërvit veten time, ka nja 3 muaj tanimë, për këtë mandat. Po mësoj dhe është e vështirë t’i shoh dhe po mundohem, është shumë e vështirë që t’i gjykoj arritjet e derisotme nga një kënd i kundërt me këndin ku i kam parë tërë këto vite. Po të thosha nga këndvështrimi i një opozitari, do të duhej të bëja vetëm një sqarim të vogël, një opozitar komplet ndryshe nga ata që bëjnë opozitën e pasuksesshme ndaj nesh. Një opozitar që as nuk ka ardhur nga Hëna të shpëtojë Shqipërinë nga ne, as nuk ka qilima fluturues për t’i shitur shqiptarëve të shkojnë në Hënë.

Këtu ka shokë dhe shoqe të një rruge të gjatë, të cilëve duhet tu them që kush nuk është gati ta përdorë me një sy të ri kritik, kërkues, sfidues, pasqyrën ku shikon veten si pjesë e familjes sonë, gjithmonë sipas vendit që ka pasur në tryezën e përbashkët të kësaj trupe udhëheqëse dhe pastaj gjitha punët e përbashkëta të familjes sonë, duhet të stërvitet shumë fort. Duhet të stërvitet pa humbur kohë sepse nga të gjitha gjërat më kryesore, ajo që nuk kemi është koha, ndërsa shokëve dhe shoqeve që vijnë kështu për herë të parë dhe sapo na janë bashkuar si pjesë e rrugës së udhëheqjes të vendit në grupin e ri parlamentar, u them që zgjedhja juaj është e thjeshtë: doni të rrini vërdallë 4 vjet? Apo doni që kjo rrugë të zgjatet përtej një mandati? Nëse doni këtë të dytën, gjëja e parë është të ruheni nga tabiatet e vjetra që do të gjeni këtu. Të vlerësoni mandatin tuaj të parë jo si një gjë që e keni, por si një gjë që duhet ta fitoni përditë dhe të jeni ju të parët kudo ku është detyra dhe të gjithë bashkë, të nderuar deputetë dhe deputete të legjislaturës së re, programi ynë qeverisës, e kam marrë këtu me vete, s’ka qenë kurrë më i qartë dhe më konkret se këtë radhë.

Misioni ynë kombëtar i bashkimit të plotë me Europën, s’ka qenë kurrë më i qartë dhe më konkretisht i pasqyruar në programin qeverisës sesa sot. Detyra jonë si përfaqësues të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, s’ka qenë kurrë me e qartë dhe më konkrete sesa në këtë mandat të katërt radhazi të Partisë Socialiste, për Shqipërinë 2030.

Të mbyllim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian në 27 muajt e ardhshëm, në fund të vitit 2027; të mundësojmë deri në fund të këtij mandati të ri ratifikimin në 27 Parlamentet e vendeve anëtare të vendimit të Këshillit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE; të ngremë deri në fund të kësaj dekade flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e familjes së bashkuar europiane.

Këto nuk janë tre stacione të radhës në rrugëtimin e gjatë qeverisës të Partisë Socialiste. Këto janë tre majat që duhen kapur njëra pas tjetrës në kohë për të realizuar ngjitjen e nisur kahershëm të Shqipërisë për në shtëpinë e lindjes së saj, të familjes së saj, të fatit të shkruar të së ardhmes së saj, por kapja e këtyre tre majave në afatet që kemi, nuk është as e shkruar nga fati, as e dhënë nga Zoti si diçka që do ndodhi, pavarësisht nga mundi, nga puna dhe nga vendosmëria e durimi i 400 e kusur njerëzve në radhë të parë që janë këtu në këtë sallë.

Vërtet yjet e fatit janë rreshtuar kurrë si asnjëherë në favorin e Shqipërisë. Kurrë majat s’kanë qenë qartësisht të dukshme si sot, por ngjitja me sukses te to, është e gjitha e varur nga ne, populli shqiptar. Njerëzit e zakonshëm të këtij vendi e bënë pjesën e tyre të luanit, na e dhanë ne Partisë Socialiste, atë që iu kërkuam, fuqinë më të madhe përfaqësuese që kemi pasur ndonjëherë, që kur jemi nisur nga lluca dhe nga mjegulla e vitit 2013-të. Tani është radha jonë, e jona këtu në radhë të parë, që të bëjmë tonën në nivel qendror dhe në nivel vendosur për t’i udhëhequr shqiptarët deri në majën e fundit me forcën e re të një shembulli kuptimplotë që duhet të tërheqë mbrapa, jo vetëm një popull të tërë, por një amanet shekullor.

53 nga 83 anëtarët dhe anëtaret e grupit tonë të ri parlamentar, hyjnë për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë. Parafytyrojeni tani po ta them ndryshe, ne kemi më shumë deputetë dhe deputete të reja që hyjnë për herë të parë, se sa ka deputetë e gjithë trupa “madhështore e humbësve fitimtarë” të 11 majit. Ky është një fryt shumë i mirë në vetvete i 11 majit, por të rinjtë dhe të rejat duhet të vazhdojnë të përgatiten me të njëjtin seriozitet që treguan gjatë Akademisë Politike, në leksionet dhe trajnimet verore, ndërsa ne të tjerët duhet t’i ndihmojmë që të përshtaten si duhet, sa më shpejt, siç ndihmuan bujarisht gjatë akademisë, deputetët me përvojë që u angazhuan si lektorë. I falënderoj!

Dua të besoj që e gjithë trupa e grupit parlamentar, pa përjashtim do të përpiqet më gjithë zemër që me besimin e jashtëzakonshëm të zgjedhësve të mishëruar në 83 mandate parlamentare, ta kthejnë në përkushtim ndaj punës së përbashkët dhe individuale në grupin socialist, qoftë në komisionet kuvendore, qoftë në seancat plenare të Kuvendit.

Elisa, Niko, Taulanti së bashku me Majlindën, Adean dhe disa deputetë të ekipit të ligjeve, kishin gjatë verës detyrën e hartimit të një projekti për ndërtimin e komisioneve të reja parlamentare. Mbi të gjitha, për arsye dhe në funksion të procesit të negociatave të anëtarësimit në BE. Ata kanë analizuar ecurinë, strukturën dhe programin e Kuvendit në vite, kanë studiuar skemat e organizimit parlamentar në një sërë vendesh të Bashkimit Europian si dhe kanë vlerësuar nevojën e harmonizimit të strukturës dhe të organizimit të Kuvendit me strukturën dhe organizimin e procesit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe paraprakisht unë dua të mbroj këtu para jush dhe publikut disa mendime, që janë diskutuar gjatë këtij procesi më njërin apo me tjetrin.

Së pari, në më shumë se 3 dekada pas zgjedhjeve të para pluraliste, gati 3 dekada nga miratimi i Kushtetutës së Shqipërisë, ndërkohë që jemi në dekadën vendimtare të bashkimit përfundimtar me familjen europiane, na duhet një cikël i ri reformimi dhe riorganizimi për disa institucione të  rëndësishme, ndër të cilat pa dyshim, edhe për Kuvendin e Shqipërisë.

Pas 10 legjislaturave dhe 1136 njerëzve të zgjedhur deputetë në vitet e jetës demokratike, e para gjë si rrallë gjë, që gjen dakord çdo shqiptar, thuajse çdo shqiptar, është tepria që ngjan çdo vit e më tepërt e numrit të deputetëve. Zbaritja e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 101 deputetë, edhe më pak bujrum ta diskutojmë, do të kishte vetëm impakt pozitiv në më shumë se sa një aspekt, prandaj ky ndryshim pozitiv kushtetues duhet të jetë një objektiv i yni, i cili përkon plotësisht me vullnetin e zgjedhësve tanë, por pa diskutim edhe me vullnetin e atyre zgjedhësve që e çuan votën në drejtime të tjera.

Së dyti, Kuvendi i Shqipërisë miraton e nxjerr ligje për të gjithë, por nuk e ka ende ligjin e vet. Nuk ka pavarësinë e vet financiare, nuk ka status të deputetëve të vet, nuk ka një administratë të mbështetur sa dhe si duhet në funksion të sfidave të veta dhe madje, Kuvendi i Shqipërisë është pa shtëpi. S’ka një shtëpi që të garantojë praktikën, por dreqi e mori edhe estetikën e një Parlamenti të një shteti anëtar të Bashkimit Europian. Ligji organik për funksionimin dhe organizimin e Kuvendit duhet të jetë një objektiv i vitit hyrës të legjislaturës së re.

Së treti, pas 10 vjetësh nga reforma administrative territoriale, koha ka sjellë në rendin e ditës nevojën e një rishikimi të ndarjes administrative territoriale. Prandaj duhet të ngremë pa humbur kohë komisionin e posaçëm parlamentar, për të nisur menjëherë nga puna analitike në funksion të thellimit të kësaj reforme duke reflektuar ndryshimet shumë domethënëse të këtyre viteve që nga demografia, tek teknologjia, me fokus kryesor gjithmonë, mire përgatitjen ne nivelin vendor për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, ku duhet të kemi një cilësi të re të proceseve të qeverisjes vendore. Komisioni i kësaj reforme do të duhet të ngrihet dhe të punojë me të njëjtin intensitet si komisionet e përhershme, duke filluar nga organizimi i një konsultimi të gjerë publik e patjetër, edhe duke i ftuar forcat e tjera parlamentare të mirësevijnë për të dhënë kontributet e tyre, po deshën natyrisht. E meqë ra fjala, ne do të jemi gjithnjë gati t’i dëgjojmë të gjithë në respekt të atyre që i kanë zgjedhur, por ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm të presim këdo qoftë, as edhe një minutë nëse nuk do të dojë të punojë se bashku qoftë për këtë reformë dhe qoftë për çdo reformë.

Së katërti, duhet ngritur po ashtu pa humbur kohë, edhe Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ai duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, apo Komisionit të Venecias ndër të cilat ka ardhur koha të marrë përparësi të veçantë, depolitizimi i administratës zgjedhore dhe nevoja e nxjerrjes së rezultatit në një kohë normale për një vend anëtar të BE.

Fakti është se qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, ne jemi specie unikale në Europë dhe unë nuk e di se kë tjetër kemi shok për ta bërë një muhabet në botën ku bëhen zgjedhje pluraliste.

Së pesti, një tjetër nevojë thelbësore që duhet adresuar pa humbur kohë, është harmonizimi i ligjit për komisionet hetimore me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese për të reflektuar qartësisht në atë ligj, standardet e vendosura nga vendimet e Kushtetueses të cilat kanë mirë përcaktuar kufijtë e kompetencave, rolet e pakicës dhe shumicës parlamentare si edhe balancën e domosdoshme dhe gjithmonë inekzistente  në eksperiencën e komisioneve parlamentare, mes së drejtës së shumicës për të qeverisur dhe të drejtës së pakicës për të kontrolluar qeverinë. Kështu do t’i sigurohej Kuvendit, por edhe publikut, një kornizë e qartë veprimtarie, por edhe pritshmërie nga komisionet hetimore dhe me gjasë do të rritej sadopak, cilësia dhe përgjegjshmëria institucionale në hetimet parlamentare.

Do të shmangeshin te paktën në frymën dhe në gërmën e ligjit, të gjitha sebepet për konfliktet e neveritshme politike, për natyrën e hetimit parlamentar dhe instrumentalizimin demagogjik të komisioneve hetimore, të cilat e kanë deformuar rregullisht misionin, funksionin dhe qëllimin që Kushtetua ka përcaktuar për to.

Sot e gjithë ditën gjejmë ende emërtime antike, të Kuvendit Popullor të Republikës së vjetër Socialiste për komisionet e përhershme parlamentare, por meazallah se gjendet ndonjë lidhje organike mes Kuvendit të një Shqipërie të re që synon hyrjen në BE brenda kësaj dekade dhe sfidave politike dhe legjislative të anëtarësimit. Sipas grup kapitujve të procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, që nuk mund të jenë lënda e vetëm negociatorëve dhe nuk mund të kenë adresim të suksesshëm nëse nuk bëhen dhe lënda e parlamentarëve. Grupi i punës ka bërë në radhë të parë, pikërisht këtë, kur ka bërë rindarjen e komisioneve të përhershme. I ka vendosur të gjithë motorët e makinës legjislative në funksion të suksesit të anëtarësimit. Por s’është vetëm kjo arsyeja e organizimit të ri, sipas grupit të punës, të gjitha raportet e bëra në vite mbi aktivitetin parlamentar dhe të komisioneve parlamentare, por dhe përvoja e krijuar nga vet deputete sidomos në dy legjislaturat e fundit nxjerr qartësisht në pah se numri i lartë i anëtareve për komision dhe lëvizja e deputetëve nga një komision në tjetrin përbën një problem strukturor që e ka penguar Kuvendin që të ketë fokus, të ketë eficense të mjaftueshme dhe mbi të gjitha të ketë sipas grupeve që merren me lëndë të caktuara edhe një farë specializimi. Ndaj sugjerohet që për të nxitur më shumë përgjegjshmëri, garantuar më shumë njohje të lendes në secilën nga fushat prioritare për negociatat dhe sigurisht më shumë fokus dhe cilësi në ligj bërje dhe në mbikëqyrjen legjislative, Kuvendit të ri i duhen më shumë komisione të përhershme dhe më pak anëtarë në përbërjen e tyre duke ulur në minimum numrin e deputetëve që lëvizin si ambulant sa një komision te tjetri.

Konkretisht grupi i pune sugjeron një riorganizim të komisioneve si më poshtë:

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financën. Ku siç e dëgjuat që në emërtesë krahas fokusit tërësor në politikat ekonomike lidhur ngushte me përqasjen ndaj tregut të përbashkët Europian, politika buxhetore financiare vjen si risi vendosja e punësimit në emërtesën e komisionit. Qëllimi është sjellja në fokus të pikërisht këtij komisioni edhe të politikave të punësimit, lirisë së lëvizjes së punëtoreve, dialogu social, shëndeti i sigurisë së punë si përbërje organike e gjithë organizmit të ekonomisë, referuar kapitullit 2 dhe kapitullit 19 të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sugjerohet që këtë komision ta drejtojë shumica parlamentare.

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Ky komision vishet me një mision dhe përgjegjësi të shtuar për të mbajtur në funksion të negociatave te anëtarësimit barrën e shqyrtimit të një mali të tërë ligjesh për modernizmin e sistemit ligjor të Shqipërisë. Duke garantuar ligje të standardit Europian, por dhe duke siguruar përputhshmërinë e tyre me zbatueshmërinë e tyre. Njëherësh përmes këtij komisioni, Kuvendi do të kujdeset posaçërisht dhe për vlerësimin dhe hedhjen e gjithë hapave ligjorë për reformën e administratës sonë publike, e cila vazhdon. Një draft i ri është gati për t’i shkuar parlamentit. Pjesë e grup kapitullit themeloret, një betim solemn me shkrim në korpusin ligjor të BE i të gjitha vendeve anëtare për respektimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin e shtetit, ai natyrisht lidhet me shërbimin publik me standarde të denja për qytetarin europian. Sugjerohet që këtë komision ta drejtojë shumica parlamentare.

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen. Shqipëria po ndërton një partneritet të gjerë strategjik me BE, tanimë jo vetëm në fushën e sigurisë, por dhe në fushën e mbrojtjes. Të dyja janë bërë dy anë të së njëjtës medalje. Në kushtet kur pas zhvillimeve të reja gjeopolitike Europa ka nxjerrë mësimin se në rast agresioni duhet të jetë e aftë të mbrojë vetveten pa pritur që ta mbrojë dikush tjetër. Prandaj teksa Shqipëria po përgatitet shumë seriozisht për të qenë pjese e hapësirës europiane të lirisë dhe të sigurisë, ky komision do të kujdeset që të mbështesë forcimin e sistemit të kapaciteteve të sigurisë, nismat ligjore dhe reformat e sigurisë së brendshme dhe të jashtme, parametrat e lartë të mbrojtjes si dhe bashkëpunimi me institucionet europiane të ligj zbatimit. Sugjerohet që këtë komision ta drejtoje shumica parlamentare.

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet. Ka një shtesë në emërtim në çështje të lidhura me shkencën në këtë komision që vjen në vijim të rritjes së  vëmendjes ndaj shkencës të lidhur ngushtësisht me inovacionin, por përsëri të lidhur edhe me procesin e negociatave për anëtarësim. Sugjerohet që ky komision të drejtohet nga opozita.

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien sociale. Reformat dhe masat e reja për të rritur hap pas hapi nivelin e përafrimit me standardin europian të shëndetit publik, modernizmin e sistemit shëndetësor dhe sistemit të mirëqenies sociale do të jenë një pjesë e qenësishme e përpjekjeve të mandatit të ri. Ky komision do të kujdeset për to dhe sugjerohet që të drejtohet nga opozita.

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm. 25% e korpusit ligjor të BE, mijëra e mijëra faqe standardesh në infrastrukturë, mjedis dhe transport apo rregullash të tregut energjetik apo digjital do të kalojnë nga ky komision i cili do të mbajë një nga ngarkesat më të mëdha legjislative në raport me procesin e negociatave të anëtarësimit dhe ku emërtesa është faktikisht një bashkim, një sinteze e asaj sesi këto fusha janë të ndërthurura në procesin e negociatave për anëtarësim. Patjetër që burimet dhe mjedis janë punë e më shumë se një dekade tjetër për standardet e katalogut europian të standardeve dhe rregullave që nga mbetjet, ujerat deri tek biodiveristeti të cilat dhe vendet e BE e kanë sfidë që t’i ruajnë, por kjo rrugë e përpjetë kalon që tani nga projektligjet që ky komision do shqyrtojë dhe pastaj do t’i kalojë për miratim kuvendit. Sugjerohet që ky komision të drejtohet nga shumica parlamentare.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik. Është një komision i ri në sensin jo te temat, por të theksit. Shqipëria 2030 në BE dhe nënshkruesit e traktatit të anëtarësimit do të pranojë si të patjetërsueshme standardet e Kartës së të Drejtave themelore të BE. Dinjitetin njerëzor, lirinë e shprehjes, mbrojtjen e të dhënave personale, mos diskriminimin, barazinë gjinore, të drejtat e personave më aftësi të kufizuar, diversitet kulturor dhe fetar, mbrojtjen e fëmijëve, të drejtat për proces të drejtë gjyqësor, të drejtat e qytetarisë europiane, që nga vota deri tek e drejta për peticion dhe qeverisje të mirë. Ky komision i ri ka një mision shumë te veçantë dhe delikat që lidhet pikërisht me këto tipare dhe vlera të profilit të Shqipërisë 2030 në BE ku liria e shprehjes si element thelbësor i lirisë në tërësi dhe mjetet e informimit publik mediat tradicionale dhe ato online kanë një peshë të posaçme. Sugjerohet që drejtimi i komisionit në fjalë t’i lihet opozitës.

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin rural. Shqipëria 2030 do të jetë pjese e tregut të përbashkët bujqësor europian ku do ketë mundësi të reja të jashtëzakonshme por dhe sfida të reja krejt të pazakonshme. Ndërkohë që sipas planit të integruar gradual që ne kemi dakordësuar me Komisionin Europian vendi ynë do hyjë në zinxhirin e vlerës së ushqimit europian më shpjet sesa do të hyjë në Bashkimin Europian. Prandaj puna për tu bërë është kolosale dhe ky komision do të punojë me të gjithë nismat ligjore që hap pas hapi do fusin këtu standardin europian të prodhimit dhe të ushqimit për bujqësinë tonë, si dhe do kujdeset patjetër për programet, për mbështetjen e fermerëve, agropërpunuesve, tregtarëve, eksportuesve në nxitje të transformimit europian të sistemit tonë të zhvillimit bujqësor. Sugjerohet që këtë komision ta drejtojë shumica parlamentare.

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën. Ky komision sjell mbi të gjitha risinë e vendosjes së diasporës jo thjeshtë në emërtesën e tij, por sepse gjatë këtij mandati ne do të rrisim ndjeshëm vëmendjen ndaj cilësisë së Shqipërisë turistike, ku Shqipëria kulturore dhe shqiptarët e Europës dhe të botës do marrin një vëmendje si asnjëherë më parë.

Nga ana tjetër në rrugën drejt 11 majit shqiptarët jashtë atdheut na thanë dhe na mësuan shumë rreth problemeve dhe arritjeve të tyre, mundësive dhe pritshmërive të tyre nga Shqipëria dhe tanimë edhe si votues nga matanë kufijve ata e meritojnë një angazhim më të madh të të gjitha forcave politike në parlament në mbështetje të tyre, por të Partisë Socialiste si forca më e madhe pa diskutim. Për ta, por edhe për interesin madhor të vendit, sugjerohet që drejtimi i këtij komisioni t’i besohet opozitës.

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme. Jo rastësisht ky komision që bashkon faktikisht në një, dy komisione e dikurshme të politikës së jashtme dhe integrimit ka një emërtesë identike me Ministrinë tonë për Europën dhe Punët e Jashtme. Ai do të shqyrtojë si një filtër i vetëm konsistencën e drafteve ligjore për përafrimin me korpusin ligjor të Bashkimit Europian. Do të ketë një status special të përshpejtuesit të procedurës kur rasti e kërkon dhe në të njëjtën kohë do të garantojë ekuilibrin më të mirë mes interesit më të mirë të vendit dhe standardit europian. Bashkimi në një i Europës dhe Punëve të Jashtme edhe në parlament reflekton vullnetin tonë të plotë si shumicë parlamentare për ta konsoliduar qasjen e Shqipërisë ndaj punëve të veta të jashtme si qasje të një vendi anëtar në Bashkimin Europian, i cili është tërësisht i linjëzuar me politikën e përbashkët të Bashkimit Europian, një kthjelltësi e vyer kjo, sidomos në kushtet e këtyre dinamikave të reja gjeopolitike. Sugjerohet që këtë komision ta drejtojë shumica parlamentare.

Dhe së fundi, po jo për nga rëndësia, komisioni i ri për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Ky komision është një tjetër risi e kësaj faze të re të jetës parlamentare, por duke qenë se është një risi e plotë, më falni të marrë pak më shumë kohë për ta shpjeguar.

Ai vjen pjesërisht si një ide e eksploruar me një komision të përkohshëm gjatë mandatit që sapo u përmbyll dhe pjesërisht si një lexim i mirë nga grupi i punës i disa modeleve në disa nga vende anëtare të Bashkimit Europian, të cilat përmes këtij komisioni e vendosin parlamentin në kushtet ku mund dhe duhet të kujdeset institucionalisht, qoftë për zërin e qytetarëve, qoftë për bashkëpunimin dhe mbikëqyrjen institucionale. Falë një komisioni të tillë për nismat e grupeve të interesit qytetar dhe shoqëror ku pavarësisht nga fusha e këtyre nismave, një ekip i përhershëm deputetësh trajton adresimet e publikut ndaj parlamentit, Kuvendi më në fund krijon një kanal të munguar, të besueshëm dhe të dobishëm komunikimi për zgjedhësit në adresë të tij. Me fjalë të thjeshta, ky komision do të jetë një adresë e unifikuar e hapësirës parlamentare për nismat e grupeve të ndryshme të interesit apo peticionet e komuniteteve në zonat zgjedhore në Shqipëri ose jashtë Shqipërisë, duke ndërtuar përmes rregullores së re fleksibilitet për të mos i kthyer mbrapsht njerëzit dhe qytetarët, pa mbledhur 50 mijë firma e ku di unë, nga ato historitë e tjera.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka një traditë të pasur dhe mjaft kuptimplotë të pushtetit të butë të dialogut për nisma me peshë mes institucioneve të tij. Një model i tillë është trialogu mes Parlamentit Europian, Këshillit Europian dhe Komisionit Europian. Edhe ne, përmes këtij komisioni modestisht, duam që kulturën politike europiane të dialogut ndër institucional ta përdorim si një model të përhershëm të bashkëpunimit mes Parlamentit, qeverisë, sistemit të drejtësisë, autoritetet e pavarura, pushtetit vendor dhe me radhë. Dhe në kushtet kur nga njëra anë një kulturë e tillë është shumë e dobët tek ne, dhe nga ana tjetër kur shpejtësia e re, ku ka hyrë proces i anëtarësimit kërkon informim institucional, koordinim ndër institucional, bashkëpunim mes institucioneve dhe shumë më tepër transparencë dhe përfshirje të publikut, Kuvendi duhet të bëhet pikë takimi i të gjitha forcave dhe i të gjitha energjive të Republikës së Shqipërisë në këtë proces historik. Ky komision është instrument për këtë qëllim.

Po ashtu komisioni do të mbushë një boshllëk shumë të vjetër dhe gjithmonë e më të dëmshëm duke vendosur në fokus të punës tij shkallën dhe cilësinë e mbikëqyrjes parlamentare. Për shembull, sot që flasim, parlamenti nuk ka asnjë shënim dhe lëre pastaj të ketë një arkiv për dokumentimin e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit, për nivelin e kohezionit të mbikëqyrjes parlamentare, për efektshmërinë e masave rregullatore që ai merr. Shkurt fjala, Kuvendi pa këtë instrument është si një ndërmarrje që prodhon, por nuk do t'ia dijë fare se ça bëhet me prodhimin e vet, zero kontroll post legjislativ, zero reflektim për çka nuk ka funksionuar në kthimin e ligjit të shkruar në ligj të zbatuar. Zero informacion për deputetët mbi çfarë duhet adresuar dhe rekomandim si duhet adresuar. Sugjerohet që këtë komision ta drejtojë natyrisht shumica parlamentare.

Këto ishin 11 komisionet e përhershme parlamentare të Legjislaturës së Re, duke reflektuar raportin e peshës së forcave parlamentare në Kuvendin e ri, 7 prej tyre do t'i përkasin shumicës, 4 prej tyre do t'i ketë opozita.

Në krye të të gjitha komisioneve ne duhet të angazhojmë nga pala jonë deputetë dhe deputete me njohje të mirë të lëndës së komisionit përkatës, eksperiencë pune me atë lëndë në Kuvend apo jashtë tij dhe aftësi drejtuese dhe koordinuese.

Një barrë e veçantë e kryesisë së grupit, drejtuesve të komisioneve, anëtarëve të rinj të qeverisë do të jetë ta çojnë në një nivel të ri bashkëpunimin mes veti në radhë të parë, për të nxjerrë maksimumin e rezultateve, qoftë në funksion të axhendës së negociatave për anëtarësim, qoftë në funksion të jetësimit të këtij programi të ri qeverisës, qoftë në funksion të komunikimit sistematik me zgjedhësit.

Një mobilizim të veçantë do të duhet me patjetër t'ia kushtojmë po ashtu informimit dhe koordinimit të vetë grupit tonë parlamentar për axhendën e negociatave, ecurinë dhe detyrat për t'u përmbushur nga kush dhe nga kur. Për këtë na duhet sa më parë një program dhe kalendar aktiviteti periodik në formate të ndryshme për të cilin do të kujdeset kryenegociatorja me zëvendësen e saj, në bashkëpunim me kryetarin e ri të grupit, natyrisht.

Ndërkohë, kryesia e re e Kuvendit dhe qeveria e re duhet t'i vënë vetes detyrë të posaçme edhe kalimin e seancave plenare nga salla ekzistuese tek një godinë e re, e denjë për një shtet anëtar të Bashkimit Europian, ku parlamenti nuk mund të mblidhet edhe në 2030 në një ngrehinë të lodhur sovjetike, të mobiluar me shijen e rraskapitur të Partisë Demokratike.

Thënë të gjitha këto, institucioni i Kuvendit të Shqipërisë si i tërë duhet të ngrihet në një nivel tjetër funksionimi dhe menaxhimi. Për këtë, nuk mjafton vetëm ligji i ri organik që preka më lart me pavarësinë financiare dhe me statusin e deputetit, po duhet një qasje e re në drejtim, modernizuese e krejt makinerisë administrative të Kuvendit, me fokus pikërisht modernizimin.

Unë besoj se pas kaq vitesh eksperiencë, në drejtimin e një sërë institucionesh, por dhe për profilin e respektuar gjerësisht, gati-gati për periudha të tëra konsensualisht, diçka që mua nganjëherë më acaron, si dhe për prirjen e hershme ndaj risive të teknologjisë, të cilat në Kuvendin e Shqipërisë, arrijnë kur janë vjetërsuar komplet për gjithë të tjerët, Niko Peleshi është profili dhe njeriu i duhur për të marrë nga Elisa stafetën si Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë.

Unë kam shumë besim, se në krah të Nikos, me eksperiencën e fituar, po për profesionalizmin, për integritetin, për përkushtimin absolut, për shembullin që e ka karakterizuar 4 legjislatura me radhë, deputetja e Durrësit, Klodjana Spahiu, është nënkryetarja e duhur për Kuvendin e ri.

Përsa i takon drejtimit të Grupit të ri Parlamentar, më i madhi në numër që kemi pasur deri më sot, në mandatin më sfidues për Partinë Socialiste, besoj se ka shumë pak për tu menduar, për eksperiencën e gjatë si deputet, nga numri i mandateve, për njohjen e detyrës së drejtuesit të grupit më mirë se kushdo dhe për linjën nepotike, jo përmes gjakut me Gramoz Ruçin, Taulant Balla është deputeti i duhur, në kohën dhe në vendin e duhur.

Anëtarë, mbështetës, zgjedhës së kësaj force të madhe politike kudo që jeni, me gjasë na ndiqni, në Shqipëri a diasporë. Fola në fillim fare për nevojën për ta parë veten, për t’i parë arritjet dhe punët  e bëra deri tani, nga një kënd i kundërt me atë që i kemi parë deri më sot. Kjo është një domosdoshmëri jetike për suksesin e mandatit tonë të katërt, por dhe për vetë qëndrueshmërinë e Partisë Socialiste në rolin udhëheqës së vendit dhe përtej këtij mandati. Komplet, pavarësisht nga qenia ime në krye të saj, garantimin e kësaj qëndrueshmërie, Partia Socialiste duhet të udhëheqë vendin edhe për shumë e shumë vjet të tjera dhe këtë duhet ta keni dhe ta kemi në kokë këtu. Përrallat që në një demokraci duhen ndërruar partitë çdo 4 vjet, lërjani atyre që tregojnë përralla. Suedia, Norvegjia, Finlanda e të tjerë, janë demokraci, në Itali, në Francë e të tjerë është demokraci, nuk është absolutisht mëkat, është detyrim që ne ta shohim Partinë Socialiste në krye edhe në 2030-n, edhe në 2040-n dhe në 2050-n. Ne ta shohim, domethënë ju ta shihni. Prandaj do t’ju ftoja ta shihni garantimin e kësaj qëndrueshmërie si detyrim shumë serioz, investim i të gjithëve këtu, në qendër dhe në territor ndaj Shqipërisë së gjeneratës tjetër.

Të marrim sa për shembull turizmin dhe imazhin e Shqipërisë. Ndryshim historik, nuk diskutohet, por siç thotë ajo fjala e mençur, ‘’nuk është ar, çdo gjë që shkëlqen”. Nën shtysën e kërkesës së lartë me burim turizmin dhe të fuqisë tërheqëse që i ka dhënë Shqipërisë imazhi i ri ndërkombëtar, është rritur dhe vazhdon të rritet industria e ndërtimit. Bukur, por sot është momenti që ne ta pyesim veten, para se të jetë vonë, krahas nevojës për një ofertë në lartësinë e kërkesës që rritet, çfarë dukurish negative dhe çfarë sfidash të reja sjell kërkesa e rritur për leje ndërtimi? Dhe më tej, çfarë rreziqesh na kanosen ne nga këto dukuri negative. Si duhet t’i trajtojmë ne pa krijuar të tjera rrjedhoja negative duke parë zhvillimin sot për sot, e me radhë, prandaj, sot na duhet të jemi alert, gjithë kohës, për tu siguruar që po i bëjmë vetes pyetjet e duhura, sepse rreziku më i madh që e kërcënon dikë që ka një eksperiencë të gjatë dhe që e kërcënon një parti që rri në pushtet gjatë, është që të mos jetë më në gjendje t’i bëjë vetes pyetjet e duhura, se nga pyetjet e duhura, shkohet te zgjedhjet e duhura dhe pastaj, për t’i dhënë bashkërisht përgjigjet e duhura. Jo vetëm duke bërë konstatimet e duhura, por duke hartuar udhërrëfyesin e duhur të veprimeve që duhen ndërmarrë.

Fjala vjen, ne do ndërtojmë patjetër, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, por duhet të jemi gati për një qasje të re, me intensitete ndërtimi përgjithësisht shumë më të ulëta jashtë qyteteve, me kërkesa të reja për kontributin mjedisor të ndërtuesve, me kontrolle teknike më të rrepta dhe më cilësore dhe me sanksione më të rënda për gjithë zinxhirin e zbatimit, që nga ndërtimi, tek mbikëqyrja, tek inspektimi sepse aseti më i jashtëzakonshëm i Shqipërisë është bukuria dhe të luash me bukurinë e Shqipërisë sot për arsye ekonomike, do të thotë që nesër pasardhësve tu lësh një vend të shëmtuar, domethënë tu bësh gropën. Kjo që thashë është vetëm një pjesë e vogël e një Rilindje Urbane 2.0, ndërkohë që Rilindja Urbane 2.0 është vetëm një pjesë e mozaikut të një rilindje 2.0 të cilën ne duhet ta jetësojmë në çdo sektor.

Le të marrim një shembull tjetër. Infrastrukturën dhe kontrollin e territorit. S’ka diskutim që ne kemi hapur kapitullin më domethënës së këtyre 35 viteve në aspektin e zhvillimit të infrastrukturës. E kemi nxjerrë Shqipërinë përfundimisht nga tuneli i gjatë i asaj rrumpallës ku gjendeshim qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivelin vendor, qoftë në rang kombëtar, qoftë në rang qytetesh, por tanimë edhe infrastrukturën ne duhet ta shohim në një kënd tjetër, me sytë e dikujt që sapo e ka marrë mandatin e parë qeverisës, duke i lënë mënjanë, duke i harruar të gjitha të zezat e ullirit që kemi hequr, për të mbyllur gropat e thella, të panumërta, të prapambetjes që trashëguam, po dhe duke mos i numëruar më dhe të rejat pozitive që kemi sjellë në këtë sektor të transformuar si nata me ditën sepse të dyja nuk na lënë që të shikojmë veten e re brenda vetes dhe kemi një element konkret para syve, që sapo i kemi marrë në dorë, rraqet. Rraqet e pafundme në anë të rrugëve kombëtare. Është vendi me rraqe rrugëve si asnjë vend tjetër. Si mund ta pranojmë ne akoma dhe siç janë ato rraqe të dukshme në shumë rrugë të vendit që janë ndërtuar, janë të reja e të tjerë, ashtu janë dhe rraqet e padukshme në të gjitha rrugët e zhvillimit të sektorëve të tjerë të vendit dhe është koha që të merremi me rraqe, të krijojmë kordonë sigurie, kordonë pastërtie, në rastin e rrugëve që janë konkrete, kordonë gjelbërimi aty ku është e mundur. Në rastin e atyre rrugëve të tjera të zhvillimit që nuk janë të dukshme, kordonë sigurie, kordonë garancie dhe prandaj Rilindja 2.0 fillon pikërisht nga ambicia e të parit dhe të bërit të gjërave, sikur është hera e parë që ke mundësinë t’i ndryshosh, por Rilindja 2.0 është dhe një inspirim dhe një imponim i fuqishëm nga transformimi epokal i kushteve të zhvillimit përmes teknologjisë, ku inteligjenca artificiale po sjell me një shpejtësi marramendëse mundësi të reja edhe për qeveritë, edhe për institucionet e tyre. Edhe këtu inovacioni është një tjetër drejtim ku ne kemi arritur shumë. Hapat që kemi bërë me zhvillimin e një Shqipërie ku falë platformës e-Albania, shërbimet jepen pa radha, pa ryshfete, janë kolosale. Janë kolosale krahasimisht me të shkuarën, por ne nuk na intereson, nuk duhet të na interesojë kjo. Ky është mandati ynë i parë për të hapur një fazë të re përtej këtij mandati, për Shqipërinë dhe për Partinë socialiste. Që është i lidhur, nuk diskutohet me anëtarësimin në BE, por shkon përtej tij dhe prandaj ne të gjithë çfarë kemi bërë si përparim, duhet ta shohim me sy kritik. E po e pe me sy kritik, nuk është fare e vështirë të shikosh sa boshllëqe ka akoma pa mbushur në teknologji, në inovacion, prandaj inovacioni dhe AI duhet të jenë fiksimi ynë. Fiksimi ynë në qeveri, fiksimi ynë në çdo bashki, fiksimi ynë në shoqëri sepse janë instrumenti që na japin mundësinë të bëjmë kapërcime epokale që përndryshe nuk do t’ i bënim kurrë për shkak se jemi nisur nga shumë më mbrapa se të tjerët.

Fjala vjen, sot nuk ka asnjë krahasim të mundshëm, as të imagjinueshëm mes spitaleve të para dhe pas 3 mandateve qeverisëse të Partisë Socialiste, por prapëseprapë , problemet që duhet të zgjidhë sistemi unë shëndetësor sot janë të mëdha dhe disa prej tyre janë akute. Fakti që kemi sot spitale të denja në aspektin e infrastrukturës dhe të pajisjeve dhe paga shumë më dinjitoze për mjekët, nuk mjafton fare për të thënë që kemi shërbim shëndetësor të denjë për një vend anëtar të BE-së dhe mjaftueshëm tërheqës për profesionistët më të mirë nga jashtë, qoftë shqiptarë, qoftë të huaj. Nuk e kemi! Po sa vjet duhet të presim akoma tanimë që i kemi hedhur të gjitha këto themele? Dhe lajmi i mirë është se është në dorën tonë mundësia që ta bëjmë. Duke u mbështetur në radhë të parë, tek inovacioni dhe tek AI, me një përqendrim forcash dhe energjish dhe për të bashkuar të gjitha pjesët e ndara apo të munguara që janë sot në funksion të krijimit të një ekosistemi, duke ndërtuar aleancat e duhura ndërkombëtare në drejtim të menaxhimit spitalor, furnizimit me barna dhe pajisje, kujdesit parësor, trajtimit mjekësor, digjitalizimit tërësor, arsimimit dhe edukimit në vazhdim, ne mundet dhe do ta bëjmë Shqipërinë 2030, një shëmbëlltyrë të Europës në Ballkan edhe në shërbimin shëndetësor.

Natyrisht, unë s’jam këtu që të  komunikoj programin e qeverisë së re, një sintezë të të cilit do ta diskutojmë e miratojmë në Kuvend. Po përpiqem vetëm të ilustroj nevojën strategjike për t’u bërë ne vetë, kritikët më të dobishëm të vetvetes; për t’i konsideruar ne vetë, arritjet tona të shumta dhe të mëdha si të ishin të dikujt tjetër dhe për ta rishpikur vetveten duke konceptuar këtë mandat si rastin e jetës, sepse ky është rasti i jetës sonë. E solli fati që të jemi ne, sa shqiptarë do të donin të ishin këtu ku jemi ne sot, nga të gjithë ata që jo para 10 vjetësh por edhe para 100 vjetësh, kanë ëndërruar ta shikojnë Shqipërinë zonjë pjesë të familjes evropiane. E solli fati që të jemi ne. Ky është rasti i jetës. Dhe askush më mirë se sa ne, 12 vjet eksperiencë në qeveri rresht, janë aset unikal. Nuk mund ta dijë se ku pikon çatia e çdo sektori, por ama po u pajtove me ato pika, duke thënë, “e mo, lëre tani. Pikon, po këtu ka qenë, s’ka pasur çati fare’’, atëherë jo vetëm që çatia nuk riparohet po problemet e saj do të vijnë duke u bërë gjithnjë e më shumë  problem.

Teorikisht falë edhe eksperiencës, askush nuk i adreson dot më shumë dhe më shpejt se ne, të metat që duhen ndrequr, boshllëqet që duhen mbushur, detyrat që duhen përmbushur, por kjo është teorike pa kushtin që ne, ne këtu të jemi të vetëdijshëm dhe të shqetësuar për barrën e jashtëzakonshme që ka ky mandat i ri. E të jemi të gatshëm të shkundim fort veten në radhë të parë, të shkundim fort njëri-tjetrin në radhë të dytë, të shkundim fort të gjithë Partinë Socialiste në radhë të tretë për të ndërtuar një qasje të re ndaj çdo objektivi dhe për çdo objekti të punës sonë.

Marrim administratën e drejtorive qendrore dhe vendore në territorin e vendit, ku qytetarët na janë bashkuar masivisht më shumë se asnjëherë më parë. Na kanë besuar një mandat historik për të bërë histori, jo për të bërë ca punë dhe dua të nisem nga shembulli i Vlorës, nga gjithë sa pashë, dëgjova, kuptova dhe vajtova mbi situatën e qytetit si dhe për shërbimin e drejtorive qendrore në atë territor. Po ndaj me ju një përkufizim të shkurtër të asaj situate; vetëkënaqësi labe e mbingarkuar me re në pantallonat e pushtetit; dembelizëm dhe karshillëk ndaj popullit të Vlorës e një aradheje të tërë njerëzish pa fe, njerëzish pa atdhe, njerëzish pa din e pa imam me mandatin e drejtorit dhe të tërë hipur mbi shpatullat e qeverisë, në kuptimin që qeveria investo për Vlorën e këta shkele me këmbë Vlorën hipur si pasagjerët e autobusit të Kuçit.

Dua të bëj të qartë që e gjithë kjo situatë do të ishte një gabim i madh sikur të lidhej me kryetarin e bashkisë, i cili në të gjithë atë situatë është më i miri, se nëqoftëse lidhet me kryetarin e bashkisë, atëherë bëhet gabimi tjetër, që ia lëmë vetëm Vlorës. Nuk është vetëm Vlora! Dhe dorëheqja e Ermalit sot, pas bisedave që kemi bërë bashkërisht, është tregues i pikërisht asaj që thashë, i një njeriu që e ndjen, e do Vlorën dhe që i vetmi problem që ka, është që duke ndenjur për një kohë shumë të gjatë jashtë Vlorës, larg Vlorës, larg Shqipërisë si diplomat, u zbut më shumë se ç ‘duhet për të përballuar aradhenë. Uroj shumë që skuadra e re e deputetëve të Vlorës, të mos e harrojë asnjë ditë se të përfaqësosh Vlorën në radhët e grupit parlamentar të PS, është një privilegj shumë, po shumë i veçantë, të cilin sado të punosh për Vlorën, nuk  mund ta meritosh dot deri në fund. Ama për ta merituar sadopak, duhet të jesh ushtar i atij populli, mbrojtës i atyre që kanë talent dhe që kanë merita, por s’kanë miq dhe kushërinj deputetë dhe kuadro në Vlorë dhe pikërisht pse nuk është vetëm Vlora, po Vlora ka atë zakonin që bie në sy më shumë se gjithë të tjerët, ka ardhur koha që të ngremë një komision të etikës, me deputetë, me përfaqësues të Partisë Socialiste në çdo bashki, i cili duhet të trajtojë një fenomen gërryes, shkurajues për njerëzit, poshtërues, të vjetër, të egër që duhet sulmuar agresivisht në çdo territor, duke filluar nga qendra, përkatësisht nga qeveria dhe nga grupi parlamentar dhe pastaj në nivel bashkie dhe të çdo ndërmarrje publike, nepotizmi, lidhjet e gjakut në pozicione drejtuese.

Familjarët e një pjese këtu kanë meritën e madhe që na mbështesin pa kushte duke marrë dhe stres dhe baltë krejt të pamerituar për hatrin tonë, qofshin kur janë gjyshër, qofshin kur janë fëmijë, çka duke u nisur unë personalisht nga vetja mund t’ju them se në sytë e mi ata i bën heronj që më kanë mua në shtëpi dhe me përballojnë dhe jo vetëm përballojnë për mua shumë më tepër sesa ç’përballoj unë për ata, por e kanë bërë vet dhe në udhëheqjen e opozitës brenda shtëpisë time ndarjen me thikë të punëve të tyre nga punët e shtetit. Se kur vjen puna te vendimmarrjet tona dhe tek aksesi në sferën e funksionit të detyrave publike, familjaret dhe lëre pastaj farefisi dhe krushqit, nuk mund të kërkojnë avantazhe nga pushteti ynë. Jo vetëm në raport me ata qindra mijëra anëtare dhe mbështetës të kësaj familje të madhe politike që janë arsye pse ne jemi këtu se nuk janë krushqit, nuk janë kushërinjtë, por në as në raport me çdo njeri të këtij vendi që duhet të vlerësohet sipas meritës dhe jo sipas mbiemrit të tij apo mbiemrit të vjehrrit, jo sipas afërsisë apo largësisë nga tarafet e njërit apo tjetrit të nesh, jo sipas interesit privat apo politik, por gjithsesi personal të deputetëve që bëjnë qoka në mënyrën më të papërgjegjshme për të sistemuar njërin apo tjetrin dhe që nuk duan t’ia dinë fare se çfarë pasojash ka sistemimi i të paaftëve dhe i dallkaukëve në cilësinë e punës së një institucioni. Ashtu sikundër nuk duan ta dinë fare që ato qoka janë thika pas shpine e prindërve, e gjyshërve e gjysheve që çohen në 8 të mëngjesit për të votuar të parët PS dhe që meritojnë për nipin dhe për besën e tyre që PS t’i trajtojë si fëmijët e vet.

Unë e di shumë mirë që të përpiqesh të zbusësh efektet e nepotizmit në administratën shqiptare dhe sidomos në lokalitetet e vendit është si ti hysh një rrjete të shpifur, me të shpifur sesa të merimangës, por ne duhet t’i hyjmë kësaj përpjekje. Ne do t’i hyjmë kësaj përpjekje pikërisht ne emër të atyre që thashë dhe të bijave, bijëve, nipërve dhe mbesave të tyre që na e dhanë votën pa na njohur nga afër, duke na parë në televizor, pa pasur asnjë lidhje gjaku dhe taraf me ne, por ama duke shpresuar që ne do t’i trajtojmë fëmijët e tyre në mënyrë të barabartë me tanët, kur fëmijët e tyre kërkojnë thjeshtë të vlerësohen sipas meritës. Kush jemi ne që i privojmë ata nga kjo kërkesë krejt legjitime në këmbim të besimit dhe të mbështetjes që na kanë dhënë?

E di që do të jetë e vështirë, por vija e sjelljes është e thjeshtë. Kush është bere deputet për të sistemuar në punë shteti familjaret dhe kushërinjtë duhet ta dijë që sot, nuk do jetë më fare i mirëpritur në grupin parlamentar nëse do shfaqet si personazh nepotik i pakorrigjueshëm dhe komisioni i etikes do bëjë pikërisht këtë, do caktojë kornizën dhe kufijtë, çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur dhe një deputet që thotë: “po pse, familjarët e mi janë të aftë” duhet të bëjë një gjë shumë të thjeshtë, duhet të lërë mandatin dhe tu japë mundësi familjarëve të vet të tregojë aftësinë e tyre në punët e shtetit si drejtues. Shumë e thjeshtë! Kjo pune është sakrificë, nuk është privilegj. I vetmi privilegj që ka kjo punë është privilegji që ne të bëjmë çfarë të mundemi për ata që na kanë dhënë besimin dhe kur të shkojmë te Shën Pjetri, ku nuk pranohen as kesh-i, as kartat e kreditit as lidhjet farefisnore, asgjë, të kemi mundësi të mos na trajtojë si legena.

Ndërkohë fuqizimi i administratës publike, thellimi i reformës, përmirësimi i shkollës së administratës, krijimi i një sistemi periodik testimesh me gojë dhe me shkrim, rritja e cilësisë së kapitalit njerëzor të administratës këtu dhe në bazë duhet të marrë një vëmendje të posaçme. Kjo parti nuk duhet në asnjë mënyrë për shkakun e askujt në këtë çati të bëhet në asnjë sektor dhe territor pengesa e këtij procesi për reformën e administratës. Duke shtyrë përpara dhe mbështetur të kundërtën e meritokracisë.

E preka që në fillim, programi ynë qeverisës s’ka qenë kurrë më i qartë dhe më konkret se këtë radhe. Zotimet tona elektorale janë akoma të freskëta dhe janë të integruara besnikërisht në dokumentin e programit që ne do ta paraqesim pas disa ditësh në Kuvend.

Kjo fjalë preku me shprehjen e sinqertë të shqetësimit tim natyrën e sfidës që na prek të gjithëve bashkë në këtë mandat të ri, ku eksperienca unikale e përsëris e 12 viteve duhet të na e rrisë cilësinë e proceseve të punës dhe vendimmarrjes ndërsa energjia e re që na ka dhënë fitoja e këtij mandati të katërt, domethënë na kanë dhënë ata që do t’i kemi parasysh sa herë që marrim një vendim, duhet të na ushqejë ambicien për të ecur më shpejt duke bërë më shumë punë.

Kjo shumicë e re parlamentare, qeveria e re që do dalë prej saj, skuadra e re qeveritare që do zgjerohet më pas dhe me zëvendës ministrat dhe drejtues të rinj duhet të marrë frymë me dëshirën për ta bërë Shqipërinë, Europën e Ballkanit dhe ky mision shumë i madh për të mos u ngritur secili dhe secila më vete dhe njëkohësisht të gjithë bashkë mbi vetveten dhe për të mos e ngritur Partinë Socialiste në nivelin e sfidës së një hapjeje kapilare ndaj njerëzve jashtë rrethit të familjes sonë të madhe, është misioni ynë.

Duke filluar nga demokratët, komuniteti i demokrateve në çdo territor ku ka më shumë se asnjëherë njerëz që duan të na bashkohen. Ne sapo i kemi fituar zgjedhjet dhe nuk na duhet më ne vota e tyre. por dëshira dhe energjia e tyre për të punuar duke dhënë përmes punës së tyre një kontribut sado të vogël dhe natyrisht duke mbajtur ndershmërisht në punë veten dhe pastaj ushqyer familjen e tyre në këtë kalim historik, na duhet dhe na duhet që çke atë punë dhe ne do ta ndjejnë sinqerisht dobinë e kësaj hapjeje. Ne nuk duhet të sillemi me këtë parti dhe me këtë moment si njerëzit që janë ulur në tavolinën e byrekut dhe mbyllin derën se mos vijnë të tjerët dhe kërkojnë byrek, gjë që ndodh shpesh për fat të keq në shumë territore dhe në shumë organizata ku partia trajtohet si byrek, por duhet ta ndjejmë si një afrim, në një bashkim patriotik me sa më shumë njerëz të zakonshëm, qytetarë dhe profesionist, demokratë apo çfarëdo qofshin.

Kjo është një pjesë kuptimplotë e asaj që thashë më parë, detyrimit strategjik të Partisë Socialiste për t’i garantuar sot vetes qëndrueshmërinë e vet afatgjatë. Shqipëria është shumë e vogël për të pasur luksin e mos shfrytëzimit të burimeve të mira njerëzore për interesat e shtetit pa diskutim dhe në shtresën e lartë të llumit të kënetës politike të opozitës, ka plot burime të pastërta, burime të vlefshme sidomos në territore më të vogla ku edhe burimet njerëzore në tërësi janë më të pakta dhe aftësinë e hapjes, fuqinë e integrimit përtej rrethit. Ne do ta vendosim në kriteret më të cilat do të vlerësojmë kandidaturat e kryearëve të bashkisë pas dy vjetësh. Prandaj drejtuesit politik, sekretariati i ri ekzekutiv i partisë që do të zgjidhet kur të vijë koha duhet që ta marri përsipër si mision politik të këtij mandati të katërt integrimin e demokratëve dhe të gjithë të tjerëve që përfaqësojnë burime të mira njerëzore në rrethin e bashkëjetesës sonë politike. Ne nuk bashkëqeverisim dot me një grusht të harruarisht nga koha në krye të opozitës, por nuk na pengon asgjë përkundrazi që të fitojmë dhe të ftojmë e të integrojmë në bashkëqeverisjen e punëve të vogla në territore, por edhe të punëve të mëdha të vendit dhe të komuniteteve tona në të katërta anët e vendit individë pozitiv nga ana tjetër e spektrit politik, duke mos u marrë me “çfarë bënte ai, kur ne bënim këtë”,  “ku na shfaqej ai, kur ne ishim atje”, “ça tha ay, kur ne luftonim për ty’a”, këto janë pa lidhje me misionin që kemi ne.

Megjithatë për këtë dhe shumë të tjera do duhet të flasim më gjatë, ndërkohë që fokusi i sotëm është tek fryma e përgjithshme e mandatit të ri, tek qasja ndaj pushtetit që na e ri dha populli me plot 83 mandate dhe krijimi i qeverisë së re, e më pas, pastaj krijimi i skuadrës drejtuese të grupit dhe komisioneve parlamentare në mbledhjen e grupit dhe më pas.

Shumëkush e ka kërkuar në shumë vende të fantazisë arsyen pse asambleja nuk u mblodh më parë dhe pse unë kërkova më shumë kohë dhe qeveria e re u vonua këtë herë krahasimisht me pikënisjet e mandateve të tjera.

Po përgjigja është pak a shumë në fjalët që thashë deri këtu dhe ndërtimi i skuadrës së re ishte sprova ime e parë në shikimin e arritjeve të boshllëqeve nga këndi i një kritiku sa më të dobishëm të qeverisë dhe të punës së saj deri tanishme, duke u përpjekur që eksperiencën e fituar ta vë nën lëkurën e një kryeministri të ri, kundërshtar me qeverinë e deri sotme, që është thirrur në krye detyrës që t'i bëjë punët sa më ndryshe dhe ja pse ndryshe nga herët e tjera edhe paraqitjen e qeverisë së re do ta bëj tani, herë pas here, me disa shpjegime rrugës.

Si fillim në rolin e zëvendës kryeministrit, konfirmoj zëvendësen time, Belinda Balluku, kontributi i së cilës deri më sot ka folur vetë më mirë se çdo fjalë. Zëvendës kryeministrja do të drejtojë të njëjtën ministri, Infrastrukturën dhe Energjinë, e cila nuk do të ndryshojë si ministri, sepse ka fituar një qëndrueshmëri që vetëm mund të forcohet.

Ndërkohë që tipari i pakënaqësisë kronike të ministres ndaj punëve që drejton vetë është një e dhënë shumë premtuese për të besuar se do të ecim më mirë dhe më shpejt, edhe në drejtime ku jemi shumë përpara, po edhe në drejtimin ku jemi shumë mbrapa, me standardet dhe me ambicien për një Shqipëri anëtare të Bashkimit Evropian, si për shembull transporti publik.

Drejtimin e Punëve të Brendshme do t'ia besoj për herë të parë një gruaje, me një profil krejt tjetër nga çfarë ka pasur historikisht në krye të asaj ministrie, sipas meje ka një arsye të fortë për ta bërë këtë zgjedhje. Punët e brendshme në këtë vend janë njësuar historikisht me punët policore, por ato në fakt nuk janë kurrsesi thjesht dhe vetëm punët e Policisë Shtetit, pavarësisht se në sferën e veprimtarive që lidhen me punët e brendshme, Policia e Shtetit pa diskutim zë pjesën më të madhe.

Jo vetëm se ligji ynë, ai i shkruari, por i pazbatuari dhe praktika e kudo ndodhur e vendeve demokratike e thonë në të gjithë gjatësinë dhe në të gjithë gjerësinë e tyre, që Ministria e Brendshme nuk bën punë policore dhe ministri i Brendshëm nuk është kryepolici, as i Shqipërisë, as i Gjermanisë dhe i asnjë vendi demokratik, po mbi të gjitha, për një sërë nevojash të mëdha dhe të pa adresuara gjëkundi në punët tona të brendshme, unë mendoj se një ndryshim domethënës i profilit të ministrit të Punëve të Brendshme është një pikënisje e logjikshme. Për shembull, si rezultat i pikërisht traditës së pashëndetshme të fokusimit të ministrave të Brendshëm, ekskluzivisht tek Policia në këto dekada, ne sot dhe gjithë ditën 35 vjet transformim demografik dhe fizik të vendbanimeve të Shqipërisë jemi i vetmi vend në rajon, se në Europë është e kotë ta diskutojmë, pa një sistem modern funksional adresash dhe të gjithë ministrat e Brendshëm që kanë punuar me mua, e kujtojnë, besoj, biseda e parë pas mandatimit ka qenë adresa. Gjithmonë është ngritur një grup pune për adresat dhe adresat janë tek kthesa e “Pallatit me Shigjeta”, “Shtëpia e Kuqe” që ka mbrapa një gardh me dy dele që i rrit njëri, që do të thotë se ku është shtëpia ku ti duhet të çosh zarfin.

Tjetra, kemi një sistem të prapambetur zjarrëfiksash, gjithmonë si një trup që merr në fund thërrimet dhe kjo ndodh sepse janë lënë si gjitha gjërat e tjera jo policore në plan të dytë të vëmendjes së regjisë së punës së brendshme, ndërkohë që sot zjarret, jo krimi, zjarret janë problemi ynë më i madh kanë dalë vetë forcërisht në planin e parë në gjithë Europën dhe kanë ardhur në Shqipëri, duke kërkuar nga ne një adresim strategjik afatshkurtër dhe afatgjatë. Ndoshta, nuk e di, ishte e natyrshme që policia të ishte si çeta e ministrit të Brendshëm, deri kur vendi kishte mesatarisht mbi 100-110 vrasje në vit. Mbase edhe mbasi ne morëm detyrën, kur ringritja e Policisë Shtetit nga hiri ishte prapë e natyrshme që policët mos shtynin më makinat, se ju mbaronte karburanti rrugëve, që të ishin prioriteti i prioriteteve dhe ministrat bënin kryepolicin, por sot, kur parametrat e rendit publik janë brenda normave të pjesës së dytë, po ama, të pjesës së dytë të tabelës së klasifikimit të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe kur të tjera punë të brendshme kërkojnë një vëmendje të shtuar, kërkojnë aftësi të tjera dhe mbi të gjitha kërkojnë një mendësi të re, Ministria e Brendshme duhet të ngrihet në një lartësi të re. Duhet të bëhet ministri e Punëve të Brendshme, nga ku t'i shohë në 360 gradë punët e brendshme fhe t’i drejtojë ato, si çdo vend i Bashkimit Europian. Ndarja e qartë e Punëve të Brendshme në ligjin shqiptar dhe në zakonin europian, nuk mund të mbeten në letër se zakoni shqiptar e ka ndryshe avazin denbabaden. Politikat dhe strategjitë e punëve të brendshme, nuk mund të jenë më vetëm dosje, janë bërë ato, janë shkruar të gjitha proforma, por për të larë gojën që flenë nëpër sirtarë. “E kemi dhe një strategji ne për këtë, e kemi dhe për atë”, është shkruar, është kyçur dhe vazhdojmë, “Policia është me ne”. Administrata e Ministrisë së Brendshme nuk mund të jetë më një burokraci e zhytur në kënetën e varfërisë së aspiratave. Arsimimi dhe edukimi në vazhdim i trupës policore. Funksionimi i prefekturave, këtu janë disa nga prefektët. Prefektët dhe prefekturat janë lënë si ngushëllim për zjarrfikësit që ka dhe më keq. Policimi në komunitet. Vizat dhe lejet e qëndrimit dhe të punës, pyetini sipërmarrjet që kërkojnë leje qëndrimi për punë nga Ministria e Brendshme. Pyetini. Deri përpara pak kohësh kishte një bindje absolute të administratës së ministrisë së Brendshme, që kontaktet me ata që duan të vijnë në Shqipëri për të punuar, duhen bërë sy më sy. Që do të thoshte, që do të vijë në Shqipëri për të punuar një indian, duhet të shkojë në ambasadën më të afërt, ta shikojë në sy ky i ambasadës tonë në Malajzi dhe mbasi ta shikojë, të kuptojë, ky është njeriu që po vjen për punë apo po vjen për ndonjë gjë tjetër. Parafytyroni, ndërkohë që sot që flasim, në Indonezi dhe në Filipine, vendet e Bashkimit Europian, të tëra, të tëra janë vënë resht. Ka një rresht atje. Ka një rresht real, kur të vjen radha të ulesh të negociosh me qeverinë e Indonezisë dhe Filipineve për punëtorë. Ne e kishim nga ministria e Brendshme sy më sy, domethënë një punëtor për të ardhur këtu për të ndërtuar apo për të bërë kamarierin, duhet të nisej në Malajzi të shihte atë tonin atje.

Problematika e migracionit dhe emigracionit, gjendja civile, standardet e shërbimit të kompanive të sigurisë private. Kompanitë e sigurisë private në Shqipëri janë një popullatë më vete me pistoleta në brez, që vetëm kur ndodh ndonjë gjë, kujtohemi, ore çfarë bëhet me këta?! Policia shkencore, policia shkencore nuk ka lidhje me uniformat, është më vete. Administrimi i pasurive të sekuestruara. E dini çfarë ndodhte me administrimin e pasurive të sekuestruara? I ri blinin ata të cilëve u sekuestroheshin me tendera. Kuptohet, është vënë rregull, por nuk mjafton. Nuk mjafton.

 Ju që vini nga territoret, me siguri në çdo territor jeni në gjendje të thoni që diku ka një varrezë të madhe makinash që i mban policia si prova, nga 91-shi. Që kur kanë hyrë makinat në Shqipëri, policia mban prova nëpër parqe dhe duam të bëjmë më kryetarin e bashkisë Shkodër, një park të madh ‘Dua të luaj’ për fëmijët, ai është komplet varrezë. E dini për sa u zgjidh? Për një javë! E dini sa priti? 30 vjet! Se është punë e brendshme kjo dhe nuk është puna e Policisë që ta zgjidhë, është puna e Ministrisë që ta zgjidhë, e administratës.

E pastaj, për të mos folur për kontrollin e territorit, në kuptimin e ndërtimeve, për të mos folur për transformimin teknologjik të sistemit të punëve të brendshme, përmes inovacionit që është një tjetër hall shumë i madh me atë administratë, janë të gjitha punë të brendshme të një rëndësie të dorës së parë dhe nuk mund të mbetet më si punë angari, në duart e ca shefave të përgjumur që zgjohen vetëm kur shfaqet ndonjë oportunitet strategjik dhe komplet pa motivuar në korridoret e Ministrisë së Brendshme.

Prandaj për ta adresuar të gjithë këtë tematikë, në drejtimin e Ministrisë së Brendshme do të vijë Albana Koçiu, e cila ka një karrierë tanimë të gjatë në administratë, ka filluar nga shkalla më e ulët, e njeh si pakkush në këtë vend administratën publike, ka qenë për 10 vjet, në mos gabohem drejtore e Administratës Publike dhe në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, më ka krijuar bindjen që jo vetëm ka ambicien dhe këmbënguljen, por ka dhe një kapacitet të veçantë motivues të njerëzve.

E shoh të rëndësishme të nënvizoj diçka këtu, që Ervin Hoxha ashtu si dhe Igli Hasani, të cilit duhet t’i besojmë Komisionin e ri Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme, kanë bërë që të dy punën e tyre me seriozitet dhe për kohën që patën në dispozicion, kanë vazhduar të mbajnë timonin drejt, por në krye të atyre dy prej ministrive më të prapambetura, ato, jo prej, por janë ministritë më të prapambetura, në aspektin e mendësisë së administratës, duhet tërmet. Tërmet Peçin e kemi deputet, nuk e bëjmë dot ministër të Brendshëm, sikundër më thanë që ishin shprehur disa shoqata në Tepelenë dhe disa portale në Tiranë.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, është një tjetër vend mbledhje pluhurash, të kohës që në atë ministri, matet me qetësi olimpike. Ministria e Jashtme jeton në një zonë orare tjetër, ma besoni këtë. Një zonë orare e ndryshme nga ora e Shqipërisë, ndërkohë që shërbimi i jashtëm ku fatmirësisht kemi disa ambasadorë të nivelit më të lartë europian, është një trup që në tërësinë e vetë, ecën me xhiro të ngadalësuara dhe nuk jep dot atë që me të drejtë pritet prej tij, sidomos në planin e diplomacisë ekonomike, ku me gjithë kërkesën time këmbëngulëse, prej vitesh rezultatet janë modeste, nuk ndryshojnë dhe janë shkurajuese, por ka dhe një arsye tjetër, më e rëndësishme për ta ndryshuar drejtimin e kësaj ministrie.

Në këtë fazë të re, ku na duhet të përgatitemi për një ofensivë diplomatike si asnjëherë më parë sepse procesi ka negociatat, por ka dhe gjithë qeveritë, ministritë e jashtme, parlamentet që do të duhet të votojnë anëtarësimin e Shqipërisë, duhet që ta çojmë në maksimum mbështetjen politike të anëtarësimit dhe na duhet në krye të diplomacisë shqiptare, një profil maksimalisht politik dhe me aftësi të spikatur për të mos i pushuar goja, që natyrisht është Elisa Spiropali.

Deri këtu u bënë 3 gra, por nuk do jetë një qeveri ku unë do të jem i vetmi burrë. Petrit Malaj i sapo zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë si deputet i qarkut Fier dhe pas një periudhe prove, për mua është shumë premtuese, në krye të Financave edhe si një prurje e re në Partinë Socialiste nga gjiri i profesionistëve, do vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Financave.

Do të konfirmohet në detyrë edhe Blendi Gonxhja, por jo me të njëjtin portofol. Mendoj se tanimë, erdhi koha që Turizmi t’i bashkohet Kulturës, ndërsa Mjedisi të dalë krejt një ministri më vete, jo thjesht për peshën e jashtëzakonshme që ka në negociatat për anëtarësim, por dhe për vëmendjen e re dhe kujdesin e shtuar që ne do t’i kushtojmë në këtë mandat mbrojtjes, ripërtëritjes dhe promovimit të mjedisit si aseti ynë më i vyer dhe si burimi ynë më i madh për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Siç e ka treguar aftësinë drejtuese dhe përkushtimin e nevojshëm në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kam besim se Blendi do të jetë ministri i duhur në këtë fazë për t’i kthyer Kulturën dhe Turizmin në dy anët e së njëjtën medalje krenarie, bukurie, shijeje dhe përgjegjësie kombëtare gjithashtu.

Mirela do ta lërë stafetën e turizmit pas një pune plot mund dhe pasion, rezultate që flasin qartë për angazhimin e saj të palodhur ndërkohë që turizmi gjendet në një udhëkryq strategjik, midis ngjitjes së vështirë por të domosdoshme në një nivel tjetër, ku forca tërheqëse e këtij vendi të bëhet e pa rezistueshme për konsumatorët e mëdhenj, falë cilësisë së lartë apo rënies shumë e lehtë kjo e dyta, në ritmin e vendnumërimit gjunjëzues të turizmit masiv, me konsum shumë të ulët dhe ndotje të lartë. Ndërsa kultura duhet të ecë më shpejt në formësimin e korpusit të institucionit të saj, jo vetëm që Shqipëria 2030 të jetë Europa e Ballkanit, me Teatrin Kombëtar më të bukur në rajon, me Galerinë më të bukur Kombëtare të Arteve në rajon, me Muzeun më të bukur Kombëtar të rrëfimit të vetvetes në rajon, por duke ushqyer si duhet burimet e veta krijuese, Shqipëria 2030 duhet të formësohet si një oaz tërheqës për jetën kulturore dhe artistike të të gjithë kësaj ‘’lagjeje’’ të Europës, ky synimi ynë duhet të jetë të joshim nga jashtë jo vetëm talentet tona, por edhe talente nga vende të ndryshme që të bëhen rezidentë në Shqipëri.

Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit do t’i bashkohet dhe Sporti, ku duke filluar nga futbolli duhet të shtyjmë fort qysh në nisje të këtij mandati të ri, një reformë të vonuar pa të cilën nuk i mundësojmë dot sportit më të ndjekur në botë, ngjitjen e një niveli tjetër. Nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit mbetet vetëm lëvizja sportive në shkolla.

Edhe Ministrinë e Mjedisit do ta drejtojë një burrë. Sofjan Jaupaj është negociator i Shqipërisë për kapitullin e rëndë që lidhet me mjedisin. Ai jo vetëm është një ndër njohësit më të mirë të anës teknike dhe ligjore të mjedisit, por është edhe një ndër shqiptarët më të apasionuar pas mjedisit. Edhe Sofjani i ka ngjitur shkallët e karrierës një e nga një si profesionit i përkushtuar për të arritur në nivelin e zëvendësministrit aktual të mjedisit, duke e merituar plotësisht të vihet tani në një provë zjarri, pikërisht në kohën kur Shqipëria ka nevojë të domosdoshme zhvillimin e mëtejshëm, por njëkohësisht ka nevojë jetike të mbrohet dhe të rigjenerohet nga ana mjedisore.

Mirela Kumbaro, puna, përkushtimi dhe integriteti i së cilës kanë folur në emër të saj, në të tëra vitet e shërbimit publik, do të jetë drejtuesja e re e Ministrisë së Arsimit ku parë nga këndvështrimi im, boshllëqet e brendshme përtej mureve të shkollave të reja dhe librit të pagave të rritura të mësuesve, janë të mëdha, njësoj si thashë edhe për spitalet dhe për mjekët. Madje, për të përdorur fjalën e duhur, duke folur si një kryeministër i sapo zgjedhur që nuk ka lidhje fare me çfarë keni bërë ju në tërë këto vite dhe që do të hyjë në zyrë për herë të parë pas ca ditësh, ato boshllëqe, pasojë e sëmundjeve të vjetra dhe të ngadalësuara, por jo të shëruara të sistemit arsimor, bëhen përditë ca zgavra të frikshme nën ndikimin e mostrave të botës së re digjitale, por megjithatë unë nuk jam aspak pesimist, as përballë kësaj nyjeje tejet të vështirë që i ka lidhur fëmijët tanë pas ekraneve të një bote tjetër. Përkundrazi kam shumë besim se në piketat e reja që kemi vendosur edhe së fundmi me Ogertën, Mirela do të shtojë dhe do të shtrojë me përkushtimin e saj, rrugëdalje falë qoftë eksperiencës, tanimë jo të shkurtër në drejtim, por edhe falë eksperiencës së gjatë si pedagoge e Universitetit të Tiranës.

Shëndetësinë do ta drejtojë një studente e dikurshme e atij universiteti, pranë Fakultetit të Mjekësisë e cila prej plot 29 vjetësh, ka zhvilluar një karrierë ndër më mbresëlënëset në radhët e shqiptarëve të Europës dhe të botës. Ajo ka spikatur si akademike, si mjeke dhe si drejtuese në disa prej universiteteve dhe qendrave më të njohura spitalore në botë. Nga qendra spitalore për kancerin Memorial Sloan Kettering në Neë York në pozicionin e profesores dhe shefes së radiologjisë abdominale, tek universiteti i Kembrixhit ku ka punuar si profesor i imazherisë onkologjike, ka mbrojtur doktoraturën dhe ka kryer specializimin e lartë në radiologji dhe së fundmi në Poliklinikën Universitare Gemelli ku drejton departamentin e imazherisë diagnostike dhe radiologjisë dhe njëkohësisht ushtron dhe detyrën e profesores në Universitetin Katolik të Zonjës së Shenjtë në Romë. CV e saj është një dokument më i gjatë se fjalimi im sot, ku shkruhet për drejtimin e një sërë grupesh kërkimore –shkencore të financuara nga një agjencitë më të njohura evropiane dhe amerikane, për mbi 300 publikime shkencore, mbi 500 kumtesa dhe ligjërata në forume akademike ndërkombëtare, pjesëmarrje në bordet e disa shoqatave të mirënjohura evropiane dhe jo vetëm të radiologjisë si dhe çmime dhe vlerësime prestigjioze ndërkombëtare ku do të veçoj një vlerësim shumë special që më bëri shumë përshtypje, pranimin e saj në Tokio si e para grua anëtare në historinë e të famshmes “ Japonese Radiology Society’’. Duke e pranuar pas një kohe të arsyeshme reflektimi ftesën time, profesore Evis Sala, do ta lërë Italinë për të na u bashkuar si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë përpjekje historike të Shqipërisë 2030 në BE. Ajo do të sjellë përveç të tjerash në qeveri edhe shembullin rrezatues të shqiptarëve të suksesshëm të Europës dhe të botës të cilëve do tua hapim derën sa më shumë dhe gjithnjë e më shumë, qoftë për të shërbyer si profesionistë në çdo nivel nga qeveria deri në çdo njësi vendore, qoftë për të investuar si njerëz të kësaj toke.

Një tjetër grua edhe ajo në mandatin e parë si deputete, por me një eksperiencë tanimë jo të vogël dhe gjithashtu me ngritje graduale të shkallës së karrierës, duke e nisur nga niveli i specialistëve në administratë, do të drejtojë një ministri që rezulton nga bashkimi i kulturës dhe turizmit. Delina Ibrahimaj do të jetë ministrja e re e Ekonomisë dhe Inovacionit. Kjo është një kohë e mbarsur shumë në çdo drejtim, me potenciale të jashtëzakonshëm për rritjen e mëtejshme të ekonomisë dhe përshkallëzimin e mëtejshëm të inovacionit, prandaj çdo ditë të mandatit të ri, duhet ta shpenzojmë duke menduar se si çdo fushë, se si çdo institucion, çdo buxhet që hartojmë dhe shpenzojmë, të lidhet me rritjen e ekonomisë ku përshkallëzimi i inovacionit duhet të jetë prioritet i pandarë në sytë, në qasjen, në punën e çdo drejtuesi në nivel qendror dhe vendor.

Një ndër detyrat e para që ministrja, e pashë të rëndësishme ta ndaj këtë duke përfituar dhe nga niveli i vëmendjes, që ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ketë, është përpilimi i dy objektivave të rinj, një sasior dhe një cilësor, specifikisht për çdo anëtar qeveritar dhe pastaj për çdo kryetar bashkie të Partisë Socialiste.

Ministritë, agjencitë, bashkitë nuk mund të jenë vetëm konsumatorë të pakënaqur të buxhetit që kërkojnë gjithmonë e më shumë buxhet, por duhet të bëhen dhe kontributorë të ekonomisë që krijojnë të ardhura të qenësishme për shembull, në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe modeste në fushën e kulturës, por çdo vit në rritje dhe midis mbrojtjes dhe kulturës ka një spektër të tërë fushash ku mundësitë për të qenë aktivë në funksion të krijimit të të ardhurave jashtë buxhetit janë të pafundme. Ky është një objektiv sasior ndërsa objektivi cilësor është jetësimi me një ritëm krejt të ri të projekteve të inovacionit, në bashkëpunim me një ministre te re shteti e cila është krijuar nga inteligjenca artificiale dhe publiku e njeh me emrin Djella.

Falë 972 mijë shërbimeve dhe 36 mijë e 600 dokumentave me vulë digjitale që ajo u ka dhënë qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit nga platforma E-Albania. Djella, anëtarja e parë jo fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar nga inteligjenca artificiale e një qeverie do të ketë në mbështetje një strukturë të posaçme për adoptimin e inteligjencës artificiale në proceset qeverisëse si dhe një mandat të posaçëm për të shembur barrierat e paragjykimeve, frikërave dhe më rëndom akoma ngurtësisë së administratës dhe për të ndikuar sa më fort ritmin e proceseve të qeverisjes. Dje në mbledhjen e saj të fundit të mandatit të tretë, qeveria mori dhe vendimin e fundit që i kishte mbetur për nxjerrjen përfundimisht të tenderave jashtë nga ministritë, por në mandatin e katërt duhet të bëhet Djella shërbyesja e prokurimeve publike të cilat duam që t’ia kalojmë hap pas hapi inteligjencës artificiale duke e bërë Shqipërinë një vend ku tenderat publik janë 100% të pa korruptueshëm dhe ku çdo fond publik që kalon përmes procedurës së tenderit është 100 % i lexueshëm. Kjo nuk është fantashkencë, por është një nga detyrat e Djellës. Mandati i Djellës nuk do ketë as kufi gjeografikë, as kufi kombësie dhe struktura në mbështetje të saj do të ketë autorizimin të punësojë këtu apo të kontraktoje në hapësirën e botes talente nga e gjithë dynjaja.

Duke u kthyer tani tek anëtarët virtualë të qeverisë një nder negociatorët më të spikatur të skuadrës sonë kombëtare me Brukselin, një funksionar shembullor i shtetit në çdo drejtim, profesionist i përkushtuar, drejtues i mençur sa herë i kërkohet që të shkojë të zgjidhë një punë që të tjerët nuk e zgjidhin, Besfort Lamallari prej jo pak vitesh tanimë zëvendës ministër i Brendshëm, do të jetë ministër i ri i Drejtësisë.

Ndërkohë pas një punë të mirë në krye të dikasterit të drejtësisë Ulsi Manja do të ri marrë drejtimin e Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ku eksperienca e dyanshme e tij si deputet dhe si ministër më jep siguri në mbarëvajtje e këtij komisioni kyç nga do kalojë në 4 vitet e ardhshme i gjithë lumi i rrëmbyer i reformave dhe ligjeve për Shqipërinë 2030 në BE.

Si asnjëherë më parë në 35 vite zhvillim demokratik, Mbrojtja do të marrë gjatë mandatit tonë të ri jo vetëm një peshë të madhe në të ardhurat që do të angazhojë nga buxheti i shtetit për arsyet që dihen, por dhe një rol krejt të ri në zhvillimin teknologjik, ekonomik dhe social të vendit. Si rrjedhojë e rilindjes së industrisë ushtarake e cila sapo ka filluar të hedhë hapat e parë, por do të hedhë hapa shumë të shpejtë në momentin që marrëveshjet e para do të futen në punë, sektori i mbrojtjes do të krijojë vende pune të mirë paguara, hapësira të reja për inovacion, prodhime vendase të standardeve më të larta ndërkombëtare, që nga dronët e fjalës së fundit deri tek makinat ushtarake e lëre pastaj uniformat e çdolloj, jo vetëm për nevojat e forcave tona të armatosura apo të trupave te tjera më uniformë por edhe për eksport drejt vendeve mike.

Si sot në 22 muaj nga sot Shqipëria do të mik presë samitin e NATO-s ku do të zbarkojnë të gjithë liderat e Aleancës së Atlantikut të Veriut me stafet e tyre ushtarake dhe civile, çka bën që vetëm brenda rrethit ku zhvillohet samiti mblidhen mbi 5000 vetë, ndërkohë që numri i gazetareve nga mbarë bota është më i larti i të gjitha llojeve të takimeve ndërkombëtare dhe e merrni vet me mend niveli i kërkesës për siguri është astronomik.

Ambicia ime është që qiellin e Shqipërisë gjatë ditëve të samitit ku normat e sigurisë siç thashë janë të larta si askund tjetër ta survejojmë me dron super inteligjent “made in Albania”.

Nuk na pengon asgjë ta bëjmë Shqipërinë 2030 një bazë prodhuese të denjë për një vend të vogël, por anëtar krenar të NATO-s ku një ushtri me paga në mesatare me vendet e Aleancës të jetë një forcë ushtarake e pajisur cilësisht jo vetëm me prodhime importi të cilat pa diskutim nuk shmangen dot të tëra, por edhe me prodhime vendase të cilat janë jo vetëm ekonomi, por janë dhe krenari kombëtare.

Në krye të Ministrisë së Mbrojtjes do të vazhdojë Pirro Vëngu i cili ka treguar kuptim të drejtë të sfidave dhe seriozitet dhe përkushtim në detyrë. Jo vetëm prej tij, por prej gjithë ministrave të konfirmuar unë pres shumë më tepër akoma në vijim dhe të gjithë duhet ta dinë që koha ime e pritjes në kryerjen e detyrave të punëve të nisura nuk do jetë më si koha e pritjes së një trajneri futbolli për të bërë ndërrimin, por si koha e një trajneri basketbolli.

Drejtimin e “punëve të fshatit” kam vendosur t’ia besoj një të riu nga një provincë e Shqipërisë. Ai më ka lënë mbresë me ambicien dhe me përkushtimin e tij si drejtues i një bashkie shumë të vogël, me mjete financiare fare modeste, një komunitet ndër më të varfrit e këtij vendi ku ka provuar me shembuj konkretë se jo vetëm e kupton mirë, por e ndjen fshatin duke parë përtej mirëmbajtjes kanale e kanalizimeve dhe rrugëve që zakonisht janë shqetësimet e vetme për shumë nga kryetarët e bashkive, duke kërkuar me sukses financime nga donatorë  dhe duke nxitur me sukses bashkëpunime me fermerët. Kryetar i bashkisë së Cërrikut Andis Salla do të jetë ministri i ri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural.

E kam të qartë dhe e di që kjo që po i besoj Andisit është një sfidë ku e ku më e madhe se të drejtosh bashkinë e Cërrikut që meqë ra fjala, duke pas drejtuar në bashki të madhe e di që është shumë më e vështirë të drejtosh një bashki të vogël për mundësitë e kufizuara që ke dhe për dyndjen e njerëzve që në rastin më të keq i ke familjarë, në rastin më të mirë i ke krushq. Megjithatë unë besoj që të rinjtë fjalë pak dhe të papërtuar si Andisi, Besforti apo Sofjani kanë të drejtën të vihen në prova të forta dhe pavarësisht sesa afër apo larg janë nga Tirana, ata kanë të drejtë të besojnë se vjen gjithnjë dita kur puna jote këmbëngulëse të sjellë mundësinë të ngjitesh më lart në karrierë dhe uroj shumë që gjithkush në këtë sallë ta ndajë me mua këtë mendim dhe të gjithë së bashku ta bëjmë këtë familje të madhe një familje gjithnjë dhe më të vërtetë për vajzat dhe për djemtë e arsimuar me talent dhe me vullnet, për vajzat dhe djemtë punëtorë pranë nesh apo pas nesh që shpeshherë e marrin të mirëqënë që duhet të bëjnë punën dhe s’duhet të kërkojnë asgjë tjetër, besimin se vjen gjithnjë dita kur puna shpërblehet dhe lere pastaj t’ia thyejmë dhe t’ia bëjmë copash siç ndodh shpesh, besimin, duke folur këtej për këta dhe andej duke përzgjedhur ngelësat e fisit, duke mos lënë katranjos të fisit pa futur në ndonjë pozicion ku ka edhe ndonjë interes. Duke folur këtej për meritë dhe andej duke vlerësuar pastaj krushqitë, duke folur këtej për shërbime të denja për popullin dhe andej duke i bërë hyzmetin vetëm tarafit.

Një tjetër kryetar i suksesshëm bashkie, bashki më e madhe kjo, deputeti i ri i qarkut berat, Ervin Demo do të marrë nga Arbjan Mazniku stafetën e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.

Ndërsa Arbi i cili ka hedhur një bazë të mirë për të mbështetur rritjen cilësore të qeverisjes vendore si ministër i Pushtetit Vendor do të aktivizohet si deputet i ri i qarkut të Elbasanit në Kuvend ku do të marrë drejtimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale 2.0.

Nuk besoj se është nevoja tani të zgjatëm për të ndarë me ju të gjitha pse-të e konfirmimit në detyrat aktuale të ministreve të Shtetit, madje njëkohësisht të të dyja zonjave të linjës Tiranë-Bruksel, Majlinda Dhukës dhe Adea Pirdenit, respektivisht kryenegociatorja dhe zëvendësja e saj.

Dua vetëm t’iu them të dyjave sot publikisht, që jam shumë krenar për ju dhe jam shumë falënderues të marr çdo ditë nga dy “zysha të brukselishtes” si ju, mësimet e nevojshme nga draft-kontrata qindra mijëra faqe e “martesës së Shqipërisë me Bashkimin Europian”.

Shumë faleminderit!

Në fund, por jo nga rëndësia, Marrëdhëniet me Parlamentin. Në këtë mandate vendimtar për Shqipërinë edhe këto marrëdhënie marrin një shkallë të re vështirësie për nga ngarkesa e shtuar e ndërveprimit  mes qeverisë dhe Kuvendit dhe për rrjedhojë nga nevojat shumë të mëdha në volum, të procesit të anëtarësimit, për t’iu dalë gjërave përpara që të mos gjendesh në asnjë hap me fytin që nuk furnizohet dot me frymë, duke vrapuar pas kohës që fluturon dhe duke ngritur telefonin, “duhet kaluar kjo”, “se erdhi”, mendoj se Toni Gogu e përmbush profilin që na duhet në këtë fazë për ministrin për Marrëdhënien me Parlamentin dhe jam i bindur se të gjithë ata që e kanë njohur në punë si deputet, po edhe ata që e kanë njohur si pastor, e ndajnë me mua këtë mendim.

Nuk ka një qeveri të re që bie nga qielli. Kjo ishte qeveria e re e eksperiencës së 12 viteve dhe e ambicies për të nxitur energji të reja dhe për të riparë vetveten fushë më fushë.

Duke falënderuar për kontributin të gjithë ministrat dhe ministrat aktualë, të cilët nuk janë më pjesë e qeverisë dhe duke iu falënderuar të gjithëve ju për këtë durim heroik, me kënaqësinë që pas shiut doli dhe dielli, po e mbyll këtë fjalë që ishte më e shkurta që kam mbajtur ndonjëherë.

Na priftë e mbara të gjithëve!

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni ndryshimet që bëri Rama në kabinetin qeverisës?