Gjykata Kushtetuese

Fjala e PLOTË/ Rama: 'Kushtetuesja', një ngrehinë me vendime të diskutueshme

20 Tetor 2022, 11:52| Përditesimi: 20 Tetor 2022, 12:10

  • Share

*Fjala e Kryeministrit Edi Rama në 30 vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese.

E nderuar Zonja Kryetare,

zonja dhe zotërinj,

Gjykata Kushtetuese përkujton sot 30 vjetorin e themelimit të saj. E kremte padyshim e rëndësishme, aq e rëndësishme, sa e keni parë të udhës të bëni pjesë të saj edhe autoritetet më të  larta të shtetit, përfshirë edhe mua si Kryeministër. E vlerësoj këtë ftesë ndaj edhe erdha, duke ju kërkuar ndjesë që nuk do të mund të qëndroj më gjatë se fjala, për një arsye që kryetarja e di, dhe ju falënderoj për ftesën, me një nuancë të vogël: duke më kërkuar fjalë përshëndetëse, më keni vënë përballë një dileme jo të thjeshtë dhe një sfide disi të veçantë.

Ndonëse sebepi është festiv, ushtrimi është delikat dhe skena jo e zakontë: Kreu i pushtetit ekzekutiv, përpara një plateje juristësh e gjykatësish, pra pushtetit gjyqësor, pa harruar edhe veshët e  sytë e diplomatëve të huaj, të cilët kur vjen fjala tek drejtësia duket se nuk ndjehen të huaj në territoret e saj - madje kanë edhe një luks e veçantë, që kur të duan mund ta ndajnë me publikun gëzimin ose hidhërimin për vendimet e gjykatave, çka për mua e për ne, autoritetet e këtij shteti, nuk është hiç e këshillueshme, lëre më pastaj e imitueshme.

Një fjalim përgëzues dhe linear këtu, siç e kërkon deri diku rasti e siç e këshillon tradita, mbetet në kufijtë e të pamundurës për mua, një fjalim kritik, mbetet po aq i pakëshillueshëm sa imitimi i diplomatëve kur emocionohen publikisht për vendimet e gjykatave. Kështu që edhe këtij “kurthi” joshës në fakt, do mundohem t’i shmangem në kufijtë e të mundurës.

Sot kremtohet, po përsëritëm, 30 vjetori i Gjykatës Kushtetuese. Në të vërtetë, ngjarja është më domethënëse se kaq. Në sytë e mi, çka kremtohet sot janë vetë fillimet e kushtetutshmërisë, të mbjelljes së idesë së saj si garanci e lirive individuale. Pas një periudhe tejet të gjatë ndrydhjeje totalitare, Shqipëria u pajis me një Gjykatë Kushtetuese përpara se t’i jepte vetes një Kushtetutë formalisht të kodifikuar, të miratuar si themel i shtetit të ri përmes procedurave e instrumentesh të kolauduar dhe falë konsensusit të bashkësisë politike, të bekuar prej votës së popullit.

Në zallamahinë e viteve të para të kalimit nga diktatura në liri duke synuar demokracinë, Gjykata Kushtetuese mori barrën e të konceptuarit të kushtetutshmërisë si vlerë universale, si ide dhe si horizont, ndonëse në një vetmi absolute, e zhveshur nga çdo traditë pararendëse, nga çdo instrument juridik shtrëngues dhe përbashkues dhe e pamësuar me bazat, për te mos folur pastaj për sofistikimet e të drejtave dhe lirive themelore, garantimi i të cilave ishte dhe mbetet çelësi i legjitimitetit të saj.

Pikërisht atëherë, në leksikun shumë modest politiko-juridik të kohës u shtuan disa terma dhe institute krejt të panjohura nga shumica, por jetike për ngritjen e qëndrueshme të demokracisë në vend: kushtetutshmëria, shteti i së drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve, të drejtat dhe liritë themelore e kështu me radhë. Të tilla nocione do të bëheshin filli përshkues i jetës politike, institucionale dhe publike shqiptare, shumë më tepër si trupa të rinj në tërësinë e arsenalit e diskursit publik, se sa si mishërim i organizimit të jetës institucionale dhe veprimtarisë politike.

Kështu hyri në bashkëjetesën tonë të re demokratike edhe një lloj “gogoli”, “rojtari i Kushtetutës”, siç nisi të etiketohej paksa frikshëm Gjykata Kushtetuese.

Ende pa u kthyer në një burim dytësor të së drejtës, ajo u shndërrua në mishërimin e saj, u bë vetë Kushtetutën e pashpallur dhe në shkrim e sipër. Deri sa të përftonte një fizionomi të përshtatur me misionin e saj themeltar dhe si shëmbëlltyra e rolit garantues që i takon, Gjykata Kushtetuese u rrah me vaj e me uthull gjatë një tranzicioni padevotshmërisht delirant.

Iu desh të ishte “roja” e një kushtetute që nuk ekzistonte dhe më pas të bëhej “truproja” e një Kushtetute që sapo kishte nisur të belbëzonte.

Megjithatë, pavarësisht tendencave të pa munguara deformuese për interesa politike e pragmatiste, falë Gjykatës Kushtetuese sot kemi një traditë të re dhe dinamike të ndarjes së pushteteve; një jetë parlamentare me rregulla pak a shumë të pranuara; një pavarësi të pushtetit gjyqësor që vazhdon të manifestohet edhe në formën e arbitraritetit, po jo më në atë të nënshtrimit ndaj pushtetit; një qëndrueshmëri të, pak a shumë,  sistemit juridik dhe gjithashtu një mbrojtje të pak a shumtë, të drejtave themelore të njeriut e kështu me radhë.

Si një i verbër që ecën këmba-dorazi në natyrën e pakufizuar që e rrethon, edhe Gjykata Kushtetuese eci në një lloj xhungle post-komuniste, ku vetë-kufizimi i pushteteve ishte një koncept i paarritshëm nga filli i arsyes sonë të përbashkët dhe individuale. Ndaj edhe sot, përgjatë qenies së saj 30 vjeçare,  Gjykata Kushtetuese është një ngrehinë me dritë dhe hije, me vula vendimesh të diskutueshme, po njëkohësisht edhe me shkëlqime deri edhe të lavdishme, ashtu si ndonjëherë rast me njolla të pajustikueshme. Po kush mund të harrojë vendimin për të ashtuquajturën marrëveshje të detit, nënshkruar nga pushteti ekzekutiv në shpërfillje të sovranitetit, kombëtar e popullor njëherësh?

Një vendim epik në historinë e saj ende krejt të re, 30 vjet sot të gjithë ditën, për historinë e një Gjykate Kushtetuese në kontinentin ku jetojmë, 30 vjet janë një fragment i shkurtër kohe, një kohë që sidoqoftë, Gjykatën Kushtetuese e ka përvijuar si zbutëse të efekteve më negative të tranzicionit, por edhe si një faktor të zgjatjes së tranzicionit.

Është krijuar në fakt,  një përshtypje e vrazhdë sikur i gjithë aktiviteti i Gjykatës Kushtetuese konsiston në një kalim pasash mes saj dhe Kuvendit dhe së fundmi deri para pak kohësh, larg qoftë me Presidentin, kthime, gjysmë kthime, vendime për rishkrime ligjesh mbi çështje në fokus të debatit mes forcave politike në pritje të një arbitrazhi që ndonëse me konture juridike, përqendrohet ashtu si pashmangshmërisht në arsyetime thjesht politike apo ndonjëherë mjaftohet thjesht në balancime politike.

Këtu nuk është faji i Gjykatës Kushtetuese, për të mos u keqkuptuar, por i shpërdorimit të saj dhe i tollovitjes së gjithë veprimtarisë së saj nga aktorë të tretë të cilët iu arratisën përgjegjësive të tyre duke mos gjetur dot konsensus apo rrugë të ndërmjetme për tu marrë vesh, po duke thirrur në ring vend e pavend Gjykatën Kushtetuese, që për hir të detyrimit të pashmangshëm të dhënies së drejtësisë, shtrëngohet në debate që janë të penguara nga presioni politik, i drejtpërdrejtë ose indirekt dhe vendime që nganjëherë drobitëse për ata që përpiqen t’i lexojnë deri në fund, duke mos e arritur dot atë ekuilibrin e artë që duhet ta frymëzojë, përmes tejçimit të urtësisë, arsyeja e pastër e një Gjykate Kushtetuese.

Nuk mundem ta shmang dot, me gjithë përpjekjen, një eveniment të ri të ditëve të fundit, unik në tërësinë e veprimtarisë publike dhe politike të këtij vendi në këto 30 vite që nuk është absolutisht e varfër me shfaqje unikale devijimesh, goditja në Gjykatë Kushtetuese nga parti politike e një vendimi qeverie, e një vendimi qeverie në zbatim të një ligji të kaluar në  Kuvendin e Shqipërisë për të ndëshkuar abuzimet me lejet e ndërtimit nga ndërtues që, në pambajtësinë e tyre, e kanë bërë të pamundur mos ndëshkimin përfundimtar.

Që një vendim qeverie të çohet në Gjykatë Kushtetuese, është një akt që të lë pa fjalë, por që një vullnet politik të ngrihet kundër një vendimi qeverie për të marrë në mbrojtje shkelje haptazi të ligjit të një natyre krejt të veçantë, të mishëruara në metra katrorë të prekshëm dhe të matshëm, ky është një kulminacion i ri që e ilustron edhe më së miri sesa kulminacione të mëparshme, ato që po përpiqesha të thosha.

Pikëpyetja legjitime që ngrihet është se si mund të vetëdijesohemi reciprokisht, se jo çdo konflikt i natyrës politike dhe i natyrës sociale, duhet të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese apo nga ana tjetër, si mundet të evitojmë që duke iu adresuar Gjykatës Kushtetuese për shumë gjëra të cilat në vendet normale zgjidhen në rrugë të tjera, të mos kontribuojmë dhe të mos e vëmë Gjykatën Kushtetuese në pozitë të kontribuojë për të tej zgjatur mahisjen e konflikteve.

Kushtetuta është e të gjithëve. Ajo nuk është gardhi i Gjykatës Kushtetuese, ndonëse kësaj të fundit i takon ta bëjë atë sa më të aksesueshme, të gjithë pranuar dhe të mirëkuptuar. Për ta thënë me fjalët e “Rolling Stones”, Gjykata Kushtetuese është veç “the Singer, not the Song”.

Kushtetuta ka sot një armatë të tërë mbrojtësish, duke filluar nga shtetasi i zakonshëm, tek kreu i Shtetit, pa harruar shoqërinë civile, botën akademike, angazhimet e institucionet e ndryshme multilaterale të politikës ndërkombëtare.

Gjetja e ekuilibrit politik dhe social pa uzurpuar kurrsesi  roli i ligjvënësit, evidentimi i kufijve të ndërveprimeve institucionale aty ku ato zbehen apo bëhen të padukshme, mbrojtja e individit përballë forcës potencialisht cënuese të tejkalimit të së drejtës kushtetuese të autoriteteve, janë një sfidë vetëkontrolli, vetëpërmbajtjeje dhe legjitimiteti nga Ana e Gjykatës Kushtetuese.

Zbatimi i reformës në drejtësi po na dëshmon të gjithëve qartë e dhimbshëm, se sa i leqendisur është një sistem që nuk arrin të ketë gjyqtarë të pavarur me integritet dhe profesionalizëm. Këto cilësi kërkohen sot me një ngulm thuajse të dëshpëruar tek gjyqtarët që po zgjidhen sipas një sistemi të ri vlerësimi. Por të gjithë jemi, besoj gjithnjë e më të vetëdijshëm teksa ndjekim me shumë shpresë por edhe me pak shqetësim jetësimin e reformës në drejtësi, se kur thotë popullit “Kjo punë nuk është me inat por është me takat”.

Këtu dua të sjell edhe në nderim, në këtë 30 vjetor, një emër që ju të gjithë e njihni, ai nuk është më mes nesh, Jusuf Vrioni, një ndër shqiptarët më të kulturuar dhe padyshim një ndër juristët më të ditur që kanë kaluar në këtë vend, me të cilin kam pasur privilegjin të kem një raport shumë miqësor dhe të cilin e kujtoj përditë e më shumë, realisht përditë e më shumë, qëkur ka kaluar reforma në drejtës.

Jusuf Vrioni ishte një i përndjekur politik, i torturuar kafshërisht në burgjet e regjimit komunist, i izoluar për shumë vite dhe padyshim, ishte dikush që mezi e priste fundin e atij regjimi dhe në një nga bisedat e shumta pas rënies së regjimit, në vitin ’91 e pyes, “Jam unë gabim apo nuk më dukesh aq entuziast sa të takon për ardhjen e demokracisë”.

Jusufi qeshi dhe tha “Nuk ka ardhur demokracia, ka ardhur liria. Tani fillon përpjekja që të vijë demokracia”.

Natyrisht, sot do ta kisha kuptuar menjëherë. Atëherë mu desh ta ri pyes ca do të thotë kjo. Më tha “Unë jam shumë i lumtur që ndryshe nga shumë bashkëvuajtës të mitë që ikën pa e parë, unë e pashë dhe mund ta përjetoj fundin e atij regjimi. Ti e di që mu desh shumë kohë. Shpresoj që ti të arrish ta shohësh, siç arrita unë e ta kesh jetën mjaftueshmërisht të gjatë për ta përjetuar demokracinë”.

U hutova dhe më shumë dhe ai më tha “Liria është mundësia për të zgjedhur, mundësia për tu zgjedhur, mundësia për të shkruar ligje duke debatuar në parlament, mundësia për të bërë atë që do dhe për të thënë atë që mendon kurse demokracia është gjykatë dhe gjykatës. Për të pasur demokraci, gjykatësit nuk mjafton të mos jenë komunistë, nuk mjafton as të jenë të ndershëm dhe as të pavarur por duhet të jenë dhe të aftë”. Që do të thotë që jo vetëm duhet të kenë integritet moral por edhe profesional dhe anasjelltas. Integriteti moral t’i ndihmojë që në vijimësi që të kuptojnë që profesionalisht përsosja nuk ka fund.

Një gjyqtar është aq i pavarur dhe më aq integritet moral dhe profesional sa e lejon formimi i tij intelektual dhe social, si rrjedhojë një gjykatë është aq e pavarur dhe e aftë sa gjyqtarët e saj.

Citoj këtu: “Një kulturë e përgjithshme e shëndoshë, e depërtueshme nga debatet e mëdha të shoqërisë dhe jo vetëm të politikës, e hapur ndaj prurjeve të reja të mendimit, e guximshme në artikulimin e argumenteve, duke gjetur forcën e saj më të lartë shprehëse në fuqinë, bukurinë dhe saktësinë e një gjuhe amtare të mirë zotëruar, e ndjeshme ndaj interesit të përgjithshëm dhe interesave eprore të vendit, është brumi kryesor dhe kriteri numër një për pasur një Gjykatë Kushtetuese”.

Shumë faleminderit!

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ndrea: 20/10/2022 14:45

    Nje nder sekretaret e kriminelit Enver Hoxha, ish gjyqtar dhe me pas i burgosur, tregon me librin e tij pas vdekjes ligesine e kreut komunist i cili nuk kishte asnje konsiderate per ligjin apo gjykaten. Asgje mbi partine pra vete tiranin Hoxha. Ne vitet 92-97 e pame kete lloj smundje qe kane tiranet tek Berisha 1, i cili e shkaterroi principin gjykates sidomos me rastin Brozi. Ndersa sot, nke tjeter tiran injorant, i lig dhe mediokerr perpiqet te kontrolloje serish gjykaten ne nje forme qe kombinon paraardhesit e tij. Vini te qe Rama njesoj si Hoxha, manipulatore pa shkolle, jane zero ne aspekt te formimit ligjor dhe pa asnje lidhje me cdo element te tij.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?